Në varrezat e dëshmorëve në gjilan prehet i qetë dëshmori Kadri Zeka

NË VARREZAT E DËSHMORËVE NË GJILAN PREHET I QETË  DËSHMORI KADRI ZEKA

Gjilan, 25 shkurt (Kosovapress.com)


            Dhimbja, pikëllimi dhe krenaria kishin pushtuar mijëra qytetarë, të cilët kishin dalur për ta pritur dhe për ti bërë nderime dëshmorit të kombit Kadri Zeka, arkivoli me eshtrat e të cilit, nën përcjellje të TMK-së, arriti të dielën në Gjilan.

            Para platos së teatrit të qytetit të Gjilanit, dëshmorit të kombit i bënë homazhe qytetarë të shumtë si pjestarë të familjes, drejtues institucional e politik të Gjilanit, Kosovës, bashkëveprimtarë dhe bashkëmendimtarë të Kadriut nga viset e ndryshme të Kosovës por edhe nga diaspora.

            Për shkak të shiut që biente që nga orët e mesditës, akademia përkujtimore që ishte paraparë të mbahet para platos u zhvillua në sallën e teatrit, e cila ishte e vogël për t'i nxënë të gjithë të interesuarit
 

               Fillimit të akademisë i ka paraprirë intonimi i Himnit Kombëtar, ekzekutuar nga kori Collegium Cantorum nën dirigjimin e Gjergj Kaçinarit dhe një minutë heshtje në shenjë nderimi.  

              "Kosova po kthen eshtrat e tre bijëve të saj, për here të parë në historinë e saj. Sot e kemi më lehtë t'i nderojmë dëshmorët, ngase ata i kemi këtu", theksoi  Basri Musmurati në cilësinë e drejtuesit të akademisë, ndërsa për jetën dhe veprimtarinë e dëshmorëve foli Mehmet Hajrizi, bashkëveprimtar i heroit i cili paraqiti një historik të shkurtër të veprimtarisë patriotike të vëllezëve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Këta heronj ai i ka quajtur si "atdhetarët më të përparuar, të cilët i dhanë jetë dhe seriozitet Lëvizjes Kombëtare shqiptare". 

            Këta dëshmorë i cilësoi guximi intelektual dhe trimëria, përvijoi ai me konstatimin se "bashkuan  mërgatën në shërbim të çështjes madhore, e cila deri në atë kohë ishte e paorganizuar"  "Roli bashkues i tyre mbetet i shenjtë dhe ata nuk i përkasin asnjë partie, por gjithë kombit" pohoi Hajrizi dhe shtoi se "Ata mërgatën e kthyen në një forcë madhore e jetike, ndërkohë që  vetë ishin ambasdorë të çështjes shqiptare.  Idetë e Kadri Zekës, Jusuf Gërvallës dhe të vëllaut të tij Bardhosh Gërvalla u mishëruan në zemrat e rinisë, e cila me luftën heroike të UÇK-së kombit i solli më të mundshmën - lirinë. Kadri Zeka, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla e meritojnë atdheun më tepër se secili nesh. Ata edhe sot i duhen Kosovës...janë nderi dhe krenaria e saj. Vetëm popujtë që nderojnë dëshmorët e meritojnë lirinë, kurse ata erdhën t'i bëjnë roje lirisë së Kosovës",  përfundoi Hajrizi.
 

Në emër të Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së në akademi foli nënkoloneli, Shemsi Syla i cili u shpreh se Dimensioni qe reflekton vepra e Kadriut, Jusufit e Bardhoshit i ka kaluar me kohë kufijtë e lokal dhe është bërë pjesë e pandashme e krenarisë, për të shtuar edhe se tani Kadri Zeka nuk është vetëm I Gjilanit, sikurse që nuk janë vetëm të Dubovikut Jusuf Gërvalla e Bardhosh Gërvalla, ngase ata askush nuk mund t'i ndajë ".

                          Kujtime për Kadri Zekën, në emër të mërgimtarëve evokoi bashkëveprimtari i Kadriut, Ismet Rashiti. Fare në fund, aktorët Jashar Shahiqi e Ramadan Kurti deklamuan vargje dhe lexuan njërin nga fjalimet e Kadri Zekës, mbajtur para mërgimtarëve në  Zvicër.  

                          Sheshit Rexhep Mala e Nuhi Berisha vazhdimisht I shtoheshin kolona njerëzish, të cilët vërshuan kodrës së dëshmorëve. 

                          Kortezhit të gjatë i priu TMK-ja dhe qytetarët me kurora të shumta lulesh. Në Varreza, nuk ka pasur fjalime, si pasojë e prishjes së vazhdueshme të motit që e shtyu organizatorin që të bëjë reduktimin e ceremonisë. 

                          Në fund, ceremonia e lëshimit të eshtrave në varreza u përcoll me nderime të larta të ushtarakëve të TMK-së, me vendosje të shumta kurorash. Pas më shumë se 20 vitesh eshtrat e dëshmorit Kadri Zeka që nga e diela prehen të qetë në varrezat e dëshmorëve të kombit në Gjilan./mh/

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?