NJË LETËR E JUSUF GËRVALLËS QË DEMANTON POHIMET
OGURZEZA TË HISTORIANIT JUSUF BUXHOVI
Kadri Rexha; 13.02.2014
Në fondin epistoloar të
Jusufi Gërvallës ekziston një letër e cila, ashtu si mbarë vepra e tij,
demanton pohimet ogurzeza të shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi të
shqiptuara kohë më parë gjatë një interviste në emisionin "Rubikon"
të KTV-së. Si shumica e letrave të J. Gërvallës as kjo letër nuk është e
panjohur për opinionin lexues. Letra, së pari, është botuar nga Faridin
Tafallari në portalin www.albaniapress.com/, ndërsa më vonë edhe nga Xhafer
Durmishi në librin "Ilustrime" fq. 24-25, botuar në portalin
www.xhaferdurmishi.blogspot.com/. Me këtë letër, të shkruar më 16 nëntor 1981, Jusuf Gërvalla (Sokoli), si
rëndom, edhe kësaj radhe njoftonte veprimtarin Sabri Novosella (Mërgimi), udhëheqës të Komitetit të LNÇKVSHJ-së në
Stamboll, lidhur me një aktivitet të zhvilluar nga veprimtarët e LNÇKVSHJ-së të
rrethit të Shtutgartit.
Për të qenë më i qartë dhe
më konkret, në këtë rast, për lexuesit e portalit Pashtriku.org, në fund të
këtij reagimi të shkurtër, po e ribotoj të plotë letrën e cekur më sipër. E
zgjodha pikërisht këtë letër sepse ajo aq sa dëshmon për njërin nga aksionet më
violente ("terroriste") të LNÇKVSHJ-së të zhvilluar në Evropën
Perëndimore për të gjallë të Jusufi Gërvallës, po aq demanton etiketimet e
gazetarit titist, Jusuf Buxhovi. Letra pos fakteve për ngjarjen e 14 nëntorit
të vitit 1981 në vete mban atmosferën e kohës, ndjenjat dhe mendimin e Jusufit,
programin e Lëvizjes si dhe entuziazmin, vendosmërinë dhe guximin e
veprimtarëve tanë mërgimtarë.
Siç është e njohur tashmë
për opinionin, në intervistën e paradokohëshme dhënë KTV-së, me rrëfimet e tij
bajate dhe me konstatime ogurzeza Jusuf Buxhovi hapi kutinë e UDB-së dhe
shpërndau mjegull kudo në trojet shqiptare. Për mbi një orë rresht ai etiketoi,
trilloi dhe lëshoi gënjeshtra me bisht në adresë të shqiptarëve liridashës, të
atyre që vepruan vetëdishëm, të atyre që u burgosën nga armiku serb dhe të
atyre që u flijuan edhe me jetë për liri dhe bashkim kombëtar. Për mbi një orë
rresht dalëzotësit e atdheut ai i akuzoi për stalinistë, udëbeistë, kagebeistë
dhe terroristë. Për mbi një orë rresht ai hodhi fyerje mbi lëvizjen
revolucionare të forcave më progresive shqiptare të gjysmës së fundit të
shekullit të kaluar dhe hodhi baltë mbi luftën çlirimtare të UÇK-së nam madhe,
forcës që solli NATO-n në Kosovë dhe përzuri përgjithmonë Serbinë nga trojet
tona. Për mbi një orë rresht gjatë elaborimit të tij "historik" ai përmendi
dokumente e dokumente por asnjëherë nuk iu referua qoftë edhe një fakti
konkret... Apo ky historian i një tipi të veçantë mendon se liria e një populli
të pushtuar fitohet me lutje, me përgjërime, me përulje, me spiunime kundër
elementit çlirimtar, me thirrje NATO-s për ndaljen e bombardimeve kundër caqeve
ushtarake të armikut... Dhe, për çudinë më të madhe, ky historian i LDK-së,
çështjen e Flamurit Kombëtar si dhe çështjen e bashkimit të kombit shqiptar
ende i sheh nga pozita e gazetarit të dikurshëm të Tanjugut dhe nga prizmi i
politikës hegjemoniste antishqiptare të Jugosllavisë së shkatërruar...
Por, t'ia lëshojmë radhën
letrës.
Lexuesi i vëmendshëm nga
kjo letër mund ta kuptojë qartë në ishin terroristë, udbashë dhe kagebeistë ata
që u mbrojtën dhe bojkotuan koncertin farsë, apo ata që provokuan spektatorët
në sallën e koncertit duke e nxjerrë me dhunë nga salla Besnikun (Bardhosh
Gërvallën) dhe një mërgimtarë tjetër; ishin terroristë, udbashë dhe kagebeistë
ata që kërkuan liri, drejtësi dhe Republikë, apo ata që masakruan dhe burgosën
lulen e rinisë shqiptare gjatë vitit 1981. Shkonin mërgimtarët tanë të
organizuar për t'i kremtuar festat kombëtare në salla të marra me qira dhe në
ambasadat shqiptare, apo shkonin për t'i kremtuar festat sllave në ambasadat
jugosllave dhe ruse... Dhe, fare në fund, për mrekulli, letra dëshmon për
bashkërenditjen e veprimtarive të organizatave tona politike dhe demanton
bindshëm trillimet e UDB-ës për gjoja qërim hesapesh në mes grupeve politike.
Të mos harrohet se kjo
letër është shkruar vetëm dy muaj para vrasjes së Jusufit, Kadriut dhe
Bardhoshit në një atentat të organizuar dhe të ekzekutuar nga UDB-a.
LETËR E JUSUF GËRVALLËS DËRGUAR
SABRI NOVOSELLËS
16 nëntor 1981
I dashur vëlla Mërgim!
Para tri ditësh t’i nisa një pako dhe tri zarfa me revistën. Po letrën
që ta dërgova me to, e shkrova shkurtimisht, se prisja të përfundojë një
ngjarje dhe të të shkruaj më gjerësisht.
Të shtunën, më 14 nëntor, në Shtutgart erdhi për të dhënë koncert
Orkestrina e Radiotelevizionit të Prishtinës me tetë këngëtarë. Meqë në
Shtutgart ende nuk ka klub të shqiptarëve dhe punëtorët e këtushëm, pos me një
demonstratë, nuk kanë pasur si ta shfaqin revoltën dhe mendimin e vet lidhur me
ngjarjet e Kosovës, ne patëm vendosur ta bojkotojmë koncertin e tyre. Ishte
parashikuar nga ana e tyre që, para koncertit, ndonjë politikan të thoshte
ndonjë fjalë lidhur me 29 nëntorin (jugosllav). Kurse ne planifikuam që, mes
fjalës së tyre dhe koncertit, t’i thërresim punëtorët për dy minuta heshtje në
nderim të luftëtarëve të rënë në pranverën e përgjakshme të Kosovës, të lexojmë
një tekst të shkurtër (1,5 faqe të shtypura në makinë), të thërresim parullat:
- „Jashtë nga vatrat tona ushtria dhe milicia fashiste jugosllave“,
- „Rroftë populli shqiptar“ dhe
- „Kosova - Republikë“,
me ç’rast kjo e fundit „Kosova - Republikë“ do të vazhdonte pandërprerë
deri në ndërprerjen e programit të „mysafirëve“.
Por, ngjarjet u zhvilluan shumë më mirë sesa e kishim parashikuar ne. Në
këtë drejtim na ndihmuan vetë armiqtë, me nervozën dhe druajtjen e tyre, siç po
na ndihmojnë për të na vajtur punët mbarë që nga pranvera.
Konsullata jugosllave kishte organizuar si kujdestarë nja dyzet
shqiptarë të mashtruar e serbë, me shirita kujdestarie në duar. Ata duhej të
mbanin rend gjatë koncertit. Pas hyrjes në sallë të publikut (nja 5 - 600 veta)
dhe të trimave tanë, të organizuar, nja 30 veta, një përfaqësues i ambasadës
jugosllave, me emrin Bashkim Hisari (ish punëtor i TV Prishtinës) i afrohen
Besnikut dhe një punëtori shqiptar e i nxjerrin nga salla si persona të
padëshirueshëm. Meqë Besniku, për shkak të profesionit që ushtron, është i
njohur pothuaj për të gjithë shqiptarët e këtushëm, publiku ngritet i tëri në
këmbë dhe reagon për largimin e tij. Atëherë, një shok yni, i LNÇKVSH, e
shfrytëzon mirë rastin, hipën energjikisht mbi tavolinë, thërret të madhe
parullën „Kosova - Republikë“, duke vendosur kështu ta shkurtojë krejt
procedurën e planifikuar. Publiku përnjëherë ngrihet i tëri në këmbë dhe i
përgjigjet njëzëri parullës. Kujdestarët e neveritshëm dhe personeli i
konsullatës jugosllave, me këlyeshët e tyre mercenarë, zënë të tolloviten dhe
përpiqen të marrin masa. Por, si vetëtimë u lëshohen në shpinë djelmoshat tanë
dhe publiku bashkë me ta.
Përfundimi: tragjik dhe komik për armiqtë tanë. Përfaqësuesit të
konsullatës i çahet koka me karrige (këtë njeri, Bashkim Hisarin, e kanë rrahur
njerëzit tanë edhe në demonstratën e Shtutgartit, se qe treguar shumë i
zellshëm dhe dinak e këmbëngulës në realizimin e qëllimeve të poshtra të
armikut), e përgjakën të gjithë ata që kanë pranuar të hynë në vallën e tyre. Prej njerëzve tanë
e punëtorëve, asnjë i plagosur, as i gërvishur, bile. Në taborin e tyre, disa
të plagosur rëndë (ka qenë rrezik që të mbetet edhe ndonjë i vdekur).
Fotografia e satrapit Tito dhe flamuri jugosllav grisen e shkilen nga publiku,
instrumentat e Orkestrinës fluturojnë, thyhen e shkilen nëpër sallë. Gjatë
gjithë kohës, shqiptarët, në përleshje e sipër, nuk e ndalin parullën
„Kosova-Republikë“. Përleshjet bëhen të rrëmbimshme, të rrufeshme, shumë
energjike. Prej salle, i tërë publiku del përjashta dhe, për më se një gjysmë
ore rresht, nuk shpërndahet por thërret parulla me zë të lartë, kështu që
manifestimi shndërrohet në një demonstratë të shkëlqyeshme. Autobusi i
jugosllavëve mbushet me parulla të ndryshme, pëllëmbë për pëllëmbë, me sprej
për ngjyrosjen e automobilave. Më në fund, shpërndahen pa therrë në këmbë.
Është interesant të shtohet se policia gjermane, prezente gjatë tërë
kohës së përleshjeve, nuk intervenon asnjëherë, por e ndjek ngjarjen me
gjakftohtësinë më të madhe. Asnjë punëtor nuk merret nga policia, as shfaqet
fare ndonjë tentim i tillë nga ana e policisë. Disa nga policët gjermanë u
bashkohen thirrjeve të parullës „Kosova - Republikë“ dhe u thonë hapurazi
njerëzve tanë se kanë të drejtë të veprojnë kështu, sidomos pas nxjerrjes
përjashta nga salla të dy njerëzve tanë.
Si e përshkruajnë shokët, ky ishte një manifestim i shkëlqyeshëm i
vendosmërisë së punëtorëve tanë dhe i solidarizimit të tyre me bashkatdhetarët
në Kosovë. Jugosllavët e pranishëm kanë se çka u tregojnë eprorëve të tyre.
Një shfaqje të ngjashme atyre u kanë organizuar, një javë më parë, edhe
punëtorët tanë në Cyrih të Zvicrës. Por, atje, sipas mendimit tim, kanë bërë
një gabim të vogël: punën e kanë nisur si kundërshtim ndaj një kënge popullore
serbe, të kënduar nga një këngëtare serbe. Ndryshe, edhe atje u kanë dhënë mend
aq, sa trupa menjëherë e ka ndërprerë turnenë nëpër Zvicër dhe ka kaluar në
Gjermani. Në Mynih nuk ka pasur manifestim nga shqiptarët, por ka pasur një
lloj bojkotimi. Nga afro 10 mijë shqiptarë që punojnë në atë qytet, në koncert
kanë shkuar gjithsej 70 - 80 veta.
Këta rreshta t’i shkrova nën përshtypjen e kësaj ngjarjeje, që neve po
na duket me rëndësi.
Tani të njoftoj se bashkë me shokun e „Bashkimit“ dhe të „Lirisë“ kemi
vendosur të organizojmë një manifestim qendror për kremtimin e festës kombëtare
të 28 dhe 29 Nëntorit në Shtutgart. Do të mblidhemi nja 300-400 veta nga
Gjermania, Zvicra e Belgjika. Një pjesë e shokëve do të shkojnë për festë në
Vjenë.
Të fala vëllazërore e
revolucionare
Sokoli - 16 nëntor 1981
Kommentare
Kommentar veröffentlichen