Tre pishtarë të ndezur të lirisë kthehen në atdhe
„URA“ N:3, mars 2002
TRE PISHTARË TË NDEZUR TË LIRISË KTHEHEN NË ATDHE
TRE PISHTARË TË NDEZUR TË LIRISË KTHEHEN NË ATDHE
Që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, sikurse edhe para saj, në Kosovë asnjëherë nuk ishte shuar vatra e rezistencës kundër pushtuesit serb. Si rezultat i saj dhe në mënyrë të veçantë i demonstratave historike të vitit 1968, në kuadër të ndryshimeve të raporteve brenda ish-federatës jugosllave, në fillim të viteve të shtatëdhjeta nis procesi i avansimit të statusit politik e juridik të Kosovës, i cili u sanksionua në mënyrë shumë ekuivoke edhe në kushtetutë, më 1974. Ndonëse më i përparuar, statusi i ri i Kosovës nuk e barazonte popullin shqiptar me popujt tjerë në federatë, edhe pse numerikisht ishte i treti me radhë. Me propagandën e zhurmshme zyrtare dhe euforinë folklorike, që shoqëronin këto reforma të kufizuara, synohej krijimi i një opinioni publik konformist dhe iluzor. Mesazhi dhe qëllimi i tyre ishte formimi i bindjes se gjoja kishin pushuar arsyet për të cilat organizohej Lëvizja kombëtare ilegale, sepse aspiratat historike, në mos ishin arritur në tërësi, do të arriheshin lehtë, në rrugë legale dhe institucionale. Përkrah ndjekjeve policore që po vazhdonin kundër veprimtarëve patriotë, ky opinion përbënte kërcënim imediat për jetën e Lëvizjes sonë kombëtare të kohës.
Qarqet shoviniste serbe ndërkaq, pas goditjeve që kishin pësuar disa herë me radhë nga klanet politike të federatës, në aparencë paraqiteshin relativisht të heshtura, por nën rrogoz përgatiteshin ethshëm për një kundërsulm, në rastin e parë që do t’u jipej, jo vetëm kundër Kosovës, por, siç e vërtetuan zhvillimet pas vdekjes së Titos, edhe kundër të gjitha njësive të tjera të ish-Jugosllavisë së federuar. Vetëm dy vite pas reformave kushtetuese, plani serbomadh kundër Kosovës u përvijua shumë qartë në të ashtuquajturin “Libri i Kaltër”.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, pas tronditjeve të rënda që kishte shkaktuar perandoria sovjetike në rajon, sundonte i ashtuquajturi detant, i cili për Gadishullin tonë, po të kihej parasysh kazani që ziente përbrenda, do të thoshte qetësi relative dhe paqe e brishtë.
Në këtë kontekst historik vepronin në radhët e Lëvizjes kombëtare, Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla me bashkëluftëtarë. Në fillim të dekadës së tetë të shekullit të kaluar, në Kosovë ekzistonte një varg grupesh patriotike të organizuara në ilegalitet. Karakteristika të këtij organizimi ishin amatorizmi i hapave fillestarë, veprimi në forma gjysmëkonspirative, mungesa e disiplinës së rreptë, e rregullit organizativ dhe siç do të thoshte Gëte, padituria vepruese. Shpresa e perspektivës së këtij organizimi ishte pasioni i rinisë për të lexuar, dorë me dorë, sidomos literaturë të ndaluar me përmbajtje patriotike dhe organizative, e cila vinte kryesisht nga Shqipëria dhe mërgata. Disa nga këto grupe nuk u përballuan goditjeve policore, ose u shpërndanë, kurse të tjera i shpëtuan ndjekjeve sistematike dhe mbijetuan.
Kadri Zeka dhe Jusuf Gërvalla hyjnë në radhën e veprimtarëve më të përparuar, jo vetëm të plejadës që i përkisnin, por edhe të gjithë periudhës së pasluftës botërore. Lëvizja jonë kombëtare përballoi rreziqet e këtij stadi të zhvillimit për të hyrë e sigurtë në fazën e re të pjekurisë politike, të përgatitjes teorike dhe të organizimit të strukturuar mirë. Me aftësitë e tyre organizative dhe me kapacitetin intelektual, dëshmorët tanë i dhanë jetë dhe seriozitet Lëvizjes së kësaj kohe. Jusufi dhe Kadriu ishin të denjë për këtë rol të rëndësisë jetike, jo vetëm si intelektualë, por edhe si udhëheqës të shquar.
Veprimtaria patriotike e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës mund të ndahet në dy periudha të barabarta për nga rëndësia: njëra brenda dhe tjetra jashtë atdheut.
Aktiviteti në Kosovë kishte vështirësitë e një rruge për shumëçka të pashkelur deri atëhere në përvojën e Lëvizjes sonë kombëtare. Lëvizja po kalonte një varg sprovash të natyrës së rritjes dhe të reformimit të saj. Koha e re, kur marrëdhëniet brenda federatës së ish Jugosllavisë sado-kudo po liberalizoheshin, ipte më shumë mundësi për një veprimtari më të studiuar, më të përsosur dhe në mënyrë të veçantë, për të kombinuar dhe koordinuar punën konspirative me atë të hapur të institucioneve, në të cilat tashmë shqiptarët përfaqësoheshin shumë më mirë. Një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm në ngritjen e Lëvizjes, ndërgjegjësimin e masave dhe në avansimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës, sikur edhe në kthesat tjera në historinë e rezistencës së popullit tonë, në këtë periudhë, e mbante dhe e ushtronte Shqipëria, ndonëse edhe vetë ishte në gjendje të rëndë. Ndërtime të marrëdhënieve të tilla tepër të mprehta dhe të ndjeshme, veçanërisht me Shqipërinë, si dhe studimi i kombinimit të veprimeve të formave të ndryshme mund t’i bënin vetëm intelektualë të kalibrit të Jusufit dhe Kadriut, të cilët vepronin me kujdesin e neurokirurgut në këto procese. Por, për veprime të tilla, sa të rënda po aq edhe të rrezikshme, duhej veç sensit të hollë e shkathtësisë së një shkalle të lartë edhe guxim intelektual e trimëri, virtyte këto që gërshetoheshin mrekullueshëm në personalitetin e Kadriut dhe të Jusufit.
Një nga sprovat më të rënda të Lëvizjes së fundit të viteve të shtatëdhjeta, sikurse edhe sot, ishte koordinimi i strukturave të saj të ndara gjithandej Kosovës e në mërgatë dhe bashkimi i energjive militante. Kjo vështirësi vinte, jo nga gjoja ngjyrimet ideologjike, siç mund të dëgjohet sot nga filistej politikë, por mbi të gjitha për shkak të veprimit të tyre në konspiracion të thellë. Siç dihet, armiku jo vetëm arrinte të infiltronte brenda radhëve të Lëvizjes elementë provokatorë dhe spiunazhi, por madje edhe të krijonte organizata të tëra kukulla me emërtime pompoze, për të gjurmuar, zbuluar e kapur organizimin e vërtetë kombëtar, prandaj çasjet bëheshin me shumë kujdes.
Nga të arriturat e spikatura cilësore të Lëvizjes së kësaj kohe, ishte ngritja e një shtypi klandestin të nivelit shumë të lartë, kulmin e të cilit e shënonte organi “Liria”, ku Jusufi dhe Kadriu shprehën fuqishëm aftësitë intelektuale dhe në mënyrë të veçantë shkathtësitë e shkrimit profesional e redaktues. Kontributi i tyre për ngritjen e radhëve të organizuara, propagandimin e ideve të lirisë dhe sqarimin e popullit për gjendjen e tij, si dhe për ndërtimin e vizionit për të ardhmen, i bën ata personalitete të shquara të kombit tonë. Trajtesat e tyre në fushë të teorisë vepruese të Lëvizjes, mbeten për brezat e mëpastajmë , jo si një thesar muzeal, por bazë e shkëlqyer dhe udhërrëfyese për të vazhduar rrugën e ndjekur prej tyre. Shumë nga shkrimet e këtyre autorëve, disa prej të cilave janë të para gadi tridhjetë vjetëve, e kanë ruajtur në mënyrë shembullore aktualitetin deri në ditët tona. Duke qenë një figurë e spikatur poliedrike, Jusuf Gërvalla la pas, trashëgim për shumë breza, veprën e tij të shquar në shumë fusha, si në letërsi, në prozë e poezi, në muzikë, pikturë, publicistikë e gazetari.
Aktivitetit të gjatë dhe gjithnjë më intensiv të dëshmorëve i ranë në gjurmë agjentët e sigurimit të pushtuesit, prandaj ata u detyruan, me dhembje t’ia kthenin shpinën Kosovës së tyre të shtrenjtë, për të emigruar në Perëndim; më parë Kadriu në Zvicër dhe pastaj Jusufi në Gjermani.
Një kapitull më vete dhe shumë i rëndësishëm, por për fat të keq edhe i fundit, është jeta dhe veprimtaria e dëshmorëve në mërgim. Mërgata shqiptare, si gjithmonë gjatë historisë së Lëvizjes sonë kombëtare, ishte e gatshme t’i kontribuonte asaj në të gjitha drejtimet, por kësaj radhe ajo ishte e paorganizuar mirë, e survejuar nga regjimi dhe për më tepër nën një presion të vazhdueshëm të tij për ta tërhequr në sferën e interesit të vet. Sikur edhe brenda, jashtë atdheut organizatat patriotike shqiptare ishin të ndara, pa ndonjë lidhje organizative mes vete, madje shpeshherë me shpinë të kthyer njëra-tjetrës. Kadri Zeka, me të arritur në Zvicër më 1978, mblodhi veprimtarët më të përparuar e më të sigurtë dhe i hyri ndërtimit të një strukture të re organizative të qëndrueshme, që po rritej nga dita në ditë.
Në mërgim Kadriu njihet me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe pa hezituar marrin kontakt për t’i hyrë bashkimit dhe organizimit të mirëfilltë të mergatës. Pas goditjeve të rënda që pësoi Lëvizja kombëtare më 1981, ata vazhduan intensivisht procesin e bashkimit të të gjithë potencialit organizativ veprues patriotik jashtë dhe brenda Kosovës. Gjithë kjo punë kolosale po bëhej nën kredon e formuluar nga Kadri Zeka: ”Kosovës i duhet një zë i vetëm i fortë e kumbues dhe jo disa zëra të mekur”. Kjo thirrje emblematike do të jehojë nga goja e tij viteve të shtigjeve të lirisë së Kosovës deri sot, për të tingëlluar si e formuluar nergut për rrethanat historike që po kalojmë aktualisht. Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka mbeten një shembull i shkëlqyer dhe monumental në historinë e përpjekjeve të figurave të shquara të kombit tonë për bashkimin e mendjes e të forcës në luftë për liri dhe përparim. Bardhosh Gërvalla gjatë gjithë kësaj veprimtarie do të jetë krah i djathtë i tyre deri në ditën e flijimit të përbashkët.
Në pranverën e vitit 1981, Lëvizja jonë kombëtare ndodhej para një gurë prove ndër më sfiduesit në historinë e saj. Ajo po kalonte nga veprimi në konspiracion të thellë, në sheshet e hapura të qyteteve e të fshatrave të gjithë Kosovës, nga strukturat e kufizuara të veprimtarëve tashmë profesionistë, në masa milionëshe, që përfshinte shtresat e shoqërisë së Kosovës dhe të gjithë kombit shqiptar. Baza shoqërore e Lëvizjes kombëtare po zgjerohej me të shpejtë. Ky hop i madh cilësor dhe sasior i Lëvizjes sonë vente në lëvizje jo vetëm botën shqiptare, por edhe bashkësinë ndërkombatre në përgjithësi. Çështja e Kosovës nisi të ndërkombëtarizohej, kurse themelet e kreaturës së quajtur Jugosllavi po lëkundeshin për herë të parë. Ngjarjet historike të vitit 1981, të quajtura Pranvera Shqiptare, ishin rubikoni i Kosovës, shansi historik, por edhe rreziku potencial i saj. Se cila nga këto dy alternativa do të orientonte zhvillimet historike, ç‘është e vërteta, sikur edhe sot, varej nga faktori i jashtëm, por më shumë nga vetë ne bashkë, që bëjmë faktorin e brendshëm, a subjektiv. Kjo kthesë e fortë historike s’mund të trajtohej me elegancë siç na pëlqen nganjëherë. Jusuf Gërvalla, duke qenë shumë i ndërgjegjshëm dhe shumë i përgjegjshëm për luftën në rritje, e cila do të kërkonte edhe sakrifica të rënda, bënte këtë deklaratë të betimit solemn: “ Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e ketij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’ do të ketë forcë që do të na ndalë në rrugën tonë te ndritshme…” Kjo është referenca më e mirë dhe e vetmja reale për të kuptuar shpirtin dhe përcaktimin e vendosur të këtyre dëshmorëve e jo qëmtimi, siç bëhet ndonjëherë me tendencë, për të gjetur ndonjë notë ideologjie të caktuar politike të aplikuar ekskluzivisht në diskursin e tyre, e cila edhe si e tillë duhet parë në kontekst të kohës dhe me motiv të ruajtjes së kohezionit kombëtar. Roli bashkues dhe shpirti atdhetar i dëshmorëve ishin dhe mbeten të shënjtë, prandaj edhe të paprekshëm nga asnjë tendencë efemere e qëllimkeqe partiake a grupore. Edhe sikur gjithëçka tjetër të instrumentalizohej, kjo s’mund të bëhet me dëshmorët, e aq më pak me vigajtë Gërvalla dhe Kadri Zeka. Dëshmorët nuk i përkasin asnjë partie të veçantë, ata janë vlerë e gjithë kombit dhe e të gjitha kohëve.
Pas goditjeve drakonike, të denja për mesjetën, që i bënë serbomëdhenjtë popullit shqiptar të Kosovës, Lëvizjes kombëtare, kulturës, historisë, arsimit, ineligjencies dhe gjithë vlerave të tij, historike e aktuale, mërgata e organizuar nga Kadriu, Jusufi dhe Bardhoshi, po kthehej në një forcë madhore patriotike. Në mbështetje të kërkesave të drejta të shqiptarëve të Kosovës për të qenë popull i barabartë me popujt tjerë të ish federatës jugosllave, duke realizuar republikën e federuar të Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje, përkrah vëllezërve e motrave në atdhe, u ngrit në këmbë gjithë mërgata jonë dhe demonstroi vullnetin e saj e protestoi për mbytjen në gjak të demonstratave të vitit 1981. Vënia në veprim e një mase aqë të madhe të mërgatës ishte dhe faktor shtytës për lëvizjen e makinës së rëndë diplomatike të demokracive Perëndimore në mbështetje të Kosovës. Kadri Zeka dhe vëllezërit Gërvalla ishin ambasadorë dhe avokatë të vërtetë të çështjes së drejtë të Kosovës te qarqet politike e diplomatike në Evropë. Edhe sikur vetëm kaq të bënin këta tre dëshmorë, kontributi i tyre Lëvizjes kombëtare do të ishte historik, por edhe shkaku i drejtpërdrejtë i vrasjes tinëzare të tyre nga dora e Beogradit gjakatar.
Duke vrarë këta veprimtarë të shquar të kauzës së Kosovës, armiqtë pandehnin se i jipnin goditjen vendimtare Lëvizjes sonë dhe çështjes së Kosovës, por historia eci binareve të dialektikës dhe jo sipas ligjeve policore. Ata ranë dëshmorë si burra të mëdhenj të kombit, kurse idetë e tyre atdhetare u mishëruan në jetën e rinisë shqiptare dhe lëshuan rrënjë thellë në shpirtin e popullit tonë të paepur. Nën shembullin e jetës dhe veprës së këtyre dhe shumë dëshmorëve të tjerë të lirisë, populli ynë vazhdoi rezistencën gjithnjë në rritje, duke i sintetizuar vlerat e saj në Luftën për liri a vdekje të organizuar dhe të udhëhequr nga Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Pas një nate të gjatë, sa shekujt “syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”, siç do të thoshte Noli i madh, dëshmorët tanë u kthyen në Atdhe. Në një nga shkrimet e tij lapidare, Kadri Zeka citonte këto fjalë të Sami Frashërit: “Kush nuk derdhë një pikë gjak për tokën e vet, kush nuk jep asnjë qindarkë, ai s’ka të drejtë dhe të varroset në të”. Kadriu, Jusufi e Bardhoshi e meritojnë atdheun më parë dhe më shumë se secili prej nesh. Dëshmorët i falën jetën atij, prandaj ndryshe nga ne të gjallët e përkohshëm, ata mbeten gjallë përhershëm. Ata i duhen sot Kosovës, sikur njëzet a tridhjetë vjetë më parë; i duhen në gjithë jetën, sepse janë krenaria, nderi dhe burimi i pashterrshëm i frymëzimit të të gjithë brezave për t’ u flijuar te këmbët e saj. Sikur që nuk shkuan nga këtu për të shpëtuar veten, por Kosovën, vëllezërit tanë dëshmorë erdhën sot, jo të çmallen me të, siç ëndërronin, por t’i bëjnë roje lirisë së saj, në altarin e së cilës ranë dëshmorë.
Vetëm popujt që nderojnë dëshmorët e meritojnë lirinë. E ky popull mirënjohës i meriton dëshmorët dhe lirinë, sepse përkulet para tyre. Por Lëvizja jonë kombëtare, në rrugë të sëndërtimit të amanetit të tyre, duhet të bëjë më shumë se kaq; ajo duhet të mësojë dhe të mësojë pareshtur nga libri i shenjtë i jetës dhe veprës së dëshmorëve. (Mehmet Hajrizi)
Kommentare
Kommentar veröffentlichen