Reagimi i familjes Gërvalla rreth një Peticioni anonim për kthimin....
QIK, 16.12.2000
Reagim i familjes Gërvalla rreth një peticioni anonim për kthimin e eshtrave të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Kosovë
Prishtinë, 16 dhjetor (QIK) –
Premton Gërvalla, i biri i heroit Jusuf Gërvalla, në adresë të QIK-ut ka dërguar një reagim, në emër të familjes Gërvalla, që ka të bëjë me një peticion anonim rreth kthimit të eshtrave të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Kosovë. Ky peticion, thotë ai, i është shpërndarë për nënshkrim popullit të Kosovës, duke shtuar se kjo çështje duhet të mbyllet sa më shpejt, pa i lënë shteg vazhdimit të abuzimeve në emër të heronjve të lartpërmendur. Kthimi i eshtrave në atdhe të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës nuk është çështje peticionesh anonime, por çështje që i takon tërë popullit të Kosovës dhe familjeve të të rënëve. Në këtë letër ai thotë:
Para disa ditësh, ne anëtarëve të familjes së Jusuf Gërvallës dhe Bardhosh Gërvallës, na ra në dorë një peticion anonim, në lidhje me kthimin e eshtrave të tyre në atdhe, i cili i dërgohej Kryesisë së Këshillit të Përkohshëm të Kosovës?!, Qeverisë gjermane dhe Parlamentit gjerman dhe i cili është shpërndarë për nënshkrim në Kosovë.
Meqenëse ky peticion ishte anonim dhe nuk kishte të shënuar emrin e së paku një organizate apo shoqate, familja Gërvalla e shikon të arsyeshme, që për popullin e Kosovës, të cilit i është dhënë ky peticion për nënshkrim, të bëjë përmes shtypit sqarimin e mëposhtëm:
Së pari, ne, anëtarët e familjes Gërvalla, ju njoftojmë se, si për hartimin e këtij peticioni, ashtu edhe për shpërndarjen e tij, jo vetëm që nuk jemi konsultuar apo pyetur, por as nuk kemi pasur dijeninë më të vogël. Jemi çuditur dhe na ka ardhur keq, që një peticion kushtuar një çështjeje kaq serioze, të bëhet në forma e metoda jo vetëm të papërshtatshme, por edhe aspak sipas traditave më të mira shqiptare.
Së dyti, nuk është serioze, madje mund të themi se është tejet e pandershme që përmes peticioneve anonime apo shkrimeve të ngjashme, të krijohet përshtypja se këta dëshmorë na qenkan në mes të katër rrugëve dhe o burra, të ngrihemi e të shpëtojmë nderin e kombit!? Ju vëmë në dijeni se familja Gërvalla është duke bërë përpjekje të vazhdueshme që, eshtrat e më të dashurve të zemrës dhe njëkohësisht të heronjve të Kosovës, t"i kthejë sa më shpejt në atdhe dhe në mënyrën që ata e meritojnë.
Së treti, puna vetëmohuese dhe vepra e pavdekshme e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, por edhe dhembja e respekti që populli shqiptar ka treguar ndaj tyre, duke i mbajtur të gjallë në mendje e në zemër për kaq e kaq vite, tregon më së miri se ata i takojnë mbarë Kosovës dhe se do të ishte e pafalshme që, për kthimin e rivarrimin e tyre në atdhe, të vendosnin një anonim, një shoqatë, një organizatë apo një parti politike. Sipas mendimit tonë, me këtë çështje do të ishte e denjë të merreshin përfaqësuesit e zgjedhur nga populli i Kosovës, pra Parlamenti e Qeveria e ardhshme e Kosovës, të cilët me siguri që do të konsultoheshin edhe me anëtarët e familjeve të heronjve.
Jemi të bindur se populli i Kosovës, do të na kuptojë drejt dhe do të përkrahë moralisht, si gjithnjë, çdo përpjekje të familjes sonë për të çuar në vend amanetin e të rënëve për t'u varrosur në dheun e të parëve të tyre, në atdheun e dashur, për të cilin ata edhe dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën, thuhet në fund të letrës së Premton Gërvallës, i biri i Jusuf Gërvallës.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen