Po bëhemi shoqëri pa asgjë të shenjtë

Agjensia e Lajmeve SOT, 31 Mars 2012 02:00
Nga Faton ABDULLAHU

 Në shoqërinë ku nuk ka personalitete historike, ku nuk ka ngjarje e veprime të rëndësishme nga e kaluara, të cilat meritojnë pa pikën e dyshimit të quhen të mëdha e të cilat nuk kontestohen nga shumica e qytetarëve, të cilat gjithashtu nga shumica dërmuese e qytetarëve konsiderohen vlera të çmuara gati të shenjta, ajo shoqëri i ka hapur vetes problem shumë të madh, plagë shumë të rëndë dhe shumë shtrenjtë të riparueshme. Ne gjithnjë e më shumë po bëhemi shoqëri e tillë. Është hapur “kutia e historisë tonë”, është hapur me thyerje “sefi” ku janë ruajtur, mbikëqyrur me kujdes e xhelozi, figurat e ndritshme të historisë sonë, aty ku janë deponuar ngjarjet madhështore të identitetit tonë, aty ku e kaluara e jonë e ka moralin dhe drejtësinë, të mirën dhe të përjetshmen, busullën për ecje tutje, aty ku mbi të gjitha e para se gjithash, ka shqiptarizëm të mirë, aty ku ka togvlera që lidhin, shtrëngojnë dhe mbajnë bashkë edhe pjesët më të skajshme të tokës dhe kombit tonë. Po thyhet e po përdhunohet kjo fole, të cilën e kanë të gjitha kombet e të cilën e ruajnë me kujdesin e shtuar dhe përkushtimin fanatik, sepse e dinë se për ta krijuar një të tillë është shumë e vështirë, sepse duhet të kalojë shumë kohë, duhet të bëhen shumë flijime, duhet të bëhen shumë punë, të derdhet shumë gjak e djersë dhe për më shumë që ato ngjarje e personalitete të deponohen aty ku janë dhe të mbeten ashtu si janë duhet jo vetëm një herë të kalojnë në shumë teste të historisë.

Tash sa kohë në emër të një demokracie të përçudnuar të një demokracie të interpretuar sipas interesave e tekave antishqiptare, në këtë kuti në këtë “sef” të shenjtë e cila edhe nëse ka nevojë të hapet, duhet të bëhet me kujdesin e shtuar, duhet të bëhet rrallë dhe vetëm për nevoja specifike, tash i kanë futur duart, hundët dhe kthetrat të gjithë ata që për arsye nga më të ndryshme ju pengon themeli mbi të cilën është ngritur shqiptari, themeli mbi të cilin e me të cilin ne kemi mundur dhe mund të qëndrojmë vertikalisht. Në emër të një ideje sharlatane, por të rrezikshme, se asgjë nuk mund të jetë aq e mirë, aq me vlerë  e aq e shenjtë, sa të mos kontestohet e të mos shpupuritet në të, po preket në gjithçka shqiptare, po preket në bazën e saj, në shtyllat e identitetit të saj. Askush dhe asgjë nuk është imun ndaj kësaj të keqe të re regresiste e më së paku kutia e shqiptarizmës, për të cilën janë flijuar shumë dhe me shekuj. Niset nga fillet se duan që t’i këpusin mu ato, me prejardhjen iliro-pellazge të shqiptarëve dhe fillohet me pyetjen cinike e dinake, ndoshta, ndoshta nuk jemi pasardhës të tyre dhe janë shumë të vetëdijshëm, assesi nuk e bëjnë këtë rastësisht, sepse e dinë se kjo prejardhje dhe sidomos gjuha shqipe është bebëza e identitetit tonë nacional. Vazhdojnë me Skënderbeun dhe me luftën e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane. E dinë se kjo është një nga shtyllat e shqiptarizmës dhe e identitetit tonë qytetërues e nacional. Dëgjohet të thonë disa prej tyre pa fije frike, bile me arrogancën e paskrupullt “vëllazën vallahi bilahi Skënderbeu ka vra mysliman me dorën e vet”. 

Pushtuesin e bëjnë fetar të mirë, fetarin mysliman të devotshëm, ardhacakun pushtues e bëjnë haxhi, përhapës të madhështisë islame, kurse luftëtarin kundër pushtuesit e bëjnë kaur, anti-islam, vrasës. Këta lugat antishqiptarë nuk japin pesë pare se kështu po ngulin shtizë në bebëzën e shqiptarizmës, po prekin në njërën nga vlerat unike e të shenjta të saj, ku feja dhe kombi shkojnë dhe kanë shkuar bashkë dhe kanë mbrojtur pragun tonë dhe kanë mbajtur të ndezur shkëndijën e lirisë si udhërrëfim për gjenerata e gjenerata. Në atë kutinë madhështore të shenjtë dhe të virgjër të historisë sonë të lavdishme, ata fusin dorën dhe mendjen në kajde të shejtanit dhe hedhin helm mbi të drejtën zakonore shqiptare e cila aq shumë ju pengon. Të vetëdijshëm  për forcën e saj magjike nëpër historinë tonë, të vetëdijshëm për faktin se e drejta zakonore shqiptare është margaritar i qytetërimit shqiptarë dhe vlerë unike në gjithë qytetërimin botëror, të vetëdijshëm për rolin unifikues të saj kurrë të tjerët na donin të përçarë dhe rolin e saj përjashtues dhe refuzues të të gjitha të drejtave të tjera që na janë imponuar me shpata e syngji, sulmojnë këtë shtyllë tonën të shenjtë e cila pulson aktive dhe e cila na ka veçuar nga të tjerët. Dhe vazhdohet me këtë qasje antishqiptare edhe më tutje. Shpurritin me qëllimet nga më të ndryshme në folenë tonë të shenjtë nacionale, duke sulmuar figurat dhe ngjarjet e ndritshme. 

Tani na del se ndoshta dhe fillohet kështu me një ndoshta cinike, kinse racionale dhe qëllimmirë për ta zbuluar të vërtetën, ndoshta edhe Jusuf Gërvalla ka qenë bashkëpunëtor i pushtetit serb, ndoshta edhe të gjithë ata që kanë krijuar dhe mbledhur para në fondet “Tre përqindëshi” apo “Vendlindja thërret” kanë qenë dhe janë hajna e bashkëpunëtorë të Beogradit e ne që kemi dhënë para, budallenj që nuk e kemi ditur këtë se është dashur ta dimë.

 Kështu vazhdohet për vrasjet e spiunëve e bashkëpunëtorëve të pushtetit millosheviçian pak para lufte. Për ato vrasje dhe për këtë qëndresë flitet dhe ato vlerësohen me kandarin e të drejtave të njeriut, me kodet dhe ndjenjat e tragjedisë personale e familjare, duke harruar se ato ngjarje meritojnë të mbesin në atë strofullin e shenjët të historisë, sepse ato kanë bërë kthesa titanike pozitive. Edhe për rezistencën aktive paqësore, e cila nga kodi moral shqiptar dhe nga e drejta zakonore shqiptare, sidomos nga institucioni i leçitjes, kishte marrë brumë dhe strukturuar rezistencën si filozofi autoktone politike, thonë se e ka nisur dhe është dirigjuar nga Beogradi. Kështu pandalshëm, kështu kundër gjithkujt dhe gjithçkaje, deri sa nuk mbetet hero që nuk mund të rrijë i paprekur dhe ngjarje që mund të mbetet e shenjtë në altarin e shqiptarizmës. Por kjo nuk është e tëra që bëhet brengosëse. Edhe shoqëritë e tjera mbase kanë kaluar në peripeci e sulme të tilla, por nuk ju ka humbur kështu rruga në oborr. Forca e një shoqërie matet me prirjen për t’u konsoliduar, për të reaguar dhe për t’u mbrojtur suksesshëm dhe përmbajtësisht nga sulmet e tilla. Por ja që ne nuk po mund të mbrohemi, as që po dimë të mbrohemi nga antishqiptarët prej aq kohësh. Gjithsesi se një pjesë të madhe të fajit e ka edhe inteligjenca jonë. Është ajo që duhet të reagojë shpejt, drejtpërdrejt dhe vazhdimisht, është ajo e thirrur ta mbrojë këtë identitet tonin që po sulmohet në themelet e saj. Por ja që ajo këtë nuk po e bën. Pse nuk po e bën këtë mbrojtje ashtu si dhe sa duhet sot inteligjenca e Kosovës? Përgjigja në këtë pyetje hap një temë tjetër gjithsesi shumë të rëndësishme, e cila e do edhe një kolumne tjetër për ti dhënë një lloj përgjigje.

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?