GËRVALLA AKUZON

Nga Express 12 Mars 2012 08:28

Hysen Gërvalla, ndryshe nga një javë më parë, tash as nuk e mohon e as nuk e pohon që Riza Salihu mund të ketë gisht në vrasjen e vëllezërve të tij, Jusufit e Bardhoshit. Në një letër dërguar Gazetës Express, ai i cilëson si spiunë të UDB’së Riza Salhiun dhe Ibrahim Kelmendin. Që të dy, sipas tij, kanë qenë pjesë e komitetit ku është marrë vendimi për vrasjen e tre patriotëve shqiptarë.

I fuqishëm ka qenë reagimi i Hysen Gërvallës, vëllait të patriotëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, në lidhje me shkrimet e fundit sa u përket autorëve të mundshëm të vrasjes së familjarëve të tij, më shumë se tridhjetë vjet më parë.

Riza Salihun dhe Ibrahim Kelmendin ai i quan “hilexhinj të cilët kanë qenë pjesë e një komiteti, nga i cili është marrë vendim për të vrarë Jusuf Gërvallën”.

Ibrahim Kelmendi disa ditë më parë në një deklarim televiziv ka thënë se Riza Salihu ka gisht në vrasjen e patriotëve Gërvalla dhe Kadri Zekës në vitin 1982 në Gjermani.

Por Hysen Gërvalla, vëllai i patriotëve Gërvalla, në një sqarim për gazetën Express ka thënë se nuk është i interesuar të njollosë askënd, ndërkohë që Riza Salihun e Ibrahim Kelmendin i quan persona të cilët kanë qenë pjesë e të njëjtit komitet ku është marrë vendim për vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.

“...E aq më pak t’i lajë hilexhitë e asaj kohe si Riza Salihun, ashtu dhe Ibrahim Kelmendin, të cilët kanë qenë pjesë e një komiteti nga i cili është marrë vendim për të vrarë Jusuf Gërvallën, si spiunë të UDB-së, duke e caktuar dhe duke e armatosur personin me emër e mbiemër për të kryer detyrën”, ka shkruar Hysen Gërvalla.

Nëpërmjet kësaj letre në formë sqarimi, Hysen Gërvalla, duke iu referuar një prononcimi të mëhershëm për gazetën Express, tregon se në asnjë rast, ai nuk e ka mohuar, por as nuk e ka pohuar se Riza Salihu, si shumë të tjerë të përmendur, fajësohen apo shfajësohen nga ai akt, kur ishin vrarë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

“...Ngase kjo çështje i përket argumentimit, të cilin deri më sot nuk e kemi. Dhe për të marrë njerëz më qafë, me hamendje, është punë jashtëzakonisht e madhe, me të cilën unë nuk kam guxim të merrem”, thotë Hysen Gërvalla në sqarimin e tij.

Duke u kthyer edhe një herë prapa në kohë, Hysen Gërvalla sqaron se ditën e vrasjes së vëllezërve të tij, në janar të vitit 1982, ai ndodhej në vuajtje të dënimit, për shkaqe politike.
“...Prej vitit 1979 deri në fund të vitit 1982 dhe shpesh më kanë ardhur edhe aty lajme të ndryshme mbi vrasësit e mundshëm. Të gjitha këto informata i kam konsideruar si përthurje të UDB-së, me qëllim mjegullimi të ngjarjes”, shprehet Hysen Gërvalla.

Sipas tij, nga qytete, nga komuna, por edhe nga trevat e ndryshme shqiptare, madje edhe nga Shqipëria, i kanë shkuar njerëz të ndryshëm për ta bindur se të përfolurit nga ata, janë dorasit e vërtetë, e ata ishin njerëz të profileve të ndryshme, madje edhe intelektualë, kurse pushtetarët e atëhershëm nuk sulmoheshin me ato fjalë.

“Për një kohë të shkurtër e kuptova se ky rrjet përthurjeje të çuditshme është vepër e UDB-së për të na çorientuar, prandaj nuk i kam bërë kurrë publike. Jam përballur edhe me inskenime nga më të ndryshmet, ku për interesa të veta minimale disa individë kanë dashur të na dezorientojnë duke na treguar me gisht në armikun e tyre personal”, shprehet i bindur Hysen Gërvalla në sqarimin e tij dërguar në gazetën Express.

“Ka më se 30 vjet që kjo barrë rëndon mbi mua, mbi familjen dhe gjithsesi mbi popullin shqiptar, ngase ata janë vrarë për çështje të lirisë së atdheut”, thotë ai, duke shtuar se nuk është i interesuar që për këtë çështje ta njollosë askënd.

Express e boton të plotë reagimin në formë sqarimi të Hysen Gërvallës.

Më 6 mars 2012, kam marrë një telefonatë nga Kosova, nga gazetari Nebih Maxhuni, i cili ka kërkuar një prononcim timin rreth intervistës së dhënë nga Ibrahim Kelmendi në TV Klan Kosova rreth vrasjes së tre vëllezërve tonë në vitin 1982. Duke marrë parasysh se po i flas një personi profesionist, zhvillova me të një bisedë të lirë dhe të hapur. Megjithatë, jam i shtyrë të reagoj ngase gjatë bisedës sonë janë përvjedhur disa fjalë të cilat nuk kanë dalë nga mendja, por besoj se as nga goja ime.

Unë në asnjë rast as nuk e kam mohuar, por as nuk e kam pohuar dhe as sot nuk e mohoj dhe as nuk e pohoj se personi në fjalë, Riza Salihu, si shumë të tjerë të përmendur fajësohen apo shfajësohen, ngase kjo çështje i përket argumentimit, të cilin deri më sot nuk e kemi. Dhe për të marrë njerëz më qafë, me hamendje, është punë jashtëzakonisht e madhe, me të cilën unë nuk kam guxim të merrem.

Ditën e vrasjes unë gjendesha në vuajtje të dënimit, për shkaqe politike, prej vitit 1979 deri në fund të vitit 1982, dhe shpesh më kanë ardhur edhe aty lajme të ndryshme mbi vrasësit e mundshëm. Të gjitha këto informata i kam konsideruar si përthurje të UDB-së, me qëllim mjegullimi të ngjarjes. Nga qytete, nga komuna, por edhe nga trevat e ndryshme shqiptare, madje edhe nga Shqipëria, kanë ardhur njerëz të ndryshëm për të më bindur se të përfolurit nga ata janë doras të vërtetë, e ata ishin njerëz të profileve të ndryshme, madje edhe intelektualë, kurse pushtetarët e atëhershëm nuk sulmoheshin me ato fjalë.

Për një kohë të shkurtër e kuptova se ky rrjet përthurjeje të çuditshme është vepër e UDB-së për të na çorientuar, prandaj nuk i kam bërë kurrë publike. Jam përballur edhe me inskenime nga më të ndryshmet, ku për interesa të veta minime disa individë kanë dashur të na dezorientojnë duke na treguar me gisht në armikun e tyre personal. Ka më se 30 vjet që kjo barrë rëndon mbi mua, mbi familjen dhe gjithsesi mbi popullin shqiptar, ngase ata janë vrarë për çështje të lirisë së Atdheut.

P. S.
Deklaroj se nuk jam i interesuar të njollos askënd, po aq më pak jam i interesuar t’i laj hilexhitë e asaj kohe, si Riza Salihun, ashtu dhe Ibrahim Kelmendin, të cilët kanë qenë pjesë e një komiteti nga i cili është marrë vendim për të vrarë Jusuf Gërvallën, si spiun të UDB-së, duke e caktuar dhe duke e armatosur personin me emër e mbiemër për të kryer detyrën.

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?