Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?

„ARBËRIA“ 1.Janar.1995


ENIGMA E SHTUTGARTIT


KUSH E VRAU KADRI ZEKËN DHE VËLLEZËRIT GËRVALLA?


-Kësaj radhe disa pyetje zonjës Zana Gërvalla-


            Informativisht: Zonja Gërvalla është e veja e Dëshmorit Jusug Gërvalla, i cili u vra me atentat (tok me Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën) në Shtutgart më 1982.

            Më kishin thënë paraprakisht kur kërkoja banesën e saj në Tiranë se aty shkojnë persona të dyshimtë kombëtarisht nga Kosova dhe kontaktojnë me sivëllezërit e tyre tiranas të tiranozuar, nihilistë e vandalistë...

            Pra, unë nuk doja të besoja? Pastaj kisha obligim ta shoh familjen e shokut të Rënë, t’i mësoj të gjitha nga burimi,-dhe tok ta kultivojmë frymën liridashëse të Dëshmorëve: TË HARMONISË KOMBËTARE DHE TË BASHKIMIT KOMBËTAR E TERRITORIAL: dhe vërtetë punuam diç; fotokopjonim materialet dhe mbanim përvjetorët e simpoziumet. Ti e di fare mirë, se nuk do të mbahej Simpoziumi pa këtë bashkëpunim?

            Fryt i atij aktiviteti ishte edhe botimi i materialeve në broshurën e Shoqërisë Atdhetare për Luftëtarët e Rënë të Kombit Shqiptar: “Pishtarët e Lirisë” Nr.1 e 2: ku, në numrin e parë u botua edhe Përshëndetja ime me propozim konkret: që të ngritet padia, zyrtare ose private, kundër atentatorëve në Shtutgart? Atje në shkrimin tim theksoja se ka dy burime të dhënash, pos tjerash: burimi policor dhe medial. Ti përmendje si të dyshimtë Ibrahim Kelmendin?- por nuk ngrije padi? Kurse në rrethet e atjeshme kosovare pengonte Hydajet Hyseni!?! Ai ishte kundër zbulimit të kriminelëve, ngase :”Edhe vetë dëshira e Dëshmorëve do të ishte që në këtë moment të mos bëhen përçarje kombëtare”!?!- kështu u shpreh edhe në Odë me rastin e vdekjes së Babait të Dëshmorit Kadri Zeka në Gjilan.

            Po Ti merreshe me kotësira: punonim nën trysninë e bombardimit tëndë të çdo gjëje të së kaluarës. Në banesën Tënde/stërkomode/ Ti nxije e mohoje e groteskoje, si është keq e më keq e si është zi e më zi gjithë të kaluarën e popullit shqiptar. Kur dikush të thonte se e paske banesën e mirë,-Ti e kishte në majë të gjuhës, njërën nga këto dy përgjigje: “Është italiane!!” ose: “Ma kanë dhënë për reklamë!! Ngaqe këtu vijnë kosovarë, le të shohin se si jetojnë kosovarët,-kurse kosovarët ishin nëpër kampe përqëndrimi!!”

            “Jo, mbase nuk ishin të gjithë!?

            “Jo bash të gjithë, po ama shumica absolute po !!”- konstatoje e ngazllyer!!

            Heshta njëherë, dy, tri....Kur pandeha se jemi ambientuar cazë, dhe kur e pashë se nuk po dinit të ndalur, ta pata tërhekur vërejtjen në prezëncën e historianit, Myftar Memia, që t’i ndërpresh e të mos vijosh më me ato kritizime, ngaqë jeni familje dëshmorësh dhe mund të bini në konflikt? Ti, Zana, kultivoje Veprën e Burrit, dhe kështu edhe Ti do të bëhesh e madhe. Ndryshe, nuk mund ta arrish, e leremë ta tejkalosh burrin!!!

            Njëherë m’u duk se ratë në mendime, por kjo kishte qenë vetëm një intermexo e shkurtër

            Megjithatë, ne edhe më tutje vinim dhe ua sillnim gazetën e Dëshmorëve “Për mëmëdhënë”,- por ju nuk u kyçët sikur që u kyçën familjet e tjera të Dëshmorëve: po edhe më “këshilloje” madje, që të heq dorë nga kjo punë e kotë!! Kështu edhe ke rënë në konflikt me shumë familje Dëshmorësh, për shkaqe politike e ideologjike dhe praktikisht nuk honepseni ndër vete? Përballë banesës Tënde ke gjeneralin në pension, Sejdin Avdiu, me origjinë nga Skënderaj, bashkëshortja e tij, Marika, është motër e Dëshmorit, Xhorxhi Martini: pra dyfish e shumëfish arsye që ta kultivoni fqinjësinë e mirë? Poshtë banesës Tënde është po ashtu familja e Dëshmorëve, Bushati, dhe Drita Bushati, nuk të honeps as të imagjinon dot!!?... E pra, motra e Dritës, Besa Bajraktari, është mësuese në pension, shkrimtare dhe poete e njohur: Blloku “Vasil Shanto”P.II sh.1 Ap.9-Tiranë: ka vepra të botuara e të pabotuara. Them unë: Do kishit se çfarë të bisedonit dhe do të plotësonit nevojat e shoqishoqit... Ti ke pasë nevojë për një këshillë. Ajo për një makinë shkrimi.,.(edhe pse Besa me Sabri Novosellën ishin kategorikisht kundër botimit të këtij shkrimi)

            As kjo gjendja nuk më ka ndaluar që të mos vi për vizita familjare e vizita pune: kur një ditëzaj po shihnim çudi me sy,- nga treshi i dëshmorëve Ti e kishe tërhequr fotografinë e Dëshmorit Kadri Zeka!!?...

            Mbetnim pa gojë...Dhe në tetorin e vitit 1993, erdhëm, tok me gazetarin, Bislim Elshani, dhe shtruam këtë pyetje: “Zonja Zana, iu ka rënë njerëzve në sy, e këtë po e shohim tash edhe ne, se e ke hequr fotografinë e Kadri Zekës nga vëllezërit Gërvalla??!! Dhe përgjigjeja jote gjakftohtë që:

“Jo! Jo. Kjo është dhomë familjare...”- dhe në të dalur e more një foto të rrëzuar mbi plaçka në korridor dhe na e tregove “për argument”, duke pandehur se ne jemi aq naivë dhe menjëherë do t’i gëlltitnim proçkat e tilla dhe do të bindemi!!

Dhe nuk u bindëm: Dhoma e pritjes, Oda,- nuk është familjare!! E pra, Oda ka qenë shkollë, ku është mësuar historia jonë e përgjakshme, “log” burrash në mot të lig apo atmosferë të tendosur nga trysnia e armiqve. Kurse Fjalori Enciklopedik Shqiptar f.771 (E.R) e shpjegon: Mjedisi paraqitës i banesës tradicionale shqiptare, ku pritën miqtë..Zë vendin më të mirë në kompozicionin e banesës dhe dallohet nga pajisjet e trajtimi i pasur dekorativ (nënvizimi im K.O).

Pra, Ty sikur nuk të pëlqen dekori me tre Dëshmorë!!!???-çështje shije, Zana. Shije njerëzish,-varësisht nga shkalla e qytetërimit, kulturës, stabilitetit, parimsisë dhe konsekuencës!

Njëherë kur gruaja ime të tha se Jusufi nuk vdes kurrë: - Ti me mendjelehtësi the: “Për mua ka vdekur”!!!??? Kurse ne pandehëm se tanimë paske shkalluar?-dhe me keqardhje dolëm...

Pra, të nderuar lexues, jo vetëm se zonja Zana Gërvalla nuk u kyç në Shoqërinë Atdhetare për Luftëtarët e Rënë të Kombit Shqiptar (ku do ta zinte një vend nderi në Kryesi), por Ajo po “brengosej” për mua se mos qenkam i manipuluar!!!

Ndërkaq zonja Zana nuk bën asnjë kthesl: në realitet ka bërë një kthesë që...Ajo ka marrë tatpjetën dhe as mund të kthehet më, Kurse gjurmëve të krimit nuk shkuan as familjet e tjera të Dëshmorëve, as shokët e tyre të armëve, as Qeveria e Prishtinës e as Qeveria e Tiranës.

            Ti sillesh sikur je mikesh e Presidentit Berisha? Po Presidenti në Ditën e Dëshmorëve, më 5 Maj 1993, te Lapidari “Nëna Shqipëri” pati deklaruar: “Dita e Luftëtarëve të Rënë është Dita e Dëshmorëve të Kombit, është njëra prej Ditëvemë të shenuara, është Dita e Ringjalljes së tyre mbi sakrificat e gjakun e të cilëve qëndron Shqipëria e lirë, qëndron liria jonë. Martirët, pra, janë fondi i pavdekshëm i memorjes kolektive shqiptare. Të Rënët e Kombit janë, pa dyshim,. Pjesa më e çmuar. Një komb dallohet se kë nderon, edhe unë mendoj se më të mëdhenj se ata që vdesin për liri nuk ka. Ata janë një faktor i fuqishëm i bashkimit, i të gjithë atyre që besojnë lirinë. Martirët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, janë pa parti. Partia e tyre, do të thosha, është liria. Martirët, pavarësisht nga mosha, janë të pavdekshëm, ata për moshë kanë pavdeksinë. Në përgjithësi, ata kanë qenë njerëz të thjeshtë, por të gjithë të mëdhenj në vdekje, prandaj do të nderohen përgjithmonë”, tha presidenti Berisha.

Kurse, Ti Zana Gërvalla, me kryeneçësi vijon t’i ndashë shokët e armëve kundër Serbisë çetnike-neofashiste. Edhe pse lapidarët e tyre janë pranë e pranë!! Ashtun sikur nuk ndahen bashkëluftëtarët e lirisë: Trimat e Kodrës së Kuqe (Vojo Kushi-Xhorxhi Martini-Sadik Staveleci), Trimat e Kodrës së Diellit (Afrim Zhitia-Fahri Fazliu), as trimat e Kodrës së Trimave (Rexhep Mala-Nuhi Berisha), as Heronjt e Vigut...Kësisoji nuk bën të ndahen as vëllezërit Gërvalla nga Kadri Zeka.

Kam dëgjuar se:

1.       Enver Hoxha ta kishte dërguar dhuratë librin “Titistët” me përkushtim: “Familjes së komunistit Jusuf Gërvalla...”- të cilin Ti e ke mbajtur ashtu të hapur, që ta shohin mysafirët se kush jeni,- për identifikim? Tevona që Vëllezërit Gërvalla i ke "shpallur” jokomunistë,. E këtë “Autorizim “ nuk e ke pasur edhe për Kadri Zekën, e vetmja mundësi e distancimit dhe e diferncimit Tënd ka qenë ky gjest, sa naiv, aq i ultë? (Po për këto shkaqe edhe unë detyrohem të distancohem e të diferencohem nga ju: jeta është e shkurtër dhe unë e Ti jemi me zemër të prekur,- të mos shkojmë drith e kashtë!!

2.      Se je e fiksuar në kasetë duke qajtur me kujë me rastin e vdekjes së Enverit më 1985? Dhe për vetëm pesë vjetë përparove kaq shumë!!?- sa të rrokësh në vallen e nihilistëve e të vandalistëve të historisë 45- Vjeçare!!?

3.      Po ashtu kur keni punuar në Bibliotekë, pastruesja e lodhur me fshesë në dorë ishte ulur për t’u çlodhur ca mbi një pako me libra,-pa ditur në janë të Enverit a të Hitlerit, kurse Ti menjëherë ke reaguar me të bërtitura, me lemeri e me lebeti: shikojeni armiken të ulur mbi veprat e shokut Enver!!? Dhe kjo kishte mjaftuar që punëtorja të përjashtohet nga puna?

Nuk di se çfar të ka thënë Nëna Ajshe? Edhe Ajo duhej ta jepte mendimin e vet?- edhe të tjerët po ashtu...

Kur të njoftova se Kruja e Fushë- Kruja ua kanë shlyer shkollave emrat e “Slenderbeut” e të “Shote Galicës”,-Ti më the Si është e mundur?, a je i sigurt!!? Dhe Ti kishe prirje të më dyshosh për lajmin e hidhur: Edhe pse do të ishte në dijeni për dëmtimet e lapidarëve të Avni Rrustemit, Shote Galicës, Pllakën Përkujtimore ku ka punuar e jetuar Mihal Duri..Ngase Ti për shumçka puqesh me ta dhe keni akorduar pipëzat e vallës-antikombëtare. Dhe Ti nuk na qenkesh e manipuluar!!!

            Në këto paudhësi nuk je e vetmuar: gazetari Qazim Doda, nga Svirca e Kamenicës, i cili thotë se e ka “kushëri” Dëshmorin Nuhi Berisha, - në janar të vitit 1993 më erdhi në spital për një “intervistë” dhe me atë rast m’i mori vjershat dhe këngët e mia për Rexhep Malën e Nuhi Berishën dhe për vllezërit Gërvalla e Kadri Zeka. Për t’i  zhdukur e për të mos u kthyer më kurrë. Kështu, atentati fizik i shtohet edhe atentati kulturor, përkujtimor...

            E keni keqkuptuar pluralizmin demokratik: pluralizmi demokratik nënkupton tolerancën maksimale në shqyrtime e polemika. Por vetëm deri te kufiri me anarkinë: këtu duhet edhe një diktaturë ca më e rreptë nga ajo paraprakja...

            Ka edhe gjurma të tjera të krimit: në kohën e atentatit, Xhavit Visoka nga Barileva ka qenë i dërguar jashtë dhe është kthyer në arkivol i vrarë nga policia sekrete për t’i humbur gjurmët e krimit si bashkëpunëtor i UDB-së? Përflitet edhe për një rast të ngjajshëm nga Prizreni? Përmendet edhe Murat Maloku nga fshati Plloqicë, pos tjerash për të cilët tanimë është shkruar, si udbashët shqiptarë Selim Brosha e Bashkim Hisari me kompani... për të cilët ka shkruar edhe shtypi në përgjithësi e në veçanti gazeta “Zëri i Kosovës”, e cila gjendet edhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

            Kështu ndodh me personat me shumë flamuj!!

            Mirëmbeç në banesën Tënde-Italiane !!!!

                                                                                         Kadri(Os)Nanaj



Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi