Atentati politik...

Kujtesë për dëshmorët e kombit: Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha (2)

Ismet Rashiti (Epoka e Re, 13.01.2016)




Atentati politik ndërpreu nënshkrimin e marrëveshjes për bashkim

Zëri i Kadriut, pena e Jusufit dhe puna vetëmohuese e Bardhoshit kanë qenë si një trup i vetëm dhe model i afrimit e i unitetit në mes të shqiptarëve. Ndaj qëllim kryesor kishin bashkimin rreth idealeve çlirimtare. Çdo fjalë e Kadriut, Jusufit e Bardhoshit ishte bashkim. Çdo hap, çdo lëvizje që bënin dhe çdo mendim i tyre ishte bashkim. Edhe natën e errët të 17 janarit 1982, në Untergrupenbach, afër Shtudgardit, ishin bashkë, duke biseduar për bashkimin e organizatave dhe krijimin e një fronti të fuqishëm gjithëpopullor për çlirimin e Kosovës. Puna vetëmohuese e Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës ishin udhërrëfyese dhe bazament i fortë mbi të cilin pastaj u ngrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me sukses i priu popullit në luftën e drejtë çlirimtare.

Pas një pune të lodhshme gjatë ditës dhe orëve të para të natës së 17 janarit 1982, të tre veprimtarët kishin vendosur të dilnin për pak kohë të çlodheshin, të merrnin frymë dhe të bënin disa telefonata. Ka qenë ora 22 e 30 minuta. Aty afër garazhit ishin fshehur atentatorët. Pas nisjes së veturës nga Bardhosh Gërvalla, shkrepin plumbat e pabesë mbi veturën BMW 316, ngjyrë të gjelbër. Dhjetë plumba të kalibrit 7.65 kanë qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën e tre bijve dhe udhëheqësve të dashur të popullit shqiptar. Gjashtë plumba qëllojnë mbi trupin e Bardhoshit, 31-vjeçar, dy plumba kanë goditur nga afër Kadriun, 28-vjeçar, dy plumba të tjerë tinëzarë Jusufin, 36-vjeçar. Në karriget e para të veturës ndërrojnë jetë, Kadriu e Bardhoshi, mbrapa përpëlitej Jusufi i plagosur rënd. Atë moment të dhembshëm sikur kishte filluar ta ndjente edhe vetura, e cila lëvizte pa shofer, derisa ndalet në muret e garazhit bashkë me zemrën e Kadriut dhe Bardhoshit. Gjaku më i mirë shqiptar kishte filluar ta skuqte borën e atij dimri të ftohtë. Jusufi arrin gjallë deri në spital, duke pyetur vazhdimisht rrugës për Kadriun dhe Bardhoshin nëse janë gjallë, por gjithçka ishte bërë vonë. Ka ndërruar jetë në spital, duke thënë: “Na vrau policia sekrete jugosllave”. 

Kjo vrasje në natën e errët të 17 janarit 1982 kishte goditur rënd familjet Gërvalla dhe Zeka. Jusufi dhe Bardhoshi kishin lënë bashkëshortet dhe fëmijët jetimë. Familja Gërvalla kishte humbur dy bashkëshortë e dy prind të mirë, Nënë Ajshja kishte humbur dy djem si dy drita të syve. Kadri Zeka kishte lënë mbrapa, bashkëshorten dhe bashkëveprimtaren e dalluar, Saime Isufi, të martuar vetëm 15 ditë më parë në malet e Biel/Biennit. Familja e Kadriut kishte humbur një djalë, një zë Kosove që dridhte rrugët, sheshet dhe qytetet e Evropës me zërin e tij që buçiste për liri.

Lajmi mbi vrasjen e dëshmorëve tronditi mërgatën shqiptare

Lajmi për vrasjen e tre bijve më të shtrenjtë të popullit shqiptar ishte pritur me dhembje e pikëllim të thellë nga mbarë bota shqiptare. Qindra veprimtarë nga Zvicra, Gjermania, Franca, Belgjika, me lot në sy ishin nisur drejt Untergrupenbachut në familjen Gërvalla, për të ndarë së bashku dhembjen dhe krenarinë për dëshmorët. Ky lajm kishte prekur jashtëzakonisht shumë të burgosurit politikë në burgjet ish-jugosllave. Nga Kosova kishte ardhur Nënë Ajshja, babai i Kadri Zekës, Pajaziti dhe vëllezërit Shaipi dhe Taipi. Ka qenë shumë emocionues momenti kur zemërmadhja Nëna Ajshe, para se ti përqafonte djemtë e saj të dashur, të parin e përqafon Kadriun, duke ju drejtuar me këto fjalë: “Kadri, loke, nëna jote nuk ka mundur të vijë. Unë të kam djalë edhe ty si Jusufin e Bardhoshin”. Një qëndrim të fortë e kanë mbajtur edhe babai e vëllezërit e Kadriut, të cilët në vend që të pranonin ngushëllime i ngushëllonin bashkëveprimtarët, miqtë dhe pjesëmarrësit e shumtë.

Agjencia Telegrafike Shqiptare kishte lajmëruar se “Kosovës po i vriten djemtë e saj nga dora e UDB-së jugosllave”, ndërkohë që agjencia shoviniste e lajmeve shtetërore ish jugosllave “Tanjug” këtë vrasje makabre e trumbetonte si “qërim hesapesh në mes emigrantëve shqiptarë”. Të nesërmen gazetat më prestigjioze gjermane, zvicerane, austriake në faqet e para e kishin vendosur si lajm kryesor të ditës vrasjen e tre bijve më të shtrenjtë të popullit shqiptar. Të gjitha gazetat, përveç një fotografie, në të cilën dukej vetura dhe gjaku shqiptar që kishte skuqur borën e bardhë, përve[ dyshimeve, nuk sillnin asnjë fakt konkret për dorasit. Enti Kriminalistik, kishte deklaruar se “atentatorët ishin profesionistë, ndaj nuk kem asnjë gjurmë të bazuar”. Edhe sot pas 34 vitesh ende nuk është zbuluar ajo dorë e zezë kriminale.

Varrimi i dëshmorëve u bë tri javë më vonë, në varrezat Bad Constad të Shtudgardit, më 05 shkurt 1982. Që nga ajo kohë deri pas çlirimit të Kosovës, në çdo janar, mijëra veprimtarë nga mbarë Evropa, bënin homazhe pranë varreve të dëshmorëve në Shtudgard. Për çdo përvjetor organizoheshin tubime përkujtimore, flitej, recitohej e këndohej këngë për dëshmorët. Ndërkaq nga viti 2001 eshtrat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës prehen në fshatin Dubovik, pranë blirit, ndërsa eshtrat e Kadri Zekës prehen në Varrezat e Dëshmorëve, pranë shokëve të idealit të përbashkët, në Gjilan.

Rrethimi i heronjve Rexhep Malaj e Nuhi Berisha

Dy vjet më vonë, në mes natës 11 e 12 janar 1984, forca të mëdha policore rrethojnë heronjtë, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, në Prishtinë. Këtë rrethim të hekurt, Rexha dhe Nuhiu e shpërthejnë nëpërmjet një lufte të pabarabartë: Në njërën anë qindra policë të armatosur deri në dhëmb, ndërsa në anën tjetër dy hero sypatrembur e krenar me idealin e tyre të pathyeshëm kombëtar. Pas një qëndrese të gjatë dhe heroike, bien për të mos vdekur kurrë, dy ideologët dhe pararendësit e UÇK-së. Krismat e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, ishin paralajmërimi parë se pa rezistencë dhe luftë të armatosur, nuk mund të çlirohet Kosova nga okupimi shekullor serb. Ata ranë për të mos vdekur kurrë, ndërsa shembulli i qëndresës së tyre u bë udhërrëfyes për rininë dhe mbarë popullin shqiptar për çlirimin e trojeve shqiptare. (FUND)

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?