Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë mbrëmë u mbajt një Akademi Përkujtimore për Jusuf....
QIK,18.01.2003
NË TEATRIN KOMBËTAR NË PRISHTINË MBRËMË U MBAJT NJË AKADEMI PËRKUJTIMORE PËR JUSUF E BARDHOSH GËRVALLËN DHE KADRI ZEKËN
Prishtinë, 18 janar
Me rastin e 21-vjetorit të rënies së dëshmorëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, më organizim të Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës, mbrëmë në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, u mbajt një Akademi përkujtimore. Në këtë akademi mori pjesë edhe Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci dhe zyrtarë të tjerë.
Duke folur në këtë akademi, Presidenti i Kosovës tha se "jemi sot këtu për t'i përkujtuar dhe nderuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën e Kadri Zekën që u vranë para 21 vjetëve në Gjermani nga ata që i përzunë nga Kosova e tyre e dashur". Në vazhdim Presidenti Rugova tha se këto ditë mbushet një vit që familja Gërvalla dhe Zeka i sollën eshtrat e tyre në Kosovë, në Dubovik dhe në Gjilan. Ky ishte një gjest i madh që trupat e tyre të prehen në tokën e dashur dhe të çmuar të Kosovës, të cilën ia kushtuan jetën e tyre të re.
"Që të tretë me veprën e tyre madhore punuan për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, që ne po e gëzojmë sot e që po e ndërtojmë për çdo ditë. Kjo është porosia e jetës dhe veprës së tyre që nuk ta harrojmë kurrë", tha z.Rugova.
Duke folur për personalitetet e tyre, Presisdenti tha se ata ishin figura më të dashura dhe më të çmuara nga populli i Kosovës. Gjatë viteve të '90, me shpalljen dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, rinia i përkujtonte që të tretë me manifestime të organizuar, siç ishte 'Flaka e janarit' e tjera.
Presidenti Rugova bëri të ditur se Zyra e tij po punon që Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka - këta tre burra të mëdhenj - që të dekorohen për veprën e tyre të madhe për Kosovën. Gjithashtu Presidenti tha se do t'i propozojë Ministrisë së Kulturës që të themelojë çmimin me titull "Kitarja e artë e Jusuf Gërvallës", i cili do t'u jipej artistëve në fushën e muzikës. Me këtë rast zoti Rugova tha se Jusf Gëvalla ishte artist komplet në muzikë dhe në letërsi, si dhe publicist i shquar.
Ndërkaq për krijimtarinë letrare të Jusuf Gërvallës, foli Sabri Hamiti. "Jusufi mund të kujtohet vetëm si i ri, sepse ai i ri ka shkuar. Këto kujtime nuk mund t'i mundë tirania e kohës e as t'i kapë ndryshku i harresës. Në dukje e në veprim Jusufi ishte jo i zakonshëm, një botë e pasur shpirtërore, një butësi njerëzore, një spontanitet që vetëm atij i kishte hije", theksoi Sabri Hamiti. Ai tha se në dukje e veprim Jusufi ishte jo i zakonshëm, një botë e pasur shpirtrore, një butësi njerëzore, një spontanitet që vetëm atij i kishte hije, e të gjitha këto bashkë të ndeshura me një veprim të rrezikshëm. Ndërkaq për veprën letrare të Jusuf Gërvallës, Sabri Hamiti tha se "si te rrallë kush, tek ai vepra letrare është e ngjashme me jetën e tij, për të mos thënë e barabartë". Librat e tij të lirikave tregojnë një shtegtim të jetës së tij ashtu, si dhe fazat e emocionalitetit që kalojnë nëpër ëndrra, mall, fantazi.
Sabri Hamiti duke folur për punën atdhetare të Jusuf Gërvallës, tha se ai ka dëshmuar se më frytdhënës është veprimi konkret sesa afishimi agresiv. Jusufi ka dëshmuar që butësia arrin shumë më larg sesa rigjiciteti, sidomos në punë të bashkimit të shqiptarëve. Në fund Hamiti përkujtoi fjalët e Jusufit para se të jepte shpirt: "Nëse ëshët shqiptar mos u zbuloftë kurrë", duke e quajtur këtë utopi të fortë poetike, politike e atdhetare të Jusuf Gërvallës.
Akademia përkujtimore përfundoi me interpretimin e një pike muzikore të komponuar nga Jusuf Gërvalla dhe recitimin e poezisë së tij nga studentë të Akademisë së Arteve.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen