Mijëra qytetarë në rivarrimin në Dubovik
Qendra Informative e Kosovës- QIK
Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova morën pjesë në rivarrimin e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla në Dubovik të Deçanit
Dr. Rugova: Jusuf Gërvalla ishte dhe do të mbetet burrë i madh, i urtë dhe trim i Kosovës
Deçan, 25 shkurt (QIK)- Në fshatin Dubovik të Deçanit dje pasdite u bë rivarrimi i dëshmorëve të kombit Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Në ceremoninë e rivarrimit morën pjesë mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova. Ishin të pranishëm edhe kryetari i LDK-s dr. Ibrahim Rugova, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe komandanti i Zonës së Tretë të TMK-së kolonel Shaban Shala dhe veprimtari Zekeria Cana.
Dr.Ibrahim Rugova, duke folur për këta atdhetarë tha: "Të gjithë ne dhe e gjithë Kosova sot është krenare, ngase i sjell eshtrat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e shokut të tij Kadri Zekës në tokën e vet, sepse ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjithë ne jemi krenarë për kthimin e tyre në Kosovën e lirë dhe demokratike".
"Dhembja njerëzore nuk shuhet, ndërsa rritet krenaria për ata që i patëm dhe për veprën që na lanë. Puna dhe vepra e tyre na e lanë lirinë e cila na duhet si buka dhe fryma e Zotit, e këtë diti ta bëjë Jusuf Gërvalla", tha në vazhdim Dr.Rugova, përpara të pranishmëve.
Lidhur me personalitetin e Jusuf Gërvallës, Ibrahim Rugova tha se ai ishte dhe do të mbetet burrë i madh i Kosovës, i urtë dhe trim. "Jusufi doli nga një familje me tradita të larta kombëtare. Ai ishte një artist i madh dhe me veprat e tij letrare solli frymën e Dheut të Kosovës dhe shpirtit njerëzor, ndërsa në fushën e artit muzikor dhe të këngës nxori zërin e thellë të lashtësisë shqiptare që del nga thellësia e dheut dhe ringjall popullin e vet", - nënvizoi z.Rugova. Ai shtoi se pena e Jusufit ishte e mprehtë dhe në gazetarinë e Kosovës ai ngriti popullin përmes shprehjes në art. Mijëra qytetarë në Prishtinë u bënë homazhe vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës
Kommentare
Kommentar veröffentlichen