Jusufi ishte në ballë të forcave të progresit historik - Intervistë me z.Kadri Rexha- Epoka e Re

Epoka e re

JUSUFI ISHTE NË BALLË TË FORCAVE TË PROGRESIT HISTORIK

EKSKLUZIVE - Në 60-vjetorin e lindjes së Jusuf Gërvallës, intervistë me Kadri Rexhën, bashkëpunëtorin dhe jetëshkruesin e Jusufit
Intervistoi: LULËZIM ETEMAJ
Më 1 tetor të këtij viti mbushen 60 vite nga lindja e Jusuf Gërvallës, intelektualit të shquar dhe ideologut e prijësit të përkushtuar të çlirimit të shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare të mbetura nën ish-Jugosllavi, si dhe bashkimit të tyre me vendin amë- Shqipërinë. Për të hedhur sa më shumë dritë mbi veprimtarinë politike në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare si dhe krijimtarinë e tij të pasur letrare, muzikore e publicistike, për lexuesit e “Epokës së re” bashkëbiseduam me bashkëpunëtorin, mikun, dhe tani jetëshkruesin më të suksesshëm të Jusuf Gërvallës, Kadri Rexha.

EPOKA E RE: Miqësia juaj me Jusuf Gërvallën fillon që në vitin 1968. A ju kujtohen përshtypjet e para dhe a mund të na thoni si u mbajt edhe më vonë kjo miqësi?

 REXHA: Emrin e Jusuf Gërvallës për herë të parë e kam dëgjuar nga vëllai im më i madh, Rexha, i cili ishte njëri ndër shokët e Jusufit në Gjimnazin e Pejës. Ne asokohe kishim radio dhe jo vetëm unë por të gjithë anëtarët e familjes e dëgjonim dhe e donim këngën e Jusufit. Më vonë, në vitin 1968, gjatë studimeve, po ashtu përmes Rexhës, gjithashtu student, do të njoftohem edhe personalisht me Jusufin. Në bisedë me Rexhën, duke evokuar kujtime nga jeta shkollore në Gjimnaz, Jusufi më la përshtypjen e një personi të hapur, të çiltër, të ngrohtë, të dashur, të afërt dhe të mahitarit. Gjatë këtij viti dhe më vonë me Jusufin do të bisedojmë edhe në katedrën e Albanologjisë dhe gjetiu, kur ai, si student me korrespondencë, herë pas herë, nga Shkupi vinte në Prishtinë. Tashti te Jusufi shihja personin që ka përvojë, dituri, që flet prajshëm dhe bukur dhe që ka aftësi të padukshme që t'i afrojë njerëzit rreth vetes. Sidomos, gjatë vitit të tretë dhe të katërt të studimeve, kur banonim në një dhomë unë dhe Skënder Blakaj (mik i Jusufit që nga fëmijëria), Jusufin do ta kemi mysafir të shpeshtë. Jusufi vinte tek ne si në shtëpi të vet. Ardhjes së Jusufit në shtëpinë e studentëve i gëzoheshim jo vetëm ne, por edhe shokët tonë, ardhja e tij përjetohej si festë. Për çfarë nuk bisedonim. Tema rinore dhe tema të “rënda”, tema të lira dhe tema të ndaluara. Gjithmonë gjendej edhe një kitarë për Jusufin.

Dhe, ai, për qefin tonë, nuk përtonte fare: e mbushte me këngë jo vetëm dhomën tonë por krejt konviktin. Të gjithë këndonim së bashku. Nuk çante kokë kush a ka kund pushtet. Ishin ato vite ëndrrash të mëdha dhe entuziazmi të pashoq. Punohej shumë dhe kishte qëllim. Ishim gjeneratë dhe pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1968 dhe kishim pse të ndiheshim krenarë. Asokohe kudo në Kosovë ndjehej një rilindje shpirtërore dhe një rilindje shoqërore. Pas viteve të studimeve, sidomos kur Jusufi filloi punën si gazetar në të përditshmen “Rilindja”, miqësia mes meje e Jusufit u forcua sa takimet dhe ndejat tona do të shtohen dhe më vonë do të kalojnë edhe në net të tëra. Shumë biseda, shumë plane, shumë diskutime, shumë kujtime nga ajo kohë.

Jusufi kishte shumë miq, vërtet shumë miq, por ndër miqtë e tij më intimë isha edhe unë. Me Jusufin ishim të hapur edhe për gjëra personale edhe për gjëra familjare. Kryesisht këto biseda, më vonë, më kanë hyrë në punë për jetëshkrimin e Jusufit në librin “Fati i luleve”.

JUSUFIN NATYRA E KISHTE PAJISUR ME TALENT TË RRALLË DHE GUXIM TË PASHOQ

EPOKA E RE: Jusuf Gërvalla, intelektual i shquar dhe figurë poliedrike e viteve '70, talentin dhe aftësitë e tij i shfaqi në gazetari, në komponim dhe interpretim, në poezi, prozë, dramë etj. Çfarë e dallon atë në plejadën e krijuesve kosovarë të kulturës sonë kombëtare?

REXHA: Vërtet Jusuf Gërvalla qe intelektual i shquar dhe figurë shumëdimensionale e kohës. Jusuf Gërvallën natyra e kishte pajisur me një shpirt hipërsensibil dhe me një talent të rrallë artistik, por mbi të gjitha, natyra, atij ia kishte dhuruar një guximin të pashoq. Qysh në bankat e gjimnazit aftësitë e tij do të shpërthejnë në fusha të ndryshme: loja me kitarë, kënga, aktrimi, poezia, piktura. Më vonë dhuntitë dhe kërshëritë e gjëra të tij do të orientohen në interpretim, në komponim, në gazetari dhe në letërsi. Dhe në secilën gjini ai do të japë rezultate të dorës së parë.

Nuk është e rastit që Jusufi asokohe mbante epitetin: Styliani ynë, Lorka ynë, Neruda ynë. Jusufi punonte pandërprerë, punonte shumë, jo vetëm nga parandjenja, por sepse ishte më se i sigurt se puna e tij, herët apo më vonë, do të ndërprehej me dhunë: ose me burg ose me plumb. Prandaj, ai shpejtonte ta bënte edhe natën ditë. Të mos harrojmë, ai njëherë për pak kohë e kishte provuar burgun, ndërsa që nga viti 1975 bëhet anëtar i organizatës ilegale LNÇKVSHJ, si ideolog i të cilës, më vonë, do ta gjejë edhe vrasja tragjike.

Jusufi kishte dije të thellë të arteve, sidomos të filozofisë së arteve, të shkencave natyrore, shoqërore dhe historike, duke filluar nga antika e deri tek rrymat dhe drejtimet e shumta të shekullit tonë. Por mbi të gjitha ai e njihte shkëlqyeshëm traditën historike, kulturën kombëtare dhe filozofinë e popullit të vet në të gjitha aspektet.

Këtë pohim timin e ilustron më së miri vepra e tij: këngët, poezia, tregimet, romani dhe publicistika e Jusufit. Të theksojmë se vepra e Jusufit doli në dritë në kohën më të thirrshme, kur një pjesë e poezisë sonë, sidomos ajo e krijuesve të rinj, po vritej nga hermetizmi, nga steriliteti i figurave, nga pagjakësia dhe nga monotonia, ndërsa publicistika e kohës, me përjashtime të rralla, po ecte hullisë së trasuar të bashkëjetesës dhe vëllazërim-bashkimit jugosllav. Vepra e Jusufit, asokohe, nga kritika letrare cilësohej se po sillte “një kthesë dhe një ton të ri në rrjedhat e poezisë së sotme te ne”. Natyrisht, Jusufi i kishte premtuar lexuesit dhe në mbarë veprën e tij letrare do ta mbante fjalën: ndërmend s'e pata të bëhem poet i çmendur/ urtësi qartësi do t'i kem fjalë të para/ në ngushticë do të jem me ju/ për ju në festë do të këndoj. Sepse atdheu i tij i robëruar, ku: kahdo ka tokë nën këmbë por askund qiell mbi kokë, kërkonte zë të ri dhe angazhim tjetër. Dhe, duke u përpjekur, që me fjalë ta krijojë këtë “qiell mbi kokë” ai me poezinë e tij sillte: pak frymë njeriu e pak dritë qiriri. Lexojeni një herë me përkushtim veprën letrare të Jusufit dhe do të bindeni! Jo vetëm tema për njeriun dhe për ambientin, jo vetëm refleksionet e brendshme, jo vetëm imazhet plot ngjyra të gjalla, jo vetëm malli për një botë të largët dhe për frymën që zgjon, por kënga dhe vepra letrare e Jusufit, në qenësinë dhe në bërthamën e saj, e tëra është jetë, e tëra është dashuri, e tëra është liri, e tëra është shqiptare, e tëra është njerëzore. Pastaj, Jusufi la të përkthyera në shqip pjesë apo vepra të plota të Xhojsit, Kafkës, Asturiasit, Kishit, Zllobecit, Marinkoviqit, Selimoviqit etj. Ndërsa në gjuhën serbokroate me përkushtim të veçantë përktheu poezi dhe prozë të Teki Dërvishit dhe të autorëve tjerë. Prandaj, sipas mendimit tim, Jusuf Gërvallën nga plejada e krijuesve shqiptarë të Kosovës e dallojnë cilësi të theksuara, si: talenti i jashtëzakonshëm artistik, pajisja thelbësore me dituri të “leme” dhe të “bleme”, dashuria dhe serioziteti për secilën punë që do ta fillojë dhe në fund qëllimi i caktuar i secilës punë të nisur. Jusufi nga plejada e krijuesve shqiptarë të Kosovës dallon edhe për një cilësi të veçantë dhe të rrallë: gatishmërinë supreme për flijim në themelin e aspiratave të larta të popullit dhe të atdheut të tij: “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s'do të ketë forcë që të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme...”. Ky betim i Jusufit nuk ishte një deklaratë e thatë e as pozë e personit që atdhetarizmin e ka tregti, por ishte ideal i shenjtë që u bë realitet në fushën e nderit. “Pa ideal s'ka fitore në asnjë luftë”, ishte besimi i patundur i Jusuf Gërvallës. Bëjeni, ju lutem, vetëm këtë krahasim: Jusufi gjithçka që pati, edhe atë më të shtrenjtën, jetën, ia fali idealit të tij, popullit dhe atdheut, ndërsa prijësit tanë, intelektualë dhe krijues, sot, me një revan të shfrenuar, po të njëjtin atdhe, po përpiqen ta shndërrojnë në para xhepi apo në pasuri të patundur personale.

JUSUFI I TAKONTE QERTHULLIT TË OPOZITËS SË PASHPALLUR LETRARE NDAJ POZITËS LETRARE ZYRTARE

EPOKA E RE: Në vitin 1978 u botua libri poetik i Jusuf Gërvallës me titull simbolik “Kanjushë e verdhë”. Në monografinë për J. Gërvallën “Fati i luleve”, shkurtimisht theksoni se me rastin e botimit të këtij libri dhe të tre librave të tjerë gjatë atij viti redaksia e “Zërit të rinisë” e organizoi një tryezë diskutimi të frytshëm. Thuhet se diskutuesi më i zëshëm në atë tryezë ishte Sabri Hamiti. A mund të na thoni diçka më gjerësisht lidhur me diskutimin e tij rreth këtij libri?

REXHA: Në atë tryezë publike, të udhëhequr nga Shaip Beqiri, kanë marrë pjesë: Ali Aliu, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Emin Kabashi, Arif Demolli, Xhemail Mustafa, Ramadan Musliu, Jusuf Gërvalla, Demë Topalli, Nexhat Halimi, Frrok Kristaj etj. Gjatë diskutimeve rreth librit “Kanjushë e verdhë”, Sabri Hamiti nuk do të pajtohet me pohimet e kritikëve tjerë lidhur me disa çështje të poezisë së Jusufit. Se si u shpreh ai lidhur me poezinë e Jusuf Gërvallës, po i sjelli këtu disa mendime të tij, të cilat janë të botuara në “Zërin e rinisë”: “Libri i J. Gërvallës është vazhdim i të parit (“Fluturojnë e bien”). Për këtë libër u përmend sinqeriteti, spontaniteti, kthimi etj., por edhe kthesa që bën ky libër në poezinë tonë. Unë nuk e shoh këtë dhe s'pajtohem. Padyshim këtë mënyrë të shkrimit autori do të detyrohet ta braktisë, sepse ajo domosdo do të shtirret. (...). Këtë mënyrë të shkrimit, që dikush e përmendi si kthesë, e kemi që në fillim të krijimtarisë sonë poetike të pasluftës në Kosovë. (...). E dini sa fyelli bie, sa kroi gurgullon, sa livadhi e elemente tjera gjenden në poezinë tonë. (...). Jusuf Gërvalla i është kthyer edhe një herë mënyrës së shkrimit që përmenda më parë, por atë e ka shprehur me një gjuhë tjetër. Them që këtu nuk është fjala për ndonjë spontanitet, që e përmendi dikush më parë, po për një akumulim përvoje, i cili është interesant për arsye se vjen pas një përvoje bukur të gjatë të poezisë sonë. Po ashtu u tha se kjo poezi është e lezetshme, gjë që s'është ndonjë garancë qenësore për vlerën e një poezie”.

Natyrisht me mendimet e Sabri Hamitit dhe të ndonjë tjetri nuk do të pajtohet as Jusuf Gërvalla, i cili në fund të diskutimeve do të shprehet: “S'ka mundësi objektive lexuesi apo kritiku të marrin akëcilin libër njësoj si vetë autori. (...). Po qe se në një libër ekziston një vjershë e realizuar për mendjen time ajo e arsyeton daljen e librit. Gjithashtu mendoj se librin duhet shikuar brenda vetvetes, si qenie artistike, pastaj të thuhet ndonjë fjalë për të. Kur u fol për librin tim, si shumë u përmend fshati, idilika, rustika etj. Them që ai ka pak lidhje me fshatin, aq më pak me rustikën. Fshati është vetëm një kornizë në poezinë time. Prapë them se ne ndoshta s'kemi ndonjë element urbanizimi. Në anën tjetër, s'di a duhet të kërkohet aq shumë ‘shpirti i poetit’ në këtë libër. Po ashtu them se nga frymëzimi s'është shkruar ky libër, por ai është punuar. Më në fund, libri ka dalë prej meje dhe s'di sa më takon mua”.

Mirëpo, Sabri Hamiti në fillim të viteve të nëntëdhjeta do ta bëjë një studim të gjatë për veprën e Jusuf Gërvallës, ku do t'i zgjedhë fjalët më të mira për poezinë e këtij autori. E di edhe këtë: Jusuf Gërvalla i takonte qerthullit të opozitës së pashpallur letrare ndaj pozitës letrare zyrtare të asaj kohe, së bashku me T. Dërvishin, B. Musliun, M. Ramadanin, M. Krajën dhe të ndonjë shkrimtari tjetër.

ANËTARËSIMI I JUSUFIT NË ORGANIZATËN LËVIZJA NACIONALÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE VISEVE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI

EPOKA E RE: Jusuf Gërvalla ishte njëri ndër udhëheqësit më aktivë të LNÇKVSHJ-së. Cila ishte platforma politike e kësaj organizate?

REXHA: Anëtarësimi i Jusuf Gërvallës në organizatën Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), daton nga viti 1975. Organizata në fjalë ishte vazhdimësi e organizatës Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, e themeluar në vitin 1963 nga Adem Demaçi. Platforma e kësaj organizate, apo “qëllim i parë dhe i fundit i Lëvizjes ishte sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shumicë prej shqiptarëve që gjenden ende nën administrimin e Jugosllavisë, dmth. çlirimi i krahinave shqiptare, të aneksuara prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyre krahinave me nënën e vet- Shqipërinë”. Dhe, lidhur me realizimin e këtij qëllimi Lëvizja shpallte botërisht se do të përdorte të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme- “prej atyre politiko-propagandistike, mjete paqësore e deri te lufta e armatosur dhe kryengritja e përgjithshme popullore - mjetet jopaqësore”. Edhe pse ideologët e kësaj Lëvizjeje, në vazhdimësi, do të burgosen apo do të arratisen jashtë atdheut, organizata në fjalë nuk do të shuhet, por do të përtërihet dhe do të rritet vazhdimisht.

Jusuf Gërvalla në numrin e parë të organit “Lajmëtari i lirisë” (1980) platformën politike të Lëvizjes e shpalos me këto fjalë: “Kemi nderin, që në kushte jashtëzakonisht të vështira të ilegalitetit, të dalim para lexuesit shqiptar me një revistë të përdymuajshme, që e kemi emërtuar ‘Lajmëtari i lirisë’. Shpresojmë se nëpërmjet këtij organi do t'ia dalim me sukses të bëhemi zëdhënës të aspiratave të djalërisë shqiptare të Kosovës, e cila nuk e ndal dot luftën për çlirim nga robëruesi i egër jugosllav dhe për bashkim me vendin amë, Shqipërinë. Kështu shpresojmë të plotësojmë edhe një detyrë, një dimension të luftës sonë të përgjithshme: të demaskojmë botërisht armikun tonë shekullor, qeverinë shoviniste të Beogradit, dhe t'u bëjmë jehonë ideve dhe veprimeve të lëvizjes së përgjithshme nacionalçlirimtare në pjesën e robëruar të atdheut tonë, në tokat shqiptare të robëruara nga Jugosllavia...”.

Edhe pse programi dhe statuti i Organizatës do të rishkruhet dhe do të pasurohet edhe në të ardhmen, në esencë, pra në thelbin e saj: bashkimi i Kosovës dhe i viseve shqiptare në ish-Jugosllavi me Shqipërinë nënë, do të ruhet me konsekuencë deri në vitin 1981, kur e tërë Kosova do të shpërthejë në demonstrata të përgjithshme.

DEMONSTRATAT E VITIT 1981, “LAJMËTARI I LIRISË” DHE “ZËRI I KOSOVËS”

 EPOKA E RE: Po, në vitin 1981 shpërthejnë demonstratat në Kosovë të cilat i karakterizon kërkesa kryesore: Kosova Republikë. Çfarë mund të thoni për rolin e Jusuf Gërvallës dhe të LNÇKVSHJ-së, meqë kërkesa në fjalë, megjithatë, nuk përputhej plotësisht me frymën e tyre politike?

REXHA: Gjatë demonstratave të marsit dhe të prillit në Kosovë, në të njëjtën kohë, do të shpalosen dy parulla kryesore: “Bashkim” dhe “Kosova Republikë”. Mendjet e ndërgjegjshme si dhe forcat e organizuara patriotike, të cilat nuk e kishin paraparë një shpërthim aq të furishëm e aq masiv, duke e vlerësuar situatën e përgjithshme ndërkombëtare si dhe situatën e brendshme mbarëshqiptare, ndikuan që për momentin të dominojë kërkesa e dytë. Pra, uragani i demonstratave të fuqishme të popullit të Kosovës, si edhe te organizatat tjera patriotike ilegale të kohës, ashtu edhe te LNÇKVSHJ-ja do të ndikojnë të bëhet një kthesë taktike në punën e mëtejshme, duke mos e cenuar kështu në vijë strategjinë e luftës së popullit shqiptar në perspektivën e saj. Këtë ndryshim taktik të platformës së Organizatës së tij Jusufi e shpjegon me konstatimin se Lëvizja ka “programin maksimum: luftën për realizimin e të drejtës demokratike për vetëvendosjen e popullit tonë deri në shkëputje, që është lufta për pavarësinë e plotë kombëtare e shoqërore të shqiptarëve në Jugosllavi”, si dhe “programin minimum të luftëtarëve të lirisë - luftën për Republikën e Kosovës, që s'është gjë tjetër pos lufta për autonominë e popullit shqiptar në Jugosllavi”. Lidhur me programin minimum Jusufi mbante këtë qëndrim: “S'ka kurrfarë dyshimi se kur të tregohet jo objektive pritja e mëtutjeshme për kërkesën Kosova Republikë, populli do të dijë ta hedhë vetë poshtë dhe të dalë me kërkesën dhe qëllimin e tij të fundit që është, ka qenë dhe do të jetë: bashkimi i ligjshëm i të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre kombëtar”.

Gjatë vitit 1980 dhe 1981 e deri në vrasjen e tij, Jusuf Gërvalla, për shkaqe tani më të njohura, aktivitetin e vet politik dhe patriotik e zhvillon në Evropën Perëndimore, në mesin e emigracionit tonë politik dhe ekonomik. Nga RF Gjermane, ku ishte i strehuar politikisht, me Kosovën mbante kontakte të vazhdueshme dhe në mënyrë të veçantë me kryetarin dhe me kryesinë e “Komitetit të Deçanit”, si krah i ri dhe i fortë i LNÇKVSHJ-së, i cili me aktivitetin e vet e mbulonte mbarë Dukagjinin si dhe Universitetin e Kosovës. Në prag të demonstratave të marsit 1981, nga dheu i huaj Jusufi lëshonte sihariqin kushtrimtar: “Po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe! Do ta derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë dhe do të ngadhënjejmë mbi armiqtë e mbi tradhtarët e çdo ngjyre. Dita e lirisë po afrohet. Po vjen dita që armiku e tradhtari të japin llogari për krimet e poshtërsitë e bëra mbi popullin tonë... Vetëm të bashkuar e të vendosur, me besën e madhe shqiptare, do të arrijmë në fitoren tonë të sigurt...”.

Shpërthimi i demonstratave Jusuf Gërvallën e gjeti të përgatitur në nivel të detyrës. Ngjarjeve të përgjakshme të Kosovës u dha përkrahje të madhe. Së pari filloi ta sqarojë opinionin ndërkombëtar lidhur me gënjeshtrat dhe dezinformatat e lansuara nga Beogradi. Pastaj ndërmori masa lidhur me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Sidomos pas tragjedisë së saj, ndërmori një veprim aktiv në planin e organizuar politik, i cili do të merrej me frymëzimin dhe orientimin e veprimeve e aksioneve të ardhshme në Evropën Perëndimore dhe kudo në botë. Së bashku me udhëheqës të organizatave tjera, e sidomos me përfaqësuesin e OMLK-së, Kadri Zeka, zhvilloi një bashkëpunim të frytshëm. Fryt i aktivitetit të tyre të përbashkët, në mes tjerash, ishin edhe demonstratat që u mbajtën në Bern, Cyrih, Gjenevë, Shtutgard, Dyzeldorf, Mynih, pastaj në Francë, Belgjikë, Suedi, SHBA etj., ku morën pjesë me dhjetëra mijëra mërgimtarë shqiptarë dhe qytetarë të vendeve përkatëse. Lidhur me rolin e LNÇKVSHJ dhe të Jusuf Gërvallës në demonstratat e vitit 1981, fjalën e vet do ta thotë historia, por një gjë dihet botërisht: nuk është zhvilluar asnjë proces politik në gjykatat serbe të Kosovës gjatë viteve të tetëdhjeta ku të mos jetë përmendur emri i Jusuf Gërvallës dhe gazetat e tij “Lajmëtari i lirisë” dhe “Zëri i Kosovës”.

17 JANARI I VITIT 1982 DHE SHFAQJA E ELEMENTËVE QË U PËRPOQËN T'IA LEHTËSOJNË BARRËN E KRIMIT SERBISË

 EPOKA E RE: Siç dihet, jeta dhe vepra e Jusufit u ndërpre me dhunë nga plumbat e armikut tonë shekullor, por ende nuk u zbuluan vrasësit?!

REXHA: Nga akti tragjik i Shtutgardit, ku gjetën vrasjen nga prita e organizuar vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, po bëhet gati një çerek shekulli dhe nata e 17 janarit 1982 ende po vazhdon të jetojë mes nesh si ankth, si enigmë, si mister. Shqiptarët, i madh e i vogël, e dinë qind për qind se kjo vrasje ishte vepër e Serbisë, me dorë dhe me plumb. Këtë të vërtetë e ka pohuar edhe Jusufi me plumbat vdekjeprurës në trupin e tij. Në pyetjen e policisë gjermane: Kush iu vrau? Jusufi, i shtrirë për vdekje në spital, me vetëdije të plotë, do të përgjigjet shkurt: “Policia sekrete jugosllave, e quajtur UDB-a”. Ndonëse djemtë e Kosovës u vranë në shtëpi dhe në besë të saj, Gjermania këtë vrasje me karakter politik e mbuloi me terrin e heshtjes. Po kështu gjatë këtyre dekadave të rënda populli shqiptar nuk pati as shërbime të forta informative që merren me zbulime të kësaj natyre. Aq më keq, në mungesë të një institucioni të këtillë, si zakonisht, erdhi në shprehje shfaqja e elementëve të papërgjegjshëm që u përpoqën t'ia lehtësojnë barrën e krimit Serbisë duke lakuar emra të ndryshëm dhe duke bërë me gisht edhe në drejtim të bashkëpunëtorëve të martirëve me pyetjen e vazhdueshme: Kush i vrau?!... Jusufi me përgjigjen e tij ishte shumë më i kthjellët dhe shumë më i vetëdijshëm në sahat të vdekjes sesa ky element shpifës që për shumë kohë vazhdoi të njollosi djathtas dhe majtas. Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi nuk kishin pasuri dhe as nuk kishin pozita shtetërore ku mund t'u bëhej grushtshtet apo atentat nga lakmitarë dhe soji i tyre për t'ua plaçkitur pasurinë apo për t'ua zënë atyre vendin në piramidën e pushtetit. Aktiviteti, puna dhe “pozita” e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit nuk sillte pasuri marramendëse por kërkonte harxhime të konsiderueshme mbinjerëzore: punë mendore, energji fizike, mundime shpirtërore, para, djersë dhe gjak. Për ata që ishin të gatshëm për këto vuajtje dhe për këto sakrifica kishte vende të mjaftueshme në themelet e asaj ngrehine që nuk i shihej as fundi. Për luftëtarë të lirisë në vijën e parë të frontit kundër Serbisë atdheu kishte nevojë, jo vetëm për burrat dhe gratë e Kosovës, por edhe për gurët dhe për lisat e malit. Sa e sa herë këtë të vërtetë Jusufi e ka dëshmuar me gojë të vet. Në “netët dhe ditët e arratisë së hidhur” të tij, gjatë procesit të përgatitjes së gazetës për shtyp, me dhjetëra herë Jusufi do të shprehet: “Ah, sikur t'i kisha këtu Tekiun dhe Mehmetin...”. Por, për militantë si Jusufi, si Kadriu dhe si Bardhoshi, Serbia kishte vetëm një shpërblim: plumba dhe varre! Ose, siç shprehej Jusufi në një poezi: ka varre për këta njerëz në tokën e shkelur të Kilit. Nuk përjashtohet, as në këtë rast, që dorasi, krimineli, vrasësi i të tre martirëve, të ketë qenë shqipfolës, dhe që krimin ta ketë bërë i shtyrë nga lakmia për para të ndyra, për një gradë më të lartë UDB-eje, apo për një lëvdatë shkau, ashtu siç ka ngjarë shpesh në traditën tonë historike, por kjo gjë nuk ia pastron duart fare gjakatares Serbi.

JUSUFI KA PASUR SHUMË MIQ DHE SHUMË ADHURUES

EPOKA E RE: Sidomos pas vitit 1990 opinionit në Kosovë iu shfaqën shumë miq, bashkëveprimtarë dhe përkrahës të Jusuf Gërvallës. Sa korrespondon kjo me realitetin, dhe, vërtet, cilët ishin miqtë më të afërm të tij?

REXHA: Është e vërtetë se Jusufi ka pasur shumë miq dhe shumë adhurues. Ka pasur miq që i ka pritur në banesë të vet, ka pasur miq që iu ka shkuar në banesë të tyre, ka pasur të tjerë me të cilët e ka ndarë kohën për të biseduar duke e pirë një kafe në restorant, ka pasur adhurues të shumtë që e kanë ndalë në rrugë sa për t'i ndërruar dy-tri fjalë apo vetëm sa për ta përshëndetur. Jusufi ka pasur miq të shkollës fillore, të gjimnazit dhe të studimeve. Jusfi ka pasur miq në Radio Prishtinë dhe në Teatrin Kombëtar, në redaksinë “Flaka e vëllazërimit” dhe në Televizionin e Prishtinës, në Universitetin e Kosovës dhe në Bibliotekën Kombëtare, në Shoqatën e Shkrimtarëve dhe në Shoqatën e Përkthyesve, në Galerinë e Arteve dhe në redaksitë e revistave dhe sidomos ka pasur shumë miq në redaksinë e të përditshmes “Rilindja”, e kështu me radhë. Jusufi edhe gjatë dy viteve të jetës në emigrim, arrin të krijojë një numër të madh shokësh dhe bashkëpunëtorësh. Si parim jetësor Jusufi e ka pasur urtinë popullore: “Zë miq të rinj, por mos i harro miqtë e vjetër”. Shfaqjen e miqve dhe të bashkëveprimtarëve të Jusufit pas vitit 1990, që erdhi si rezultat i një demokracie të rrejshme dhe një lirie më të madhe të shprehjes me gojë apo me shkrim, e shoh të ndarë në grupime interesash të ndryshëm. Në grupin e parë, i shoh dashamirët dhe adhuruesit e Jusufit, të cilët gjatë viteve të tetëdhjeta për shkaqe të ndryshme nuk kishin guxuar haptas ta shqiptonin emrin e tij, ndërsa tashti, në rrethana të tjera, me mburrje dhe krenari pranojnë se e kanë njohur apo se edhe kanë biseduar me të. Unë këtu jo vetëm që nuk shoh gjë të keqe, por këta persona i shoh me simpati, i shoh si adhurues të Jusufit dhe si vlerësues të veprës së tij.

Në grupin e dytë, i shoh personat që, më shumë ose më pak, e kanë njohur Jusufin dhe që, tashti, në rrethana të reja, për qëllime karrieriste dhe përfitimi do të bëhen shumë të zhurmshëm. Sidomos nëpër manifestime përkujtimore dhe nëpër tubime partish politike gojët e pakontroll të këtyre personave do të çirren dhe do të përjargën me shprehjet: shok, mik, bashkëpunëtor, bashkëveprimtar..., ndërsa sytë e tyre të çakërdisur do të stolisen me spektër dritash dhe do të “lahen” me lot të valë pikëllimi. Fjalimet e tyre, të shkurta apo të gjata, vazhdimisht do të fillojnë dhe do të mbarojnë me formulimin: “Unë dhe Jusufi...” e kështu me radhë, por asnjëherë Jusufi nuk do të jetë subjekt i ligjërimit. Natyrisht, ky është grupi i profiterëve, të cilët edhe përfituan. Është edhe një grup tjetër, vërtet miq dhe dashamirë të Jusufit, një pjesë prej të cilëve edhe janë persekutuar në mënyra të ndryshme nga regjimi serb. Ky grup është më i heshturi. Shumica prej tyre sot luftojnë për kafshatën e gojës. Duket sheshit, hakmarrja ndaj tyre si dhe eliminimi i tyre tashti vazhdon në një mënyrë tjetër.

EPOKA E RE: Po bëhet gati një çerek shekulli nga vrasja e Jusuf Gërvallës. Sivjet jemi në 60-vjetorin e lindjes së tij. Jusufi u vra për ne dhe për Kosovën, po ne të gjallët e vdekshëm sa bëmë për të?

REXHA: Pa dyshim Jusuf Gërvalla sot është një nga personalitetet historike kombëtare më të mëdha. Vetë shembulli, vepra dhe akti i vrasjes së Jusufit u bë kambanë alarmi në ndërgjegjen e kombit. Prandaj, nuk është e rastit as dashuria, kujtimi dhe nderimi që Jusufit iu bë nga populli dhe që po i bëhet vazhdimisht. Figura e Jusuf Gërvallës u skalit në poezi, në prozë, në dramë, në pikturë, në skulpturë, në këngën popullore, në shënimet përkujtimore, në deklarata të miqve të tij etj. Kujtimin dhe respektin për Jusuf Gërvallën populli do ta shprehë me emërtimin e shoqatave, klubeve, shkollave, me organizimin e tubimeve përkujtimore me rastin e vdekjes, me homazhet në varrezat e fshatit Bad Canstat si dhe tashti në Dubovik, me manifestimin kulturor tradicional “Flaka e Janarit”, me emërtimin e një brigade të UÇK-së me emrin të tij, me emërtimin e një kazerme të TMK-së, me hapjen e ekspozitave të fotografive për të etj.



Por, shtrohet pyetja, sa i kemi dalë borxhit figurës së Jusuf Gërvallës? Dhe sa kemi bërë që jeta dhe vepra e këtij personaliteti të njihet në popull, sidomos nga gjeneratat e reja? Përgjigjja ime lidhur me këtë çështje është kjo: ne si shoqëri në këtë drejtim kemi bërë pak, bile shumë pak. Deri më sot vepra letrare e Jusufit (poezia, romani dhe një dramë) është ribotuar vetëm një herë, dhe kjo, me një tirazh të vogël dhe me një shpërndarje në vijë partiake. Ky ribotim i kësaj vepre nuk i ka plotësuar as përafërm nevojat dhe kërkesat e popullit. Po kështu, një pjesë e veprimtarisë së Jusufit (tregimet, shkrimet kritike për letërsinë, muzikën, filmin, intervistat dhe publicistika) ka mbetur e shpërndarë në periodikun e kohës. Një kapitull tragjik i veprës së Jusuf Gërvallës është edhe kënga: mbi dyqind këngë të interpretuara nga ai dhe të regjistruara në produksionin e Radio-Prishtinës janë zhdukur përgjithmonë nga dora gjakatare serbe. Për mostërheqjen nga fondet e radios dhe të televizionit si dhe për mosruajtjen e tyre prapë i fajësoj njerëzit tanë, që punonin në këto institucione. Pastaj, edhe ato pak këngë të tij që janë gjetur dhe që u ribotuan sivjet u përcollën me gabime të theksuara: në asnjërën këngë nuk figuron autori i muzikës e as autori i tekstit, askund nuk shënohet se në dy këngë të kësaj CD-je zëri dhe kitara e dytë janë të Bardhosh Gërvallës. Po ashtu edhe te këngët e rikënduara dhe të riorkestruara, pos gabimeve të cekura më sipër, kanë pësuar ndryshime të ndjeshme si meloditë ashtu edhe teksti. Dhe, nëse llogaritet mundi, përpjekjet dhe vepra kolosale që Jusufi e ka bërë për ne, rezulton se ne për Jusufin kemi bërë fare pak. Dhe, çka është edhe më keq, në shumë raste është provuar që figura e Jusufit të keqpërdoret. Të pamoralshmit, njerëz të paetikë dhe të paparime, e etiketuan herë si marksist-leninist e herë e herë si demokrat borgjez, herë si ekstremist të majtë e herë si ekstremistë të djathtë. Edhe partitë tona, të disiplinuara nga të huajt dhe të pavizion kombëtar, bënë gara secila në mënyrën e vet, ta përvetësojnë Jusufin dhe ta fusin figurën e tij në kornizën e tyre. Nën petkun e politizimit u propozuan çmime me emrin e tij dhe u propozuan tituj për të, të cilat ose nuk u realizuan ose u realizuan njëanshëm. Po kështu, në një klimë të acaruar të politizimit, në vend që varreza e Jusufit (e Kadriut dhe e Bardhoshit) të bëhej vend pelegrinazhi në një vend të shënuar të kryeqytetit, ashtu siç ishte në Bad Canstat për njëzet vjet rresht për shqiptarët e mbarë botës, sot, ajo, është mbuluar nga qetësia dhe heshtja, në fshatin e tij të lindjes. Shumëçka u zhvat nga gjaku dhe lavdia e Jusufit, por askund për be nuk gjendet një monument për të, as në qendër të Deçanit, as në qendër të Pejës, as në qendër të Prishtinës. Nderi dhe turpi nuk hahen me bukë, as pihen me ujë. Secili ka të drejtë të zgjedhë nga këto të dyja, varësisht nga karakteri, nga ndërgjegjja. Në këto raste Jusufi është i pafajshëm. Fajin le ta bartin mbi sup të gjallët, të gjallët e vdekshëm.

Pavarësisht të mirave dhe të ligave të bëra nga ne të gjallët, Jusufi i pavdekshëm, Jusufi tokësor dhe Jusufi hyjnor, për jetë e mot do të mbetet kolos i kombit shqiptar, dhe nuk do të ketë kornizë partiake e as kornizë lokaliste-klanore që figurën e tij ta mbërthejë brenda vetës, sot as nesër. Prandaj, sot e gjithë ditën, mbetet detyrë e shkencës së mirëfilltë që sa më parë të dalë para popullit me studime të veçanta apo me një monografi shkencore mbi jetën dhe veprën e Jusuf Gërvallës. Vepra e Jusufit është produkt i vuajtjeve dhe krajatave tona shekullore nën robërinë dhe nën terrin obskurantist serb. Ajo u shkrua me mundime të mëdha dhe u la me gjak. Vepra e plotë dhe e ndritshme e Jusufit duhet ta shohë dritën sa më parë. Ajo e tëra duhet të bëhet ushqim dhe pronë e mbarë kombit.

SHIRITI UNIKAT ME KËNGË TË JUSUF GËRVALLËS

EPOKA E RE: Në arkivin tuaj personal e keni edhe një shirit magnetofoni, unikat, me këngë të Jusuf Gërvallës. Në çfarë gjendje është ky shirit dhe a mendoni të publikoni diçka nga këto këngë që kanë mbetur?

REXHA: Shiriti me rreth një orë e gjysmë këngë dhe melodi të Jusuf Gërvallës e ka historinë e vet. Fillimi ishte i thjeshtë. Në fund të vitit 1973, ia dhashë magnetofonin Jusufit që t'mi incizonte këngët që më pëlqenin më shumë dhe sidomos një cikël këngësh që ai i këndonte dhe i përcillte me kitarë së bashku me Bardhoshin, të cilat ende nuk ishin regjistruar në fondin muzikor të Radio Prishtinës. Asokohe Jusufi thuaja e kishte lënë këngën dhe pos gazetarisë kishte filluar të shkruante poezi dhe tregime. Por, kthimi definitiv i Bardhoshit nga Sllovenia e nxiti Jusufin që edhe një here t'i kthehet dashurisë së parë - muzikës. Bardhoshi luante me kitarë për mrekulli. Ai këndonte bukur, kishte një zë të ëmbël dhe fort karakteristik. Pra, i nxitur nga Bardhoshi, Jusufi iu përvesh punës dhe kryesisht mbi tekste të zgjedhura i komponoi dhe i këndoi dhjetëra këngë, që do të mbesin edhe këngët e tij të fundit. Nga ky cikël në shiritin që posedoj unë janë këto këngë: “Njeri ku je”, “Do të kthehem nënë”, “Dita”, “Rruga që shkela dikur”, “Ende paska njerëz”, “Ikja e Mojsi Golemit”, “Baladë nizamësh”, “Mrika”, “Mos të të trembë boria” dhe ndonjë tjetër. Këngët e kënduara nga Jusufi, me zërin e dytë si dhe me kitarën e dytë, i shoqëron Bardhoshi. Në këtë shirit Bardhoshi paraqitet solo vetëm me këngën “Rruga që shkela dikur”. Shumica e këtyre këngëve janë të kënduara live, ndërsa tjerat janë të incizuara nga radioja. Në ndërkohë magnetofoni do të prishet, por shiritin me këngë të Jusufit do t'i ruaj me xhelozi të madhe. Pas rënies time në burg, rreth ruajtjes së këtij shiriti do të angazhohen shoqja ime, motra dhe vëllezërit. Varësisht nga valët e bastisjeve, ky shirit do t'i ndërrojë edhe vendet e strehimit që nga Prishtina e deri në Cërrcë, që nga një skutë në një skutë tjetër. Ndonëse shtëpitë tona Serbia i bëri shkrumb e hi, në saje të kujdesit ky shirit shpëtoi, shpëtoi si një testament i shenjtë. Nga ky shirit, në vitin 1985, një kopje i është dhënë arkivit të LPRK-së dhe dy- tre personave tjerë. Disa këngë nga ky fond ia kam dhënë Radio Kukësit si dhe autorit të emisionit televiziv dokumentar me titull: “Ç’ke bërë sot për Kosovën”. Ky shirit magnetofoni, origjinali, tashti gjendet në arkivin tim. Se në çfarë gjendje ndodhet këtë duhet ta konstatojnë ekspertët. Nëse, për shkaqe të cilësisë, nuk mund të publikohet diçka nga ky fond i mbijetuar, nga një kopje e këtij shiriti do të bëhen pronë e dy bibliotekave tona kombëtare si dhe e dy arkivave tona shtetërore. Këto këngë kanë vlerë të padiskutueshme historike.

VAZHDIMISHT NË ANËN E SË RESË, NË BALLIN E FORCAVE TË PROGRESIT HISTORIK

EPOKA E RE: Në fund, duke qenë se më 1 tetor të këtij viti

 mbushen 60-vjet nga lindja e Jusufit dhe se pikërisht ky është edhe shkaku i kësaj interviste, na intereson edhe një gjë tjetër: sikur të mos ndodhte ajo që ka ndodhur në realitet, a mund ta përfytyroni pozitën, vendin e Jusuf Gërvallës sot?

 REXHA: Vërtet pyetje e vështirë. Megjithatë, sado që mund të tingëllojë si spekulim, po e them mendimin tim. Me Jusuf Gërvallën më lidhë një miqësi mbi dhjetëvjeçare. Duke qenë afër tij, në ditë të mira dhe në ditë të vështira, besoj se kam arritur t'i njoh edhe karakteristikat e personalitetit të tij. Prandaj, marr guxim të pohoj, se Jusuf Gërvalla, edhe sot, në 60-vjetorin e lindjes së tij nuk do të ishte person tjetër pos atij që ka qenë gjatë gjithë jetës së tij të shkurtër. Natyrisht, sot, vepra e tij letrare do të ishte shumë më e vëllimshme dhe artistikisht shumë më e pasur. Po kështu me Jusuf Gërvallën çështja e Kosovës dhe në përgjithësi çështja mbarëshqiptare, nëse nuk do të ishte e zgjidhur plotësisht, së paku do të ishte shumë më afër zgjidhjes optimale. Me Jusuf Gërvallën Kosova do të ishte në një pozitë shumë më të favorshme për zgjidhje sesa që është sot. Është i njohur roli i personaliteteve në momente të caktuara historike. Ndërsa Jusufi ishte figurë e dëshmuar dhe i kishte të gjitha cilësitë e një personaliteti të tillë. Jusufi ishte edhe shkrimtar, Jusufi ishte edhe politikan. Jusufi ishte edhe diplomat. Jusufi ishte edhe gjeneral. Jusufi kurrë nuk ka besuar se Serbia do ta braktisë Kosovën pa një luftë të tmerrshme për jetë o për vdekje. Sidomos gjatë vitit 1978 dhe 1979 Jusufi, me të madhe, propagandonte idenë e luftës së domosdoshme kundër Serbisë. Gjithçka arsyetohet dhe shpaguhet kur fëmijët tanë do të rriten në atdheun e tyre të lirë, shprehej ai. Në ditët e para të ekzilit, në një intervistë dhënë një gazete gjermane pohon se faza e parë e luftës në Kosovë është iluministe: vetëdijesimi i popullit përmes trakteve, gazetave, parullave, grevave dhe demonstratave, ndërsa “faza e dytë përmban luftën e armatosur”. Edhe pse Jusufi ka munguar fizikisht gjatë këtij çerekshekulli, qenia e tij, shpirti militant dhe fryma luftarake e tij, me gjithë pengesat absurde pacifiste, ka qenë alfa dhe omega e Kosovës. Jusufin, gjatë harkut kohor të mungesës së tij fizike, vazhdimisht e kam parë në anën e së resë, në ballin e forcave të progresit historik dhe shoqëror dhe kurrsesi në anën që frenon. Prandaj, në ecjen e Kosovës drejt pavarësisë, Jusufin e kam parë si prijës shpirtëror të minatorëve trima, si prijës shpirtëror të studentëve largpamës në vjeshtën e vitit 1997, si prijës shpirtëror të heroizmit të UÇK-së legjendare, e kam parë në qëndresën mitike të Jasharajve dhe në flijimin epik të bashkëshortëve Lladrovci, ndërsa sot e shoh në shpirtin prometheik të Agim Çekut dhe në shpirtin e paepur dhe shpresëdhënës të Albin Kurtit. Jusuf Gërvallën nuk mund ta përfytyroj ndryshe pos në pozitën vertikale. Jusufin e shoh në lartësinë e atdhetarit, i cili vdes por kurrë nuk bën kompromise dhe pazarllëqe me idealet e shenjta të popullit dhe të atdheut të tij. Jusuf Gërvalla ishte atdhetar i lindur. Pavarësisht rrethanave në të cilat po kalon Kosova dhe shqiptarët, Jusuf Gërvallën nuk mund ta përfytyroj ndryshe pos në ballë të këtij populli dhe të këmbët e këtij populli.

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?