I "vrarë" bukurie - i vrarë policie

“Forumi” nr.11 31.01.1994



I “VRARË” BUKURIE, I VRARË POLICIE
 

Në numrin e parë të revistës që kisha nisur (EPOKA, qershor, '91) doja patjetër të kem diçka për Jusuf Gërvallën, diçka të ngrohtë, të dhembshur, elegjiake. Më bëhet diç e këputur, e pakryer, tragjike në rrokjet e këtij emri, që ka të bëjë edhe me fatin tonë përgjithësisht.
 
Nuk e kisha njohur, ndaj emri Jusuf Gërvalla gjithnjë më ka ngjallur këto asodacione:

kitarën akustike, poezinë, njeriun me lulen e tetovuar në ballë, telin e këputur në kitarë, këngën e ndërprerë, Klepsidrën, shushurimën e kohës në orën me zallë, Danillo Kishin, rubrikën e kulturës në Rilindje, këndin e TV në gazetë, pamundësinë, grupet marksiste-leniniste, Republikën, azilin politik, vitin 1982, qytetin gjerman me një emër që s'mbahet mend, UDB-në. 

Dhe, një pyetje: si u bë që një njeri i "vrarë" bukurie, të përfundojë si i vrare policie? 

Thashë, nuk e kam njohur. Që këtej do të përpiqem që pikërisht me një veprim e pro-sede kishian ta rikonstruktoj këtë figurë ashtu siç e shpjegonte Kishi prosedeun e romanit Klepsidra, që e kishte përkthyer Jusufi: "Në bazë të një të vetme letër, të atij dokumenti të thukët, ta rikonstruktojë tërë një botë,' një botë të djeshme', në të njëjtën mënyrë siç e rikonstruktojnë shkencëtarët florën e faunën e kohërave të lashta gjeologjike, në bazë të të vetmit - asht. Në këtë rast, ai asht - është ajo letër". 

Në këtë rastin tim, ai asht është fotoportreti nga ballina e veprave letrare të Jusuf Gër-vallës. (E botoi revista ORA). 

Këte fotoportret e kisha parë në ballë të grupeve të emigrantëve tanë, që duke e bartur si ikonë përkujtonin jo vetëm Jusufin, por edhe atë që ai simbolizonte, vullnetin e shtypur brutalisht të popullit në Kosovë. E kisha parë në revista të ndryshme, që u botuan në Prishtinë, dhe në një emision televiziv ku, i zmadhuar, qe vënë në krye të dhomës së të vesë së tij në Tiranë. Po ky portret: me ata sy të thellë të gastartë, me një shikim serioz e depërtues, me një të parë të humbur andej ku u nis Jusufi të na gjejë sërish. 

Duke e njohur poezinë e tij nuk kam se si të mos e vendos këtë fotoportret në një sfond fshati (Dubovik), e në fshat shtëpia në të cilën "ora e madhe në mur ka pushuar", ku ka në votër "plot prush mbuluar nga hiri", e mbi votër "njemend është atje një ftua që rri mbi oxhak i verdhë". Nuk kam se si të mos e vendos Jusufin në mizanskenë me nënën e tij që, "me govate në dorë e vetmuar shkonte e gërmuqur stegut drejt derës", "një plakë si pikturë", me fshatarët e tij ndër të cilët luftë gjelash s'ka me, ta vë në mizanskenë me ata që vonohen gjithmonë, por mbërrijnë para muzgut. 

Këto po m'i thoshte portreti i vendosur në këtë sfond, në të cilin shtëpia, nëna, fshati jane refleks jo vetëm i "ndildmit tinëzar të biografisë", siç do ta citonte Kishi Sartrin, por edhe mall e nostalgji e poetit, i cili kujton lumturinë e fëmijërisë, strehën, sigurinë, të njohurën, mbrojtjen, gjirin, gjirin e nënës, gjirin e fshatit. 

Ajo që vërehet në fotoportret në mënyrë të theksuar është pikërisht anima e tij, ajo pjesë femërore e shpirtit të njeriut (Jungu), ai gjakim i tij për "femrën e amshuar" të Gëtes, qe Jusufit i fanitet nënë, i fanitet shtëpi, duke pasur kuptimin e gjirit e të vendprehjes. 

Por, cili është këndi në të cilin Jusufi përjeton këtë teptisje malli e nostalgjie? Shtëpia, nëna fshati janë vetëm kode të diçkaje të humbur, të munguar. Nga ç'largësi e shikon Jusufi Dubovikun?

Qyteti. Qyteti është këndi, pikëvështrimi, largësia, kontrapunkti. Këtë kalim pragu kishte përjetuar Jusufi, këtë proces iniciacioni: 

"dhe kështu u prenë rini e rritë nëpër botë pastaj si njeri i vogël që jam me një det këngësh që më vlojnë në gji u nisa baba në kullën dikur si zgurr ja kaq i vogël po edhe burrë." 

 Qyteti është ajo hapësirë e re, e panjohur, në të cilën Jusufi për herë të parë e ndjeu veten të pambrojtur, të pasigurt, të lënë. Qyteti është vendi ku ai njohu ndjenjën më të hidhur dhe më të shtrenjte të njeriut - vetëminë. E, siç tha Jusufi, "tek ka vetmi ka mendim që fisnikëron".  Qyteti është vendi ku Jusufi u "vra" herën e parë. U "vra" bukurie!  Këtu "e priti veten në pusi, ta vrasë me këto mendime", këtu "e pa veten si digjet në betejën e tmerrshme të fjalës e të mendimit".

 Këtë njëri po ma zbulonte fotoportreti, njeriun e mundur nga statusi ontologjik i tij, njeriun të cilin e ha dyshimi, njeriun e kujtuar mbi "ndjenjën tragjike të jetës, njeriun që përpiqet t'ua vërë emrin gjërave, t'i deshifroje "shenjat e shenjta që s'lexohen për vete", njeriun që flet me gjuhën e gurit, me gjuhën e luleve, njeriun që kërkon diçka diku "të ' vërtetë dhe melodi, njeriun në pamundësinë e tij që do të bëhet poet, "hudozhnik" (artist)  hamletian-verterian, duke kërkuar ndiesë. 

E pashë Jusufin, siç do të thoshte Kishi, duke u përpjekur që madhështisë së humbjes njerëzore t'ia kundërvejë mitin e tij, formën e tij, zërin individual, të vetmuar, pa jehonë, por plot dhembje të veçantë. 

E pashë njeriun e "vrare" bukurie! 

Mora ta shikoj fotoportretin nga ky rakurs tashti, nga rakursi i qytetit, dhe zbulova shu-mëçka të re. Zbulova flokët e tij, frizurën, së cilës i mungonin zullufet e modës që i kisha parë me një foto tjetër të tij, e cila ma tregonte Jusufin si student, si ithtar i "lëvizjes studentore" të '68, si simpatizues i "fëmijëve të luleve", nga të cilët kishte marrë meloditë, revoltën dhe rebelimin ndaj estabilishmentit, u kishte përkrahur thyerjen e konvencioneve duke mos u pajtuar vetëm me liritë seksuale dhe me përdorimin e narkotikëve. Frizura, flokët e tij në këtë fotoportret, janë një relikt shumë i evoluar i asaj lëvizjeje që për simbol kishte lulet, aq të preferuara e të dashura sa Jusufi tetovoi një në ballë, duke u përcaktuar përgjithmonë për bukurinë, lirinë e paqen. Rakursi i qytetit ma zbulonte Jusufin si një djalosh me kitarë, me flokë e zullufe të rritura, që këndonte këngët e "Simon & Gar-funkel" dhe Bob Dilan, bitnik, të dashuruar në largesitë, "bredharak kreshtash trotuaresh", duke u përpjekur të ikë "nga bota e krijuar me fjalët e vjetra". 

"Dolçevita" (bluza me fyt) ngjyrë e zezë etij, kësaj pamjeje të Jusufit i jepte edhe një splin francez, duke e pasuruar imigjin e tij me një frymë ekzistencializmi nga Parisi i viteve dyzet, ku më bëhet sikur e shoh Jusufin në bistronë "Deux Magots", në Kuartin Latin, duke kënduar dhe përcjellë me kitarë Juliette Greco-në.

Kjo është pamja më e preferuar dhe më e afërta imja, në të cilën më fanitet gjithmonë Jusuf Gërvalla. Është Jusufi që "do të vdesë me kitarë në dorë një ditë". 

Ku gjendej qyteti, në të cilin Jusufi njohu vetminë, përjetoi dashurinë, në të cilin Jusufi u "vra" bukurie? Ku gjendej ky qytet, në të cilin "të humburit nga bukuria" mblidheshin nëpër taverna për të kënduar këngë meksikane, këngë "fëmijësh të luleve", balada qyteti? 

Qyteti i Jusufit ishte qytet në Kosovë. Prishtina. Ishte Peja. Ishte Kosova, e cila nën "hijen e Jaltës" kishte mbetur nën një sovranitet e pushtet të huaj. Dhe këtë Jusufi e ndjente fuqishëm, e ndjente fatalisht. Kjo Kosovë, e rritur në "hijen e Jaltës", i shkaktonte kom-pleksin e gjymtisë, ngaqë atdheu për Jusutin nuk ishte i tërë- Ishte i gjymtë. Një pjesë ë gjymtisë së atdheut të tij quhej Kosovë. Kjo bëri që ai të tundohej, të dyshojë. Filloi të dyshonte në lulet, në kitarën, në poezinë, në paqen. 

Si tha Roland Bart, arti përgjithësisht ka për qëllim të bëjë pyetje, ndërkohë që botës i duhen përgjigjet. Jasufi kërkonte përgjigjen, aksionin, angazhimin. E mundonte "Neveria" e Sartrit, por "çfarë mund të bëjë 'Neveria' para vdekjes së një foshnje", pyetej ai tok me Sartrtin. Arti nuk mund ta ndryshojë botën, konstatonte. Ndaj, "gjithçka do të fillojë nga mbarimi".

Ishte Jusufi që vdiste, vdiste në pamundë-sinë e tij, o vëlla!

Atij i duhej të shkonte andej prej nga do të na gjente sërish.

Dhe, po ma preke zemrën, zemrën akull e kam, thoshte.

Jusufi nuk besoi se të jesh i "vrarë" bukurie është një vrasje totale, e gjithmonshme. Ai nuk do t'i përjetojë këshillat e shkrimtarit të preferuar Danillo Kishit, që ua bënte "të vra-rëve bukurie", "shkrimtarëve të rinj" (1984):

- »Mos krijo program politik, mos krijo ku-rrfarë programi: ti krijon nga magma dhe kaosi i botës.

- Lufto kundër padrejtësive shoqërore, du-ke mos bërë program nga ajo.

- Mos lejo të kesh mision.

- Ruaju nga ata që kanë mision.

- Po ta përmendën "realizmin socialist", ndërpreje çdo bisedë.«

Jusufi nuk i përjetoi këto këshilla të Kishit, por ishte i afërt me të tek besimi në njeriun, në veprimin e tij.

Nuk është e vërtetë se njeriu nuk mund ta ndryshojë fatin e vet, rrjedhën historike. Ai nuk besonte në stihinë e jetës, në fatum, në pozitën e parapërcaktuar të njeriut në histori. Ai besonte në potencën dhe guximin e njeriut. Dëshira për drejtësi e liri e tij sfidonte violëncën. Deshi të jepte shembull me veprimin e vet, duke u përpjekur të ndryshonte fatin e lij dhe fatin e njerëzve në Kosovë.

Kishte harruar vetëm një gjë, se e ka të tetovuar lulen në ballë, e cila e dallon, e shquan, duke e pasur më lehtë ta qëllojnë.

Dhe, ata e qëlluan mu në lulen e tetovuar në ballë.

Njeriun e "vrarë" nga bukuria, e vrau po-licia!

Jusuf Gërvalla ia doli ta përmbushte idealin c tij që me veprimin dhe flijimin e vullnetshëm lë shprehte protestën e tij, duke u ngritur kështu mbi tragjedinë e tij.

Figura e Jusuf Gërvallës sot u ngrit në para-digmë të një lëvizjeje të grupeve të ndryshme në Kosovë, që u përpoqën dhe u flijuan për firinë e pavarësinë e saj.

Një lëvizje, e cila në dimensionin e saj ideologjik ra tok me Murin e Berlinit e të ko-munizmit, duke mbetur viktimë e pamundësisë për ta bërë dallimin midis at dheut e regjimit, midis atdheut e udhëheqësit. Por, një lëvizje e cila mbajti të gjallë në vete gja-kimin e Kosovës për liri e mëvehtësi të saj. ^ * *

Tashë: e qëlluan mu në lulën e tetovuar në hallë Jusuf Gërvallën dhe, për çudi, nuk u ndie gjë, pos një ton i mbytur i "telit të këputur në kitarë"!(Migjen Kelmendi)

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?