Rasti Gërvalla (intervistë me Bashkim Hisarin)
Bota e re, 1991
Intervistë
RASTI GËRVALLA?!
Kaluan 9 vite nga vrasja në Untergrupenbah. Para nëntë vitesh vrasja misterioze gjeti vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën. Sot e kësaj dite çalojnë dyshimet se këtë e bënë UDB-ja jugosllave apo njerëzit e paguar të gardës gjermane. Sidoqoftë, ata më nuk janë në mesin tonë. Kurse ne, tash pas nëntë vitesh, nxjerrim "parashikimin fitues juridik" për veprën kriminale të dorasit. Ne do të pyesnim të gjithë ata të cilët dinë dhe i njohin rrethanat për këtë rast, por edhe vetë do të angazhohemi, që të zbulohet e vërteta rreth këtij rasti. Kësaj radhe konsultuam Bashkim Hisarin, për shkakun se ky u gjend atë kohë konsull në konsullatën jugosllave në Shtutgart të RFGJ-së.
Bashkim Hisari i lindur në Prizren shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Prizren, Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd dhe kursin diplomatik gjithashtu në Beograd. Bashkim Hisari u gjet në detyrën e konsullit jugosllav në Shtutgart prej vitit '81 dhe në vitin '82 kur u krye vrasja. Në fokus të interesimit tonë u gjet për shkak të rrethanave të pasqaruera mirë rreth rastit në shqyrtim, në të cili shpesh manipulohet edhe me emrin e tij.
Si funksionar konsullar, sa punonit në Gjermani, a e keni njohur Kadri Zekën dhe vëllezërit Gërvalla?
Po, e kam njohur vetëm Jusufin, kurse me Bardhoshin dhe Kadriun nuk jam takuar asnjëherë. E di se aktivitetet e tyre ishin në funksion të rezistencës kombëtare për shkak të rrethanave në të cilat u gjend kombi ynë. Përveç kësaj, aktiviteti i tyre nuk rezimohet vetëm në këtë drejtim, por ata angazhoheshin edhe për pozitën e punëtorëve në RFGJ. Dihet se Jusufi, për shkak të raporteve të vështira ndërnacionale që mbretëronin në Kosovë, atëherë si gazetar i Rilindjes, shfaqi pakënaqësinë duke ra në konflikt me pushtetin e atëhershëm. I ndjekur, vendosi që të mos bjerë në duart e policisë serbe, vendosi që më 1979 të kërkqjë azil politik në RFGJ. Atje e vazhdoi veprimtarinë e vet politike dhe atdhetare që edhe në ato rrethana të kontribuojë për mirëqënien shqiptare. Pas buntit studentor të vitit 1981, dhe demonstratave, ku ishte i angazhuar edhe ky në një mënyrë, dhe mundohej që më të gjitha mënyrat të internacionalizojë problemin kosovar, u ra në sy anëtarëve të sigurimit të konsullatës jugosllave në RFGJ.
Në vitin '81 dhe '82 ishit konsull jugosllav në RFGJ. Mos keni shkuar në detyrë të caktuar?
Prej vitit '81 isha konsull në RFGJ dhe kisha resorin e kulturës. Mirëpo shpesh isha i angazhuar edhe në resoret e tjera. Mund të them se nuk kam arsye ta fsheh të vërtetën për atë që ndodhi. Në RFGJ gjatë kohës kur isha konsull në RFGJ kam pasur kontakte të shumta me shqiptarë dhe më njohin si mbrojtës të interesave të tyre. Ata të cilët dyshojnë në punën time, ose kanë qenë në pozitë konfliktore me mua ose mundohen të ma mveshin rastin Untergmpenbah. Në të vërtetë unë nuk jam i njoftuar detajisht për hierarkinë organizative të këtij rasti. Mirëpo e di se në konsullatë shpesh është biseduar për shqiptarët, e në këtë kontekst edhe për Gërvallën, si cënues të interesave jugosllave në RFGJ.
Megjithatë, asnjëherë nuk kam qenë i pëzier në montimet dhe tentimet diversante të UDB-së jugosllave, në llogari të kombit tim. Tekefundit, ata as që më kanë besuar në këto sekrete shtetërore.
Mirëpo në nëntor të vitit '81 ju keni qenë të sulmuar nga shqiptarë, për shkak se i keni fotografuar demonstruesit në Shtutgart?.
Po, është e vërtetë. Këtu nuk jam sulmuar vetëm unë, por të gjithë anëtarët e konsullatës që kishin dalur për këtë çështje. Atëbotë një grup prej tyre, hyjnë në një ndërtesë dhe u vërsulën mbi ne. Aty na shpëtuan policët gjermanë. Pas këtij rasti u shkaktuan pakënaqësi në konsullatën jugosllave. E di se atë kohë na pat thirrur konsulli i përgjithshëm Dimitrijeviq (emri nuk më kujtohet) dhe Voja Llapiçiq - konsull për resorin e sigurimit. Të hidhëruar për ndodhinë, ata me fjalë të rënda fyen gjithçka shqiptare. Si duket prej aty në marrëveshje me organet e larta shtetërore në Jugosllavi, vendosën që organizatorët e këtyre demonstratave, që i shkaktonin dëm prestigjit jugosllav të likuidohen.
Mirëpo në listën e organizatorëve për rastin Gërvalla ishit edhe ju?.
Unë nuk e kam të njohur atë listë, por e di se aty kanë qenë të përziera organet federative, të Serbisë dhe të Kosovës konkretisht: Stane Dolanci, Rrahman Morina, Dimitrijeviq, Voja Llapiçiq, dhe njëri prej shqiptarëve, thonin se ishte shok lufte i Jusufit dhe vinte shpesh në ambasadë (unë njëherë e pata përzënë) por, prapë po them se më detajisht nuk jam njohur me planin misterioz të kësaj vrasjeje. Tekefundit duhet të kërkoni përgjegje edhe nga disa shqiptarë që atëherë punonin në konsullatën jugosllave. Si, Neziri, (mbiemri nuk më kujtohet) shofer i konsullit të përgjithshëm, Omer Aqifi dhe Rrahim Rapçani. Një kohë të gjatë unë isha izoluar nga mbledhjet sekrete. madje kur bisedohëj diçka e tillë, as që merrja pjesë në konsultime.
Thuhet se para vrasjes keni pasur edhe një konflikt me shqiptarët?
Po kam rënë në konflikt me Xhafer Shatrin, në një koncert, kur ne ishin ulur në rendin e parë të sallës me konsullin jugosllav, kur Xhaferi hodhi ujë mbi ne. Po edhe ky ishte një rast kur unë reagova shumë ashpër.
Po ku ndodheshit ju kur u krye vrasja?
Së pari t'ju them se unë nuk kam qenë në atë kohë në Republikën Federale Gjermane. E kam marrë pushimin diku para vitit të ri. Shkuarja ime me pushim, ndoshta ka qenë fshehje e të vërtetës nga ana e konsullatës jugosllave për rastin Gërvalla. Sidoqoftë, deri më datën 20 kam qenë në pushim (është vërtetuar në pasaportë) dhe për vrasjen e kam kuptuar në një sallë koncerti nga disa bashkatdhetarë. Bëhuni të bindur se po të disha diçka më detajisht do të beja gjithçka që të pengohet vrasja e tyre. Sidoqoftë edhe atëherë kur e kam kuptuar rastin se si janë vra, kam shprehur indinjatë për këta tre atdhetarë të vyeshëm. Lista e organizatorëve në të cilën gjendet edhe emri im, lidhur me rastin Gërvalla, është diskredituese për personalitetin tim. Unë kam qenë gati edhe të reagoj në një intervistë të gazetës suaj me Mustafë Xhemajlin, i cili për rastin Gërvalla si njëri prej organizatorëve e përmend edhe emrin tim. Mund t'ju them me përgjegjësi se për këtë rast mund të flasin edhe punëtorët e ambasadës ku unë kam punuar. Pra urdhëroni e dëshmojeni. (Baton Haxhiu)
Kommentare
Kommentar veröffentlichen