Fadil Kajtazi
Vrasja në Shtutgard
gazetajnk.com, Mars 14,
2012, 11:03
Ditëve të fundit prapë është aktualizuar ngjarja e dhimbshme e 17 janarit të vitit 1982, kur mbetën të vrarë patriotët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ashtu siç e pat tronditur opinionin kjo ngjarje para tridhjetë vitesh, ajo vazhdon të jetë tronditëse edhe trishtuese edhe në ditët e sotme për familjet e patriotëve, shokët e tyre dhe për mbarë popullin e Kosovës.
Një pjesë e madhe e atyre
që deri më sot kanë marrë guximin që ad hoc ta aktualizojnë këtë çështje janë
larg prezantimit të realitetit se çfarë ka ndodhë në të vërtetë në mbrëmjen
kritike të 17 janarit, dhe kjo për dy arsye.
Në këtë ngjarje janë hedhur
dy palë; e para vërtet dëshiron të vijë deri te e vërteta, pavarësisht se cila
është ajo, dhe pala tjetër, e cila krijon mjegull. Në këtë të dytën prapë kemi
dy grupe, i pari i cili dëshiron të arrijë te një e vërtetë çfarëdo qoftë dhe
këtë për qëllime përfitimi (politik, mediatik, financiar etj) dhe gjatë rrugës
për të ardhur te e vërteta, krijon mjegull e cila ngjarjen e vërtetë e mbulon
edhe më shumë. Dhe grupi tjetër, apo individë të caktuar të cilët në përpjekje
për ta zbuluar të vërtetën, e mjegullojnë më shumë nga shkaku për të fshehur
gjurmët e tyre të prezencës në këtë krim makabër.
Përjashto familjet e
nderuara Gërvalla dhe Zeka, të cilat kanë obligim njerëzor të interesohen për
çdo copëz informate që dëgjojnë, të tjerët është vështirë të thuhet se në cilin
pozicion gjinden, dhe te e vërteta absolute e kësaj ngjarje tani për tani është
vështirë të arrihet, sado që dikush thotë se i njoh vrasësit me emër e mbiemër
edhe me kushtin se ata i ka parë.
Te e vërteta absolute për
këtë ngjarje tani për tani mundë të arrihet vetëm nëse ndonjë 007 i AKI-së
futet në arkivat e BIA-se dhe merr origjinalin e dosjes operative dhe atë, me
kushtin që ajo nuk është në njërin nga thasët me dokumente, të cilat SHIK-u i
ka sjellë nga Serbia. Në të kundërtën duhet të operohet me copëza faktesh, me
anë të të cilave mundë të ndërtohet një pjesë e mozaikut, i cili krijon një
imazh të përafërt të asaj se çfarë ka ndodhur në mbrëmjen e 17 janarit 1982.
Fakte
Para se t’i radhisim
faktet, pakkush deri me sot ka trajtuar motivin e vërtetë të kësaj vrasjeje,
dhe për t’u kuptuar dimensioni i vërtetë duhet të dihet motivi, i cili
gjithashtu është pjesë e dosjes operative, por qe është më i lehtë për t’u
nënkuptuar, së paku nga ata të cilët deklarohen se i kanë pasur shokë të
idealit Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin. Dhe hilja fillon pikërisht te ideali.
Ideali i pjesës më të madhe të shqiptarëve të mbetur në Jugosllavi ka qenë
çlirimi dhe bashkimi me Shqipërinë.
Këtë synim në fillim OZN-a,
pastaj UDB-ja, dhe me vonë SDB-ja, e kanë ditur dhe njëra nga detyrat kryesore
e tyre ka qenë ta pengojnë dhe kjo dihet nga praktika dhe përditshmëria e jonë.
Mirëpo si çdo punë që ka metodat e veta, edhe në këtë punë, shërbimet dhe
diplomacia jugosllave e kohës, ka përdorur një metodologji efikase e cila për
një kohë të gjatë iu ka funksionuar. Dhe njëra nga këto ka qenë ngjyrosja me të
kuqe e idealit tonë.
Këtë përpjekje e hasim që
në fillim të veprimtarisë së organizatave patriotike që vepronin qoftë brenda
në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, qoftë ato të emigracionit politik. Dhe kjo
deri tani më së miri është e dokumentuar nga prof. Dr. Hakif Bajrami, në
botimin “Zavere i zlocini UDB Jugosllavije prema albancima na Kosovo do 1966”.
Botërisht dihet se
emigracion politik të shqiptarëve në BRSS, apo në ndonjë vend të bllokut
socialist, nuk ka pasur. Me përjashtim të individëve dhe grupeve të vogla që
kanë qenë në Shqipëri, pjesa më e madhe e emigracionit ka qenë e vendosur në
vendet perëndimore.
Veprimtaria e organizatave
politike të emigracionit politik shqiptarë të ideologjizuar me
marksizëm-leninizëm ka qenë e mirëseardhur për SDB-në, pasi që ata shumë kanë
ndikuar që shërbimet perëndimore në të shumtën e rasteve ato ti cilësojnë si
celula të KGB-së, dhe si të tilla ndikimi i tyre në qendrat politike dhe në
opinionin evropian ka qenë i papërfillshëm.
Në kulmin e Luftës së
Ftohët të bësh propagandë marksiste-leniniste në vendet perëndimore ka qenë
sikur të qëndrosh në një fushë të minuar dhe më tepër se hipokrizi. Dhe
pikërisht këtë e kishin vërejtur tre patriotët tanë të cilët kishin filluar
tentimet e para për ta deideologjizuar lëvizjen për çlirim kombëtar.
Bazat e një diskursi të ri
në politikën e emigracionit politik shqiptar i ka vendosur Jusufi, Kadriu dhe
Bardhoshi. Kjo nga jashtë vërehet nga disa intervista që Jusuf Gërvalla i
kishte dhënë në shtypin evropian të kohës. Së paku nga ajo që deri tani është
publikuar në publicistikën serbe nga oficerët e SDB-së, kjo kishte filluar t’i
tmerrojë ata dhe ky ka qenë njëri prej motiveve kryesore pse SDB-ja dhe kreu i
saj i atëhershëm, Stane Dollanc, kanë vendosur të veprojnë në mënyrë ofensive
(shifra zyrtare e SDB për t’u likuiduar fizikisht dikush) në drejtim të tre
patriotëve.
Kjo është vërtetuar
tërthorazi edhe në gjykatën e Hagës. Njëri nga dëshmitarët e mbrojtur kundër S.
Millosheviqit, i cili kishe qenë shok i Gjorgje Bozhoviqit, i njohur me
pseudonimin Gishka, njërit nga pjesëmarrësit në atentatin në Shtutgard, dëshmon
se Gishka (me prejardhje nga një familje shqiptare e fisit Kuqi nga Mali i Zi)
kishte thënë: “Ne (SDB-ja) i kemi tërhequr vërejtjen Millosheviqit që të heqë
dorë nga konflikti masiv me shqiptarët, për shkak të implikimit të bashkësisë
ndërkombëtare”.
“Atyre duhet vrarë
intelektualet se i kanë të pakët. Lisit duhet hequr lëvozhgen, deri sa të dalë
e reja ai thahet. Ky nuk na ka dëgjuar, dhe ja ku jemi”.
Cilët janë autorët i
vrasjes?
Vrasja e Jusuf e Bardhosh
Gërvallës, Kadri Zekës, por edhe e Enver Hadrit, zyrtarisht është bërë publike
nga Kuvend i Serbisë pas vit 2003, si dhe nga publikimet e bëra nga oficerë të
shërbimit të cilët ishin organizatorë të këtyre akteve.
Nga kjo rezulton se SDB-ja
në këto akte terroriste kishte angazhuar ekipe të posaçme në përbërje të së
cilës ishin Zhelko Razhnjateviq-Arkan, Ratko Gjokiq, Dragan Malesheviq-Tapija,
Gjorgje Bozhoviq-Gishka, si dhe ekipi i dytë Veselin Vukotiç (Veshko), Andria
Lakoniç dhe Darko Asanin.
Në vrasjen direkte të
Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit atentatorët kanë qenë Zhelko Razhnjateviq-Arkan
dhe Gjorgje Bozhoviq-Gishka. Për këtë arsye Sekretari Federativ i Punëve të
Brendshme Stane Dolanc shumë vite më vonë pati deklaruar se Arkani ka qenë më i
dobishëm se i gjithë shërbimi, kurse ai përpos privilegjeve dhe shumave të
parave, nga Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme si dhuratë kishte
marrë një pistoletë të dekoruar me ar.
Dokumenti është zyrtar dhe
nuk ka pse të kontestohet dhe kjo nuk lë më hapësirë të vrapohet pas gjurmës,
kur shihet ujku. Për ata që njohin gjuhen serbokroate, mjafton të hynë në
internet dhe do të shikojnë se pjesa më e madhe e këtyre fakteve janë të
publikuara. Ajo që familjarëve në radhë të parë, por edhe njerëzve të mirë të
Kosovës më së shumti i dhemb është fakti i përfshirjes së shqiptarëve në këto
akte. Kjo është enigma e cila vazhdon ta lë të hapur këtë plagë për familjen
Gërvalla, Zeka dhe Hadri, dhe për popullin shqiptar kauzës së të cilës i
shërbenin këta burra.
A ka pasur shqiptarë të
përfshirë në këtë ngjarje?
Sado që bëhen përpjekje për
të vërtetuar këtë, duhet të ruhemi nga mallkimi i të ndjerit Jusuf, i cili në
momentet kur po luftonte me vdekjen ka lënë amanet që nëse është shqiptar mos u
zbuloftë kurrë. Dhe ku ka madhështi më të madhe se kjo, dhe ku ka virtyt më të
madh se ky. Këtë Jusufi nuk e ka thënë së nuk e donte jetën, këtë e ka thënë se
e donte shumë atë, dhe me këtë nuk donte ta rëndonte jetën e brezave të
ardhshëm. Dhe ku ka përkushtim më të madh se ky që në momentet e dhënies shpirt
të të shkoj mendja për ta ruajtur nderin e kombit, për t’i hequr atij epitetin
e kombit primitiv, vasal dhe tradhtar dhe shmangies se nxitur te vëllavrasjes.
Edhe me kushtin e bartjes
së mallkimit të të ndjerit (më mirë me të mallkuar Jusufi se më të lavdëruar
kurrkushi), do të përpiqem të sqaroj atë se kush i ka mundur t’i shoh në të
vërtetë vrasësit. Së pari nuk ka pasur gjasa që vrasësit t’i njohë ndonjë
oficer i SDB-së Krahinore, apo i ndonjë komune, siç pretendohet nga disa nëpër
debate televizive dhe portale.
Zgjedhja e vrasësve,
trajnimi i tyre, financimi, kamuflimi është bërë nga një sektor i specializuar
në SDB-në federative, sektori për veprime ofensive, i cili zyrtarisht nuk ka
ekzistuar asnjëherë.
Kjo punë ka qenë e ngritur
në nivel të shkencës pasi Instituti i Sigurisë që ka vepruar në kuadër të
Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme i ka studiuar këto gjëra dhe i
ka përpunuar deri në hollësi.
Atë që ka mund ta dije SDB Krahinore
ka mundë të jetë bashkëpunëtori (Spiuni) i infiltruar në rrethin e ngushtë të
organizatës që drejtonte Jusuf Gërvalla. Por edhe kjo me kushtin që
bashkëpunëtori të mos jetë rekrutuar nga shërbimi ushtarak apo nga ai
federativ.
Në kuadër të çdo Qendre të
Sigurimit Shtetëror nëpër komuna, pos tjerash ka ekzistuar edhe e ashtuquajtura
Vija e Emigracionit Politik, e cila ka pasur për qëllim që të përcjellë
aktivitetin e organizatave politike në perëndim. Rregull i punës ka qenë që
informatat e dërguar nga bashkëpunëtori (spiuni) nga perëndimi të administrohen
në këtë mënyrë ka pasur raste kur është shkruar vetëm një kopje e raportit,
ndërsa në SDB-ja komunale, procedura përafërsisht është ndjekur në këtë mënyrë.
Një kopje e raportit është
vendosur në dosjen e bashkëpunëtorit, një në lënden e objektit, i cili është
nën tretmanin e përpunimit operativ, tri kopje qendrës krahinore. Nëse është
vlerësuar se raporti ka vlerë operative, atëherë ai i është dërguar drejtorisë
së II-të të SDB-së Sekretariatit Federativ të Punëve të Brendshme. Nëse
nënsekretari federativ vlerëson se me këtë raport duhet informuar ekipin për
aksione ofensive, atëherë një kopje e raportit, e fotokopjuar dhe të
paregjistruar i dërgohet këtij sektori.
Praktikisht kjo pak a shumë
është dukur kusht. Nëse ta zëmë bashkëpunëtori ka qenë i rekrutuar nga SDB-ja
qendra në Pejë, (zakonisht ka pas një pseudonim p.sh. Mustaqja), ai ka
informuar oficerin që e ka mbajtur në lidhje. Ky ka bërë raportin sipas
procedurës së mësipërme. Dhe krejt çka mundë të na tregojë për këtë ndonjë
punëtor i SDB-së krahinore, ose komunale, mund të jetë se në vitin XX, Mustaqja
është rekrutuar nga L.M. në qendrën e Sigurimit në Pejë. Ose dikush nga
analitika e SDB-së krahinore mund të thotë se deri në vitin 1980 bashkëpunëtori
Mustaqja informonte për veprimtarin e Jusuf Gervallës, pastaj ai u tërhoq nga
SDB federative dhe kaq.
Informatori (spiuni) përpos
informimit për aktivitetin e grupit për të cilin SDB-ja ka qenë e interesuar,
rregull ka qenë, që nëse vendoset për likuidimin e ndokujt, ai të jetë prezent
me grupin e ekzekutorëve për të bërë identifikimin e tyre. Dhe pa dhënien e
pëlqimit të tij, atentatorët nuk kanë pas të drejt të hapin zjarr. Vetëm pas
komandës ky, apo këta janë është hapur zjarr. Dhe i vetmi që i njeh fizikisht
vrasësit është bashkëpunëtori i cili ka qenë prezent në aktin e vrasjes, por i
cili nuk e ka ditur emrin dhe mbiemrin e tyre sepse me rregullat në fuqi të
SDB-së nuk ka pasur të drejtë t’i dijë, sikur që edhe atentatorët nuk kanë pas
të drejt ta pyesin informatorin për emrin e tij.
Çdo gjë tjetër për këtë
rast dhe rastet e tjera është spekulim.
(Autori është analist i
çështjeve ushtarake dhe të sigurisë)
Kommentare
Kommentar veröffentlichen