Ibrahim Kelmendi e Riza Salihu,
dëshmitarë apo mashtrues?
Kosova Info
Shkruan: Skënder ZOGAJ
“S’ka grurë pa egjër” ka
thënë populli dhe ka vërejtur se, egjra rrinë brenda grurit por, grurë nuk
bëhet kurrë, m’sa dilenxhinjtë që jetojnë ndër njerëz, por kurrë-kurrë nuk
bëhen njerëz! Këtë hipotezë popullore këto ditë e vërtetoi Baton Haxhiu, në emisionin
e tij “Zona B” duke nxjerrë para kamerave televizive dy persona shumë të
përfolur dhe skajshmërisht të dyshimtë: Ibrahim Kelmendin dhe Riza Salihun, që
supozohet të kenë qenë të involvuar në aktivitete të dyshimta, madje edhe si
bashkëpunëtorë të UDB-së ish-jugosllave, e cila t’i ketë hedhur në radhët e
diasporës shqiptare. Eshtë thënë dhe vazhdon të mendohet se, Ibrahim Kelmendi
është njëri nga personazhet enigmatike më të rrezikshëm shqiptare, për faktin
se, ky, për 40 vjet radhazi, gjithmonë i ka rastisur që të qëllojë (!) gjithnjë
krejt afër vendit të ndodhive dhe ngjarjeve më të kobshme për mërgimtarët
shqiptarë anembanë Evropë, gjithnjë aty ku janë shkrepur breshëri plumbash dhe
është derdhur gjaku i veprimtarëve më në zë të diasporës shqiptare, dhe për
çudi, Ibrahim H. Kelmendi, ky dëshmitar okular gjithnjë ka dal pa një therrë në
këmbë! Këtu zë fillin dyshimi ndaj Ibrahim Kelmendit, i cili duke qenë i
vetëdijshëm për marrëzitë e veta dhe llogaridhënien e domosdoshme që e pret
herdokurdo, e sistemoi një pjesë të dosjes së vet, në librin e botuar kohë më
parë, në të cilin vet-shpjegohet dhe jep përgjigje për shumicën e ngjarjeve të
përfolura në media e në opinionin e gjerë, që supozohet të ketë qenë
pjesëmarrës me ndikim të drejtpërdrejtë në to!
Për aq sa pamë e dëgjuam, u
pa se të dy dëshmitarët janë shumë të rëndësishëm si pjesëmarrës dhe dëshmitarë
të ngjarjeve të shumta dhe se, drejtësisë kosovare i përket angazhimi i shpejtë
i zbardhjes të së vërtetës dhe i njohjes së “meritave” të veçanta të këtyre dy
veprimtarëve!
Pa dashur që të përzihemi
në kompetencën dhe përgjegjësitë institucionale, thirrja për një angazhim të
menjëhershëm dhe serioz të trajtimit të këtyre dy personazheve, (si dhe të
gjitha rasteve të ngjashme që kanë të bëjnë më denoncime publike të krimeve nga
ana e dëshmitarëve), duhet nisur përnjëherë . Angazhimi institucional dhe
kompetent ligjor, për ta hetuar dhe për ta vlerësuar saktësinë e dëshmive të
Kelemndit dhe Salihut, është mënyra më e mirë dhe e vetmja e zbutjes së shqetësimeve
të jashtëzakonshme, me të cilat vazhdojnë të jetojnë me dhjeta e qindra familje
shqiptare, të cilave u janë shkaktuar dhimbje të mëdha, u janë vrarë më të
dashurit dhe ata nuk e dinë pse, si, për çka dhe nga kush e kanë pësuar?!
Lenia e vazhdimit të lirë
të veprimtarisë së ibrahim kelmendave, sidomos pas daljes vullnetare të tyre në
shesh dhe pranimit për të folur, është e patolerueshme sepse, kjo do të ishte
lejim i vazhdimit ë luftës speciale, e cila më shumë se dikur, (që ka qenë
shkaktarja vendimtare e gjakderdhjeve të ndodhura), tashti do të jetë shumëfish
më e dëmshme, shumëfish më e hidhur sepse, ka të bëjë me gërvishtjen e plagëve
të gjalla, plagëve ende të pambyllura, gërvishtja e të cilave është kob
kombëtar!
Kommentare
Kommentar veröffentlichen