Pse u ndanë Gërvallajt dhe Kadri Zeka në rrugëtimin e tyre të fundit

Zëri i Ditës, 1-2.03.2002 

PSE U NDANË GËRVALLAJT DHE KADRI ZEKA NË RRUGËTIMIN E TYRE TË FUNDIT 

Tre heronjtë e kanë pasur dhe duhet ta kenë vendin e prehjes së bashku dhe atë në Prishtinë 


Pa dyshim se rasti i aktit të ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të dëshmorëve të kombit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, shkaktoi një dridhje politike të  panevojshme dhe një habi te masat e gjera të qytetarëve. Në fakt, të gjithë pajtohen, duke u nisur që nga familjarët e dëshmorëve, bashkëluftarëve dhe bashkëkohanikëve të tyre, përfaqësuesve të partive politike, qytetarëve të, Kosovës se këta tre dëshmorë nuk e kanë merituar një rikthim të tillë. Aq më pak, akti i ceremonisë së rivarrimit nuk është dashur që të lejohet të politizohet në asnjë mënyrë, në asnjë masë dhe më së paku që të spekulohet me të në baza partiake.

Spekulimet

Spekulimet e çarshisë politike janë përhapur madje me të arritur të eshtrave të tre dëshmorëve në aeroportin e Prishtinës. Që atë ditë nuk kishte burime informimi as të sigurta e as të sakta se kush ishte organizator i ceremonisë së rivarrimit. Ç'është e vërteta, spekulimet rreth ceremonisë së rivarrimit a priori ishin drejtuar në adresë të LDK-së. Pa dyshim se është e saktë se në nivel të politikës së Kosovës, aq më pak të Parlamentit të Kosovës, nuk ishte formuar asnjë këshill organizativ apo komision ceremonial për bartjen dhe rivarrimin e tre dëshmorëve. Madje,  është e padiskutueshme se vetë fakti qe në nivel, të politikës së Kosovës nuk ka pasur të formuar këshill organizativ për këte ceremoni, ka rezultuar me lëshime organizative të cilat i kishin vërejtur edhe qytetarët e pranishëm. Madje, në Dubovik, gjatë rivarrimit, pos RTK-së, janë penguar të bëjnë punën e tyre edhe reporterët e agjencive të huaja dhe vendore!? Kështu shprehen reporterët e agjencisë londineze "Reuters".  E, nga ana tjetër, këto mangësi organizative i kanë pranuar edhe vetë familjet e këtyre dëshmorëve. Pavaresisht se tashti është fare pak e rëndësishme se kush e mban pergjegjësinë për këtë dështim që në të vërtetë pamundësoi që Kosova t'i presë dhe t'i përcjellë në banesat e tyre të fundit me dinjitetin më të lartë nacional dhe shtetëror, duhet nënvizuar se ky rast shënoi edhe një dështim të madh të politikës sonë, ndërkohë që nxiti përçarje të reja edhe ndërpartiake. Me këtë rast u krijua hapësirë që të keq interpretohet edhe vetë pozicioni i TMK-së gjatë kësaj ceremonie. Pjesëtarët e TMK-së i bënë nderime ushtarake prej Prishtine e deri në Gjilan dëshmorit Kadri Zeka, por jo edhe përcjelljes së eshtrave të vëllezërve Gërvalla. Pra, me këtë rast tagrin e ndarjës në fakt po e paguajnë tre martirët e kombit që aq shumë punuan për bashkimin e forcave politike   shqiptare.   TMK-ja, ndërkaq, është instuticion i gjithë qytetarëve të Kosovës, ajo nuk njeh në parim përkatësi politike as për të gjallët, as për martirët.

Çka i kërkoi TMK-ja familjes Gërvalla?

Ali Uka, epror për informim në Zyrën për Informim të SHP të TMK-së, konfirmon se Zyra për Informim e SHP të TMK-së ka bërë kërkesë paraprake, drejtuar KFOR-it dhe dy familjeve të dëshmorëve që t'i mundësohet TMK-së të përcjellë eshtrat e tre dëshmorëve në ceremoninë e rivarrimit. Kërkesa u është parashtruar pra paraprakisht familjes Zeka dhe Gërvalla. Derisa  familja  Zeka  është përgjigjur pozitivisht dhe pa mëdyshje në këtë kërkesë, ndërkohë familja Gërvalla nuk e ka pranuar kërkesën e  mësipërme !?

Në opinion bëhet e ditur se në kontekst të kësaj teme spekulohet se familjarët e dëshmorëve i kanë kërkuar qëverisë së Komunës së Prishtinës që ta caktojë një lokacion për varrosjën e tre dëshmorëve. Është e vërtet se Zenun Pajaziti dhe dy djemtë e  Jusuf Gërvallës kanë qenë në takim te Berim Ramosaj, kryetar i Komunës së Prishtinës. Z Ramosaj shprehet se as deklerativisht e as me shkrim atij nuk i është drejtuar askush nga familjarët me kërkesë që të sigurohet një lokacion për varrosjen e tre dëshmorëve. Ai, madje, pohon se po të ishte paraqitur një kërkesë  tillë, qeveria e Komunës    Prishtinës jo vetëm se do të siguronte një vend për varr, por, po ashtu, do të ishte në gjendje që dëshmorëve t’u  jepte një sheshë ! Z. Ramosaj, po ashtu, konfirmoi se sigurimin e rendit dhe qetësisë e kishte, siguruar KFOR-i dhe UNMIK-u.       Kërkesat e familjarëve, shtruar kryetarit të Prishtinës, kishin qenë që të sigurohen tri automjete për transportimin e eshtrave të heronjve nga aeroporti i Prishtinës, si dhe autoparlantët dhe dy autobusë  për fshatin Dubovik, dhe një për Gjilan. Dhe këto kërkesa janë përmbushur.  Z. Ramosaj thase për çështjet e organizimit të ceremonisë kanë vendosur vetë familjet e dëshmorëve. Madje, ata, familjarët, fillimisht kanë bashkëpunuar vetëm me UNMIK-un dhe me KFOR-in, ngase kanë dashur qe ceremonia e rivarrimit të jetë vetëm familjare. Këtë pohim të zotit Ramosaj e vërtetoi edhe i vëllai i Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Hyseni, i cili pranon se z.Ramosaj i kishte plotësuar të gjitha kërkesat e familjes  Gërvalla rreth ceremonisësë rivarrimit. 

Bajrush Xhemajli: “ndarja, është e barabart me vrasjen e tyre”


Në përpjekjet tona që të marrim vlerësimet dhe komentet e partive politike, lidhur me këtë ngjarje, për të cilën asnjëri nga tre anëtarët e kryesisë së LDK-së nuk dëshiroi të flasë. Ne mësuam se, madje, në vitin 2000, pra në periudhën e QPK-së z. Jakup Krasniqi kishte ngritur iniciativën zyrtare për të organizuar  rivarrimin e eshtrave të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka. Me këtë rast ai i ishte drejtuar edhe familjes Gërvalla, pjesëtarët e të cilës nuk i ishin përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese.

Këtë të dhënë na e konfirmoi z. Bajrush Xhemajli, sekretar i PDK-së, i cili mendon:

"Ndarja e dëshmorëvë është e barabartë me vrasjen e tyre. Ky veprim është i patolerueshëm edhe për faktin se tre dëshmorët jetën e dhanë për lirinë e Kosovës dhese gjithnjë ishin  angazhuar për afrimin e faktorit politik shqiptar. Vepra dhe rënia e tyre për atdhe është dëshmia më e mirë se që atëherë ata konsideronin se çlirimi i Kosovës nuk mund të arrihej  pa luftë".

Z. Xhemaili, i cili apostrofon se në këtë rast është vënë në sprovë edhe TMK-ja, duke mos iu lejuar që t'u  bëjë nderime ushtarake vëllezërve  Gërvalla. Ai është i mendimit se me këtë veprim "u shënua edhe një hap i përçarjes së faktorit politik të Kosovës në vend se të ndodhte e  kundërta". Ai, madje, vlerëson se "ceremonia e organizuar në Prishtinë, ku qytetarët u bënë nderime dëshmorëve, ishte e zbehtë. Dëshmorët Gërvalla dhe Kadri Zeka, sipas bashkëbiseduesit tonë, "kanë merituar që homazhet t'iu bëhen në një mbledhje të veçantë komemorative në  parlament.  Pikërisht aty,  shprehet z. Xhemaili,  është dashur ta mbajë fjalimin edhe z. Daci".

Z. Xhemajli thotë se "eshtrat e këtyre dëshmorëve është dashur të varrosen në Prishtinë".  

Naim Maloku: "Organizimi i rivarimit të Gërvallajve ishte i zbehtë"


Ndërkaq,   Naim   Maloku, nënkryetar i AAK-së dukshëm i zhgënjyer me lëshimet organizative me rastin e kësaj ceremonie komenton se: "kjo ngjarje që në vend të unitetit, reflektoi përçarje të reja brenda spektrit politik shqiptar, paraqet edhe një dështim te madh politik të Kosovës, pavarësisht nga ajo se kush më shumë e mban përgjegjësinë.  Pavarësishit pse familjarët me të drejtë kanë dëshiruar dhe kanë insistuar që  eshtrat e bijve të tyre të prehen në vendlindjet e tyre,  politika  shqiptare, në radhë të parë LDK-ja,  nuk kanë guxuar të lejojnë lëshime organizative lidhur me këtë ceremoni mortore.

 Dëshmorët e kombit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, kanë merituar një pritje dhe ndarje të përmotshme shumë më të dinjitetshme, shumë më të organizuar dhe në  nivel mbarëkombëtar.

Naim Maloku, i cili kishte marrë pjesë në ceremoninë mortore të vëllezërve Gërvalla në, Dubovik, shton se "edhe akti i organizimit te rivarrimit  të dëshmorëve, në vendlindje të tyre ishte i zbehtë dhe jo mirë i organizuar. Ishte një situatë gjithsesi e pakëndshme kur aty i shihje pjesëtarët e TMK-së pa detyrë ushtarake, pra në cilësinë e qytetarëve të rëndomtë. Do të thotë se pjesëtarët e Zonës së Dytë të TMK-së u privuan nga një e drejtë, të themi shtetërore, që t'iu bëjnë homazhe ushtarake dëshmorëve. Për mendimin tim, ky akt ishte skandal i llojit të vet. Vëllezërit Gërvalla gjithsesi nuk e kanë merituar këtë".

Madje, z. Maloku shprehet se "e tërë kjo ishte në regji të LDK-së".

Por, familjarët, në anën tjetër, e kanë mohuar implikimin e tyre në çdo prapaskenë manipulative, ngase edhe vetë Gërvallajt e gjallë e kanë kritikuar fjalimin e Rugovës dhe politizimin e ceremonisë, që ata kanë dashur të jetë modeste dhe vetëm familjare...

Kjo nuk i është dashur Kosovës...!

Fakti se edhe familjet e dëshmorëve Gërvalla dhe Zeka në bisedë rreth ceremonisë së varrimit shprehën dozë pakënaqësie, madje familja Gërvalla u detyrua të reagojë me një kumtesë për opinion, tregon se ceremonia e rivarrimit të këtyre dëshmorëve nuk ishte në nivelin e dëshiruar dhe u përcoll me një varg pakënaqësish.

Vëllai i Kadri Zekës na tregon se si e përjetuan rikthimin e dëshmorëve në Kosovë dhe si e panë ata ceremoninë e këtij rivarrimi.  

Shaip Zeka: "Na erdhi keq kur u ndanë kufomat..."

Rikthimin e vëllait në Kosovë familja Zeka e përjetoi rëndë, por me krenari. Është një ndjenjë gëzimi, e përzier me mërzi e dhimbje. Kjo nuk ka dot shpjegim.          

"Janë derdhur lot, lot gëzimi dhe hidhërimi, dyzash. Ka dy muaj që kanë filluar përgatitjet për transferimin e kufomave të tyre nga Gjermania në Kosovë. Unë s'kam besuar se do të arrihet rikthimi i tyre", shprehet vëllait i Kadriut, Shaipi.             

Ai nuk do të ketë besuar se ata po kthehen as atëherë kur në aeroportin e Prishtinës ka ateruar aeroplani me trupat e dëshmorëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. "Vetëm.kur i nxorën nga aeroplapi dhe i pashë me sytë e mi u binda se erdhën".

Familja Zeka nuk kishte mundësi t'i transferonte kufomat në Kosovë. Njëkohësisht, ishte tepër e vështirë të vazhdoje t'i mendoje ata aq larg, ne tokë të huaj dhe ishte rëndë që nuk mund t'iu bëje një vizitë te varrezat, qoftë për Ditën tonë të Flamurit, qoftë për ditën e Bajramit, që të përkuleshin mbi varret e tyre...

Ndarjen e kufomave të Jusufit e Bardhoshit nga Kadriu z. Shaipi do ta përjetojë ashtu siç do ta përjetonte çdo vëlla.

"U ndjemë keq kur nga Prishtina i nisëm bashkë, ndërsa më pastaj u desh t'i ndajmë. U ndjemë keq dhe u mërzitëm shumë ngase ata për 20 vjet qëndruan bashkë, ishin shokë të idealit, sidomos Isufin Kadriu e kishe edhe shok të punës, vëlla të mirë, gjithçka... Ata kanë punuar dhe vepruar bashkë".

Familja Zeka nuk pati dëshirë të ndahen kufomat e tyre. 

Hysen Gërvalla mendon se ndarja e dëshmorëve nuk është tragjike...

"Unë iu thashë edhe shokëve se nëse arrihet një marrëveshje me Hysen Gërvallën, se ai është më i madhi, edhe po qe se i kemi lëshuar në varr, nëse janë pa mbuluar me dhe kufomat, ne do t'i largojmë prapë dhe do t'i dërgojmë diku ku mund të jenë bashkë. Në Prishtinë, pra, ngase ata e kanë dashur Prishtinën, shkollën e kanë përfunduar aty, aty kanë nisur luftën për Kosovë... Por, kjo nuk qe e mund-shme. Ne nuk ishim kundër, por kjo nuk varej nga ne", do të sqaroj z. Shaipi ndarjen e kufomave të dëshmorëve që për 20 vjet qëndruan pranë njëra tjetrës, për të shtuar se: "Rivarrimin e dëshmorit Kadri Zeka e ka organizuar këshilli organizativ, i përbërë nga shokët e Kadri Zekës, si dhe TMK-ja."

 Hysen Gërvalla, vëllai i madh i familjes Gërvalla, e ka vështirë ta përshkruajë rikthimin e vëllezërve në Kosovë pas kaq shumë vitesh.

"Vështirë e kam ta përshkruaj këtë ditë, të cilën e kemi pritur plot njëzet vjet, ne si familjarë ashtu edhe i gjithë populli i Kosovës."

Hyseni rrëfen se si ndodhi që trupat e dëshmorëve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të mos varrosen bashkërisht, në Prishtinë, por pas njëzet vjetësh ata të ndahen dhe të rivarrosen ndaras në vendlindjet e tyre. Ai thotë se me familjen Zeka nuk ka biseduar një kohë të gjatë për faktin se ishin larg... Por, pohon se ka biseduar me Hydajet Hysenin në Zvicër, sepse ai ka kërkuar takim në emër të familjes Zeka dhe se atij i ka thënë: "Unë jam dakord nëse gjendet një vend diku në Prishtinë për këta tre djem, por jo në varrezat civile, ose të dëshmorëve, por të gjendet diku për ta një vend, mundësisht, në qendër... Pra, aty të jenë varret dhe, mundësisht, të ngrihet ndonjë lapidar. Ju jeni atje në Kosovë dhe rregulloni punët atje, kurse punët në Gjermani i rregullojmë ne vetë dhe, nëse duhet ndihmë financiare, pra nëse bëhet shumë shtrenjtë, atëherë do të kërkojmë ndihmë dhe këtë punë do ta rregullojmë ne për të tre djemtë". Ai thotë se nga ajo bisedë janë ndarë të kënaqur si ai, ashtu  edhe Hydajet Hyseni dhe se më vonë ka patur të njëjtën bisedë edhe me vëllain e Kadri Zekës, Xheladin Pajazitin dhe, po ashtu, janë marrë vesh që punët në Gjermani t'i kryejë ai, kurse në Kosovë ata ashtu si ishte marrë vesh me Hydajet Hysenin dhe se te dy palët janë ndarë të kënaqur nga ajo bisedë.

"Mirëpo, ata sikur kanë harruar atë punë. Nuk e di, me gjasë e kanë lenë disi anësh, ashtu "jo sot, po nesër" sikur ne shqiptarët që i zhagisim punët, si thotë populli... Nuk e di çka ka ndodhur. Ata nuk kanë bërë kurrfarë kërkese, kurrnjë send... Prita, por askush nuk u lajmërua të thotë diçka. Unë jam në Zvicër dhe ne i kishim kryer obligimet tona në Gjermani".

Hyseni thotë se edhe ai e ndien veten deri diku fajtor sepse nuk ka pyetur në telefon.

"Më mirë do të ishte të interesohesha me kohë e të pyes çka u bë, ku ngeci puna kush u tha jo, sepse do të kisha intervenuar. Por, as ata nuk u lajmëruan, kështu që e tëra kishte mbetur vetëm në fjalë", thotë ai.

Mirëpo, Hyseni thotë se kjo ndarje nuk duhet të merret si diçka tragjike dhe nuk ka asgjë politike në atë, as nuk duhet kuptuar si akt përçarës varrimin e tyre në vendlindje.

"Ky është një akt i natyrshëm. Janë djem të dy nënave, janë djem të dy babave, janë djem të dy vendlindjeve. Ju edhe vetë e dini se në çdo vepër të tij, në çdo rresht Jusufi e përmendte Dubovikun. Ne, si familje e përndjekur, me punë jashtë vendlindjes, nuk kemi ndryshuar. Gjithherë ka qenë Duboviku ai që na ka lidhur".



Kush nuk e pranoi ofertën e TMK-së?

Ai thotë se po të ishte realizuar ajo për të cilën janë marrë vesh me Hydajet Hysenin dhe vëllain e Kadri Zekës, Xheladin Pajazitin, "djemët do të ishin varrosur bashkë". Mirëpo, meqë ajo nuk ndodhi edhe familjet e tyre ceremoninë e varrimit e bënë secili ne vendlindjen e vet. Hyseni pranon se ai edhe vëllai i tij Avdyli por edhe nëna e tyre Ajshja, kishin patur dëshirë që varrimi i  vëllezërve të tijë të bëhej nga kompetentët e institucioneve shtetërore, ashtu siç e kishin bërë vëllezërit Zeka, e ndoshta edhe më mirë, por nuk e ka parë të udhës që të përzihet dhe vullnetin e vet t'ia imponojë fëmijve dhe të shoqës së Jusufit, Suzanës, sepse si thotë ai "ata kanë të drejtë të vendosin lidhur nie mënyrën dhe organizimin e rivarrimit".

Familja Gërvalla, thotë Hyseni, shprehë keqardhje që nuk u respektua deri në fund dëshira e familjes së Jusufit, gjatë ceremonisë së rivarrimit, që kjo të jetë ceremoni familjare, dhe këtë rast disa e shfytëzuan për ta instrumentalizuar politikisht. Ai falënderon kryetarin e Qeverisë të Prishtinës z. Ramosaj dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës z. Dacin për ndihmën dhe respektin e treguar ndaj tre dëshmorëve.

Sido që të jetë, lëshimet organizative me rastin e rivarrimit të dëshmorëve Gërvalla dhe Kadri Zeka, dëshmojnë se në Kosovën e pasluftës, pra edhe tre vjet pas ditës së  çlirimit,  ndodhin  situata paradoksale, kur edhe dëshmorët dhe të rënët për Kosovën, ndahen mbi bazat e përkatësivë partiake, të familjarëve të tyre ose të grupeve të caktuara të strukturave udhëheqëse. Kjo nuk i është dashur Kosovës, as atyre që mbajnë përgjegjësi për lëshime të tilla, që gjithsesi rëndojnë të çarat dhe mosunitetin tonë shumëdimensional në Kosovë. A mund të ndreqet kjo? Mbetet të vendoset në Parlament!? (N. Mekolli, A. Uka, A. Zogaj)

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?