HYSEN GEGA: KAM REFUZUAR TA VRAS JUSUF
GËRVALLËN
Nga Express 28 Mars 2012
22:34
Vrasja e Jusufit, Kadriut
dhe Bardhoshit është temë debati që lexuesit kanë dëshirë të mësojnë realitetin
objektiv e jo spekulime në adresë të njërit apo tjetrit. Një nga më të
përfolurit në këto debate është Hysen Gega, për të cilin thuhet se Riza Salihu ia
kishte dhënë revolen dhe e kishte urdhëruar të vriste Jusuf Gërvallën.
Që lexuesit të informohen
më saktësisht rreth ngjarjeve se si ato janë zhvilluar asokohe, Hysen Gega ka
pranuar të japë një intervistë ekskluzive për t’i shpalosur kujtimet e tij,
shkruan "Kosova Sot". Ai në këtë intervistë të gjatë dhënë kësaj
gazete ka prezantuar dëshmitë e veta rreth akuzave për vrasjen e Jusuf
Gërvallës dhe njohjen e tij me Riza Salihun.
“Hysen Gega që në moshën e
re aktivizohet për aktivitete kombëtare. Për veprimtari kombëtare dënohet më 12
vjet burg të rëndë, të cilin e mban në burgun famëkeq CZ në Beograd. Pas
vuajtjes së dënimit, në vitin 1993 përsëri do të arrestohet dhe burgoset me tre
vjet e gjysmë burg të rëndë. Pas lirimit nga burgu më 1997, do të angazhohet në
radhët e UÇK-së deri në çlirimin e Kosovës. Në Kosovën e çliruar Hysen Gega do
të tërhiqet për t’u marrë me bletari. Edhe pse personazh kyç i shumë
aktiviteteve kombëtare që nga viti 1972, i burgosur politik, organizator i
aktiviteteve të ndryshme kombëtare, zhgënjimin e zbut, i izoluar me bletët e
tij në bjeshkët e Sharrit”, kështu ka prezentaur Gega veten në "Kosova
Sot”.
Në pyetjen se si e komenton
ai paraqitjet e Riza Salihut I cili publikisht e pranon se ka propaganduar ndër
shqiptarët e atjeshëm se Jusuf Gërvalla ishte spiun i UDB-së, madje të njëjtin
mendim e ka edhe tani. Gega shpreht:“Kjo është e vërtetë, Riza Salihu thoshte
dhe propagandonte se Jusufi është agjent i UDB-së. Pohimet e tij më shtynë që
unë të bëja pyetje në ambasadën shqiptare në Vjenë se mos kishin ndonjë fakt
për Jusufin. Aty atëherë ishte njëri që më duket se quhej Simon Qirici,
sekretar i parë, ndërsa vetë ambasadori ishte farefis me Avni Rrustemin. Prej
tyre mora garancinë se Jusufi është i pastër dhe se mund të bashkëpunonim
lirisht e pa asnjë rezervë me të”.
“Me t’u kthyer nga Vjena
takova Riza Salihun dhe i thashë që të mos merrej me thashetheme, me akuza të
rreme e me shpifje ndaj bacës Jusuf. I propozova që të shkonim së bashku në
ambasadën shqiptare e të dëgjonte vetë se ç’thuhej aty për Jusuf Gërvallën. Ai
parimisht pranoi, ndërsa kur i shkova të nesërmen në banesë për ta realizuar
këtë gjë, mbeta i tronditur kur në korridorin e tij dëgjova se si flitej
serbo-kroatisht. Vetëm shumë kohë më vonë mora vesh se ai kishte qenë i martuar
me një femër nga Kroacia dhe kishin një fëmijë me të. Nuk kam ndonjë paragjykim
rreth kësaj lidhjeje të tij përveç faktit se na e kishte mbajtur plotësisht të
fshehur. Në këtë rast ai nuk pranoi që të shkonim bashkë në Vjenë, me
arsyetimin se po i dhembte syri, me gjithë ngulmimin tim se unë do të vozisja
dhe ai vetëm do të rrinte i qetë” thotë Gega.
Edhe pas tërë kësaj tregon,
Hysen Gega, Riza vazhdonte shpifjet e tij kundër Jusuf Gërvallës, duke shkuar
aq larg sa në një rast ka thënë: “I vjen keq se s’ka kush e bën sepse ai madje
e meriton edhe plumbin”, duke nxjerrë me këtë rast edhe revolen e duke më
thënë: “Ja merre këtë dhe vrite, sepse ai e meriton plumbin”, propozim të cilin
ia refuzova me fjalët: “Më mirë mbaje për vete, sepse mund të të duhet ndonjë
ditë për të vrarë veten”. Për këtë përcaktim të Rizait pastaj informova
Ibrahimin, Jusufin dhe Bardhin”, thotë Gega, në intervistë për "Kosova
Sot".
Kommentare
Kommentar veröffentlichen