Ruajeni Ibrahimin - Hysen Gërvalla në Express 2007
Gazeta express
13 mars 2007
Hysen Gërvalla: RUAJENI IBRAHIMIN
Hysen Gërvalla, vëllai i Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, kërkon nga opinioni që ta ruajë Ibrahim Kelmendin për dëshmi. E admiron atë se i ka hyrë një pune shumë të madhe dhe thotë se edhe vetë Kelmendi është njeri shumë i përfolur. Ibrahim Kelmendi është autor i librit “Atentati”, që për qëllim ka pasur zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bardhosh e Jusuf Gërvalla.
Prishtinë 11 mars 2007
Ibrahim Kelmendi, autor i librit “Atentati”, i cili ka tentuar të zbulojë vrasësin e Jusuf Gërvallës përmes këtij libri, sipas familjes Gërvalla, është njeriu i parë i cili ka drejtuar gisht në një njëri të dyshuar për vrasjen e Bardhosh dhe Jusuf Gërvalles dhe për këtë ka prapa këtë familje.
Hysen Gërvalla, vëllai i Jusufit, pas publikimit të intervistës së Ibrahim Kelmendit, të botuar në gazetën Express, ka treguar se e admiron këtë njëri për guximin se i ka hyrë një pune shumë të madhe. Tregon se nuk është njeriu i vetëm i dyshuar Rezili, por janë edhe shumë të tjerë.
Ndër ta, thotë Hyseni, është edhe vetë Ibrahim Kelmendi, njeri shumë i përfolur si atentator i vrasjes së Jusuf Gërvalles. Për këtë, tash për tash, Gërvalla nuk dyshon në Kelmendin për shkak se ky ka marrë guximin t`i hyjë hetimit dhe zbardhjes së rastit të vrasjes së vëllezërve të tij.
“Pasi Ibrahim Kelmendi ka thënë se ka obligim moral për zbardhjen e rastit të vrasjes së Jusuf Gërvallës, atëherë unë nuk dyshoj në të, edhe pse është përfolur shumë për të”, ka thënë Gërvalla.
Në këtë rast, Hysen Gërvalla kërkon nga populli kosovar dhe mbarëshqiptar ta ruajë Ibrahim Kelmendin si dëshmi për vrasjen e vëllezërve të tij. “Lus popullin shqiptar që mos ta sakatojë Ibrahim Kelmendin, pasi që ai po di aq shumë për vrasjen e vëllezërve të mi”, tha Gërvalla.
Të dyshuar për vrasjen e Jusufit, janë një mori personash, që të gjithë shqiptarë, shpjegon ai. Por, nuk dëshiron që me askënd të kacafytet pa ardhur momenti i duhur për të vepruar.
Nuk janë të interesuar si familje ta akuzojnë askënd për vrasjen e Jusuf dhe Bardhosh Gërvalles derisa nuk e kanë në dorë të sigurt njeriun, i cili e ka vrarë Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën.
Për Rezilin, Hyseni thotë se nuk e njeh, por vetëm është në dijeni se emri plotë i tij është Riza Salihu. Ndërsa për miqësitë e Ibrahim Kelmendit me Jusuf Gërvallën, Hyseni tregon se kanë qenë shokë dhe kanë ndenjur bashkë njashtu si edhe Hyseni vetë. Libri i Kelmendit, sipas Gërvallës, është një libër i mirë, edhe pse nuk e ka lexuar në tërësi.
Hysen Gërvalla, vëllai i Bardhosh dhe Jusuf Gërvalles, në emër të familjes Gërvalla nuk dëshiron që t’ia drejtojë gishtin askujt për vrasjen e vëllezërve të tyre. Por, thotë se nuk do të lërë pa hulumtuar dhe çuar deri në fund çështjen e vrasjes së dy vëllezërve të tij. Për këtë pret kohën e duhur.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen