Nuk jam kryes e as implikues në vrasjen e Jusufi (Intervist me Jusuf Karakushin)

ZËRI I DITËS

14 dhe 15 tetor 2002

botimi në perëndim 

F E J T O N I 


Jusuf Karakushi, ministri i fundit shqiptar i Punëve të Brendshme të Kosovës, për vitet e thyerjeve të mëdha politike në Kosovë (1+2) 

Nuk jam kryes, as i implikuar në asnjë mënyrë në vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës 

Jusuf Karakushit i kishte humbur çdo gjurmë që nga vera e vitit 1990. Të rinjtë as që dinë kush është ky njeri, pavarësisht se emri i tij ishte nga më të përgojuarit gjatë viteve të thyerjeve të mëdha politike në Kosovë.

            Pas punës në organizatën e rinisë, nga fundi i viteve gjashtëdhjetë, u rekrutua në shërbimin e punëve të brendshme në Gjakovë. Ishte koha kur, pas Plenumit të Katërt të Brioneve, në të cilin ishin identifikuar shumë padrejtësi ndaj shqiptarëve, bëheshin përpjekje që edhe ata të përfshiheshin në punët e brendshme. Megjithëkëtë ai ishte një anonim, madje edhe pas caktimit të tij përgjegjës të analitikës, një sektori  shumë të besueshëm në shërbimin e punëve të brendshme të Kosovës. Ai do të shquhet posaçërisht pas paraqitjes së tij publike, në një tryezë të mbajtur në Prishtinë dhe të organizuar nga sllovenët në fund të viteve të tetëdhjeta, kur nxori në shesh të dhëna shqetësuese për përndjekjen e shqiptarëve nga organet e atëhershme të punëve të brendshme. Ai do të apostrofohet si një nga përgjegjësit për izolimin e qindra intelektualëve shqiptarë, ndaj të cilëve u përdor tortura më e egër nëpër burgjet e Serbisë, në mënyrë që në vitin e okupimit faktik të Kosovës nga Serbia edhe ai të jetë i sulmuar dhe i përndjekur po prej atyre me të cilët kishte bashkëpunuar dhe që nga shqiptarët akuzohej se u kishte shërbyer. Që atëherë atij nuk i dihej adresa dhe në fakt ishte harruar.

            Emri i Jusuf Karakushit u rikthye në opinionin shqiptar të Kosovës kohë më parë, kur një dëshmitar në gjykimin e Millosheviqit në Hagë e përmendi këtë si njërin nga autorët e vrasjes së vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe të Kadri Zekës në Gjermani, njëzet vjet më parë. Ishte hera e parë që përmendej emri i tij në lidhje me këtë krim të policisë sekrete jugosllave.

            “Zëri”, i cili edhe më parë kishte bërë përpjekje të marrë rrëfimin e tij për vitet e thyerjeve të mëdha politike në Kosovë, si njërin nga personalitetet me rëndësi dëshmuese për atë periudhë, këso here ia doli të vendos kontaktin dhe përveç për akuzat që ia bëri dëshmitari i Tribunalit të Hagës, të merret edhe me ndriçimin e momenteve më dramatike të periudhës kur ai ushtronte funksione me rëndësi në shërbimin e punëve të brendshme të Kosovës. Përdhigjet e tij do t’i botojmë në vazhdime. 

            Zëri: Në procesin gjyqësor të shekullit, siç është quajtur gjykimi i Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit të Hagës, një dëshmitar të ka apostrofuar si njërin nga pjesëmarrësit e vrasjes së vëllezërve Gërvalla-Jusufit e Bardhoshit, dhe të Kadri Zekës. Cili do të ishte komenti juaj? 

            Karakushi : Unë, para se të më kontaktonte redaksia juaj, pata përgatitur një letër, reagim, rreth pohimeve të dëshmitarit të ashtuquajtur “G-6”, para Tribunalit për Krime Lufte në Hagë, që doja t’ua dërgoja mjeteve të informimit në Kosovë, të cilat kanë informuar për këtë dëshmi. Ja përmbajtja e saj:

            Më 10.06.2002 në Tribunalin e Hagës është paraqitur dëshmitari i mbrojtur “G-6”. Ai u deklarua si ish-punëtor i SHSSH të Kosovës e pastaj të Serbisë. Gjithashtu pohonte se kishte punuar në Sektorin VIII deri në fund të muajit maj të vitit 1998 dhe se gjoja detyrë e këtij sektori paska qenë likuidimi i terroristëve, duke dashur kështu që në mënyrë sa më bindëse t’i „argumentojë“ pohimet eveta „spektakulare“ në deklaratën e dhënë pra prokurorëve të Tribunalit të Hagës për Krimet Lufte. Pavarësisht se mjetet e informimit, që raportonin direkt nga Haga, të cilat kam pasur mundësi t’i ndjek, pohimet e tij i vlerësuan si: „të pasakta“, „të pavërteta“, „spekulime personale“, „opinione të çuditshme“ e të tjera, këtyre vlerësimeve do t’u shtoja se ky person në mënyrë të qartë ka deklaruar atë që ia kanë servuar shefat e tij nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë gjatë punës dhe shërbimeve që ky ua ka bërë në periudhën dhjetëvjeçare të okupimit të Kosovës...

            Opinioni është i informuar se ky person mua më kishte apostrofuar si një ndër personat që e kanë kryer vrasjene vëllezërve Jusuf e Bardh Gërvalla si dhe të Kadri Zekës. Ai njëherë e pohoi, herën tjetër e mohoi, pastaj tha se „ata (e kishte fjalën për mua dhe të apostrofuarit e tjerë) në atë kohë kanë punuar aty“, dueke aluduar në Sekretariatin e atëhershëm Krahinor të Punëve të Brendshme dhe në personat që i kishte përmendur si vrasës të tyre.

            Edhe pse askush nuk arriti ta dëgjojë tërësinë e kësaj pjese të deklaratës, ky person më akuzoi për krim të shekullit, sepse nëse vrasja analizohet nga aspekti i rrethanave, vendi, koha dhe mënyra e kryerjes, e posaçërisht nga aspekti i forcave që janë fshehur pas qëllimeve që është dashur të arrihen me këtë akt krimi, ai merr cilësitë e krimit të shekullit.

            Unë, me përgjegjësinë më të madhe, jo vetëm morale e njerëzore, por edhe penale, deklaroj botërisht se jo vetëm që nuk jam kryes apo njëri ndër kryesit e vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës, siç pretendon të më ngatërrojë me deklaratën e tij ky person, por në asnjë mënyrë nuk jam i implikuar në këtë krim. Deklaroj po ashtu se para krimit, as pas tij e deri në ditën e sotshme nuk kam pasur të dhëna konkrete për kurrfarë personash fizikë, të cilësuar si organizatorë apo kryes të këtij krimi. 

            Zëri: Megjithatë në opinion është spekuluar me shumë emra, por asnjëherë nuk janë përjashtuar nga pjesëmarrja në këtë krim shërbimet sekrete jugosllave?           

Karakushi: Këtu nuk e kam fjalën për dezinformatat që i lansonin shërbimet e sigurimit shtetëror dhe shërbimet jugosllave të zbulimit me qëllime të caktuara dhe të planifikuara e të mendura mirë, me siguri për të shkaktuar përçarje në rradhët e emigracionit shqiptar, të udhëheqësive të grupeve dhe të organizatave që vepronin në Perëndim, pra për të neutralizuar ndikimin e tyre politik në mesin e punëtorëve tanë dhe të qytetarëve të tjerë shqiptarë në botën e jashtme, por edhe në përgjithësi. Qëllimi tjetër i asaj propagande ishte largimi i dyshimit nga ideatorët, ata që kishin marrë vendimin, nga organizatorët dhe kryesit e krimit, dhe në këtë mënyrë të krijohet bindja, sidomos te faktori ndërkombëtar, se krimi është rezultat i konflikteve dhe përçarjeve mes shqiptarëve.

            Në kohën e kryerjes së këtij krimi kam punuar në SHSSH të Kosovës. Kam qenë udhëheqës i sektorit të analitikës dhe gjatë gjithë kohës që kam punuar në këtë shërbim jam marrë me punë analitike. Ritheksoj se kurrë nuk jam marrë me punë operative, domethënë me punë të zbulimit në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe se kurrë nuk kam angazhuar bashkëpunëtorë apo informatorë, sepse nuk kam punuar në ato detyra, kur kjo ka qenë e domosdoshme, prandaj pretendimet e dëshmitarit që të më implikojë në këtë krim nuk mund të kenë mbështetje as në supozime. Në vitin 1984, KE i Kosovës më emroi në detyrën e nënsekretarit krahinor për Shërbim të Sigurimit Publik, ndërkaq në fund të vitit 1988, po ashtu nga KE i Kosovës, jam emëruar në detyrën e nënsekretarit për sigurimin shtetëror, për ato pak punë e kompetenca që i kishin mbetur këtij shërbimi në Kosovë, meqë organizimin e kryerjen e shumicës së punëve të sigurimit shtetëror, me disa masa të dhunëshme që nga tetori i vitit 1997, i kishin marrë SHSSH i Jugosllavisë dhe ai i Serbisë. Më 21 mars 1989 nga Kuvendi i Kosovës jam zgjedhur sekretar i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe këtë detyrë e kam ushtruar deri më 5 koorik, kur jam dëbuar forcërisht nga lokalet e Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme, sikurse edhe anëtarët e tjerë shqiptarë pas vendimit arbitrar ë Kuvendit të Serbisë për suspendimin e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe për mbylljen e RTV Prishtina dhe gazetës “Rilindja”.

            Dëshmitari, edhe nëse ka punuar në sektorin VIII, nuk ka pasur mundësi të ketë pasur njohuri as për këtë krim, as për shumë punë të tjera. Ai sektor ka qenë i izoluar nga ndërtesa e SPB-së dhe ka pasur për detyrë vetëm përcjellem fizike të personave të caktuar, sipas urdhëresës së sektorit operativ. Prandaj ai “dëshmitari” nga Haga gënjen ose shpif, kush e di nga ç’motive apo në favor të kujt.

            Zëri: Pse, sipas mendimit tuaj, kreu jugosllav kishte interes të likudoheshin vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka? 

            Karkushi: Në kohën kur është kryer krimi, domethënë përafërsisht një muaj para dhe një muaj pas, mbretëronte një panik i vërtetë ndër kuadrat që kishin ardhur të udhëheqnin në Kosovë dhe te një numër i serbëve dhe maliasve nga Kosova, që ishin në vende udhëheqëse, posaçërisht në sigurimin shtetëror. Kishin frikë nga ngjarjet e ardhshme, posaçërisht i frikësoheshin përvjetorit të parë të demonstratave të 1981-shit. Ata më nuk mund t’i fajësonin shqiptarët për mossukses, sepse i kishin të gjitha autorizimet në duar të veta. Në anën tjetër lëvizja, përkundër represionit të madh, ishte e fortë.

            Situata në mesin e punëtorëve dhe në emigracionin shqiptar në perëndim ishte shpërthyese. Shumë masa që nga marsi i vitit 1981 i kishin ndërmarrë shërbimet e siguruve të Jugosllavisë, së bashku dhe veç e veç secili prej tyre, në përçarjen e emigracionit shqiptar dhe pengimin e punëtorëve shqiptarë që ta përkrahnin emigracionin në aktivitete dhe në manifestime të ndryshme politike, i çmonin të pasuksesshme.

            Gjermania, ku u krye krimi, ia kishte tërhequr vërejtjen Jugosllavisë nëpërmes kanaleve diplomatike se do të ketë pasoja nëse shërbimet e saj ndërmarrin  aksione në territorin e saj. Preteks për këtë kishin qenë disa raste kur kishin pësuar disa pjesëtarë të emigracionit kroat. Kjo mund të ketë qenë një nga arsyet e masave të rrepta të konspiracionit, pavarësisht se vrasjet me prapavijë politike e të ngjajshme bëhen e mbahen në konspiracion. Arsyeja e dytë ka qenë se vrasja është kryer ndaj personave që nuk e kanë përdorur dhunën, pra që nuk janë marrë me terrorizëm, prandaj po të zbulohej Jugosllavia do të kishte pasoja edhe më të mëdha; dhe së treti, pa dyshim kanë qenë të vetëdijshëm se ky ka qenë akt i terrorizmit shtetëror i kryer në territorin e një shteti tjetër, që me të drejtën ndërkombëtare dënohet rreptësisht.

            Mendoj se një akt të tillë policia sekrete serbe ose jugosllave nuk ka mundur ta marrë pa një vendim të ndonjë organi të lartë politik të vendit, jo vetëm pse viktimat ishin personalitete të afirmuara ndër bashkëkombas brenda dhe jashtë, por edhe pse krimi është kryer jashtë shtetit, prandaj janë llogaritur edhe pasojat eventuale. Në rastin konkret për këtë hap kanë mundur të vendosin vetëm organet federative. Në përgjithësi punët e kundërvënies veprimtarisë së emigracionit janë koordinuar nga sektori përkatës në SHSSH të SFPB, në anën tjetër në atë kohë punët e sigurimit shtetëror në Kosovë legalisht janë udhëhequr nga Grupi i Federatës.

            Kërcënimi si masë preventive është përdorur në forma të ndryshme, sidomos në kohën e ekzistimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Për këtë është folur dhe shkruar në kuadër të shërbimit, kur kjo masë në një formë të caktuar është ndërmarrë ndaj ndonjë personi apo grupi të caktuar personash, me qëllim të friksimi që të tërhiqen nga aktiviteti-veprimtaria politike. Kjo ka qenë e lejueshme sipas rregullave që kanë qenë në fuqi. Ka ekzistuar dhe ka punuar edhe grupi për hapjen e dezinformatave në qarqe të caktuara të emigracionit dhe të punëtorëve tanë në botën e jashme, me qëllime të caktuara-të përçarjes mes veti në radhë të parë, por edhe të frikësimit, të krijimit të dyshimit mes njëri tjetrit se ky apo ai janë spiunë etj. Sa unë e di, sa më kijtohet tani, vrasja si masë (frikësimi a preventive) nuk ka ekzistuar dhe nuk është përmendur, pos në dokumentat për luftë kundër grupeve terroriste, në të cilat më së shumti është përmendur termi “likuidim”. Mirëpo kërcënimi, si kuptim i përgjithshëm , është bërë me masa të ndryshme të dhunës dhe të terrorit, me qëllim që të frikësohet populli shqiptar, në strukturat legale dhe ilegale. Mendoj se vrasja e vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës nuk kishin për qëllim vetëm eliminimin fizik e politik të tyre nga skena e lëvizjes çlirimtare shqiptare të Kosovës, por ishte një kërcënim për të gjithë udhëheqësit e tjerë të organizatave dhe grupeve në vend dhe në botën e jashme, për të gjithë ata shqiptarët të cilët në forma të ndryshme e kundërshtonin represionin që ushtronte regjimi ndaj shqiptarëve kudo në jugosllavi, posaqërisht në Kosovë.

            Në mbledhjen e niveleve të ndyshme të mbajtura për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme të vitit 1981 në Kosovë, në shumë nga të cilat kam marrë pjesë personalisht, jo vetëm që në mënyrën ma të vrazhdë shprehej mospajtimi, por shpesh nuk mund i fshihnin as obstruksionet që i merrnin apo që mendonin t’i merrnin vetëm që të mbahej kjo gjendje. Kryesia e RSFJ megjithatë e hoqi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe kështu u largua për disa vjet forcat policore të ardhura nga Federata, Serbia dhe republikat tjera e KSA e Vojvodinës. Serbët, siç pritej, u ndanë të pakënaqur. Por, përmes disa konkluzioneve në organet politike, me qëllim që të mos heq dorë nga prania e tyre operative në Kosovë, filluan me disa programe gjoja të trajtimit unik të gjendjes së sigurisë në Serbi, e në këtë konteks filluan të organizonin mbledhje të përbashkëta me kuadrat e sekretariatve krahinore të Kosovës dhe Vojvodinës, të miratojnë disa planprograme të përbashkëta etj. 

            Zëri: Kush ka mundur të vendosë për likuidimin e kundërshtarëve politik ose ideologjik në atë kohë?  

            Karakushi: Mendoj se për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës vendimi politik është marrë në strukturat e Kryesisë së Jugosllavisë, me të cilin janë autorizuar dhe obliguar shërbimet përkatëse për ekzekutimin e tijj, domethënë për organizimin e kryerjes së krimit. Meqë për çështje nga lëmi i sigurimit vendimet gjithmonë janë marrë në Pleqësinë për Ruajtjen e Rendit Kushtetues të Kryesisë së Jugosllavisë, ky duhet të jetë organi ku është marrë vendimi politik; së dyti, për koordinimin e punëve dhe aktiviteteve të ndryshme në zbulimin dhe pengimin e aktivitetit të emigracionit kundër Jugosllavisë ka qenë përgjegjës Drejtorati II i SHSSH të Jugosllavisë. Ky drejtorat, sipas të gjitha normave në bazë të së cilave është punuar atëherë, i ka kryer të gjitha punët paraprake; së treti, detyra e fundit i ka takuar grupit special të SFPB të Jugosllavisë. Fjala është për një njësit special, që është quajtur grup për arsye të ndryshme dhe i cili duhet të jetë formuar diku në vitin 1972, pas hyrjes së një grupi të madh kroatësh të armatosur në Bosnjë. Grupi dihej se kishte selin afër kufirit me Austrinë dhe aktivitetin e ka zhvilluar në shtetet perëndimore, kryesisht kundër emigracionit. Aktiviteti i këtij grupi duhej të ketë qenë i lidhur ngusht me Drejtoratin II të SHSSH të SFPB-së. Pra është fjala për një veprimtari që ka qenë shumë mirë e programuar dhe e planifikuar e që është zhvilluar në territorin e shteteve të tjera, me kuadra profilesh të ndryshme profesionale, të aftësuar e të specializuar, e që me mjete teknike të ndryshme, të përgatitur edhe me emra të ndryshuar për të mos u zbuluar nga policia e shteteve ku kanë vepruar, kanë kryer aksione speciale. Në aksione speciale, sipas rregullave të punës ttë SHSSH të RSFJ-së kanë hyrë përcjellja fizike e personave të caktuar, observimi-skicimi i objekteve të interesimit, krijimi i mundësive për përdorimin e mjeteve të përgjimit dhe përgjimi, bastisjet e fshehta, kindapimi etj. Por nuk më kujtohet që të jetë përmendur edhe vrasja si masë. Në takimet që mbaheshin pas vitit 1981, kur personat nga shërbimi federativ flisnin për aktivitetet e tyre, natyrisht në formë vlerësuese apo programuese, gjithmonë përmendnin edhe format e masave ndaj emigracionit shqiptar. Kur në një takim kamë dëgjuar se ekziston mundësia teknike që ndokujt nga organet jugosllave t’i përgjohet telefoni në shtetin tjetër nuk kam besuar posaçërisht. Mirëpo, më vonë një ekspert më ka bindur për këtë mundësi. Gjithashtu na kanë folur edhe lidhur me masat e rezultatet e këtyre masave, për shembull për kidnapimin e Vlado Dapçeviqit dhe sjelljen në Jugosllavi.

            Në një nga takimet e mbajtura në mes të shërbimeve informative dhe Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, përkatësisht të eprorëve kryesorë të tyre dhe të kuadrave të tjera ushëheqëse, u njoftuam se ishin marrë disa konkluzione, siç vlerësohej nga të pranishmit, shumë të rëndësishme. Ishte fjala për takimin e ministrave për punë të brendshme, Franjo Herleviq, ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin për Punë të Jashtme, sa më kujtohet ishin Nikolla Lubiçiq, përkatësisht Budimir Llonçar, diku në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të vitit 1981. Ndonëse nuk i kam pasur në dorë ato konkluzione, do t’i përmendi dy çështje për të cilat në pika të shkurtëra jemi njoftuar: Nën një ka qenë se ishte marrë qëndrim që nga numri i përgjithshëm i personave shqiptarë në Perëndim të regjistruar për veprimtari antijugosllave nga këto tri shërbime, të identifikohet një numër relativisht i vogël, si kryesor nga territori i gjithë Jugosllavisë, dhe që të tri këto shërbime dhe të gjitha SHSSH të republikave dhe krahinave ndaj tyre të ndërmarrin masa operative sipas mundësive objektive që i kanë. Së dyti që në nivel të këtyre tri shërbimeve në Federatë të përpilohet një planprogram me masa të posaçme operative  preventive. Kjo do të thotë se çdo person i përfshirë me këtë plan apo që ka hyrë më vonë ka qenë njëherit objekt i interesimit i tri shërbimeve dhe se të gjithaqendrat kryesore të këtyre shërbimeve kanë marrë masa në gjetjen e mënyrave dhe pozitave përkatëse për mbulim operativ dhe këto masa i kanë sinkronizuar me Drejtoratin e Emigracionit, i cili ka qenë përgjegjës për kontrollin edhe të masave të veçanta për të cilat ishte fjala. Shërbimi i Kosovës nuk merrte informata për ta nga shërbimet e tjera, por nëse dikush është përmendur në kontekst të aktiviteteve të përbashkëta me persona nga Kosova, por ka pasur disa persona edhe nga Maqedonia. Nga Kosova, pos vllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, me këtë masë, sa më kujtohet, përfshiheshin edhe këta persona: Xhafer Shatri, Sami Dermaku, Xhavit Haliti, Ibrahim Kelmendi, Muhamet Kelmendi, Hivzi Reka ( fjala është për Hyzri Rekaj, vërejtja ime xh.s.), Hafiz Gagica, Enver Hadri, Sabri Novosella  etj. Fjala është për periudhën e gjysmëvjetorit të dytë të vitit 1981 e deri më 1990, sepse më vonë do të ketë ndryshuar edhe angazhimi i shërbimeve të sigurimit.

            Tendencat në informata që shpërndaheshin në sistemin e informimit të SFPB dhe ato që vinin të përpunuara nga shërbimet përkatëse ishin të qarta. Flitej për terrorizëm, për gjoja planifikim të akteve terroriste, për kinëse lidhshmëri të ndryshme me forcat e tjera antijugosllave në Perëndim, shërbimet të  huaja, posaçërisht për lidhshmërinë me emigracionin kroat dhe përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë. Përmendeshin emra të ndryshëm të shqiptarëve në vende të rëndësishme nga të gjitha strukturat duke filluar nga politika, si përkrahës apo si persona drejtëpërdrejt të implikuar në veprimtari politike antijugosllave.

            Meqenëse SKPB ishte i obliguar që në formë të caktuar t’i informojë strukturat politike në Kosovë me ngjarjet dhe informatat që i vinin, kjo filloi të krijoj huti në këto struktura e më gjerë, sepse kryetarët e dy kryesive në Kosovë merrnin edhe direkt disa informata nga këto tri shërbime. Meqë vetë isha udhëheqës i shërbimit të analitikës, i cili i shkruante këto informata për strukturat politike filluam që në këto informata për çdonjërën ta theksonim burimin, p.sh. SHSSH i Maqedonisë, i Malit të Zi, i SFPJ e kështu me radhë, dhe gjithashtu kur ishte fjala për paralajmërime të aksioneve të ndryshme terroriste apo për gjoja demonstrata masive etj., pas theksimit të burimit shënonim edhe konstatimin se “SPBK nuk ka informata të tilla”. Ka qenë një situatë kur nga numri i përgjithshëm i informatave që arrinin as 10 për qind nuk ishin nga strukturat operative të SKPB-së.

            Është interesant se kur është fjala për shqiptarët që vinin në Kosovë nga Maqedonia, Mali i Zi apo nga Lugina e Preshevës, pavarësisht nga vendi i punës, për ta shkruheshin informata me insinuata më të ndryshme nga SHSSH i Serbisë, i Maqedonisë apo i Malit të Zi.

            Sipas bindjeve të mija askush nga udhëheqësit kryesorë të organeve për punë të brendshme të Kosovës – as Mehmet Maliqi, as Rrahman Morina, as persona kyç të politikës në Kosovë nha rradhët e shqiptarëve nuk ka qenë i involvuar në procedurën e marrjes së vendimit për kryerjen e këtij krimi. Fjala është për një krim për të cilin organet e Kosovës jo që nuk bënë kurrfarë hetimesh, por që nuk kanë guxuar as të bisedojnë lirisht. Një procedurë hetimore e mirfilltë për ndriçimin e këtij krimi, jo vetëm që do të ishte i nevojshëm për t’i kapur dhe ndëshkuar autorët e tij, por edhe për hir të menjanimit të spekulimeve që bëhen nga shërbimet e individë me qëllime e prapavija të errëta politike, gjithsesi në dëm të ardhmërisë dhe të një atmosfere konstruktive në të cilën duhet të ndërtohet shteti i Kosovës, sidomos tani pas luftës.

 ( Fejtoni vazhdon edhe më tej ,por me sqarime të problemeve tjera .xhavit selmani)        


Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?