Kulla e Gërvallëve do të
bëhet muze
17.Janar.2012, Dubovik
Në 30 vjetorin e vrasjes së
vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, në fshatin e tyre të lindjes në Dubovik
të Deçanit, të martën, është vënë gurthemeli për ndërtimin e Kullës së Jusuf
dhe Bardhosh Gërvallës, e cila mendohet të shndërrohet në shtëpi muze. Gurthemelin
e kësaj kulle e ka vënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli
Krasniqi, së bashku me kryetarin e Deçanit, Rasim Selmanaj, ceremoni kjo në të
cilën kanë marrë pjesë familjarë dhe miq të shumtë të familjes emblematike
Gërvalla.
Homazhe në kompleksin
memorial
Në kompleksin memorial të
Gërvallëve kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurora lulesh delegacione të
presidencës së Kosovës, MKRS-së, komunave të Dukagjinit, si dhe qytetarë nga
shumë komuna të Kosovës. Përpos vënies së këtij gurthemeli, MKRS-ja ka vendosur
që të bëjë edhe restaurimin e shtëpisë së vjetër të Jusuf dhe Bardhosh
Gërvallës, ku së bashku me shtëpinë e tyre dhe kompleksin memorial do të
shndërrohen në kompleks historik. "Ky objekt i kullës muze, i cili ka një
rëndësi të jashtëzakonshme historike, do të shoqërohet edhe me restaurimin dhe
konservimin e shtëpisë së vjetër të kësaj familje, kurse të dyja këto do të
përbëjnë një kompleks të rëndësishëm historik", ka thënë ministri
Krasniqi. Sipas tij, për ndërtimin e saj do të përkujdesën ekspertë të dalluar
të kësaj fushe, kurse punimet do të kryhen në një afat sa më të shkurtër të
mundshëm. "Ne si institucione të Republikës së Kosovës kemi dashur të
kryejmë një obligim ndaj veprës së tyre madhore, prandaj kemi nisur në këtë
ditë të shënuar ndërtimin e Kullës së Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, në mënyrë që
të kemi në fshatin Dubovik edhe një vend tjetër ku gjeneratat e ardhshme të
kenë mundësi të mësojnë më shumë për jetën dhe veprat e tyre", ka
nënvizuar ministri Krasniqi. Ndërsa kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim
Selmanaj, ndërtimin e këtij kompleksi duke e vlerësuar të një rëndësie të
veçantë për Deçanin dhe tërë Kosovën, ka thënë se kjo që sot po bëhet është
shumë pak për vëllezërit Gërvalla, kur dihet vepra e tyre e madhe për Kosovën.
Krahas ndërtimit të kompleksit memorial të Gërvallëve, kryetari Selmanaj ka
premtuar se do të investohet edhe në realizimin e infrastrukturës në këtë
kompleks, i cili do të jetë një pikë e rëndësishme historike e Kosovës.
Zbulohet busti i Jusuf Gërvallës
Simbolin e djalërisë
pejane, atdhetarin e orëve të para për lirinë e Kosovës, poetin dhe artistin e
këngës me kitarën e tij, Jusuf Gërvallën dhe vëllanë e tij Bardhoshin, Peja sot
e përkujtoi me mall dhe respekt. Në këtë 30 vjetor të rënies së vëllezërve
Gërvalla dhe Kadri Zekës u mbajt akademi përkujtimore në teatrin e qytetit, u
zbulua busti i Jusuf Gërvallës para kinoteatrit që mban emrin e tij, ndërsa në
mbrëmje u shfaq premiera "Kur loti ngrin në qepallë", baladë për
vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën, në dramatizim të Nimon Muqajt dhe me regji
të Jahi Jahiut. Jusufi dhe Bardhoshi dhe shoku i tyre i idealeve Kadri Zeka më
17 janar të vitit 1982 u vranë nga shërbimet e UDB-së në Untergrupenbah të
Gjermanisë.
Shënimi i këtij viti
jubilar të rënies së këtyre atdhetarëve në Komunën e Pejës, në kuadër të Flakës
se Janarit ka filluar në Galerinë e arteve në Pejë, ku është hapur ekspozita e
artistëve aplikativë pejanë kushtuar këtij 17 janari. Edhe Shoqata e
shkrimtareve në Pejë ka organizuar një orë letrare kushtuar këtij manifestimi.
Drejtorati për kulturë, rini dhe sport këtë përvjetor e shënoi me një varg
organizimesh.
Në mesditë në teatrin e
qytetit "Istref Begolli" në praninë e familjarëve, shokëve dhe miqve
të këtyre dëshmorëve të kombit, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të
presidencës dhe nga Qeveria e Kosovës, ministri për diasporë Ibrahim Makolli
dhe përfaqësues të strukturave të pushtetit lokal u mbajt akademi përkujtimore
kushtuar jetës dhe veprës së këtyre pishtarëve të lirisë. Për jetën edhe veprën
e tyre foli kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, me ç'rast vlerësoi lart
figurën e tij si atdhetar dhe krijues i letrave shqipe dhe artit muzikor. Pas
akademisë përkujtimore është bërë zbulimi i bustit të Jusuf Gërvallës para
objektit të kinoteatrit.
H.G. - K. P.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen