NUSJA E JUSUF GËRVALLËS

IDRIZ ZEQIRAJ, Bota Sot: 02.02.2012

NË PËRVJETORIN E 30-TË TË NJË GJËME TË MADHE

"Kosovës po i vritën djemtë..." Ky ishte lajmi i trishtëm, i dhënë nga Radio-Tirana, për vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në mbremjen e 18 janarit 1982. Ky lajm hyri si një heshtë therëse, nga një vrimë qoshake, në birucën (çelinë) time në burgun e Burrelit.

Rugova dhe Gërvalla u shquan si gjimnazist

Në atë qetësi varri m`u shpalosën si në ekran, kujtimet për Jusufin. Një reminishencë prej 18 vitësh, pikërisht, në vitin e largët 1964, kur në rrugën "Ramiz Sadiku" nr. 45, poshtë Qarshi Xhamisë në Pejë, në shtëpinë e nënës Shkurte të Berishëve, vinte me kitaren e tij Jusuf Gërvalla. Nëna Shkurte kishte një lidhje familjare në Dubovik. Djali i madh, Hyseni, ishte në shkollën mjekësore në Prishtinë, ndërsa Nazmiu ishte gjimnazist, shok i Jusufit. Kryezoti i shtëpisë kishte vdekur herët. Nëna Shkurte ishte e shkëlqyer. Jusufin e donte shumë dhe kurrë nuk mërzitej pse shtëpia e saj zhurmonte nga muzika dhe kënga e të rinjëve. Ajo përkujdesej shumë edhe për ne, banorët e saj, unë me kushëririn Ramizin. Në rrethet muzikore të Jusufit vinin edhe vajzat shkollare. Jusufi shquhej për sjellje fisnike e mondane, andaj dallohej nga moshatarët e provincës.

Gjimnazi i Pejës ishte më numeriku në Kosovë dhe më gjerë. Jusufi ishte në njërën nga 11 paralelet e treta të Gjimnazit "11 Maj". Gjimnazi kishte rregull dhe disciplinë, por edhe fort i përgjuar nga UDB-a. Atij viti të zymtë, brenda javës, qenë arrestuar 640 veta në Kosovë. Hetimi ishte i vrazhdët, torturues. E pësuan rëndë edhe poetët shkollarë. Flitej se Teki Dervishin e kanë dëmtuar në kokë.

Rrethi letrar i Gjimnazit qe bërë i njohur për shumësinë dhe cilësinë e krijuesëve, në veçanti në lëmin e poezisë. Por, dy syrësh u shquan nga të tjerët: Ibrahim Rugova dhe Jusuf Gërvalla. I pari me shkrimet letrare dhe lexim - interpretimin e veprave letrare të shkrimtarëve klasikë, sidomos francezë dhe rusë, madje në gjuhët tyre; ndërsa i dyti në poezi, pikturë, instrumentist dhe këndues.

Tirana i heshti demonstratat, donte statuskuonë në Kosovës

Fillimisht mërgimi dhe më pas burgu, më shkëputën nga Kosova dhe, rrjedhimisht, edhe nga shokët e rinisë. Në vitin 1968, Tirana zyrtare, në ujdi me Fadil Hoxhën me shokë, i heshti, madje i bëri të pa qena për shqiptarët vendorë, demonstratat studentore në Kosovë. Këtë provoi ta bënte edhe me demonstratat e vitit 1981. Por, Beogradi sulmoi i pari, duke e akuzuar Tiranën për politikë subversive dhe manipulim të rinisë në Kosovë. Manifestimet trazuese filluan më 11 dhe 12 mars, për të kulmuar më 01 dhe 02 prill 1981. Ndërkohë që Tirana u ndjeh e gjallë vetëm pas afro një muaji, pra, më 8 prill, me një artikull bombastik, mirë të argumentuar, të botuar në "Zëri i Popullit" dhe të transmetuar nga Radio-Tirana. Nuk e di nëse këtë e ka bërë edhe Televizioni Shqiptar, meqë në Burrel mungonte.

Vendosja e Familjes Gërvalla në Tiranë

Vite më vonë do të mësoja se Familja e Jusuf Gërvallës është larguar nga Gjermania dhe është vendosur në Tiranë. Kjo ardhje përkoi me këndelljen politike të Shqipërisë në drejtim të Kosovës. Sllogani marroq "vëllezërit kinezë dhe miqtë kosovarë" kishte ngelur, si dëshmi e turpit, në faqet e dy gezetave qendrore dhe të një duzine gazetash lokale, duke u zëvendësuar me "vëllezërit kosovarë". Ishte një obligim angazhimi fisnik, pas gadi dyzetë vjet harrese të turpshme.

Atmosfera Kosovë-dashëse në Shqipëri, sikur lehtësonte plagën e rëndë në shpirtin e Suzanë Gërvallës me fëmijë. Shqipëria, e cila ka mijëra gjyshe e gjyshër me fakultet, intelektuale dhe intelektualë të mirëfilltë, që kanë lexuar shumë mijëra faqe literaturë, ku për ndryshim nga Kosova, vendin e serviseve të çajit ruso-aziatik në vitrina, e zënë librat, mini-biblioteka familjare, i vlerëson njerëzit e artit dhe të kulturës. Andaj, heronjtë Ibrahim Rugova dhe Jusuf Gërvalla atje çmohen dhe vlerësohen më shumë se sa disa të tjerë, të cilët Kosova i hipërbolizon në përmasën e të pakapshmes për mendjet e shëndosha. Të gjitha luftrave për çlirim, liri dhe demokraci, u kanë prirë poetët dhe shkrimtarët, me pendat e tyre mendjendritura dhe asnjëherë nga bujqër e barinj.

Takimi me Nusen e Jusuf Gërvallës

Doja t`i shihja fëmijtë dhe Nusën e Jusuf Gërvallës. Por, për një ish-burgaxhi politik takimet e tilla mund të prodhonin telashe dy palëshe. Megjithatë, shfrytëzova një vizitë në repartin e kardiologjisë, ku Suzanë Gërvalla ishte paciente e kardiologut të mirënjohur prof. dr. Sali Berisha. U prezantova dhe i fola për vonesën dhe ngurrimin e takimit. Meqë ishtë përfolur për ca hatërime për një darkë të shtruar, vite më parë, me rastin e ardhjes në Shqipëri të Familjes Gërvalla, për njëfarë përzgjedhjeje politike për të ftuarit, Suzana më shpjegoi bindshëm se "menaxhimi dhe "moderimi" i asaj darke nuk ka qenë i imi, sepse ne ishim jabanxhi dhe nuk i njihnim njerëzit". Dhe, shtoi se "unë nuk kam bërë dhe as nuk bëj dallime të tilla, sepse dera e Jusuf Gërvallës ka qenë e hapur gjithmonë në Dubovik, Pejë, Prishtinë, Shkup, Untergruppenbach - Shtutgart dhe e hapur do të jetë edhe në Tiranë". Dhe, duke treguar kohën kur edhe fëmijtë vijnë nga shkolla, me tha se "pavarësisht burgut, jeni i mirëseardhur në familjen tonë".

Realisht, shikuar kohën dhe rrethanat, kur për arsye politike, në obligim të zbatimit të "luftës të klasave", fëmijtë mohonin prindërit dhe prindërit fëmijtë, një përgjigje kaq të guximshme e fisnike nuk e prisja. Nusja e Jusuf Gërvallës e tha me fjalë dhe e lëndëzoi në praktikë besnikërisht. Megjithatë, sensin e masës e vlerësoj shumë dhe vizitat e mia do të ishin "rrallë e për mall".

Tashmë edhe të hatëruarit burgaxhinj apo ata që i vuajtën vitet e dekadat të vetizoluar në burgun shtëpiak, duke pritur arrestimin e çdokohëshëm, krenoheshin me Nusen e Jusuf Gërvallës, u gëzoheshin rritjes dhe shkollimit të fëmijëve të Jusuf Gërvallës. Në traditën e Malësisë gratë i thërrisnin nuse deri sa martonin djalin e parë. Por, tek rasti i Suzanë Gërvallës ky kod u tejkalua dhe ajo në Shqipëri vazhdoi të thirrej Nuse, madje edhe pas martesës të djalit. Një malësor i moshuar, të cilin e njihja që nga vitet studentore, meqë e kishte djalin në fakultet, kishte zbritur në Tiranë. Në bisedë e sipër më tha se ishte fort i dëshiruar me e pa Nusen dhe fëmijtë e Jusuf Gërvallës. "Fort jam ngushtue dhe due me kajtë njiherë mirë e mbasandej me u gëzue shumë. Me kajtë për Jusufin me shokë dhe me u gëzue për fëmijtë që na i ka lanë", - tha malësori.
- Nusja e Jusuf Gërvallës është për verime në stanët e Dragobisë dhe të Valbonës, - i thashë unë. Malësori plak më shikoi me habi, pa e fshehë mosbesimin. Dhe vetëm kur përmenda njërën nga familjet e para të Tropojës, e cila ishte në shoqërim të Familjes Gërvalla, ai u bind, duke thënë:
"- I lumtë Nuses të Jusuf Gërvallës se bash fort ja paska qillue. Po u çmallka me Kosovën se edhe ne jemi Kosovë, Malësi e Gjakovës. I lumtë edhe familjes që i ka marrë. Janë shtëpi konak, fisnike e bujare. Heu po lajm të mirë m`ke dhanë. Nesër do të kthehem në Tropojë", - tha i ngazëllyer burri i moshuar i Malësisë të Gjakovës.


Suzanë Gërvalla: nënë, studente, kryefamiljare

Nusja e Jusuf Gërvallës bëri emër për të mirë me korrektesën e pashoqe si nënë në përkujdesjen për rritjen, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve; si studente e Universiteit të Tiranës; si kryefamiljare në pritjet e përcjelljet e shokëve, miqëve të Jusuf Gërvallës dhe të dashamirëve të shumtë familjarë nga hapësirat shqiptare. Banesa në Lagjën 8-të të Tiranës nuk kishte nevojë për një çilës të dytë, që, zakonisht, i mbajnë fëmijtë, sepse e zonja e shtëpisë ishte gjithëherë aty, në pritje të fëmijëve shkollarë, ne të tri kategoritë arsimore: tetëvjeçare, gjimnaz dhe fakultet.

Një letër dërguar ministrit të jashtëm Reis Malile, e cila u cilësua armiqësore nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme, u bë shkas i një ndjekjeje penale karshi meje. Hetuesi kësaj here ishte jo i zakonshëm: zëvendësministri i parë i brendshëm, të cilin, më vonë, gjykata demokratike do ta akuzonte për gjenocid kundër njerëzimit, duke e dënuar me vdekje, por, të zbritur me burg të përjetshëm. Letra në fjalë ishte vetëm një shkak. Por e vërteta është se ekzistonte një ligj i pashkruar, dendur i praktikuar, për ish-burgaxhinjtë politikë, në veçanti për ata të ardhur nga Kosova, duhej ta mbyllnin ciklin e jetës në burg, çmendi ose në internim, pa iu dhënë mundësi as të krijonin familje.

Sigurimi kishte vënë rrathë të hekurtë dhe as fjala e as letra nuk mund të kalonte për t`u ankuar ke kreu i shtetit, pse duhet vuajtur një burg të tretë. Pa humbur kohë, e njoftova Suzanë Gërvallën për akuzën e re. Ajo e shqetësuar, por e gatshme për të më ndihmuar, më tha:
"- Shkruaje një letër sqaruese, por jo nga ato që shkruan ti". Porosia ishte e qartë: letra duhet të jetë e përmbajtur, e butë. Dhe, Suzana depërtoi deri ke i pari i vendit, duke stopuar penalizimin tim të mëtejmë dhe, njëherësh, përshpejtimin e largimit tim për në botën e lirë.

PREMTON GËRVALLA - djali i parë i Jusufit, në shumëçka ma kujtonte Jusufin rinor. I përkorë në shkollë dhe shoqëri, fjalëpak në rrugë dhe shtëpi. Trupderdhur dhe refleksiv në lëvizje deri në masën "më bëj baba të të ngjaj". Për nuse zgjodhi vajzën nga një familje, kosovarë të Mbretërisë, të shquar në art, pikturë.

Kohë e demokracisë. Një frymëmarrje e lehtësuar edhe për ish-burgaxhinjtë politikë. Në hollin e Ministrisë të Drejtësisë gumzhinin hallexhinjtë. Kërkonin drejtësi dhe mbijetesë - njëherësh. Një dokumentacion më duhej ta kompletoja edhe unë. Një zyrtar i ri kaloi aty pari.
- A mund ta njoftoni Premton Gërvallën, - e luta unë?
- "Si quheni", - më pyeti ai?
- I thuaj një bacë, - u gjegja.
- "Po si shumë baca ka Premtoni", - ma ktheu ai me dashamirësi.
- Unë jam njëri nga ata,- i thashë. Dhe, zyrtari duke buzëqeshur i ngjiti shkallët.
Saora zbriti Premtoni. I qeshur, i përzemërt, por edhe i madhuar. I mirësjellshëm, i gatshëm për të kryer punë, madje pa fije përtese. Kur "u dyndën vikingët", me atë "revolucionin e vonuar" të tyre, juristi i diplomuar, Premton Gërvalla, mori rrugët e mërgimit...

DONIKË GËRVALLA - është fëmija i dytë i Jusufit. Një lindje e mbarë, një fëmijë premtues. Babai mjeshtër i kitarës, vajza flautiste. Sapo moderatorja bënte prezantimin: "Në skenë Donikë Gërvalla me flaut", - artdashësit e pranishëm shpërthenin në duartrokitje. Ajo duartrokitje, për Donikën, bëhej dy herë: në fillim dhe në mbarim të lojës. Flautistja Donikë u shqua edhe në skenat jashtë vendit.

Për të studjuar Donika zgjodhi vend-azilimin e babait, Gjermaninë, gjegjësisht, Hamburg-un. Krahas studimeve do t`i përkushtohej fort Kosovës, halleve të saj, nën thundrën e vrazhdët serbo-sllave. Ajo u ngrit deri në cilësinë e nënkryetarës të Degës të LDK-së për Gjermani, si dega prijetare në tërë mërgatën demokratike.

Para dhe gjatë luftës ajo bashkëpunoi me shumë qendra televizive të zëshme, duke dhënë intervista dhe zhvilluar debate dinjitoze, të cilat i bënin jehonë gjendjes të rëndë të popullit të Kosovës dhe të domosdoshmërisë të pavarësimit të saj. Ndërkohë që kuqaloshët e Lëvizjes mbylleshin në sallat e kushtueshme të Perëndimit, lëshonin parulla luftarake bombastike, me qëllim të vjeljes të parave për fondin "Vendlindja thërret", i cili kurrë nuk i shërbeu luftës, duke mos arritur t`u imponohen as ndonjë televizioni lokal vendor. Më shumë punonte një Donikë, se sa e tërë armata e llafazanëve përçarës dhe sabotues të luftës, ndërkohë që sot ngulmueshëm dhe turpshëm pretendojnë ta përvehtësojnë luftën dhe heronjtë e saj!

Edhe pas luftës Donikë Gërvalla nuk mund të heshte. Ndoca akademikë dhe intelektualë zvarranikë, të vënë në shërbim të së majtës ekstreme staliniste, të përtokur moralisht dhe të rrjedhur mendërisht, në medien e shkruar dhe atë televizive, flisnin marrëzira, sipas porosive të rrugaçërisë politike të Kosovës. Ishte Donikë Gërvalla, e bija e babës, çika e Jusuf Gërvallës, e cila, nëpërmjet të një Televizioni Qendror e prestigjioz gjerman, do t`u dërgonte "selamin" e madh asaj llumhaneje "intelektuale" të Kosovës, duke shpjeguar nocionet krejt të ndryshme -hero- dhe -kriminel-. Vrasësit e shqiptarëve të pafajshëm, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, nuk mund të jenë kurrë heronj. Këtë "selam" publik e dëgjoi edhe bota, meqë u bë për Kosovë dhe botë.

Njëri nga klanorët rrënues të LDK-së, të partisë madhore të Presidentit Rugova, ai më ciniku dhe më i zellshmi i këtij klani fatal, përmendi emrin e Donikë Gërvallës, si anëtare të mundshme të Kryesisë Qendrore nga mërgata. Por "llogaritë ishin bërë pa hanxhinë". Ajo, duke kërkuar llogari për katandinë e qëllimshme të LDK-së, përbuzi këtë ofërtë. Ajo do t`ua kujtonte klanorëve se mërgata kishte bërë shumë për Kosovën dhe LDK-në dhe se meriton një trajtim krejt tjetër. Dhe, një kritikë kaq parimore, një refuzim kaq të prerë, mund ta bënte vetëm e bija e babës, vetëm e bija e Jusuf Gërvallës.

ERGON GËRVALLA - është sugari i Jusuf Gërvallës. Edhepse i ka mbushur dhe tejkaluar të 30 vitet, në përfytyrimin tonë ka mbetur ai fëmija simpatik i viteve `80-a. Zakonisht, stoli e shtëpisë janë vajza dhe nusja. Por, Ergoni theu këtë kod klasik, duke u bërë ai stoli.

Ergoni fort i vogël për t`u përballë me mërgimin e dytë. Por, fati në fatkeqësi gëzon më shumë se ai në kohë normale. Ai kishte lënë gjyshen Ajshe të mirë dhe të dashur shami-bardhë në Dubovik, por kishte gjetur gjyshe Dritën (Bushati) në Tiranë, veçse pa shami dhe me fakultet. Ajo ishte bijë Tropoje dhe nuse e Shkodrës. Binjakët e saj: Shpëtimi dhe Agimi, edhe si fëmijë, edhe kur u rritën, thonin: "Ne jemi kosovarë". Teta Dritë në katin e parë të vilës dhe një tetë tjetër në katin e tretë, ishin përkdhelja e çdoditëshme e Ergonit. Edhe teta Nazmie (Poga),kukësiane, deputete, ishte vizitore e dendur në familje.

Përballjet me Ergonin fëmijë gjithmonë prodhonin ca ndjenja të veçanta, shpërthyese deri në lotë. Dhëmbët e pas qumshtit po vononin të dilnin dhe duhej ndërhyrje kirurgjike. Dhe, dhembja e tij, ishte dhembja jonë; loti i tij, ishte loti jonë. Tashmë, Ergoni i madhuar, i martuar, ka begatuar numrin e fëmijëve në Familjen shumë të nderuar Gërvalla.

Prania e Nënës Ajshe ke fëmijtë e Jusufit ishte një festë e zgjatur në kohë. Nëna Ajshe ishte një grua e zgjuar. Jeta e saj e trazuar nis herët. Në një kohë që simotrat e saj nuk kalonin kufinjtë e fshatit, rrjedha e jetës e shpien atë në Slloveninë e largët, ku edhe jetoi e punoi për një kohë. Edhepse e përjetoi rëndë humbjen e dy djemëve, ajo u përmbajt fort, duke mos iu dorëzua dëshprimit. Me qëndrimin e saj stoik, ndihmoi dhe ngushëlloi shumë familjen, shokët dhe miqtë e djemëve si dhe bashkëkombasit e kudondodhur.

Nëna Ajshe oratorinë e shpenguar e kishte dhunti. Ajo fliste rrjedhshëm dhe qartë. Shpalosjen e kujtimeve për djemtë, tashmë të amëshuar, e kishte sa të saktë, aq edhe të natyrshme. Përmbajtja e saj prej nëne ishte unike, madje edhe atëherë kur të tjerët që e dëgjonin - lotonin. Edhe pauzimet e matura, përgjatë bisedës, flisnin shumë për ndjesinë si nënë. Ishte e papërsëritshme në dhembje dhe qendresë. Elokuenca e shprehjes të Jusufit, ngjason shumë me atë rrjedhmërinë e fjalëve, bisedave të Nënës Ajshe.

Kundërthëniet rreth bindjeve politike të Jusuf Gërvallës

Kanë kaluar 30 vjet nga shuarja fizike e Jusuf Gërvallës: poet, prozator, piktor, këngëtar, instrumentist, kompozitor, artist, përkthyes, ideolog, politikan e mbi të gjitha NJERI. Dhe, kundërthëniet rreth bindjeve politike të tij ende vazhdojnë. Mistifikimi ka qëllime të paracaktuara. E majta ekstreme staliniste-enveriste don ta përvehtësojë këtë kolos të mendimit, veprimit, artit dhe të kulturës, ashtu siç ka bërë dhe bënë për privatizimin e heronjëve dhe përvehtësimin e luftës.

Jusuf Gërvalla nuk ka jetuar në parahistori, sa të krijohet kaq mjegullë rreth bindjeve politike të tij. Ndjenja e lirisë, e dinjitetit, veshja, sjellja dhe e gjithë qenia e tij ishte evropiane. Ai nuk ka treguar në asnjë rast dhe rrethanë ndjenjë inferioriteti apo pranimin e tutelës, të përuljes, servilizmit - vese këto të neveritshme të komunistëve.

Është i dukshëm manipulimi që bëhet në relatën: Jusuf Gërvalla dhe Shqipëria. Dihet, Shqipëria dhe Kosova janë një, janë Atdheu i shqiptarëve. Ndarjen e kanë bërë komunistët shqiptarë dhe jugosllavët. Por, Jusuf Gërvalla dhe Enver Hoxha janë dy, madje krejt të ndryshëm. Ajo që ka mbetur e shkruar nga Jusufi, kjo dëshmohet. Ndonjë fjalim i tij në mjedise mërgimtarësh, ka edhe ndonjë vlerësim dhe përlavdërim pa mbulesë faktike për partinë dhe Enver Hoxhën. Dhe, kjo përligjet me auditorin dhe kufizimet politike të mërgimtarëve, kryesisht punëtorë fizikë. Keqkuptimi mund të ishte i çdokohëshëm, aq më parë se ndoca grupe veprimtarësh mërgimtarë intrigonin shumë me "diplomatët" sigurimsa të shtetit shqiptar. Por, kjo assesi nuk ndryshon orientimin e tij thellësisht të djathtë, perëndimor.

Letërkëmbimi i dështuar me Enver Hoxhën

Lexojmë të thuhet se Jusuf Gërvalla "kishte letërkëmbim të rregulltë me Enver Hoxhën"! Dhe, kjo thuhet, ndoshta, për ta ngritur reitingun e Jusufit. Por, kjo nuk i bën nder Jusufit. Nëse Enver Hoxha, nga tribuna e një Plenumi të PPSH-së, thoshte se "Beqir Balluku është m... - m...i", është mendim mbizotërues shqiptar e botëror se "Enver Hoxha ishte dhe mbetet kokërra e m...t".

E vërteta është se Jusuf Gërvalla i kërgoi ndihmë Shqipërisë, duke i shkruar Enver Hoxhës, mjerisht, si i parë i saj. Përgjigja e dhënë, nga një zyrë Sigurimi apo Partie, më sakt, të dyja bashkë, zyrë kjo që ndodhej në godinën e KQ të PPSH-së, ishte një "selam pazarit": "Çështja e Kosovës do të zgjidhet me fitoren e Revolucionit komunist në shkallë botërore"!!

Jusuf Gërvalla nuk e heshti këtë përgjigje utopike, fodulle, idioteske, duke bërë pyetjen profetike në letrën e dytë, madje të qëllimshme për Hoxhën:
- "Por, nëse kjo fitore (e Revolucionit) mund të mos vjen kurrë, atëherë çfarë do të bëjë Kosova?!?"

Dhe, ka mjaftuar kjo shprehje e mosbesimit për fitoren e Revolucionit, që Jusuf Gërvalla të mos marrë kurrë përgjigje, madje emri i tij të rrethohet me laps të kuq, duke u shpallur, në heshtje, "person non grata" nga Tirana zyrtare e kohës.

Shtohet pyetja: A mund të quhet "letërkëmbim i rregulltë", kur nga dy letra të dërguara të Jusufit, pason një përgjigje dhe ajo vetëm me një frazë marroqe?! Përgjigja e prerë do të ishte: Kurrë. Madje dominon dyshimi i bazuar se, për t`i favorizuar grupet komuniste të Kosovës në mërgatë, vegla të PPSH-së, Sigurimi Shqiptar ka pjesën e vet në eleminimin fizik të Jusuf Gërvallës. Kjo bindje forcohet edhe më shumë, kur për të njëjtat motive, gjatë luftës, më sakt, masakrës të Kosovës, krimi i organizuar politik nis në Tiranë, për t`u bartur, pastaj, në Kosovë, duke bërë kërdinë gjatë dhe pas luftës, duke vazhduar përgjakjen e Kosovës, të filluar, më parë, nga Millosheviqi.

Jusufi kishte mend e pendë për ta mposhtur kundërshtarin

Trajtimi me paanësi të figurave publike në përgjithësi, të heronjëve në veçanti, është përgjegjësi e madhe, të paktën morale. Kur flasim për ata që fizikisht janë shuar, dialogu, debati mungon. Pikërisht, këtu duhet të dominojë ndjenja e përgjegjësisë. Çdo shtrembërim i qëllimshëm në këtë rast, duhet konsideruar si krim. Disa dialogje imagjinare që i faturohen Jusufit sot, për Familjen Gërvalla dhe shokët e afërt të Jusufit, janë të pabesueshme, të papranueshme dhe të dënueshme.

Të zbrazësh sharje kundër rivalit apo kundërshtarit personal politik, duke ia vënë në gojë Jusufit, madje pas amëshimit të tij, është një krim i pamoralshëm dhe krejt i pafalshëm. Ne që e njohim Jusufin shumë më mirë se sa disa nga ata që shkruajnë për atë, kurrë nuk bindemi për disa shprehje fyese karshi të tjerëve, kinse të thëna nga Jusufi. Ai kishte edukatë të shkallës sipërore dhe kishte mend e pendë për ta mposhtur kundërshtarin, pa përdorur asnjë fjalë fyese, pezhorative. Lexojeni qoftë edhe një letër të tij, për të parë formulimin intelektual të mendimeve të shprehura. Letrat janë shumë xhentile, por kundërshtia është dërrmuese, ngaqë faktohet bindshëm.


Ngulmimi për t`i dhënë Jusuf Gërvallës librezën e kuqe

Rrjeshtimi, pa hezitim, i Familjes Gërvalla, në partinë - lëvizje, LDK-e të Ibrahim Rugovës, flet shumë dhe qartë edhe për orientimin e hershëm të Jusufit djathtas. Aspak të lehtë nuk e kishte Nusja e Jusuf Gërvallës, Suzanë Gërvalla me fëmijë, tashmë, të rritur, të rrjeshtohej në Partinë Demokratike të Shqipërisë, në partinë e Azem Hajdarit dhe të Sali Berishës, madje qysh në nismë të kësaj partie madhore e famoze, kur dihej se edhe komunistët e Ramiz Alisë i bënin elozhe dhe donin ta kishin në partinë e tyre. Por, ajo e njihte më mirë se askush tjetër bashkëshortin e saj ideal, Jusuf Gërvallën e madh, aspirimin e përhershëm për liri dhe demokraci të tij. Andaj, zgjodhi rrugëtimin e Jusuf Gërvallës.

Edhe vëllezërit e tij, baca Hysen dhe Avdyl Gërvalla kishin për ideal lirinë dhe demoktracinë, si amanetin e parë dhe të fundit të Jusuf Gërvallës. Ata për dekada vazhdojnë të jenë veprimtarë të zellshëm të mërgatës shqiptare, duke frymuar gjithëherë djathtas, në vazhdën e traditës familjare, njësoj si vëllezërit e tyre Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, Heronj të Kosovës.

Sot e 30 vjet me radhë kuqaloshët e mërdhezur komunistë, kundërshtarët e tij të rreptë ideologjikë, dikur dhe sot, ngulmojnë ta pajisin me librezë të kuqe Jusuf Gërvallën, qoftë edhe pas shuarjes fizike të tij. Por, Jusuf Gërvalla e ka refuzuar në gjallje të tij dhe e refuzon edhe tani nga varri këtë librezë. Ju, të nderuar lexues të vëmendshëm, lexoni emërtesat e grupeve politike të kohës dhe ato flasin vetë për orientimet dhe bindjet politike të gjithësecilit. Për kufizimet e kësaj natyre, ne nuk akuzojmë askënd, sepse jo të gjithë arrijnë t`i kuptojnë njëkohëshëm zhvillimet politike të shoqërisë. Por, e vëteta duhet thënë, ashtu siç ishte në atë kohë. Fatmirësisht, shumëçka ka mbetur e shkruar dhe kjo është lehtësuese për ne dhe brezat e ardhshëm. Andaj edhe urojmë: Nder e lavdi zbuluesit të shkrimit!


Nder dhe lavdi e përjetshme Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës me shokë!

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?