Ranë për të mos vdekur kurrë!

Kujtesë për dëshmorët e kombit: Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha (1)

Ismet Rashiti (Epoka e Re, 12.01.2016)


U mbushën 34 vjet nga rënia e tre dëshmorëve të kombit. Tre ideatorëve të mëvetësisë së Kosovës dhe çështjes shqiptare, tre udhëheqësve kryesorë të rezistencës ilegale: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Ndërkaq 32 vjet më parë, më 11 e 12 janar 1984, ranë heroikisht, për të mos vdekur kurrë, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, në qendër të Prishtinës, nga forca të mëdha policore të urdhëruara nga Beogradi vrasës. Tani kur jemi në këtë përvjetor të janarit tragjik, nderojmë e kujtojmë me respekt, deri në përulje, veprën e pavdekshme të tyre.

Udhëheqës dhe organizatorë të demonstratave në Evropë
Demonstratat e Pranverës së Madhe të vitit 1981 hapën një epokë të re për popullin shqiptar. Kishte ardhur momenti që lëvizja ilegale të dilte hapur në skenën politike për t’i orientuar e organizuar drejt masat e gjëra popullore dhe kjo nuk ishte aspak e lehtë dhe pa rreziqe. Ish-Jugosllavia, si një fuqi reale propagandistike, ushtarake e policore e kohës, kishte ndërmarrë një fushatë të egër antishqiptare për ta shtypur me dhunë, me zjarr e me hekur, me vrasje kur të mundet, ditën e natën, brenda apo jashtë Kosovës, zërin liridashës të popullit shqiptar që padrejtësisht ishte ndarë e copëtuar.

Në këto rrethana Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla morën përsipër të dilnin në “ballë dhe te këmbët e popullit”, siç do të thoshte vetë Jusufi.

Ideologu largpamës, organizatori i shkëlqyeshëm dhe njeriu i përkushtuar deri në fund ndaj çështjes kombëtare, Kadri Zeka, pavarësisht rrezikut, i pari doli hapur në ballë të mërgatës shqiptare. I konsultuar me shokët brenda dhe jashtë Kosovës, i përgatitur politikisht dhe i informuar jashtëzakonisht mirë me të gjitha zhvillimet politike, Kadri Zeka, si përfaqësues i OMLK-së, kishte vendosur t’i organizonte demonstratat e para në mbështetje të kërkesave gjithëpopullore në Kosovë. Pas një analize të thellë të rrethanave dhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare në Vjenë, këtë vendim të Kadri Zekës e mbështetën pa rezerva edhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla që përfaqësonin Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi dhe Ibrahim Kelmendi si përfaqësues i Frontit të Kuq Popullor.

Demonstrata e parë e 11 prillit të motit 1981 në Bern hapi një faqe të re për mërgatën shqiptare. Nisën demonstratat, tubimet dhe takimet e tjera publike të cilat u bënë një bazament i fortë e i pathyeshëm i një organizimi të pavarur të mërgatës shqiptare me një program të qartë politik për Republikën e Kosovës, pikërisht ashtu siç kishte kërkuar në ato rrethana në mënyrë krejt demokratike e paqësore lëvizja studentore dhe mbarë populli shqiptar i Kosovës.

Forcimi i rrjetit organizativ dhe mobilizimi i mërgatës
Falë punës së madhe dhe largpamësisë së dëshmorëve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, gjatë vitit 1981, brenda në Kosovë, u ndihmua lëvizja ilegale dhe u qartësua programi politik. Ndërkaq në shtetet evuoperëndimore shumë klube punëtorësh shqiptarë që mbanin lidhje me ambasadat ish-jugosllave u shkëputën dhe u vunë në shërbim të një organizimi të pavarur kombëtar. U themeluan edhe klube e shoqëri të reja të cilat mobilizuan mërgatën shqiptare në mbështetje të kërkesave të drejta që kishte shtruar për zgjidhje populli shqiptar. Thënë shkurt, themelet e organizimit të pavarur të mërgatës shqiptare i vunë Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla.

Mbi këto themele pastaj, vit pas viti e dekadë pas dekade, janë themeluar organizime të shumta të shqiptarëve kudo që ndodhen në botë në funksion të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Këto tri figura emblematike kombëtare e politike i kishin të gjitha tiparet e rilindësve shqiptarë, ndërsa vetë organizatat që drejtonin ata vepruan në frymën dhe traditën më të mirë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Nëse u referohemi fakteve dhe dokumenteve arkivore që lidhen me ato vite, shohim qartë se që nga viti 1981 kishte dalë në skenë një plejadë e tërë veprimtarësh brenda dhe jashtë Kosovës, të cilët i mbetën besnikë mësimeve të dëshmorëve. Kjo plejadë veprimtarësh, që ka pasur nderin e madh të njihej sadopak me Kadri Zekën (Zeqën), Jusuf e Bardhosh Gërvallën, por edhe plejada tjetër atdhetarësh që nuk i kanë njohur drejtpërdrejt, gjithnjë burim frymëzimi e edukimi ka qenë vepra e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës. Këta pesë pishtarë të lirisë me jetën dhe veprën e tyre kanë qenë shembull frymëzimi edhe për qindra mijëra të burgosur politikë në burgjet e tmerrshme ish-jugosllave, të cilët, të ndodhur prapa grilave, e përjetuan me dhembje e krenari rënien e këtyre tre prijësve dhe ideologëve, Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, e dy vjet më vonë edhe të Rexhep Malajt e Nuhi Berishës.

Në asnjë rast nuk përjashtohej lufta çlirimtare

Nëse shikohen me kujdes shkrimet dhe fjalimet e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit, vërehet qartë një filozofi politike që s’e duronte nënshtrimin e popullit shqiptar para askujt, që nuk e dëshironte luftën, por që në asnjë rast nuk e përjashtonte luftën çlirimtare. Sot, pas 34, përkatësisht 32 vjetësh, nëse analizojmë me kujdes shkrimet dhe fjalimet e Kadri Zekës para demonstruesve, shohim se nuk ka shkrim as fjalim të tij që nuk lidhet me luftën çlirimtare. Moto e Kadri Zekës ka qenë “Rroftë lufta e drejtë e popullit shqiptar”! Filozofia politike e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit nuk përshkohej asnjëherë me tone pesimiste, nënshtruese apo disfatiste. Mendimi dhe filozofia e këtyre tre pishtarëve të lirisë për bazë gjithnjë kishte guximin, optimizmin dhe bindjen e plotë në fitoren e sigurt sepse kishin besim të madh tek e drejta dhe populli i vet. Jusufi, Kadriu, Bardhoshi, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha kanë qenë të armatosur me dije, me maturi e guxim. Ata kanë qenë njëkohësisht, atdhetarë të flaktë, ideologë të mëdhenj, diplomatë të shquar, burrështetas të përgjegjshëm dhe luftëtarë të denjë për çlirim e bashkim kombëtar. Ata e dinin çfarë po bënin, kur do të niseshin e kur do të arrinin në cakun e dëshiruar. Çdo fjalë e tyre peshonte shumë, çdo hap që bënin ishte i matur, çdo mendim kishte peshë e ndikim të jashtëzakonshëm në mesin e bashkatdhetarëve. Ata ndjenin përgjegjësi për çdo fjalë e për çdo veprim. Ishin të kujdesshëm në veprimet e përditshme e shumë vizionarë për të ardhmen!

Si bashkëpunëtorë të mirë që dinin t’i koordinonin veprimet e tyre të përbashkëta në interes të çështjes kombëtare, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla ishin bërë simbol i unitetit, i mirëkuptimit dhe i bashkimit në mes njerëzve dhe organizatave të ndryshme politike, të cilat synim kryesor kishin realizimin e aspiratës shekullore të shqiptarëve. Sado që në atë periudhë ende ishte i fortë kampi socialist dhe qeverisej me sistem monist, mund të thuhet se Jusufi, Kadriu, Bardhoshi, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, asnjëherë nuk i kanë nxjerrë në plan të parë pikëpamjet politike, apo interesat e ngushta të organizatave që përfaqësonin, para çështjes kombëtare. Ata nuk ishin të vetëquajtur demokrat me fjalë e me rrahagjokse, por shumë demokratike ishte vepra e tyre. Demokratike ishte gjuha tyre, demokratike ishin shkrimet e tyre, demokratike ishin sjelljet dhe veprimet e tyre politike, demokratike ishte dashuria e madhe ndaj popullit të tyre. Qysh para më shumë se tri dekadave, ndonëse në rrethana krejt tjera shoqërore e politike, ata kanë ditur të jenë tolerant ndaj mendimit të ndryshëm dhe ta respektojnë pluralizmin politik dhe shumëllojshmërinë e mendimeve, gjithnjë në funksion të çështjes kombëtare shqiptare. Por, të jesh demokrat nuk donë të thotë të jesh frikacak dhe ta durosh robërinë, të padrejtën dhe okupatorin. Ndaj këta ishin njëkohësisht revolucionar e luftëtarë të lirisë që ditën ta luajnë gishtin atëherë kur duhej, ditën të qëndrojnë e luftojnë si Rexhep Malaj e Nuhi Berisha në qendër të Prishtinës. Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi, udhëhiqeshin nga parimi të cilin pastaj e dëshmuan me jetën e tyre: “Mbi gjithçka tjetër duhet të jetë çështja kombëtare, liria, pavarësia dhe bashkimi i tokave shqiptare në një shtet të vetëm”! (VIJON)

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?