TMK-në Ne e konsiderojmë bërthamën e Ushtrisë së Kosovës
Bota Sot, 05.03.2002
Atyre të cilët janë mësuar të jetojnë jetë maceje nën sofër
TMK-në NE E KONSIDEROJMË BËRTHAMËN E USHTRISË SË KOSOVËS
Njëzet vite të plota, unë dhe familja ime kemi pritur, vallë a do të vijë ajo ditë dhe kur do të vijë ajo ditë që eshtrat e bijve tanë (duke përfshirë këtu edhe Kadriun), do të kemi mundësi t'i kthejmë në atdheun e tyre, në vendlindjen e tyre. Them duke përfshirë Kadriun, dhe nuk e them rastësisht. Familja ime dhe unë, e vlerësojmë ashtu si është, prandaj nuk e kemi ndarë kurrë nga djemtë tanë. Nuk e kemi ndarë, sepse Kadriu ra në konakun tonë, për atdheun tonë. Ra në bukën tonë, te dera jonë dhe në mesin e dy djemve tanë. Ra në të njejtën natë, në të njejtin vend, në të njëjtën veturë, të njëjtin datë, orë dhe sekonda. Ra nga e njejta dorë, nga e njëjta armë, me të njëjtin qëllim, për të njëjtin qëllim, ranë bashkërisht pra, për atdheun e tyre. Njëzet vjet pritjeje janë të gjata. Nuk ishim të sigurt se do të vijë dita t'i sjellim eshtrat e tyre nga toka gjermane në atdhe, në vendlindjet e tyre, aty ku natyra ua ka caktuar vendvarrimin. T'i varrosim në mesin e varreve, aty ku i kanë të varrosur edhe baballarët e tyre, edhe gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre.
Kemi pritur dhe dita erdhi, erdhën edhe Jusufi, Bardhi dhe Kadriu dhe u varrosen pikërisht aty ku u takon të varrosen. Prandaj, shprehja «i ndanë të gja1lët», është destruktive sa të duash. Janë djem të dy vendlindjeve, por që kanë një atdhe. Ky akt nuk duron komente të sëmura. Kadriu ka një nënë dhe babë tjetër, të varrosur në vendlindjen e tij në Gjilan. Aty prehen edhe eshtrat gjyshërve dhe stërgjyshëve të tij. Eshtë gjë e natyrshme pra, është edhe arsyeshme që eshtrat e Kadriut të prehën në vendlindjen e tij të dashur. Përsëris: Jusufi dhe Bardhoshi kanë një nënë dhe një babë tjetër, kanë vendlindjen e tyre në Dubovik. Aty prehen eshtrat e babës dhe gjyshërve e stërgjyshërve të tyre. Eshtë gjë e natyrshme, ka të gjitha arsyet që edhe eshtrat e tyre të prehen në Dubovikun e tyre, të cilin e kanë dashur aq shumë.
Prandaj, çfarëdo komenti tjetër në këtë drejtim është i tepërt, i papjekur, i pamoralshëm qëllimkeq e plot tradhtiçka të ndyera, deri në skajshmëri. Lumë ai popull që ka struktura të gjera gazetarësh por, mjerë ata gazetarë që kanë prirje që punën e mbarë ta thërrasin pune të praptë, sepse mendimet e tyre të shprehura me shkrim mbeten para studiuesve të gjeneratave. Janë këta që e ndajnë të bardhën nga e zeza, pa hile dhe sado vonë nuk është vonë. Sikur të kishin patur mundësitë, Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi, atë ditë në Prishtinë, do të ishin përshëndetur mes vete dhe gjithsecili nga ata, kishin shkuar aty ku i sollëm ne familjet e tyre, pa fije dyshimi.
Përsa u takon shkrimeve, kritikave qëllimmira e të patendenca rreth organizimit, rivarrimit aq të pritur nga i gjithë populli ynë, edhe familja Gërvallaj pjesa shumicë absolut, me ndërgjegje u bashkëngjitemi atyre kritikave. Ua kemi bërë edhe me shkrim organeve të UNMIK-ut se jemi kundër çfardo ndalese të kujdo në këtë varrim. Me eprorët ushtarakë të Shtabit të Dukagjinit, kemi bërë marrëveshjen me të dy djemtë e Jusufit. Jemi pajtuar ashtu si u ka hije më të mirëve, si vëllezërit e mirë pra. Pas katër orëve është prishur marrëveshja. Formalisht nga bijtë e Jusufit, por realisht marrëveshjen e kanë prishur «burrat» në prapaskenë, ata të cilët janë të mësuar të jetojnë jetë maceje nën sofër.
Ne Familja Gërvallaj vazhdojmë të jemi kundër ndalesës së TMK-së, -në rivarrimin e djemve tanë, sepse TMK-në e konsiderojmë bërthamën e Ushtrisë së Kosovës, gradualisht e pranuar edhe nga qarqe ndërkombëtare. Nuk kemi të drejtë morale dhe as juridike që një ushtri ta identifikojmë me njerëz që neve nuk na pëlqekan. TMK-së i kishte hije të figurojë aty, erdhi, shënoi prezencën e vet, qoftë edhe simbolikisht. Me këtë akt, eprorët e TMK-së realizuan obligimin moral të asaj ushtrie, por edhe ndaj djemve të vrarë për atdhe. dhe për ushtri. Edhe Jusufi edhe Bardhoshi edhe Kadriu, ranë vetëm e vetëm për t'i patur strukturat tona politike, të zotët ta ndajnë Kosovën nga Serbia dhe të ndërtojnë institucionet shtetërore e ushtarake në vendin tonë. Prandaj, jo vetëm familja e ngushtë Gërvallaj, por edhe gjithë farefisi Gërvallaj, miqtë dhe dashamirët tanë, të gjithë bashkëpunëtorët, bashkëmendimtarët, bashkëveprimtarët tanë, të cilët janë shumtë, të gjithë ne iu bashkëngjitemi kritikave, (po e potencoj, kritikave qëllimmi-ra), por jo edhe atyre kritikave të pakuptimta, "kush tradhtoi",- "kush i ndau", - "i ndanë të gjallët", - e togje fjalësh të pa fije morali individual, gazetaresk, politik, e aq më pak moral kombëtar e njerëzor.(në emër të familjes Gërvallaj- Hysen Gërvalla, Gjenevë, 4 mars 2002)
Kommentare
Kommentar veröffentlichen