U kthyen në Kosovë eshtat e dëshmorëve Gërvalla e Zeka

Prishtinë, 25 shkurt (QIK)- Më shumë se 20 vjetë pas vrasjes tinëzare në Shtutgard një aeroplan gjerman solli në Kosovë eshtrat e atdhetarëve të paepur për kauzën tonë kombëtare Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Me këtë rast me mijëra qytetarë të Kosovës ishin mbledhur në sheshin kryesor të Prishtinës "Skënderbeu" për t'u bërë homazhe këtyre dëshmorëve të kombit, eshtrat e të cilëve u sollën këtu dhe u rivarrosën në vendlindjet e tyre. Në këtë ceremonial ishin të pranishëm edhe familjarët, personalitete të jetës publike të Kosovës dhe ndërkombëtarë, si dhe shumë miq të vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës.

Duke iu drejtuar në këtë ceremonial masës së mbledhur kryetari i Kuvendit të Kosovës akademik Nexhat Daci tha se vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin atdhetarë që synim të jetës kishin çlirimin e Kosovës dhe inkuadrimin e saj në Evropë. "Shpirti juaj liridashës ishte në Kosovën dhe kosovarët atëherë kur zhvillonit betejat tuaja ilegale, kur morët rrugën e kurbetit në një vend mik të kosovarëve, ishte me kosovarët kur mundoheshin ta hapnin autostradën evropiane të lirisë dhe të demokracisë", tha z. Daci.

Tre veprimtarët shqiptarë: Jusuf e Brdhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka u larguan ilegalisht nga Kosova në fillim të viteve të 80-ta nga frika e ndjekjes nga Shërbimi Sekret jugosllav për shkak të veprimtarisë së tyre politike. Ata u vranë më 17 janar të vitit 1982 në një qytezë të Gjermanisë me një atentat akoma të pasqaruar, për të cilin besohet të jetë kryer nga Shërbimi Sekret jugosllav. Ata ishin organizatorë të veprimtarisë politike ilegale atë botë brenda në Kosovë dhe në perëndim që për qëllim kishte arritjen e shtetësisë për Kosovën.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci tha para mijëra qytetarëve të Kosovës se ardhja e eshtrave të tre atdhetarëve shqiptarë ka një simbolikë të veçantë meqë ata e gjejnë Kosovën ashtu siç kishin dëshiruar. 

Eshtrat e dëshmorit Kadri Zeka e nderuan pjesëtarët e TMK-së të cilët e shoqëruan për në Gjilan, ndërsa eshtrat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës nuk i shoqëruan pjesëtarët e TMK-së, pohoi shefi për informim i Shtabit të përgjithshëm të TMK-së Shemsi Syla për shkak se familja Gërvalla nuk i kishte lejuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës të shoqërojnë eshtrat e bijve të tyre për në varrezat e vendlindjes.

Dr.Rugova tha se për shkak të veprimtarisë së tij ai u përzu nga atdheu, duke shtuar se sikundër edhe në Gjermani ai iu kushtua veprimtarisë së tij politike dhe kombëtare për lirinë e Kosovës. "Jusufi kurrë nuk u ndal, por pranë vetes tuboi të gjithë bashkatdhetarët, ngase gjithmonë ishte për një bashkim kombëtar në të mirë të Kosovës", - deklaroi kryetari i LDK-së. Por, sipas dr.Rugovës, duke e parë rrezikun nga ky organizim, ai u likuidua fizikisht për ta shuar atë organizim, të cilin nuk arritën ta shuajnë kurrë. "Sot mund të themi se Jusufi i ka vrarë ata", - tha Rugova për të vazhduar se "Jusuf Gërvalla i takon brezit të parë të shkolluar komplet në Universitetin e Prishtinës, i cili ishte qendër shpirtërore e Kosovës e Jusufi i takon atij brezi që u përcaktua për pavaërsinë e Kosovës, për integrim në Evropë të kombit shqiptar", - tha Dr.Rugova.

Kryetari i LDK-së në vazhdim theksoi se "idealet e tyre ishin bazë e mirë, që të bashku me miqtë tanë, të krijojmë shtetin tonë për të cilin ëndërronte Jusuf Gërvalla".

Rugova falënderoi të ëmën e dëshmorëve, nënën Ajshe dhe anëtarët e tjerë të familjes për kontributin e tyre dhënë çështjes kombëtare për Kosovën.

Në këtë ceremoni foli edhe Zekeria Cana i cili bëri thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve. "Na vijnë djemtë e Kosovës në Kosovën e përplakur por krenare me qendresë të pamposhtur për të qëndruar, për të jetuar për të sotmen dhe të nesërmen tanë", tha z. Cana.

Ndërkaq në emër të familjes Gërvalla falenderoi pjesëmarrësit në këtë rivarrim i biri i Jusufit, Premtoni. "Ardhja e juaj këtu është një ngushllim dhe një nderim i madh për ne familjen, por mbi të gjitha është një nderim dhe respekt i thellë për jetën dhe veprën e këtyre dy bijëve të Kosovës tonë të dashur. Puna dhe jeta e mixhës dhe vëllait të tij u ndërpre nga plumbat e armiqëve tanë shekullor para 20 vitesh. Bashkë me ta atë natë të 17 janarit 1982 u vra edhe një shok i tyre i nugshtë Kadri Zeka" tha Premton Gërvalla. Në vijim të fjalës së tij ai theksoi se pas 20 vitesh shumë të gjata përplotë me vuajtje e sakrifica jo vetëm të familjeve tona, por të mbarë popullit të Kosovës erdhi edhe kjo ditë fatlume, që këtij trualli të përgjakur t'ia kthejmë bijt e tij Jusufin, Kadriun dhe Bardhoshin.

Ndryshe, para rivarrimit të dëshmorëve, kryetari Rugova e vizitoi familjen Gërvalla dhe nënës Ajshe i dhuroi një medalon të arit me portretin e Nënes Tereze.


Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?