Dr.Rugova: Jusuf Gërvalla ishte dhe do të mbetet burrë i madh - i urt dhe trim i kosovës
QIK;Deçan, 25 shkurt 2002
Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova morën pjesë në rivarrimin e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla në Dubovik të Deçanit
DR. RUGOVA: JUSUF GËRVALLA ISHTE DHE DO TË MBETET BURRË I MADH, I URT DHE TRIM I KOSOVËS
Në fshatin Dubovik të Deçanit dje pasdite u bë rivarrimi i dëshmorëve të kombit Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Në ceremoninë e rivarrimit morën pjesë mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova. Ishin të pranishëm edhe kryetari i LDK-s dr. Ibrahim Rugova, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe komandanti i Zonës së Tretë të TMK-së kolonel Shaban Shala dhe veprimtari Zekeria Cana.
Dr.Ibrahim Rugova, duke folur për këta atdhetarë tha: "Të gjithë ne dhe e gjithë Kosova sot është krenare, ngase i sjell eshtrat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e shokut të tij Kadri Zekës në tokën e vet, sepse ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjithë ne jemi krenarë për kthimin e tyre në Kosovën e lirë dhe demokratike".
"Dhembja njerëzore nuk shuhet, ndërsa rritet krenaria për ata që i patëm dhe për veprën që na lanë. Puna dhe vepra e tyre na e lanë lirinë e cila na duhet si buka dhe fryma e Zotit, e këtë diti ta bëjë Jusuf Gërvalla", tha në vazhdim Dr.Rugova, përpara të pranishmëve.
Lidhur me personalitetin e Jusuf Gërvallës, Ibrahim Rugova tha se ai ishte dhe do të mbetet burrë i madh i Kosovës, i urtë dhe trim. "Jusufi doli nga një familje me tradita të larta kombëtare. Ai ishte një artist i madh dhe me veprat e tij letrare solli frymën e Dheut të Kosovës dhe shpirtit njerëzor, ndërsa në fushën e artit muzikor dhe të këngës nxori zërin e thellë të lashtësisë shqiptare që del nga thellësia e dheut dhe ringjall popullin e vet", - nënvizoi z.Rugova. Ai shtoi se pena e Jusufit ishte e mprehtë dhe në gazetarinë e Kosovës ai ngriti popullin përmes shprehjes në art. Dr.Rugova tha se për shkak të veprimtarisë së tij ai u përzu nga atdheu, duke shtuar se sikundër edhe në Gjermani ai iu kushtua veprimtarisë së tij politike dhe kombëtare për lirinë e Kosovës. "Jusufi kurrë nuk u ndal, por pranë vetes tuboi të gjithë bashkatdhetarët, ngase gjithmonë ishte për një bashkim kombëtar në të mirë të Kosovës", - deklaroi kryetari i LDK-së. Por, sipas dr.Rugovës, duke e parë rrezikun nga ky organizim, ai u likuidua fizikisht për ta shuar atë organizim, të cilin nuk arritën ta shuajnë kurrë. "Sot mund të themi se Jusufi i ka vrarë ata", - tha Rugova për të vazhduar se "Jusuf Gërvalla i takon brezit të parë të shkolluar komplet në Universitetin e Prishtinës, i cili ishte qendër shpirtërore e Kosovës e Jusufi i takon atij brezi që u përcaktua për pavaërsinë e Kosovës, për integrim në Evropë të kombit shqiptar", - tha Dr.Rugova.
Kryetari i LDK-së në vazhdim theksoi se "idealet e tyre ishin bazë e mirë, që të bashku me miqtë tanë, të krijojmë shtetin tonë për të cilin ëndërronte Jusuf Gërvalla".
Rugova falënderoi të ëmën e dëshmorëve, nënën Ajshe dhe anëtarët e tjerë të familjes për kontributin e tyre dhënë çështjes kombëtare për Kosovën
Në këtë ceremoni foli edhe Zekeria Cana i cili bëri thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve. "Na vijnë djemtë e Kosovës në Kosovën e përplakur por krenare me qendresë të pamposhtur për të qëndruar, për të jetuar për të sotmen dhe të nesërmen tanë", tha z. Cana.
Ndërkaq në emër të familjes Gërvalla falenderoi pjesëmarrësit në këtë rivarrim i biri i Jusufit, Premtoni. "Ardhja e juaj këtu është një ngushllim dhe një nderim i madh për ne familjen, por mbi të gjitha është një nderim dhe respekt i thellë për jetën dhe veprën e këtyre dy bijëve të Kosovës tonë të dashur. Puna dhe jeta e mixhës dhe vëllait të tij u ndërpre nga plumbat e armiqëve tanë shekullor para 20 vitesh. Bashkë me ta atë natë të 17 janarit 1982 u vra edhe një shok i tyre i nugshtë Kadri Zeka" tha Premton Gërvalla. Në vijim të fjalës së tij ai theksoi se pas 20 vitesh shumë të gjata përplotë me vuajtje e sakrifica jo vetëm të familjeve tona, por të mbarë popullit të Kosovës erdhi edhe kjo ditë fatlume, që këtij trualli të përgjakur t'ia kthejmë bijt e tij Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin.
Ndryshe, para rivarrimit të dëshmorëve, kryetari Rugova e vizitoi familjen Gërvalla dhe nënës Ajshe i dhuroi një medalon të arit me portretin e Nënes Tereze.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen