VËLLAU I JUSUF GËRVALLËS,
AVDYLI: MEHMET LOCI M'I KUJTOI TORTURAT, VRASJET DHE FLAMUR KELMENDIN QË KËRKOI
BURGOSJEN TIME
Pas daljes në publik të
UDB'ashit, Mehmet Locit kanë vazhduar reagimet edhe të Familjes së Jusuf
Gërvallës.
Vajza e Jusufit, Donika ka
shpërndarë një tekst të xhaxhait të saj, Avdylit, i cili ka thënë se kur e ka
parë Mehmet Locin në televizion i janë rikthyer skenat viteve të 80'ta, kur
UDB'ashët kanë torturuar dhe vrarë shqiptarët.
"Pa dashur m’u
kujtuan shkallet e katit të tretë, që shpinin në dhomat famë-këqia të marrjes
në pyetje, të të rinjve të frikësuar deri në palcë, të rrahur e të alivanosur,
të përgjakur, me gjymtyrë të thyera që tërhiqeshin zvarrë nga gardianët e
burgut, si kafshët në kasaphane, marrja në pyetje intensive nga punëtorët e
kryemjeshtrit udbash mehmet locit… telefonatat e punëtorit operativ me të
dashurat e veta, me joshje e ngacmime seksuale… nga dhoma tjetër dëgjohej gazi
i pashfrenuar i ndonjë prostitute, rënkimet e tyre gjatë kohë… pastaj qetësi,
ndërrimi i skenave… sharjet, nga më të ndryshmet dhe më të ulëtat, rrahjet,
dënesjet e burrave, vaji i tyre, lutjet, premtimet se do t’ua hanë mutin, se do
të bëhen bashkëpunëtorë, nënshkrimet e proces-verbaleve… rrahjet me shkopinj
gome… kërcënimet shtazarake dhe idioteske të punëtorëve operativë, të stafit të
shokut mehmet loci...", ka shkruar Avdyl Gërvalla.
Sipas tij, UDB'ashët janë
bërë njerëz të rëndësishëm edhe pesëmbëdhjetë vjet pas luftës pasi po i mbajnë
të shantazhuar me dosje qeveritarët dhe parlamentarët.
"Ish UDB-ashët janë
shndërruar në nyje, në peng të lirisë së Kosovës dhe janë të përkëdhelurit e
qeverisë, të parlamentit, të administratës, ngase UDB-ashët ua mbajnë dosjet e
hapura dhe i kërcënojnë natën, në terr", ka shkruar ai.
Më poshtë lexojeni të
plotë reagimin e vëllaut të Jusuf Gërvallës, Avdylit:
NATA E NATËS
Askush në këtë botë nuk ka
qenë më i interesuar për një Kosovë të shtypur, për një zgjatje në infinit të
robërisë së saj dhe për ta mbajtur nën thundren e shkaut se sa bashkëpunëtorët
e shokut mehmet loci, këta zotëra të vegjël.
shkruan : Avdyl Gërvalla
Parmbrëmë, në emisionin
Rubikon u paraqiten tre bashkëpunëtorë të Drejtorisë së Shërbimit të Shtetit,
shoku mehmet loci, me dy kolegë. Ç’është e vërteta, unë personalisht nuk e kam
takuar asnjëherë shokun Loci, të cilin në memorien time e kam të regjistruar
siç duket ‘gabimisht’ me naçallnik të UDB-së, por as Fadil Kajtazin, kurse F.
çallakaj sikur ta kem parë diku, por nuk më kujtohet saktësisht se ku.
Gjatë paraqitjes së vet,
shoku Loci, zuri të fliste mbi historinë dhe rëndësinë e shërbimeve sekrete,
kurse mua, pa dashur, më defiluan para syve përqeshjet, përbuzjet e etiketimet,
evidentimet e përgjimet, ndjekjet e burgosjet, sharjet me nënë e babë, torturat
çnjerëzore, vrasjet e rinisë shqiptare burgjeve dhe vrasja e vëllezërve në
Gjermani. Intervistën e udhëhoqi Adriatik Kelmendi, i biri i prokurorit të
ngarkuar me lëndën time, Flamur Kelmendi, i cili gjatë fjalës së tij kërkoi nga
gjyqi ‘drejtësi’ në emër të popullit, ngase, me veprimet e mia e paskam
rrezikuar shtetin, rsfj-në, rendin kushtetues, frytet e revolucionit dhe
marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkim - vëllazërimit. Pra isha armik i popullit
dhe u dënova me 7 muaj burg, dënim që u ngrit, më vonë pas ankesës së
prokurorit, në kohëzgjatje prej vetëm një viti.
Pa dashur m’u kujtuan
shkallet e katit të tretë, që shpinin në dhomat famë-këqia të marrjes në
pyetje, të të rinjve të frikësuar deri në palcë, të rrahur e të alivanosur, të
përgjakur, me gjymtyrë të thyera që tërhiqeshin zvarrë nga gardianët e burgut,
si kafshët në kasaphane, marrja në pyetje intensive nga punëtorët e
kryemjeshtrit udbash mehmet locit… telefonatat e punëtorit operativ me të
dashurat e veta, me joshje e ngacmime seksuale… nga dhoma tjetër dëgjohej gazi
i pashfrenuar i ndonjë prostitute, rënkimet e tyre gjatë kohë… pastaj qetësi,
ndërrimi i skenave… sharjet, nga më të ndryshmet dhe më të ulëtat, rrahjet,
dënesjet e burrave, vaji i tyre, lutjet, premtimet se do t’ua hanë mutin, se do
të bëhen bashkëpunëtorë, nënshkrimet e proces-verbaleve… rrahjet me shkopinj
gome… kërcënimet shtazarake dhe idioteske të punëtorëve operativë, të stafit të
shokut mehmet loci... zëri i zyrtarëve i çartur jehonte korridoreve… përplasnin
dyer… pastaj interpretonin ndonjë kënge shkinisht... për të dëshmuar se janë në
vinë e bashkim-vëllazërimit… kolli i fëmijëve… vaji i tyre… zëri i shterur i
ndonjë gruaje që s’kishte pranuar të bëhej e tyre… maskat që zgjatnin fytyrën
dhe zvogëlonin këmbët, maskat që zgjeronin fytyrat që mëzi i zinte dera…
shkopinj… grushta… karrige… qyka revolesh… hunj base-balli… britma… thirrje
pastruesve për të pastruar liqenjtë e gjakut… thirrje mjekësh... këto dhe shumë
të tjera bëheshin nga stafi udëbesk i mehmet locit… kurse dita ishte pak më e
qetë… këtu-aty dëgjohej ndonjë shuplakë… kërcënim dhe sharje… sharje, shumë
sharje… të gjithat të trashëguara nga shkijet… se shqiptari nuk shan… sharja
është si paradhoma, është hapi i fundit para nxjerrjes së armës për të qëlluar
kundërshtarin… bashkëpunëtorët e mehmet locit këtë ofendim, këtë ndalesë ndër
më të shenjtën e shqiptarit, për ç’arsye janë bërë shumë vrasje në të kaluarën,
pra e ç’shenjtëruan, e zhveshën, e zbriten dhe e thjeshtësuan, duke e vënë në
përdorim të çdoditshëm… madje edhe përshëndetshin dhe fjalitë e tyre i
ilustronin me sharje… jo për ndonjë arsye tjetër, përveç se për t’iu përngjarë
kolonizuesve shkije.
Bashkëpunëtorët e shokut
mehmet loci e kanë trashëguar zanatin e vet nga paraardhësit e tyre
profesional, të cilët e patën detyrë të humbin gjuhen shqipe. Ata janë marrë
edhe me këto anomali duke përcjellë dhe evidentuar shqiptarë që laheshin, që
bënin banjo, pastaj i denonconin si armiq, ngase larja konsiderohej përkatësi
kombëtare.
Bashkëpunëtorët e shokut
mehmet loci, ashtu si paraardhësit e tyre kanë ngarë për të shqyer e djegur
fotografi e librat shqip, duke na përbuzur Skënderbeun, duke na ndjekur,
burgosur, dënuar e vrarë. Paraardhësit e mehmet locit kanë armatosur shqiptarë
me të vetmin qëllim për të vrarë shqiptarë dhe ndodhte që një armë të shitet me
dhjetëra herë… të njëjtën veprimtari e kanë përdorur bashkëpunëtorët e shokut
mehmet loci, duke u pasuruar… pas viteve të 80’ta u doli edhe një biznes tjetër…
ua ndalnin pashaportat shqiptarëve që punonin në shtetet e jashtme dhe
inkasonin shuma astronomike, shpesh herë edhe duke i ndarë me shkije.
Bashkëpunëtorët e shokut
mehmet loci, kanë gëzuar, së bashku me të, të gjitha privilegjet. Të gjithë pa
përjashtim e kanë siguruar çështjen e banimit – falas, ngase punonin në DB
(drzhavna bezbednost = sigurimi i shtetit), ata s’paguanin rrymë, as ujë, as kontribute
të çfarëdo natyre. Nuk ka pasur birë nëne që ka guxuar t’ua çonte faturat e
ahengjeve, ngrënieve dhe pijeve të konsumuara. Ata s’paguanin as orët, as
netët e kaluara nëpër hotele, me vajza të reja. Ata s’i paguanin as bukën, as
vezet, as djathin, as mazën, as specat, nëpër tregjet e Kosovës. Ata s’paguanin
as kredi, as veturat, as shtëpitë, as tokat… pra ishin thjeshtë zotër të
vegjël, që kthjellnin dhe vranin nëpër Kosovë, madje edhe jashtë saj, nëpër
tërë jugosllavinë, pa paguar as buleta treni, as buletë aeroplani, mjaftonte
libreza e DB-së për të udhëtuar nëpër botë, ‘zyrtarisht’ për të ruajtur
shëndetin e shtetit që i kishte ngritë në pozitat e zotërve.
Nuk ka pasur vajzë të bukur që s’iu kanë vënë pas, bashkëpunëtorët e
shokut mehmet loci, ose e kanë gjunjëzuar ose e kanë çmendur, madje edhe i kanë
likuiduar. Nusja e bukur, të cilës ia kishte falë Zoti bukurinë ishte më shumë
barrë se fat, ngase burri i saj përndiqej, burgosej por edhe vritej; nga epshet
shtazarake të disa bashkëpunëtorëve të shokut mehmet loci… këta pervers dhe
maniak seksual u sillnin madje edhe shkijeve mish mëshqerrash të trembura.
Megjithatë ka pasur raste të rralla kur vajza u kishte rezistuar me sukses
joshjeve të tyre, vetëm ato e njohin atë mund… Dhe kjo bandë maniakësh seksual
krijonin edhe familje, shtoheshin… fara e tyre trashëgoi gati të njëjtat
privilegje… vijuan shkollimin… me banesa të mira, me bollëk buke… me anë të një
telefonate siguronin notat në shkolla fillore, në shkolla të mesme dhe në
Universitetin e Kosovës… me një telefonatë të punëtorëve operativë siguroheshin
madje edhe magjistraturat dhe doktoranturat, po si sot… këta dinin të ndikonin
edhe në keqësimin e notave dhe humbje të viteve atyre që nuk iu nënshtronin.
Askush në këtë botë nuk ka qenë më i interesuar për një Kosovë të
shtypur, për një zgjatje në infinit të robërisë së saj dhe për ta mbajtur nën
thundrën e shkaut se sa bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, këta zotra të
vegjël.
Bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci, janë të zotë, e ndërtojnë jetën
edhe në rrasë të gurit. Largimi i serbisë ua ka përgjysmuar përfitimet, por ata
ditën dhe patën sukses të ndërrojnë lëkuren e vet - pak para orës 12, duke e
braktisur me masë DB-në, duke formuar sigurimin e ri të Kosovës.
Kuptohet se tash pas lufte, sërish janë njerëz më profesional, gëzojnë
përgatitje të shkollave të djallit dhe dinë t’i qojnë njerëzit për të pirë ujë…
dhe ujin s’ua japin. Këta e njohin atë anën më të errët dhe më misterioze të
njeriut, i njohin bashkëpunëtorët, i njohin ata që sot e asaj dite marrin
honorare e paga nga beligradi… dhe i mbajnë nënë kërcënimin se do t’iu dalin me
fakte… këta i njohin të gjithë vrasësit, të cilët i ruajnë me kujdes, ngase
kështu mendojnë se e ruajnë jetën e tyre… Prandaj luajnë, si macja me miun.
Ka ndër këta bashkëpunëtorë të shokut mehmet loci të tillë që janë
ngritur në pozita të këshilltarëve të partive politike… dhe këta ua mësojnë
ligjshkelësve rrugët e mbajtjes së pushtetit me dhunë… rrugët e krimit të
organizuar… rrugët e haraçit… të hajnisë… rrugët e tradhtisë… ngase i mbajnë të
mbyllura dosjet, për të cilat betohen se i kanë marrë shkijet në beligrad, gjë
që s’është e vërtetë… dhe bëhen sikur s’e dinë se çdonjëri nga ta është nga një
dosje e gjallë dhe me vdekjen e tyre vetëm sa kanë mundësi t’i komplikojnë dhe
t’i shtyejnë sqarimet aq me vlerë për lirinë e Kosovës… këtë do ta bëjnë vetëm
edhe për një kohë… se dosjet do të dalin, patjetër një ditë.
Këta janë infuzioni i vetëm që i mbanë në këmbë strukturat qeveritare të
cilat me veprim armiqësor sillen ndaj shqiptarëve duke ushqyer varfëri, skamje,
vjedhje, burgosje e vrasje. Qeveria e Kosovës e ka dëshmuar aftësinë e dhunës
ndaj shqiptarëve aq sa ka dëshmuar inferioritetin e vet ndaj shkijeve.
Ish UDB-ashët janë shndërruar në nyje, në peng të lirisë së Kosovës dhe
janë të përkëdhelurit e qeverisë, të parlamentit, të administratës, ngase
UDB-ashët ua mbajnë dosjet e hapura dhe i kërcënojnë natën, në terr.
Por a ka pasur të mirë ndër bashkëpunëtorët e shokut mehmet loci? Po...
ka pasur… ka pasur të tillë që mbi ligjin politik – kolonizues e kanë përdorur
edukatën dhe traditën e mbarë që binte ndesh me interesat e shkaut, por ata
shpejtë i largonin… ka pasur rrallë, shumë rrallë... dhe ata, në momente
vetëdijeje, s’janë përzier në mëkatet e përmendura më sipër… Po, po, ka pasur
të tillë që nuk janë pajtuar me masa të dhunës, por puna e tyre nuk ka zgjatur
shumë...ka pasur edhe gardianë që, në heshtje dhe me veprime, kanë qëndruar në
anën e të rebeluarve, të atyre që kërkonin liri, por shumë pak, fare pak
punëtorë operativë dhe gjykatës.
Dhe unë jam i bindur, se dikush nga ata do të dalë, do t’i ndihmojë
kësaj përthurjeje shekspiriane. Do të dal dikush dhe do të dëshmojë se është
bir i tokës shqiptare… për të na sqaruar se kush ha ende me dy lugë.
Gjenevë, më 1 shkurt 2014
Kommentare
Kommentar veröffentlichen