Qëllmi ynë ishte të mos kishim ngjyrime politike
Koha Ditore,27.02.2002
Letër e familjes Gërvalla, pas rivarrimit të dëshmorëve Gërvalla e Zeka
QËLLIMI YNË ISHTE TË MOS KISHIM NGJYRIME POLITIKE
Megjithatë, kjo kërkesë e fëmijëve të Jusufit nuk u respektua plotësisht gjatë rivarrimit dhe ky rast u shfrytëzua për ta instrumentalizuar politikisht ceremoninë, gjë për të cilën shprehim habinë dhe keqardhjen tonë
Ne, bashkëshortja dhe fëmijët e Jusuf Gërvallës, dëshirojmë të falenderojmë dhe t'i shprehim mirënjohjen tonë popullit të Kosovës dhe të gjithë atyre, që kanë udhëtuar me qindra kilometra nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora, dhe të cilët me atë pritje madhështore dhe me nderimet e fundit të bëra për tre bijtë e vet, na e lehtësuan dhimbjen shumëfish.
Me këtë rast dëshirojmë të falenderojmë edhe komunat e Deçanit, të Prishtinës dhe të Pejës, të gjithë banorët e Dubovikut dhe të fshatrave përreth, si dhe personelin e Aeroportit të Prishtinës për mirëkuptimin dhe për ndihmën, që i ofruan familjes, duke bërë të mundur një varrim dinjitoz dhe në përputhje me kërkesat tona, të shprehura edhe publikiasht.
Në këtë kuader, falenderojmë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, prof. Nexhat Daci, të gjitha institucionet, partitë politike dhe personalitetet e ndryshme për pjesëmarrjen e tyre, si dhe për respektin e treguar ndaj dëshirës së familjes së Jusufit, që ky rivarrim të mbahet dhe të përfundojë si një ceremoni familjare, pa ngjyrime politike dhe pompozitete të rastit. Megjithatë, kjo kërkesë e fëmijëve të Jusufit nuk u respektua plotësisht gjatë rivarrimit dhe ky rast u shfrytëzua për ta instrumentalizuar politikisht ceremoninë, gjë për të cilën shprehim habinë dhe keqardhjen tonë.
Së fundi, dëshirojmë të shprehim kënaqësinë tonë se pas 20 vjetësh, arritëm t'i kthejmë në vendlindje eshtrat e babait tonë, Jusuf Gërvalla, duke çuar në vend amanetin e tij për t'u varrosur në vendlindje, në Dubovik.( Bashkëshortja dhe fëmijët e Jusuf Gërvallës)
Kommentare
Kommentar veröffentlichen