Dega e LDK-së në Gjermani organizon homazhe tek varresat e martirëve të kombit...
QIK, 16 janar 2001, Shtutgart
Dega e LDK-së në Gjermani organizoi homazhe tek varrezat e martirëve të kombit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani organizoi të dielën në varrezat në Bad Cannstatt të Shtutgartit të Gjermanisë homazhe për martirët e kombit shqiptar: vëllëzërit Jusuf e Bardhosh Gervalla dhe Kadri Zeka. Koha e mbajtjes së homazheve në nëntëmbëdhjetë vjetorin e vrasjes së këtyre tre veprimtarëve të shquar te çështjes kombëtare tuboi pranë varreve të tyre mijëra bashkatdhetarë nga mbarë Gjermania dhe shtetet përreth. Kolona e gjatë e prirë nga Hafiz Gagica, kryetar i Degës së LDK në Gjermani dhe kryetar i Kolegjiumit të Degëve të LDK-së në diasporë, Hysen Gërvalla, vëlla i martirëve dhe kryetar i Degës së LDK në Zvicër, Abdyl Gërvalla, vëlla i martirëve, bashkëshortja e Jusufit, Zana, bashkëshortja e Bardhoshit me fëmijë si dhe pjesëtarë tjerë të familjes, në mënyrë dinjitoze ashtu siç e merituan ata për rreth 2 orë rresht bëri homazhe dhe vendosi korora e lule të freskëta mbi varret e tyre.
Interesimi aq i madh i bashkëkombasve tanë dëshmonte për humbjen e madhe të liderit politik Jusuf Gërvalla dhe bashkëveprimtarëve të tij dhe një pjesëmarrje masive dëshmon qartë se sa nevojë kishte levizja dje, porse sa ka edhe sot në konstituimin e shtetit të Kosovës. Ishin këto homazhet e fundit që bëhen në mërgim, me shpresë se eshtrat e këtyre tre martirëve se shpejti do te barten në Kosovë ku do të prehen të qetë në atdheun e tyre për të cilin kontribuan aq shumë.
Në mbrëmje tubim përkujtimor për martirët e kombit: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u mbajt në klubin kulturoro-shqiptar "Bardhosh Gërvalla" në Ludwigsburg, ku folën Hysen Gërvalla, vëllai i martirëve e kryetar i Degës së LDK në Zvicër si dhe Zymer Lulaj, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK në Gjermani.
Hysen Gërvalla ndër të tjera tha se vuajtjet shqiptare janë vuajtje të popullit që me shekuj u ndodh përballë gjenocidit e etnocidit të egër, të cilat duhet t´i mbajmë të freskëta në mendjen e verpimet tona, sepse kjo kujtesë do të mbajë e do të fisnikërojë historinë tonë kombëtare deri në amshim. Prandaj, edhe ky takim i fundit në mënyrë të organizuar me martirët tanë në dhe të huaj le të jetë në shërbim dhe në funksion të detyrave madhore ndaj kombit, ndaj historisë dhe vlerave humane. Ky është edhe një fakt madhështor, se falë angazhimit tuaj dhe të mbarë popullit, trupi i martirëve, pas njëzetë vjetesh, do të kthehet në gjiun e ngrohtë të Nënës Kosovë.
"Ne, gjenerata jonë, kemi edhe më tutje detyra madhore të rendit të parë: të realizojmë qëllimet e këtyre bijve martirë që plumbat e armikut shekullor të shqiptarëve ua shkurtuan jetën dhe ua prenë rrugën për të cilën ishin të vendosur të shkojnë deri në fund, pra në lirinë dhe pavarësinë e plotë të Kosovës", tha zoti Gërvalla.
"Jusufi, Bardhi, Kadriu dhe të gjithë ata të cilët ranë për lirinë e Kosovës, pa fije dyshimi, edhe pse të vrarë", tha në fjalën e tij Hysen Gërvalla, "na udhëzojnë dhe na porosisin që të mos e bjerrim kohën, t'i mbajmë zgjedhjet nacionale ashtu siç i mbajtëm ato lokale, të cilat rikonfirmojnë shtetësinë e Kosovës si çdo shtet tjetër në botë. Të formojmë Parlamentin e Kosovës dhe ta zgjedhin Presidentin tonë. Të mbajmë dhe forcojmë ushtrinë tonë", tha në fund ai, njofton Shërbimi për informim i Degës së LDK-së në Gjermani.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen