Sabri Novosella - shpif e dezinformon qëllmisht

Republika

N.1, 1-15 janar 1997

Reagim


SABRI NOVOSELLA - SHPIF E DEZINFORMON QËLLIMISHT




Sabri Novosella: organizatat kosovare në Perëndim (Republika,n:4/1996)



Tash disa herë z. Sabri Novosella, duke shfrytëzuar revistat e gazetat e ndryshme, përhap dezinformata e  shpifje nga më të lloj-llojshmet. Kësaj radhe ai shfrytëzoi Revistën "Republika" (nr. 4/1996, faqe 29, që botohet në Lubjanë nën drejtimin e z. Salih Kabashit), me ç'rast botoi artikullin me titull "Kush i udhëhoqi organizatat kosovare në Perëndim?" dhe nëntitulli "Që nga viti 1984 e deri në vitin 1990  LPRK ishte shumë «aktive» në punë të kota".

Z. Novosella nuk është tashmë as i pari dhe as i fundit që, duke bërë pjesë në korin e shtrigave, përpiqet të përhapin mjegullen dhe të përbaltin gjakun që kanë derdhur bijtë dhe bijat e Lëvizjes, që kërkon dhe nëpërkëmbë idetë e mëdha që ka mbrojtur, që mbron dhe do të mbrojë në të ardhmen Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Në këtë kor shtrigash ai është njëkohësisht në të njëjtin front me ata që kanë qenë përherë kundër Lëvizjes, por duke qenë tepër i mjeruar dhe tepër lehtësisht i përdorshëm nga të tjerët, ai nuk do meritonte vemendjen time. Dëshiroj ta kem shkruar që në fillim, se Z. Novosella, as edhe me këtë shkrim, nuk më ka befasur, pasi ai tashmë duhet të ketë rrjedhur mendësisht e shpirtërisht. Unë, në fakt, jam munduar ta kuptoj sëmundjen e tij, prandaj nuk kam reaguar në të kaluaren ndaj shkrimeve të tija të kësaj natyre. Gjithnjë kam justufikuar: "Lëreni të shkretin, se nuk di se çfarë bën!" Kësaj radhe më shumë më shqetësoi z. Kabashi (i cili nuk është i vetmi në këtë drejtim), që pranon të botojë shkrime të këtij grazhdi, pa asnjë lloj verifikimi, kur dihen edhe implikimet që përmbajnë shpifje e akuzime të tilla inkriminuese. As edhe përcaktimi, aktualisht në "modë", për të nxjerrë revista sa më të hapur dhe sa më pluraliste, nuk e arsyeton këtë dukuri. Prej më shumë se njëzetë vitesh që jetoj në egzil, kam përcjellë gazeta e revista nga më të ndryshmet, por asnjëherë nuk më ka rastisur të lexoj gjera të tilla. E, ato gazeta e revista, nuk mund të akuzohen se nuk janë të hapura dhe pluraliste. Ndoshta edhe u janë ruajtur ligjeve përkatëse të shteteve perëndimore, para të cilavejo vetëm artikullshkruesit, por edhe redaksitë përgjigjen nëse përhapin shpifje e dezinformata denigruese.

Nuk është hera e parë që z. Novosella shpif dhe përhap dezinformata. Edhe para disa viteve ai pat dezinformuar se gjoja në Berlin kanë demonstruar shqiptarët (kush tjetër pos shqiptarët "kumunistë" të Lëvizjes) kundër shembjes së Murit të Berlinit. Dezinformata në fjalë ka qenë e botuar në revistën "Zëri i rinisë". Këtë dezinformatë e besoj edhe Z. Mehmet Kraja, i cili, në librin e tij "Vite të humbura" nuk u durua pa e përmendur. Pra, kjo dezinformatë shpifse e kompromituese, jo vetëm për "kumunistët" shqiptarë, e pat burimin te z. Novosella. Por, kot nuk ka thënë populli një fjalë të urtë: "Më mirë një armik i ditur, se një mik i marrë". '

Tani po konkretizohem te shkrimi i tij i fundit, i cili shpresoj vërtetë të jetë i fundit i kësaj natyre.

Pak radhë në vend të hyrjes 

Përsa i përketë historisë deri në themelim të LPK (kur u themelua quhej Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi), përkatësisht ish organizatave e grupeve të cilat u bashkuan në këtë Organizatë, nuk dëshiroj të polemizoj, kryesisht në mungesë të dhënave dhe njohurive, edhe pse, po ta preferoja stilin e z. Novosella, do të kisha mjaft për të shkruar. Kurse sa i përketë iniciativës e bisedimeve për bashkimin e ish organizatave e grupeve në LPK, më duhet të ndalem sado shkurtimisht.

Nisma për bashkimin e ish organizatave e grupeve qe marrë nga OMLK (Organizata e Marksistë-Leninistëve të Kosovës) qysh në qershor të vitit 1981. OMLK për këtë qëllim pat hartuar "Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës ", të cilat i lëshoj për diskutim. Meqenëse në muajt qershor-gusht të vitit 1981 ish pushteti jugosllav, në shërbim vazal të të cilit ishin edhe organet përkatëse të ish KSA të Kosovës, bëri arrestime të mëdha duke dëmtuar rëndë ish organizatat e grupet klandestine, bisedimet për bashkim vazhduan jashtë Atdheut, duke i drejtuar ato personalitetet e shquara Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka. Bazë e atyre bisedimeve ishin "Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës ".

Përfaqësuesi i LNÇKVSHJ (Lëvizja Nacional-Çlrimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi), Jusuf Gërvalla, i pat miratuar ato pasi kishte bërë disa vrejtje të pakta, të cilat edhe u miratuan. Ato bisedime i stonoi z. Novosella në tetor të vitit 1981, pikërisht ky Novosellë që shkruan tani në pozën e një "patrioti". Arsyet për këtë stonim duhet t'i dijë z. Novosella, ndoshta edhe dikush tjetër që fshihet pas shpatullave të dobëta të Novosellës (të cilit as që i besoj më), prandaj për ta ditur të vërtetën, do duhej të konsultoheshin shënimet e Jusuf Gërvallës e Kadri Zekës. Ajo që besoj më shumë është se ndërhyrja dhe sabotimi i z. Novosella duhet të kenë qenë dekonstruktive e djallëzore (pavarësisht se tani ai mund t'i japë ngjyrime ideologjlke, duke keqpërdorur faktin se dëshmitarët nuk mund flasit). Z. Novosella atëherë e luante rolin e "shefit" të LNÇVSHJ (prandaj nuk është e moralshme t'i keqpërdor personalitetet shumë të respektuara e të nderuara, Jusuf Gërvallën e Metush Krasniqin, siç vepron me këtë rast.).

Pas një pauze bisedimet në mes të Jusuf Gërvallës dhe Kadi  Zekës (në ato bisedime bëja pjesë edhe unë) vazhduan më 16 janar të vitit 1982. Këto bisedime i preu UDB-ja me atentatin e kobshëm që bëri më 17 janar 1982 ndaj Jusufit, Bardhoshit e Kadriut.

Më 17 shkurt 1982 në Stamboll (ku gjendej atëherë z. Novosella) takohen "përfaqësuesit" e LNÇKVSHJ dhe PKMLSHJ (Paria Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi), zotërinjtë Sabri Novosella dhe Abdullah Prapashtica (ky i fundit deri në momentin e "arratisjes " oficer i SHSSH, përkatësisht UDB-së, siç njihej në popull, ,me shërbim në ish SPB-në krahinore në Prishtinë) dhe të dy së bashku themelojnë LRSHJ.

Në mars të vitit 1982 arratiset nga burgu z. Xhafer Shatri. Me të dalur jashtë ai merr përsipër përfaqësimin e OMLK. Z. Shatri ia "bashkangjiti" në maj të vitit 1982 OMLK-në  Lëvizjes që kishin themeluar  z. Novosella e z. Prapashtica.

Akoma pa u tharë ngjyra e nënshkrimeve nën marrëveshje, filluan konfliktet në mes të z. Novosella dhe z. Prapashtica qysh në qershor të vitit 1982. Pa e parë të nevojshme të ndalem mbi përmbajtjen e atij konflikti, shumica e anëtarëve të Lëvizjes mbështetën z. Novosella. Kjo bëri që z. Prapashtica (me disa idhtarë të vet) të shkëputet vet nga Lëvizja.

Pa kapërcyer mirë konfliktin e parë në mes të z. Novosella dhe z. Prapashtica, papritur (ndoshta edhe jo aq papritur) plasi "sherri" tjetër në tetor të vitit 1984. Kësaj radhe në mes të z. Novosella dhe z. Shatri. Duke parë se shumica e anëtarëve përkrahte z. Shatri, z. Novosella (me disa idhtarë të tij) doli vet nga Lëvizja, duke këmbëngulur së "lëvizja" e vërtetë ishte grupi i tyre. Ata filluan të nxjerrin një "Zëri të Kosovës" në Suedi, paralelisht me "Zërin e Kosovës" që e nxjerrte Lëvizja si Organ të vetin. Ndërkohë ky grup pushoi veprimtarinë e vet.  Sipas Z. Novosella, me të pushuar veprimtarinë e grupit të tij, duhet të ketë pushuar edhe Lëvizja!

Sa i përketë numrit të "jashtëzakonshem"    "Zërit të Kosovës", për të cilin shkruan z. Novosella, kjo është e vetmja gjysëm e vërtetë në shkrimin e tij.  Kryeredaktori i atëhershëm, z. Shatri, e bëri këtë krye vete, ndaj udhëheqja e Lëvizjes jashtë vendit e pat ndaluar shpëmdarjen e tij, duke i dhëne dënim përkatës Z. Shatri për atë gabim.

Kjo është ajo që mund të quhet shkurtimisht historia e themelimit të Lëvizjes dhe e "sherreve" të para të saj. Ajo tashmë i takon së shkuarës dhe ka vlerën e saj për aq sa i takon. Vlera e mirëfilltë e krijimit të Lëvizjes qëndron në faktin se në themel të saj është gjaku i dëshmorëve dhe veprimtarëve të tjerë dhe mendimi i tyre politik, i cili edhe pse atëherë mund të ketë patur ngjyrim të paktë idologjik, gjithsesi pluralist, themelore dhe qenësore ajo kishte qëllimin e saj politik, Republikën e Kosovës, aspiratë të cilën ajo e përhapi kudo që kishte ndikim, duke ndikuar që të bëhet qëllim i të gjithë popullit (edhe e deputetëve të ish KSA të Kosovës që shpalli Republikën e Kosovës).

Kur është e keqjo brenda 

Sipa z. Novosella, me të dalur të tij nga Lëvizja (përkatësisht me të pushuar veprimtarinë grupi i tij), ajo, Lëvizja duhet të ketë pushuar se qenuri Lëvizje, ose duhet të ketë ndodhur regresi i Lëvizjes. Përkundrazi, ndodhi në fakt e kundërta. Lëvizja e mori veten më tej, u bë më e fuqishme kur nga radhët e saj u larguan njerëzit jo vetëm të sëmurë për emër e për "shefa", ata që mendonin se ishin të pagabueshëm e të pakorigjueshëm. Meqenëse tashmë z. Novosella nuk ishte më në Lëvizje, patjetër se ajo,  siç dezinformon z. Novosella, "nga viti 1984 u instrumentalizua dhe u shndërrua në një agjenturë të PPSH dhe të Beogradit". Këtë shpifje nuk e zbut as "sqarimi" nga ana e z. Novosella, i vënë në vazhdim në kllapa nga ana e z. Novosellla: "(tani përkundër asaj që në radhët e saj vepronin dhe veprojnë patriotë shumë të mirë, por kanë rënë në ingranazhin e agjentëve të lartëpërmendur)". Nuk është hera e parë që Lëvizja quhet agjenturë e Shqipërisë. Të gjitha gjyqet dhe të gjitha akuzat e organeve policore të ish-RSFJ këtu kanë synuar. Të gjithë shqipfolësit, vasalë të tyre, pikërisht për këtë e kanë akuzuar gjithë atë brez të mrekullueshem të Lëvizjes që humbi rininë nëpër burgjet titiste. Tanimë këtë e bën edhe z. Novosella, i cili për të qenë më i gjerë, shton edhe "agjenturë e Beogradit". Nëse do të flitej për një lloj agjenture titiste-udbashe në radhët e Lëvizjes, atë z Novosella duhet ta kishte menduar mirë, që kur organizonte takime në Turqi, ndoshta edhe gjetiu, me ish punonjës të këtyre organeve. Për këtë shpifje kaq inkriminuese z. Novosella do të duhej të jepte prova konkrete dhe gjithashtu emra konkretë. Por ai këtë nuk e bën, më shumë për arsye të përhapjes se dyshimit dhe të hutisë. Nuk e bën edhe sepse sado të zellshëm të jenë millosheviçët e sotëm dhe sado të kërkojnë te arkivat sekrete të ish UDB-së, ata nuk kanë gjetur dhe nuk do të gjejnë kurrë asnjë emër të drejtuesve dhe militantëve të Lëvizjes. E të njëjtën gjë mund të themi edhe për Sigurimin e Shqipërisë. Praktika e z. Novosella e përhapjes së dyshimit pas mjegullës së fjalëve, nuk e ka atë për autor të parë. Kjo praktikë po përsëritet, dhe le të dyshosh se të tilla shkrime, pa përcaktime të përsonave konkretë dhe të provave konkrete, nuk i shkruajnë vetë ata që vënë emrin si autorë. Kurse, për mungesë të organeve përkatëse republikane, të tillë shpifës e dezinformues, jo vetëm që nuk po skuqen dhe nuk po turpërohen, por edhe as nuk po frikësohen se mund të japin ndonjëherë llogari para organeve të drejtësisë. Sidoqoftë, ajo që është më e rëndësishmja, ata nuk duhet të harrojnë se populli nuk harron dhe nuk falë kurrë këso veprimtarishë antikombëtare.

Po marr guximin të aludoj se z. Novosella më ka apostrofuar edhe mua si "agjent" të ish PPSH (Partia e Punës së Shqipërsë). Meqenëse ish RPS e Shqipërisë kishte sistem monist, të qenurit agjent i PPSH do të thotë njëkohësisht edhe agjent i RPS të Shqipërisë.  Këtë mbase edhe do të kisha dëshiruar, i bindur se në atë mënyrë po i shërbeja shtetit amë. Por ama, i tillë nuk kam qenë ndonjëherë. Bile, vazhdimisht isha në konflikt me diplomatët e "diplomatët" (mendoj në punëtorët e ish Sigurimit, të cilët në përfaqësitë diplomatike të ish RPS të Shqipërisë kamufloheshin si "diplomatë", praktikë kjo që e përdorin edhe shtetet tjera) e ish RPS të Shqipërisë. Për përmbajtjen e atyre konflikteve mund të konsultohen dosjet në arkivat përkatëse në Shqipëri. Nuk bëj kushedi se çfarë dekonspirimi nëse shkruaj se përmbajtje kryesore e atyre konflikteve ishte "mospërzirja" (të cilën unë e kuptoja përkrahje) e organeve partiake e shtetërore të ish RPS të Shqipërisë në punët e Lëvizjes dhe përgjithësisht të Kosovës.

Zotëri Novosellën ndoshta do ta befasojë edhe dekonspirimi, se ka patur kritika të rastit që ka bërë ndonë "diplomat" e personalitet i ish RPS të Shqipërisë kundër ngjyrimeve të thekësuara ideologjike në propagandën që bënte Lëvizja, kryesisht përmes të Organit të saj "Zëri i Kosovës", duke sygjeruar vetëm përkufizimin në çështjen nacionale, dhe atë vetëm në kuadër "të barazisë nacionale në ish RSFJ". Shokët tanë të Lëvizjes kanë patur raste të mjafta kur drejtues të ndryshëm partiak apo shtetëror të Shqipërisë i udhëzonin vëllazërisht se ata duhej të bashkpunonin edhe me ballistët e nacionalistë me bindje jokomuniste, sepse ata të Kosovës ndryshonin nga ata të Shqipërisë. Të tilla "ndërhyrje" më ka rastisur t'i dëgjoj vetë, ndërsa ato që ka përjetuar z. Novosella, mund t'i thot vetë (edhe pse, siç shkrova më lartë, tani nuk i besoj më). Kurse sa u përket agjentëve të Beogradit, ata do të duhej t'i emërtonte konkretisht z. Novosella. Sikur unë edhe për një çast të ndjehesha se më ka apostrofuar si të tillë, në mungesë të organeve përkatëse shtetërore, do t'i kërkoja llogari personalisht, pasi fyerje kaq të rënda nuk mund të kapërcehen aq leht!

Mirëpo kur e ke të keqen brenda, ajo të bën të hedhesh dyshime tek të tjerët. Kjo është një e keqe, e cila si edhe të tjerat që kanë shkuar, do të shkojë. Dje ishte koha e sulmeve, koha e burgosjeve dhe e vrasjeve, kohë e dhunës dhe e shtypjes. Përsëri, ajo kohë nuk ka ikur, por tashmë asaj i prinë dhuna e mashtrimit dhe e gënjështrës.

Kujt i shërben zotëri Novosella? 

Është një përiudhë që Lëvizja Popullore e Kosovës po e gjen gjithnjë e më shumë veten pranë njerëzve. Kjo nuk i shkon për shtati dikujt. E ai dikush ndërsen të tjerët, të cilët, ndoshta edhe pa vetëdije, i shërbejnë dikujt më mirë se ata me vetëdije.

Z. Novosella shkruan: "PPSH dhe Beogradi, si sot PPSH (me gjasë mendon në Partinë Socialiste në Shqipëri) dhe PSS (shkurtesë e Partisë Socialiste në Serbi), qëllimet i kishin të ngjashme: Kosova kurrsesi të mos çlirohet dhe të mos bashkohet me shtetin shqiptar. Beogradi dhe PPSH, përmes LPRK realizuan atë që dëshironin."

Beogradi dhe PPSH nuk kanë patur asnjëherë qëllime të ngjashme. PKSH (më vonë PPSH) ishte kundër ripushtimit të Kosovës (shih Vendimin e Konferencës së Bujanit), por nuk varej vetëm nga përcaktimi i saj, pasi atëherë supërfuqitë e kohës vendosën për mbetjen e Kosovës nën Jugosllavi. Më vonë PPSH u përcaktua për krijim e Republikës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Kjo e vërtetë e shabllonizuar (siç kam mundur ta kuptoj unë duke u mbeshtetur në njohuritë e  cekëta historike që kam), duke përjashtuar devijimet relative, nuk është në modë të thuhet tani. Por unë preferoj të vërtetën dhe jo modën!

Spekulimet politike a la Novosella, se PS e Shqipërisë dhe PS e Serbisë tani kanë qëndrime të ngjashme (perifrazim i lirë), nuk qëndrojnë. Më së njëherë nga përfaqësuesit e PS të Shqipërisë kemi dëgjuar të mbështesin të drejtën e shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare për vetëvendosje. Kur kjo Parti e kishte shumicën në Kuvendin Popullor të Shqipërisë, njohu Republikën e Kosoves. Të tjera forca politike dhe shtetërore (gjegjësisht krerët e tyre), kanë shkehu' Njohjen e Republikës së Kosovës nga Kevendi Popullor i Shqipërisë, duke i nënshkruar vendimet e konferencave të Londrës (1992) e të Parisit (1995). ose kanë deklaruar shumë herë se janë për "autonomi në kuadër të Jugosllavisë së mbetur", se janë "për mosndryshimin e kufijve shtetëror", se nuk janë "për Shqipëri të madhe", etj. Nuk di se çfarë do të bënin socialistët po të vinin në pushtet, pasi edhe z. Sali Berisha tjetër qëndrim kishte para se të bëhej kryetar shteti. Ndoshta të gjitha këto nuk do të ishin interesante edhe aq. Ndoshta të gjitha do të ishin të shkallës së dytë apo edhe të tretë. Ajo që të revolton është konstatimi i z. Novosella se "Beogradi dhe PPSH. përmes LPRK realizuan atë që dëshironin". Është vërtetë se z. Novosella ka bërë dikur sakrifica për çlirimin e Kosovës dhe është dënuar, por kjo nuk e justifikon këtë lloj qëndrimi të tij. Kujt i shërben sot ai? A është e vërtetë se Lëvizja ishte një mashë e UDB-së apo e kujtdo qoftë për nënshtrimin e Kosovës? Mos vallë të derdhësh gjak për lirinë e vendit quhet nënshtrim? Mos vallë vitet e panumërta të burgimeve dhe të torturave quhen nënshtrim? Në qoftë se Lëvizja ishte e tillë, ajo nuk do të kishte merituar besimin e popullit dhe ndjekjen e annikut. Edhe ajo do të ishte rehatuar në villa dhe në pushimore.

Unë, për hisen e fajit që ma ngarkon përmes kësaj shpifjeje, në mungesë të organeve përkatëse shtetërore, do t'i kërkoj llogari sipas traditave popullore. Për këtëfyerje e akuzë inkriminuese nuk ka vend për polemikë me z. Novosella!

Kjo është akuza më e rëndë që i është bërë ndonjëherë Lëvizjes dhe përgjithësisht lëvizjes politike shqiptare të cilitdo krah. Novosella çdo gjë e mat me hijen e tij, edhe pse e di se hija e tij është e shkurtër dhe e gënjeshtërt. Shkruan ai se "gjatë tërë atyre viteve (mendon në vitet 1984-1990, kur nuk ishte vet më anëtar) veprimtaria e LPRK përmbahej nga ulurimat: Kosova Republikë, Parti-Enver - jemi gati kurdoherë ".

Sa i përketë pjesës së parë, LPRK nuk ka uluritur (të tjerët janë ata që po ulurijnë), por e ka thirrur me gjithë shpirt atë parullë dhe është përpjekur për ta jetësuar, siç është vepruar edhe në vitet 1981-1984, pastaj dhe pas vitit 1990. Nëse kjo thirrje z. Novosella i duket ulurimë, nuk ka faj askush pse ai gjithçka e mat me kutin e qenërve.

Kurse "ulurima" tjetër (" Parti-Enver -jemi gati kurdoherë"), nuk ka qenë moto e Lëvizjes në asnjë kohë, por e disa anëtarëve të Lëvizjes, sepse në Lëvizje, sipas vendimit për themelim, që e ka bashkëhartuar dhe nënshkruar edhe z. Novosella, kanë hyrë forca e individë, pavarësisht nga bindjet e tyre ideologjike e politike, duke mjaftuar të qenurit patriot, që dëshiron dhe punon për çlirimin e Kosovës.

Lëvizja është themeluar si e tillë dhe vazhdon të jetë e tillë, ajo nuk i ndrydh dhe nuk i shtyp bindjet e ndryshme ideologjike, respekton mendimet e kundërta. Ka patur drejtues që janë munduar ta prishin strukturen dhe organizimin e Lëvizjes, pikërisht në atë përiudhë që e mburr z. Novosella, por ajo, fatimirësisht nga të tillët shpejt u lirua! Jo duke i përjashtuar, por duke u larguar vet ata.

Të gjitha ato që shpif, trillon e akuzon z. Novosella e kanë një burim, një burim të ndotur, i cili mban erë. Erën e kujt mban, duhet ta di mirë z. Novosella.

Cilin ka penguar Lëvizja? 

Një pyetje shtrohet para të gjithëve: Në të gjitha këto vite të veprimit të saj Lëvizja ka dëmtuar apo ka ndihmuar në rritjen e vetëdijes së popullit, ka penguar apo, përkundrazi, u ka dhënë shtytje përpara të gjitha atyre proceseve që kanë ndodhur në Kosovë? Edhe për më naivet është e qartë së rruga e Lëvizjes për jetësimin e Republikës së Kosovës, jo vetërn që ka qenë nje rrugë e drejtë,.por edhe një rrugë e dhimbshme, sepse në këtë rrugëtim është edhe gjaku i derdhur. Edhe për më burracakët është e ditur se emri i Lëvizjes ka qenë thirrje për trimëri dhe qëndresë.  Edhe për më të shiturit është e ditur se armiku kryesor ndaj ish strukturave titiste ka qenë Lëvizja.

Mirëpo ka edhe një krah tjetër, i cili tashmë flet përmes z. Novosella, se "LPRK. si agjenturë e PPSH dhe e Beogradit, bëri që fillimi i shkatërrimit të ish-Jugosllavisë ta gjejë Kosovën pa asnjë grup apo organizatë patriotike-kombëtare, e cila do të ishte e aftë të vihej në ballë të popullit..."

Helmi është i dyfisht. Nga njëra anë z. Novosella don të thotë se sikur ai ta udhëhiqte Lëvizjen, populli do të kishte një parti të fuqishme, në krye të se cilës do të ishte vetë ai. Mjerë populli nëse pret prej tipave të z. Novosella! Nga ana tjetër ai fajson Lëvizjen. Dhe për ta bërë të besueshme akuzën, ai më parë atë e akuzon si agjente të Beogradit dhe të PPSH-së. Llogari dinake, e cila nuk mund të dalë e tëra nga mendja gjysmake e z. Novosella. Lëvizja nuk pengoi asnjë. Përkundrazi, shumë anëtarë të saj ndihmuan organizimin e partive të tjera, sidomos LDK-së, dhe askujt Lëvizja nuk ia ktheu kokën menjanë. Ajo nuk pengoi rezistencën e popullit, perkundrazi, bëri thirrje për rezistencë. Ajo nuk bëri thirrje për përçarje, përkundrazi, bëri thirrje për bashkim.

Vërtetë kishte një pengim, por në kahje të kundërt. Lëvizjen e penguan tipa si z. Novosella, që të aftësohet deri në nivelin e nevojshëm për të dalë në ballë të situatës në vitin 1990, e pengoi forca sulmuese e Beogradit dhe e vasalëve të tij shqipfolës, duke i vrarë dhe burgosur shumë aktivistë të saj. E penguan rrethanat e krijuara me ndërhyrje nga jashtë, por e pengoi edhe aftësia drejtuese e vetë udhëheqësve të saj. Nga ana tjetër lëvizjen masive popullore të vitit 1981 e gjetën Kosovën me forca të pakëta klandestine, me një shtrirje të kufizuar, të cilat, edhe përkundër dëshirës, e kishin të vështirë ta udhëheqnin atë lëvizje spontane popullore.

Ku janë faktet atëherë? 

Në tërë shkrimin e tij akuzues z. Novosella (sa mirë do të kishte bërë sikur ta kish rregulluar mbiemrin, duke e bërë të paktën me tingëllim shqiptar) nuk fajson askënd me emër. Frikë? Ndoshta, por më shumë nga fakti se ai nuk ka asnjë të dhënë konkrete, sepse të tilla nuk ekzistojnë.

Ai vërtetë shkruan se "në rradhët e saj, e posaçerisht në kreun e LPK kanë depërtuar njerëz filo-serbë a filo-grekë"! Të thuash shpifje, kjo është pak, lum Zotëriu! Të thuash se këtë e bën për të futur huti dhe urrejtje, edhe kjo nuk është e plotë. Po ti, lum terziu, (sepse terzi ke qenë e terzi mbetesh), ku e di një gjë të tillë? Kush t'i dha listat për filo-serbët e filo-grekët në radhët e kreut të Lëvizjes? Të të japin të dhëna të tilla, kaq "të vlefshme ", duhet të kesh bërë diçka për ta merituar. E ti çfarë ke bërë?

Cili është filo-serb e cili eshtë filo-grek? Ku i gjete e kush t'i dha? Kaq burrëri të pakët ke sa për t'i bërë një të mirë të vetme dheut tënd dhe të denoncosh filo-serbët e filo-grekët? Pas akuzës tënde janë njerëz. Pas shpifjeve përsëri janë njerëz? Ku janë faktet, atëherë?

Cilin mbron LPK-ja? 

Z. Novosella vazhdon me shpifjen: "LPRK i doli edhe një punë madhe: Pasi filloi të rrokulliset edhe PPSH, u vërsulën për ta shpëtuar nga forcat «reaksionare», për ta mbajtur bacën Ramiz, për t'ia rindërtuar varrin xhaxhit Enver dhe për t'i ndihmuar për t'u rikthyer në pushtet së bashku me ato të PS." Shpifje lum Zotëriu, shpifje! LPK këto nuk i kishte as kompetencë, as detyrë dhe as në program. Motoja e saj ishte dhe është, të mos përzihet në luftën për pushtet të subjekteve politike në Republikën e Shqipërisë, siç nuk mbron shkatërrimet e " demokratëve" a la Novosella, të cilët thërrisnin për të shkatërruar çdo gjë, në emër gjoja të njëfarë demokratiztini dhe të njëfarë patriotizmi. Jam dëshmitar i shkatërrimeve dhe veprimeve dekonstruktive e vandale të "demokratëve" të Republikës së Kosovës e të Republikës së Shqipërisë dhe përmbajtjen e dhembshurinë e atyre që i akuzon "demokrati" Novosella: Të dukej se m'ë shumë gëzoheshin "demokratët" shqiptarë për t'i parë flakën sa më të madhe Shqipërisë, edhe se ndoshta vetë serbomëdhenjtë (gjoja për t'i ofruar "prova" botës "demokratike" se çfarë germadhe po lente prapa monizmi shqiptar...). Dhe veprime të tilla, pavarësisht kush i bën, nuk i mbron LPK-ja. Sa sadistë që ishit! Vështruar nga distanca kohore, sikur të vijë keq përse patriotët ngurruan të bashkohen e të organizohen për ta mbrojtur Shqipërinë nga barabaria e "demokratëve", pasi keshtu do të ndihmohej gjithsesi edhe më shumë çlirimi i Kosovës, të cilës "demokratët" e të dy anëve të kufirit po ia bëjnë aminin, kush hapur e kush nën plaf, me një kamuflim gjithsesi “demokratik", për të rimbetur prap nën pushtimin serbomadh!

"Për t'u dëshmuar se edhe LPRK është fleksibile dhe i kupton ndryshimet «pozitive», - derdilis z. Novosella, - e pranoi si gjë të kryer shpalljen e Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Rrahman Morinës..." Edhe nëse është nga një njeri me profesion të gjithëjetshëm të terziut, e tepërt është! Vërtetë z. Novosella duhet të ketë qenë terzi vetëm i rrobave...!? Mos ndoshta pas këtij terziu qëndron tjetër kalemxhi, pasi nuk është dëgjuar ndonjëhrë që terziu të ketë pretendime kaq të mëdha prej kalemxhiu publicist e analitiku politik!? Për LPK, sa për dijeni z. Novosella, Kuvendi që ka shpallur Republikën e Kosovës nuk ka qenë i Rrahman Morinës por i ish-KSA të Kosovës, i cili me të drejtë që buronte nga ish Kushtetuta e ish KSA të Kosovës ka bërë këtë punë kaq të madhe patriotike! Me këtë rast, asesi nuk dëshiroj të marrë në mbrojtje vendimin e atij Kuvendi, aty e tutje të Republikës së Kosovës, që kuvendarët të arratisen menjëherë pas miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Përfundim 

Për përfundim do të shtoja, se sikur të gjithë lexuesve të revistës "Republika" t'ju kishte rastisur ta njihnin personalisht Z. Novosella, vërtetë nuk do të kisha reaguar. Atyre, si edhe mua, do t'ju vinte keq për të. Prandaj, kurdoherë që të kërkohet përgjegjësi konkrete për shpifjet, dezinformatat e akuzat inkriminuese që përhap (duke i gëzuar disa lloje të gazetave e revistave, pasi shpresojnë se me këso farë "sihariqe " ju rritet tirazhi, përkatësisht fitimi), duhet patur parasysh gjendjen shpirtërore e mendore të tij dhe, ndoshta, edhe diç tjetër. Tani i kuptoj sidomos bashkatdhetarët në Malmo (Suedi), më mirë se atëherë, kur i këshilloja që të kenë durim ndaj keqsjelljeve të z. Novosella (për çka u kërkoj të falur). Më vjen keq që u detyrova të humb kohë për këtë reagim kaq të gjatë për një hije kaq të ngushtë dhe të shkurtë. Lexuesve dhe redaktorit u kërkoj të falur (nëse do të botohet. kuptohet, edhe nëse do fa lexojnë), pse nuk pata kohë dhe aftësi të shkruaj reagim më të shkurtë. (Ibrahim Kelmendi,  RFGJ, m'ë 10 tetor 1996.)  

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?