Kur politizohet edhe rivarrimi i dëshmorëve

Koha Ditore 26.02.2002

Botimi në perëndim 

Koment 

KUR POLITIZOHET EDHE RIVARRIMI I DËSHMORËVE 

Pjesëtarët e TMK-së përcollën arkivolin e Kadri Zekës, por jo edhe atë të vëllezërve Gërvalla. Tagrin e ndarjes po e paguajnë martirët që u spikatën në luftë për bashkim dhe TMK-ja, e cila duhet të jetë institucion i të gjithëve
A është çdo gjë e politizuar në Kosovë? Ose, për më tepër, a ka në Kosovë njerëz që dëshirojnë të politizojnë gjithçka? Sikur të vlerësoheshin disa nga ngjarjet e fundit që po ndodhin në Kosovë, përgjigjja fatkeqësisht del të jetë e thjeshtë: Po. Shembulli më ilustrativ i rishtëm i këtij fenomeni kosovar është ai me sjelljen dhe rivarrimin në Kosovë të trupave të dëshmorëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, njëzet vjet pas vrasjes së tyre në Shtutgart të  Gjermanisë.

Ngjarja e madhe - e shikuar nga pjesa më e madhe e popullit si e arritur, që po organizohet pa pengesa tash që në Kosovë më nuk sundon regjimi autoritar i Beogradit - paparashikueshëm rrëshqiti dhe u shndërrua në edhe një nga evenimentet tashmë mirë të njohura në vend, ku qarqe të caktuara duan të tregojnë rëndësinë dhe përkrahjen e vet. Ose, siç do të mund të përkthehej ndryshe:

ngjarje ku forca të ndryshme politike tregojnë inatet dhe mos gatishmërinë për bashkëpunim me kundërshtarët politikë.

Si i tillë kuptohet edhe moslejimi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) që të marrin. pjesë në rivarrimin e vëllezërve Gërvalla në fshatin Dubovik të Deçanit, megjithëse pjesëtarët e saj kishin planifikuar që të nderonin dëshmorët në vendvarrimet e tyre në vendlindjet në Kosovë. Në të njëjtën kohë, pjesëtarë të TMK-së kanë marrë pjesë në ceremonialin e rivarrimit të bashkëudhëtarit të tyre në Gjilan.

Zyrtarë të TMK-së kanë bërë të ditur se familja Gërvalla ka kërkuar që pjesëtarët e tyre të mos marrin pjesë në këtë ceremonial. Ndërsa vetë familja nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për këtë vendim. Mirëpo, vetë fakti që në Dubovik ka marrë pjesë kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova, dhe nuk ka pasur ndonjë anëtar të PDK-së të pranishëm në emër të partisë aty, kurse në këndin tjetër të Kosovës, në Gjilan, ka pasur anëtarë të PDK-së e të TMK-së, por jo edhe të LDK-së - flet mjaft. Politika, ose thënë më drejt, politika që nxit përçarjen e ditëve të sotme, ka arritur të depërtojë edhe në ngjarjet që reflektojnë një kohë dhe një situatë që nuk ka asgjë të përbashkët me kohën e situatën aktuale. Sigurisht se dëshmorët që u kthyen në vendlindje, në vitin 1982 kur u vranë nga agjentët serbë, nuk kanë pasur mundësi të jenë anëtarë as të njërës as të tjetrës parti politike që vepron sot në Kosovë. Madje, ata qenë të njohur si veprimtarë te bashkimit, e jo ndarjes.

Mirëpo ata mjerisht politizohen, tash, kur për këtë ka më së paku nevojë.     

Aq më keq, është e pakuptueshme tendenca për politizimin e TMK-së. Në rastin e përmendur sheshazi nënkuptohet se për dikë kjo trupë mbrojtëse kosovare identifikohet më një entitet politik, PDK-në, ndërkohë që dihet se ajo është një institucion apolitik në shërbim të gjithë popullit të Kosovës. Ku mbetet pastaj dëshira e flaktë e kosovarëve që një ditë Kosovën ta kemi shtet dhe që, pikërisht TMK-ja të jetë ushtria e saj. Mbështetur në ato që po shihen ditëve të fundit, është rrezik të konkludohet se edhe kjo dëshirë ka filluar të zvetënohet. (Adriatik Kelmendi)

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?