Jusuf Buxhovi, specialist dhe altoparlant i UDB-së


Ibrahim Kelmendi, Epoka e Re: 03-04.02.2014
I
Nuk prisja që pas kaq shumë viteve Jusuf Buxhovi, gazetar, shkrimtar, historian, themeluesi i LDK-së, papritmas do ta shpërfaqte në mënyrë kaq vulgare Buxhovin tjetër, bashkëpunëtor, specialist e altoparlant i shërbimeve të Beogradit. Deri në paraqitjen e tij këtë emision shumica e dinin vetëm si të heshtur, të përmbajtur, të qytetëruar, intelektual, madje edhe patriot. Dy vetave u takon merita të shohim e ta dëgjojmë Buxhovin egërshan: Adriatik Kelmendit, drejtuesit të emisionit Rubikon në KTV, i cili e gozhdoi me pyetje si të ishte specialist hetuesie dhe veprimtarit veteran Hysen Gega. Pikërisht informata e Gegës se “Jusuf Buxhovi kishte shoqëruar hetuesit e UDB-së gjatë marrjes në pyetje në burgun hetues të Prishtinës, në vitin 1981”, bëri që tjetri ta humbasë vetë përmbajtjen që rëndom është karakteristikë e një specialisti të shërbimeve të fshehta.

Nga përgjigjet e Jusuf Buxhovit po veçoj dezinformimet e akuzat më flagrante të tij: “...në atë kohë në Gjermani ekzistonin shumë grupe marksiste-leniniste, staliniste, terroriste;... ato grupe luftonin njëri-tjetrin dhe vriteshin mes tyre;... ato demonstruan kundër rënies së Murit të Berlinit;... për vrasjet e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nuk mund të akuzohet UDB-a derisa nuk e konstaton drejtësia gjermane;... Hysen Gega ishte kriminel e vrasës;... klubet shqiptare ishin bordele, prandaj nuk i frekuentoja...” e të tjera.

Njohja e parë në klubin shqiptar në Dyseldorf

Se ishte bashkëpunëtor i UDB-së kisha filluar të dyshoja që në vitin 1978, kur e njoha për herë të parë në klubin shqiptar në Dyseldorf të Gjermanisë. Ishte një mbledhje e tensionuar, në rrethana të tensionuara.

Zenel Syka (nga Gjakova), nëpunës në Konsullatën jugosllave në Dyseldorf, kishte ndërmarrë pak kohë më parë iniciativën për të formuar klub jugosllav me emigrantët tanë ekonomikë. Ajo nismë nuk duhet të ketë qenë e Zenel Sykajt, por e ideuar dhe e urdhëruar nga UDB-a, si mundësi për t’i kontrolluar e kanalizuar emigrantët tanë, meqë në atë rreth kishin zënë fill veprimtari patriotike shqiptare. E tensionuar, sepse qysh në mbledhjen e parë themeluese Zenel Syka kishte nxitur edhe zënka fizike ndërmjet emigrantëve. Ai donte që me imponim ta bënte kryetar klubi mikun e tij, Enver Maliqin (nga Shkupi), ndërkohë që pjesëmarrësit kishin votuar Rrahman Begajn (nga Jezerci i Ferizajt). Në mbrëmje të po asaj dite sulmohet e plagoset me thikë Rrahmani, duke u kërcënuar ta linte vendin e kryetarit.
Në mbledhje, ku takova Jusuf Buxhovin, ishte i pranishëm personeli i Konsullatës në krye me konsullin Delibashiq, si dhe sekretari i parë i Ambasadës Jugosllave në Bon, zotëri Shefqet Hashani (nga Grema e Ferizajt). Personeli i Konsullatës ishte aty me detyrë frikësimi të emigrantëve pjesëmarrës që ta pranonin emërtimin “klub jugosllav”, kurse z. Hashani ishte aty i ftuar nga disa bashkëvendës të tij që t’i mbronte nga kërcënimet e personelit të Konsullatës.

Në debat e sipër Jusuf Buxhovi, i cili u prezantua si korrespondent i gazetës “Rilindja” (Organ i LSPPK), mori fjalën dhe zuri të arsyetonte se përse duhej që klubi të quhej jugosllav e jo shqiptar. Z. Hashani e ndërpreu me ton kërcënues, duke i thënë, pos të tjerash, se shqiptarëve u takon e drejta kushtetuese ta quajnë veten shqiptarë kudo që janë. Ai urdhëroi edhe personelin e Konsullatës që t’i linte të qetë anëtarët e klubit. Të pranishmit, tashmë të trimëruar, vendosën me aklamacion që klubin ta emërtonin Klub Shqiptar.

Jusuf Buxhovi erdhi edhe disa herë në atë klub, sidomos kur vinin për vizitë delegacione nga Kosova. Në atë kohë ai klub ishte i pari dhe i vetmi klub shqiptar në Gjermani, i cili u shqua për veprimtari patriotike (ndërkohë që në Mynih ishte klubi jugosllav “Rilindja”). Siç shihet, Buxhovi gënjeu kur foli në shumës për klube shqiptare, dezinformoi kur tha se ishin bordele dhe prandaj nuk i frekuentonte.

Takimi në Panair të Librit në Frankfurt

Duhet të ketë qenë tetori i vitit 1979 kur në Panairin e Librit në Frankfurt, te stenda e Shtëpisë Botuese “Rilindja”, takova Shefqet Hashanin dhe Jusuf Buxhovin. Shefqeti na qerasi me kafe aty pranë. Në bisedë e sipër ai propozoi ta vizitonim stendën e botuesve nga Shqipëria. Jusufi kundërshtoi me një zhargon tipik, por Shefqeti e urdhëroi. Gjatë ecjes drejt stendës së Shqipërisë, si në shaka, Shefqeti m’u drejtua: “Ibrahim, keni kujdes çfarë bisedoni në prani të Jusufit, sepse ky është i detyruar të më informojë mua, pastaj jam i detyruar t’ia përcjell informatat në Beograd!”. Buxhovit nuk i erdhi mirë për këtë shaka të Shefqetit. Personeli nga Shqipëria na mirëpriti edhe kur unë prezantova Shefqetin si sekretar të parë të Ambasadës Jugosllave dhe Buxhovin si korrespondent të gazetës “Rilindja”.

Shakanë e rastësishme të Shefqetit e mora me rezervë, meqë e dija se sekretarët e parë të ambasadave ishin oficerë shërbimesh inteligjente e, në rastin konkret, të UDB-së (siç e thërrisnim atëherë SDB-në).
Dy vjet më vonë, në maj të vitit 1981, zotëri Shefqet Hashani arrestohet në aeroport të Beogradit derisa po vinte për pushime në Kosovë dhe dënohet me 8 vjet burgim. Pas vuajtjes së dënimit arratiset në Gjermani, ku kërkon strehim politik. E takova. Në bisedë e sipër më njoftoi se Buxhovi kishte deponuar shumë informata, se hetuesia në Beograd Buxhovin e kishte mbajtur në hotel rreth një muaj për ta konsultuar si specialist që t’i përgatitej aktakuza Shefqetit.

Kur u informova se Jusufi kishte qenë i pranishëm gjatë marrjes në pyetje të bashkëveprimtarit Hysen Gega, me statusin e njohësit të veprimtarisë armiqësore të shqiptarëve në Gjermani, u binda përfundimisht se ai kishte të bënte me UDB-në, jo thjesht si pjesëtar i rëndomtë, por si specialist për luftën speciale të saj.

Le të merret si tolerancë ose mosdije imja, por unë vazhdoja t’i flisja Buxhovit sa herë që e takoja. Madje edhe në nëntor të vitit të kaluar (2013), kalimthi e pashë në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe i tregova për dorëzimin në shtyp të librit tim “Trileri i O. J. Schmitt”-it. Ia tregova edhe librin origjinal të Schmittit. Ma kërkoi, por nuk ia dhashë, ngaqë në të kisha bërë shumë nënvizime e shënime.

Veproja kështu edhe për faktin se unë UDB-ashët i vlerësoja si viktima të pushtimit dhe, së këndejmi, si pjesëtarë të atij sistemi monist e pushtues sepse, edhe po të mos ishin këta pjesëtarë të atyre strukturave, do të gjendeshin të tjerë duke qenë hallka të zinxhirit të sistemit, i cili sundohej nga Lidhja Komuniste. Vazhdimisht kam folur në mënyrë kritike vetëm për UDB-ashët që kanë tejkaluar ligjet e asaj kohe, që kanë shpërdoruar kompetencat e tyre ligjore dhe si të tillë duhet të mallkohen e ndëshkohen individualisht, kurse të tjerët duhet të amnistohen, siç janë amnistuar funksionarët, nëpunësit e strukturave të tjera të të njëjtit pushtet. Por, vazhdimisht kam dyshuar se Beogradi edhe pas vitit 1974 ilegalisht ka rekrutuar njerëz, edhe pse nuk kishte të drejtë ligjore, meqë Kosova tashmë ishte autonome, kishte Kushtetutë. Vepronin kështu shërbimet e Beogradit, sepse tashmë nuk mund ta komandonin UDB-në autonome të KSA të Kosovës, si deri atëherë...

Të kësaj kategorie e trajtoja edhe Buxhovin, por tani, në këtë kohë e hapësirë, në këto rrethana, kur doli dhe u bë altoparlanti i luftës speciale diversive të shërbimeve serbe (prej të cilave mbase edhe merr pension!?). Tani, po. Them se kam arsye ta mallkoj, ndërkohë që institucioneve kompetente u përket ta hetojnë e ndëshkojnë.

Në Gjermani kishte vetëm një “grup komunist”

Në kohën për të cilën flitej në këtë emision televiziv, në Gjermani ishte vetëm një “grup komunist”, që quhej “Grupi Marksist-Leninist Zëri i Kosovës”, i themeluar nga Riza Salihaj, i cili njëherësh kishte caktuar veten si udhëheqës të tij. Ishte themeluar në fund të vitit 1978 ose në fillim të vitit 1979.
Paraprakisht ishte themeluar “Fronti i Kuq Popullor” (ndoshta në qershor të vitit 1978). Programi dhe Statuti i tij e përcaktonte atë si lëvizje nacional-çlirimtare, pa ideologji, pluraliste, meqë anëtar mund të ishte secili shqiptar e shqiptare që donte të angazhohej për çlirim të Kosovës nga pushtimi jugosllav, pavarësisht bindjeve ideologjike e politike dhe pavarësisht përkatësisë fetare. Botimi i parë i Frontit ishte një fletushkë diletante me titullin “Rron or rron e nuk vdes shqiptari” (dedikuar 100-Vjetorit të Lidhjes së Prizrenit). Më vonë Fronti filloi ta botonte organin (gazetën) “Bashkimi”, deri në janar të vitit 1981. Në dhjetor 1979 arratiset Jusuf Gërvalla. Ai prezantohet si pjesëtar i “Lëvizjes Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ). Deri në tetor të vitit 1981 nuk rekrutoi anëtarë në atë organizatë. Nga tetori 1981 deri në janar 1982 zuri të angazhonte bashkatdhetarë në atë organizatë.

Nga kjo paraqitje telegrafike del se Buxhovi gënjeu për ekzistencën e shumë grupeve marksiste-leniniste e staliniste në Gjermani.

Planifikimi i vrasjes së parë ndaj Jusuf Gërvallës

Në verë të vitit 1979, kur isha në punë gjatë pushimeve verore në Plochingen (te dhëndëri im Ramush Kastrati), me kërkesë të bashkëveprimtarit Hysen Gega takova Riza Salihun. Në atë takim u zumë keq, sikundër edhe në takimin e mëvonshëm, të fundit, ku armiqësohemi përfundimisht.

Sapo u vendos në Gjermani Jusuf Gërvalla, Riza Salihu fillon fushatën për ta diskredituar atë si “të dërguar nga UDB-a”.

Në fund të dhjetorit 1979 ose janar 1980, Riza Salihu ia komunikon Hysen Gegës “Vendimin e Grupit Komunist” për ta vrarë Jusuf Gërvallën. Hyseni më informon së pari mua, pastaj së bashku e informojmë Jusufin. Simulojmë sikur Hyseni po e zvarriste ekzekutimin për arsye të natyrës teknike e financiare, për të hulumtuar kush mund t’i qëndronte prapa Riza Salihut. Në prill 1980 takohemi për ballafaqim, ku merrnin pjesë: Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Hysen Gega, Ruzhdi Saramati, unë (dhe një tjetër që nuk ia mbaj mend emrin). Kishim vendosur të sqaroheshim e ta pleqëronim atë urdhër për vrasje. Pleqërimi (me propozim të Jusufit) rezultoi: Riza Salihu ta ndërpresë fushatën diskredituese e denigruese kundër Jusufit dhe të mos guxojë të urdhërojë të tjerë për vrasje.

Megjithatë, Riza vazhdon avazin e vjetër. Gjatë verës së vitit 1980 ai organizoi vjedhjen e dërgesave postare të Jusufit dhe timen. Arrestohet në flagrancë nga policia gjermane. Në tetor ose nëntor 1980 organizohet tubim me anëtarë të “Grupit Komunist”, ku merrnim pjesë edhe Jusufi dhe unë. Merret vendimi për t’u shpërbërë “Grupi”, me konstatimin kryesor se ai grup nuk kishte pasur asnjë tubim themelues, se Riza Salihu si njeri i UDB-së që ishte, ishte urdhëruar për ta formuar që t’i identifikonte shqiptarët e gatshëm për veprimtari patriotike, etj.


Edhe nga kjo paraqitje telegrafike rezulton se Buxhovi gënjeu kur tha se ekzistonin shumë grupe marksiste-leniniste, staliniste, terroriste dhe se ato luftonin mes tyre, meqë ishte vetëm një grup i tillë, drejtuesi i të cilit, Riza Salihu, kishte provuar ta realizonte vrasjen e Jusuf Gërvallës. 


II
Bashkimi dhe vrasjet e 17 janarit 1982


Sapo u vendos në Gjermani Jusuf Gërvalla pranoi të angazhohej për ta redaktuar e përgatitur gazetën “Bashkimi”, edhe pse ishte organ i Frontit të Kuq Popullor (ndoshta ishte përvoja e parë që një kuadër i një organizate tjetër ndihmon kështu organizatën “konkurruese”). Gjatë verës së vitit 1980 Jusufi filloi ta nxirrte edhe revistën “Lajmëtari i Lirisë”.

Deri në gusht ose shtator 1980 Jusufit nuk i qe paraqitur fare “udhëheqësi” Sabri Novosella, i cili atëherë jetonte në Turqi (si duket UDB-a kishte improvizuar “arratisjen” e tij në nëntor 1979 në Shqipëri dhe prej andej kalon në Turqi.). Duhet të jetë ndjerë i detyruar t’i paraqitet Jusufit vetëm kur shteti shqiptar duhet t’ia ketë dorëzuar z. Novosella shumë të madhe dollarësh, si ndihmë për veprimtari çlirimtare (pas kërkesës që kishte bërë Jusuf Gërvalla). Ai ia përcolli Jusufit vetëm 10 mijë dollarë, të cilat Jusufi ia kishte kërkuar Tiranës për të blerë makinë për radhitje teksti.
Në fillim të vitit 1981 pushojnë së botuari “Bashkimi” dhe “Lajmëtari i Lirisë”, meqë Kadri Zeka me bashkëveprimtarë filluan botimin e “Lirisë” (Organ i Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës) dhe Jusufi angazhohet për ta ndihmuar përgatitjen e “Lirisë”.

Pas demonstratave në Kosovë, në pranverë të 1981-shit LNÇLVSHJ, OMLK dhe Fronti i Kuq Popullor bashkojnë veprimtarinë për të organizuar protesta e demonstrata të përbashkëta në Perëndim.
Në qershor të po atij viti Kadri Zeka paraqet Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës (të hartuara nga OMLK-ja), si platformë për bisedime lidhur me bashkimin e grupeve. Ato diskutohen dhe miratohen me disa ndryshime e saktësime. Vendoset që bashkimin ta shpallë veterani Sabri Novosella. Pikërisht lidhur me këtë, në tetor të 1980-s në Stamboll takohen Kadri Zeka dhe Sabri Novosella. Fatkeqësisht, Sabri Novosella e komploton bashkimin.

Në tetor 1981 Jusuf Gërvalla fillon ta botojë “Zërin e Kosovës” (Organi i LNÇKVSHJ-s).
Nga mesi i tetorit 1981, pas komplotit të Sabri Novosellës në Stamboll, deri më 2 janar 1982, UDB-a intensifikon luftën speciale dezinformuese e diverzioniste. Ndodh shkëputja e bashkëpunimit dhe një konflikt i lehtë mes Jusufit e Kadriut. Në dasmën e Kadriut dhe Saime Jusufit, më 2 janar 1982, bëhet sqarimi dhe pajtimi ndërmjet Jusufit dhe Kadriut.

Më 16 janar 1982, me ftesë të Jusufit, bëhet takimi, fillimisht në prani të shumë vetave (afër aeroportit të Shtutgartit, në banesë të Murat Kryeziut). Pastaj, natën e 16 janarit e kalojmë në shtëpi të vëllezërve Gërvalla, në Untergruppenbach (mes Heilbronnit e Stutgartit).

Në agimin e ditës së 17 janarit, më 1982, bëhet marrëveshja për bashkim të subjekteve tona. Në mbrëmje, rreth orës 22.15, kryhet vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, nga një pusi pas shtëpisë së tyre.

Edhe kjo paraqitje, gjithashtu telegrafike, dëshmon se Buxhovi gënjeu kur tha se janë zhvilluar luftime vrastare mes grupeve marksiste-leniniste, staliniste, terroriste, kriminale në Gjermani. E kundërta është e vërtetë, bashkëpunimi mes tyre ishte i një niveli si të ishte një organizatë e vetme.

Komplotet pas vrasjeve

Vrasjen e udhëheqësve Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka dhe bashkëveprimtarit Bardhosh Gërvalla e përjetuam si goditje e tronditje të rëndë. Në mëngjesin e 18 janarit 1982 udhëheqësi i hetuesisë, zotëri Odaischi, më mori në shtëpi të vëllezërve Gërvalla dhe, në ndërtesën e policisë së Heilbronnit me intervistoi më shumë se dy orë. Ende nuk dija për fajësimin dhe porosinë që kishte lënë Jusufi, si: “UDB-a na vrau!”, “Nëse dorasit janë shqiptarë, mos u zbulofshin kurrë!”. Gjatë intervistës, pyetjes se në kë dyshoja si vrasës, iu përgjigja duke deponuar emrin e Riza Salihut, pasi shpjegova shkurt të kaluarën e tij.

Ditën vijuese shtabi i hetuesisë gjermane, i quajtur komisioni i veçantë (Sonderkommission), i përbërë nga prokuroria, policia hetimore etj., shpalli publikisht kërkimin e Riza Salihut, meqë ndërkohë ishte analizuar dosja e tij, ishte bërë fantom-fotoja në bazë të dëshmisë së një fqinji gjerman etj. Ndërkohë kisha përshtypjen se hetuesisë gjermanë më shumë po i interesonte ta zbulonte veprimtarinë tonë sesa t’i zbulonte vrasësit.

Derisa po kujdeseshim për ceremoninë mortore (që zgjati tre javë, duke pritur lejen për t’i bartur të ndjerët për varrim në Kosovë), në prapashpinë po na ndodhnin komplotet. Edhe në shtëpi të familjes Gërvalla ishin pozicionuar të paktën dy njerëz të UDB-së, me urdhër të Sabri Novosellës. Dyshoja te Xhafer Durmishi, i cili erdhi enkas nga Kosova për ta zënë “vendin” e Jusufit; e Nuhi Sulejmanin, si informator e përçarës, por edhe te Haviz Gagica, i cili duhej të ishte rekrutuar ndërkohë nga Selim Brosha.

Në Stamboll, më 17 shkurt 1982, takohen ish-oficeri i UDB-së, Avdullah Prapashtica (kryetar i “Partisë Komuniste Shqiptare Marksiste-Leniniste të Kosovës”) dhe Sabri Novosella (udhëheqës i LNÇKVSHJ). Ata vendosin të bashkohen në “Lëvizje...”.

Pak ditë pas vrasjeve ndodhi “arratisja” e Xhafer Shatrit nga Burgu i Prishtinës. Ai, “në emër” të OMLK-së, i bashkëngjitet “Lëvizjes...” së Sabri Novosellës e Avdullah Prapashticës, më 5 maj 1982. Nuk vonon dhe fillojnë zënkat ndërmjet këtyre tre “krerëve”, duke na imponuar që, në vend të punës e veprimtarisë së mirëfilltë, të merreshim me zënkat dhe armiqësitë mes tyre.

Në vitet 1982-1984 nga Kosova arratisen veprimtarë të sprovuar dhe angazhohen në Lëvizje. Kjo bëri që nga Lëvizja të ikin fillimisht Avdullah Prapashtica e Sabri Novosella. Pastaj edhe Xhafer Shatri. Ikja e tyre mundësoi zgjerimin e konsolidimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, duke e vënë atë në themele të Bashkimit të 17 janarit 1982.

Edhe shumë e shumë vite pastaj nuk pati luftime mes grupeve në Gjermani, nuk ndodhnin vrasje, siç gënjen Jusuf Buxhovi (përjashto vrasjen e dy shqipucëve, në Hamburg, më 25 maj 1985). Në rastin fatkeq, bashkëveprimtari Ramazan Lazami (nga Tetova) vret në vetëmbrojtje dy viktima, të cilët i kishte angazhuar konsullata jugosllave në Hamburg ta vrisnin atë. Pas dy javësh burg hetues, Ramazani lirohet, meqë hetuesia konstaton vetëmbrojtjen dhe se viktimat ishin angazhuar nga ajo konsullatë.

Në Berlin nuk ka demonstruar asnjë shqiptar kundër rënies së Murit të Berlinit

Kam lexuar para shumë vitesh për shpifjen që përhapte Sabri Novosella, se shqiptarët kanë demonstruar në Berlin kundër rënies së Murit të Berlinit. Bile ai ishte goxha konkret, duke ia mbathur Lëvizjes organizimin. Por, atë njeri irracional nuk e merrja më seriozisht. Pandehja se ka shpifur për ta “argumentuar” luftën e tij kundër “komunistëve” dhe “enveristëve”.

Tani, kur edhe Jusuf Buxhovi shpif njësoj, më rezulton se kjo shpifje e ka burimin nga e njëjta qendër: nga shërbimet sekrete serbe.

Mbase nuk mjafton vetëm mallkimi për të këtilla shpifje kaq perverse!

“Unë themelova LDK-në” - ishte një e vërtetë e hidhur që tha Buxhovi

Duhet falënderuar Buxhovin që tha shkoqur një vërtetë të madhe: “Unë e themelova LDK-në”. Rëndom ideja e parë zanafillore për të formuar organizatë, parti, lidhje, grup, etj. lind nga individi, i cili ia shfaq a i propozon të dytit, të tretit, e kështu me radhë. Dhe kur bind njerëzit që i mjaftojnë, bëhet themelimi, përkatësisht shpallja.

Meqë Buxhovi ishte UDB-ash, sigurisht se nuk duhet të ketë qenë ide autentike e vetjake e tij themelimi i LDK-së, por duhet të jetë urdhëruar nga eprorët gjetiu, në Beograd. Kështu rezulton së paku sipas logjikës dhe arsyes racionale.

Për herë të parë kisha dëgjuar nga Jusuf Gërvalla se shpesh UDB-a kishte formuar “organizime çlirimtare shqiptare” për t’i identifikuar patriotët e gatshëm për veprimtari çlirimtare, për të dezorientuar dhe për ta penguar formimin e mirëfilltë të organizimeve të tilla. Madje, pati shtuar, sado që e kemi paguar shtrenjtë një taktikë të tillë, edhe ato organizime UDB-eske e kanë mbajtur gjallë frymën patriotike e çlirimtare në njëfarë forme, kanë nxitur e prodhuar ide se duhet angazhuar, lëvizur e organizuar.

Dëshiroj me gjithë mend të bëhen hulumtime dhe investigime se cilat organizime kanë qenë të urdhëruara e të diktuara që të themelohen nga UDB-a, siç ishte rasti me “Grupin komunist - Zëri Kosovës”, ose siç mund të rezultojë themelimi i LDK-së dhe i ndonjë organizimi tjetër.

Jam marr edhe me çështjen e themelimit të LNÇKVSHJ-së dhe PKSHMLK-së, sepse kalimthi ishin pjesë e subjektit tonë, por është e vështirë të gjesh gatishmëri të pjesëtarëve të këtyre subjekteve për të informuar se çfarë dinë ata konkretisht. Sikur ndihen të turpëruar pse ishin pjesë e tyre. Vetëm Ramadan Pllana ka publikuar shumë të dhëna për angazhimin e tij në LNÇKVSHJ dhe komplotet e “udhëheqjes” së saj.

Pas botimit të romanit “Atentatet” më kanë ardhur reagime e informime interesante. Kam veçuar e publikuar dy prej tyre: Dëshminë e Demë Ademajt (ish-shef i vogël policie në Prishtinë), i cili ka informuar se si Ibush Klloloçi, ish-shef i UDB-së për Prishtinën, e ka urdhëruar të ndërmerret bastisja e shtëpisë së Sabri Novosellës dhe arrestimi i tij. Në prag të bastisjes, në prani të policëve që kishin rrethuar shtëpinë, vetë Ibush Kllokoçi merr Sabriun në makinë të tij, e largon nga aty, kurse kolegu i Ibushit, Krasniqi, (emri nuk po më kujtohet) i jep urdhër zotëri Ademajt të shkruajë në protokoll se shtëpia u bastis, por Sabri Novosella nuk u gjend në shtëpi.

Dhe rastin tjetër. Një ish-kuadër i angazhuar në Komitetin Qendror të PPSH-së, i cili ndihej i hidhëruar pse unë kisha shkruar në roman se nuk na ka ndihmuar shteti shqiptar. Ai më informoi se “kërkesës së Jusuf Gërvallës për t’i dërguar 10 mijë dollarë ndihmë për blerje të makinës për radhitje teksti i jemi përgjigjur, duke ua dërguar (derisa ai ishte në atë funksion) katër këste nga 500 mijë USA Dollarë, të cilat, nëpërmjet postës diplomatike, i janë dorëzuar Sabri Novosellës”. Ai këmbëngul se dërgesat e tjera duhet të kenë pasuar nëpërmjet kolegut që e ka zëvendësuar (tani duhet marrë parasysh fuqinë blerëse të dollarit të atëhershëm, për të kuptuar se bëhet fjalë për një shumë tepër të madhe). Rëndom, kundër këtyre (dez)informimeve të mia ka pasur reagime të vakëta nga motra e Sabri Novosellës, kurse Sabriu vetë ka vazhduar me avazin e tij të vjetër, se “I. K. nuk ishte shok i Jusuf Gërvallës...” (sikur kjo të kishte ndonjë rëndësi vendimtare për diskredimin tim...).

Fushata e tanishme, gjoja për t’i zbuluar vrasjet, është pjesë e luftës speciale të shërbimeve dhe e luftës partiake për pushtet

Merita ose faji, varësisht nga këndvështrimi, i takon zonjës Donika Gërvalla-Schwarz, intervista e së cilës prodhoi turbulenca. Po KTV-ja intervistoi edhe Jusuf Buxhovin, që t’i jepte shansin për t’u mbrojtur kundër fajësimit të Hysen Gegës, të cilin fajësim e kishte riaktualizuar portali i ish-gazeta “Express”-it. Në vazhdim ky portal intervistoi Bozhidar Spasiqin, ish-shefin e UDB-së federative për luftë speciale subversive. Sigurisht se ky mozaik nuk do të plotësohej po të mos angazhohej edhe gazeta “Bota sot” dhe disa portale në internet.

Ku ishin të njëzëshëm (unison) dhe ku kishin dallime këta të tre nuk e kam ndërmend të analizoj e të bëj komente, sepse jam duke ndjekur se çfarë po thonë e po shkruajnë të tjerët. Vetëm hidhërimi që më shkaktoi Jusuf Buxhovi nuk më la të qetë - pa reaguar. Jusuf Buxhovi ia kaloi Bozhidar Spasiqit me dezinformime, shpifje, akuza!

Mjaftohem të them me këtë rast se e tërë kjo është një fushatë e orkestruar, jo për të kontribuar në zbulimin e shumë vrasjeve tronditëse, por për t’i politizuar ato si pjesë të luftës speciale subversive (mjegulluese e përçarëse) dhe e luftës partiake për pushtet.


Uroj të tejkalohet pa pasoja të mëdha! (FUND)

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?