Hysen Gega: KAM REFUZUAR TA VRAS JUSUF GËRVALLËN (1)
Kosova Sot 28- 29 Mars
2012
Intervistoi: Reshat Sahitaj
Vrasjet politike që Serbia i ka bërë mbi shqiptarët shumica mbetën enigmatike. Në diasporë, ndër të parët që pikën e fundit të gjakut ia dhuroi çlirimit të Kosovës në Bruksel ishte Vehbi Ibrahimi, i cili vritet më 10 tetor 1981, vrasja e të cilit ende sot mbetet enigmatike. Tre muaj më vonë, më 17 janar 1982, u vranë: Jusufi,Kadriu dhe Bardhoshi, po ashtu edhe ky krim politik ende mbetet enigmatik. Vrasja e tretë dhe e fundit u krye përsëri në Bruksel më 25 shkurt 1990, ku vritet Enver Hadri, por kësaj radhe policia antiterroriste belge i zbuloi tre vrasësit serbë.
Vrasjet politike që Serbia i ka bërë mbi shqiptarët shumica mbetën enigmatike. Në diasporë, ndër të parët që pikën e fundit të gjakut ia dhuroi çlirimit të Kosovës në Bruksel ishte Vehbi Ibrahimi, i cili vritet më 10 tetor 1981, vrasja e të cilit ende sot mbetet enigmatike. Tre muaj më vonë, më 17 janar 1982, u vranë: Jusufi,Kadriu dhe Bardhoshi, po ashtu edhe ky krim politik ende mbetet enigmatik. Vrasja e tretë dhe e fundit u krye përsëri në Bruksel më 25 shkurt 1990, ku vritet Enver Hadri, por kësaj radhe policia antiterroriste belge i zbuloi tre vrasësit serbë.
Javët e fundit, vrasja e
Jusuf Gërvallës u riaktualizua si në debate televizive po ashtu edhe në medie
elektronike dhe të shkruara. Deri më tani kemi lexuar disa versione të
dëshmitarëve të gjallë : a) të Ibrahim Kelmendit sipas të cilit dyshohet së
gisht në këtë vrasje mizore ka Riza Salihu; b) të Riza Salihut, i cili deklaroi
këto ditë në “Kosova Sot” se Jusuf Gërvalla ishte spiun i UDB-së dhe së tre
dëshmorët janë ekzekutuar nga policia sekrete gjermane; c) të Hysen Gërvallës
(vëllai i dy dëshmorëve Jusufit dhe Bardhoshit), i cili dyshon se gisht në këtë
vrasje makabër të tre dëshmorëve tanë që ranë më 17 janar 1982 janë dy nga
Prizreni, dy nga Gjilani, dy nga secili qytet i Kosovës.
Vrasja e Jusufit, Kadriut
dhe Bardhoshit është temë që lexuesit kanë dëshirë të mësojnë realitetin
objektiv e jo spekulime në adresë të njërit apo tjetrit. Një pjesë e
personaliteteve kosovare mendojnë se riaktualizimi i kësaj vrasje po bëhet me
qëllim të zhvendosjes së vëmendjes nga veriu i Mitrovicës dhe zhvillimit të
negociatave më Serbinë. Mendimet e tilla janë të gabuara, sepse zbardhja e
vrasjes së Jusufit nuk e dëmton procesin e negociatave me Serbinë dhe nuk e
zbeh vëmendjen për veriun e Mitrovicës. Mendoj se personazhet e kohës të cilët
sot janë gjallë duhet të shprehin mendimet e tyre tani se dikur u zbehet
memoria. Më i përfoluri në këto debate është Hysen Gega, për të cilin thuhet se
Riza Salihu ia kishte dhënë revolen dhe e kishte urdhëruar të vriste Jusuf Gërvallën.
Që lexuesit të informohen më saktësisht rreth ngjarjeve se si ato janë
zhvilluar asokohe, Hysen Gega pranoi të japë intervistë ekskluzive për gazetën
“Kosova Sot” për t’i shpalosur kujtimet e tij.
Kush është Hysen Gega?
Hysen Gega që në moshën e
re aktivizohet për aktivitete kombëtare. Për veprimtari kombëtare dënohet më 12
vjet burg të rëndë, të cilin e mban në burgun famëkeq CZ në Beograd. Pas
vuajtjes së dënimit, në vitin 1993 përsëri do të arrestohet dhe burgoset me tre
vjet e gjysmë burg të rëndë. Pas lirimit nga burgu më 1997, do të angazhohet në
radhët e UÇK-së deri në çlirimin e Kosovës. Në Kosovën e çliruar Hysen Gega do
të tërhiqet për t’u marrë me bletari. Edhe pse personazh kyç i shumë
aktiviteteve kombëtare që nga viti 1972, i burgosur politik, organizator i
aktiviteteve të ndryshme kombëtare, zhgënjimin e zbut, i izoluar me bletët e
tij në bjeshkët e Sharrit.
Njohja me Ibrahim Kelmendin dhe Riza Salihun
“Kosova SOT”: Zotëri Gega, kur keni emigruar në Gjermani
dhe si e keni filluar atje veprimtarinë tuaj patriotike? Kur dhe si jeni njohur
me Riza Salihun?
H.GEGA: Në Gjermani për
herë të parë kam emigruar në verën e vitit 1972, në Shtutgart, ku pasi punova
disa muaj në ndërtimtari u punësova në fabrikën “Standard Elektrik Lorenz” (Fabrikë
e televizorëve).
Atëbotë, si shumë
mërgimtarë të tjerë, më tërhoqën librat, gazetat e revistat që vinin nga
Shqipëria, të cilat në Kosovë i kishim të ndaluara. Prej tyre na u hap një
horizont i ri. Kuptova se Shqipëria po bënte hapa drejt zhvillimit dhe se nuk e
kishte lënë anash as çështjen e trojeve të robëruara në Jugosllavi. Në këto
rrethana rashë në kontakt me aktivistë të tjerë të çështjes kombëtare.
Zotërinjtë Riza Salihu dhe
Maksut Saramati ishin të parët që më bënë ofertën e bashkëpunimit pasi kishin
njohur pikëpamjet e mia. Ata në këtë kohë vepronin në organizatën e tyre GKZK
(Grupi Komunist “Zëri i Kosovës”). Propozimi i tyre ishte që të bëhesha anëtar
i grupit dhe të bashkëpunoja me ta. Kjo ka ndodhur, nëse nuk gaboj, nga mesi i
vitit 1977.
“Kosova SOT”: Po me Ibrahim Kelmendin kur dhe si jeni njohur?
H.GEGA: Afër një vit më
vonë, te Ramush Kastrati, dhëndri i tij, në Plochingen, afër Shtutgardit, ku
vetë Ibrahimi kohë pas kohe, në pushimet verore, bënte punë fizike në një
punishte të gurit të mermerit, për të siguruar jetesën. Njohja ishte rezultat i
faktit se unë me dhëndrin e tij, Ramushin, njiheshim qysh herët, ndërsa
kontakti me Ibrahimin ishte i rastit. Fillimisht me të, ndonëse pajtoheshim në
shumë gjëra për zhvillimet politike rreth Kosovës, nuk kishim ndonjë
marrëveshje bashkëpunimi. Më vonë bëra përpjekje ndërmjetësuese që të bashkojmë
GKZK dhe Frontin e Kuq Popullor, por pa sukses sepse Ibrahimi ishte informuar
nga disa studentë kroatë për disa veprimtari skandaloze të Riza Salihut, për
ç’gjë konsullata e Jugosllavisë në Shtutgart po e afirmonte për patriot
jugosllav. Gjatë vitit 1979 kemi bërë shumë udhëtime me Ibrahimin dhe Maksut
Saramatin, për të shpërndarë materialet propagandistike të organizatave tona.
Pas ardhjes në Gjermani të Jusuf Gërvallës, të cilin ne e thërrisnim atëherë
‘Baca Jusuf’, është rritur veprimtaria dhe bashkëpunimi ynë më i ngushtë.
“Kosova SOT”: Kush, ku dhe kur e ka themeluar Grupin Komunist "Zëri
i Kosovës"? Sa anëtarë numëronte ai grup dhe kush ishte udhëheqës?
H.GEGA: Me sa di unë këtë
grup e ka themeluar Riza Salihu. Kush tjetër ka marrë pjesë në themelim dhe kur
e ku është mbajtur tubimi themelues nuk e di. Fillimisht, me sa di unë, ky grup
kishte rreth 30-40 anëtarë.
“Kosova SOT”: Ju kujtohet veprimtaria e grupit në Kosovë
dhe në emigracion?
H.GEGA: Unë mund të flas
vetëm për angazhimin tim. Ç’është e vërteta, disa nga aktivitetet e mia në
Kosovë janë bërë në emër të këtij grupi (shpërndarje traktesh, shkrim
parullash, si dhe ai episodi që ma ka nënvizuar Marko Lopushina në librin e tij
“OVK protiv Jugoslavije” (UÇK kundër Jugosllavisë), d.m.th. djegien e emrit të
Titos të bërë prej lulesh në parkun e Spitalit të Prizrenit, si dhe thyerjen e
dritave të neonit në Kala të Prizrenit, të cilat kur ndizeshin natën formonin
emrin e Titos.
“Kosova SOT”: Zotëri Gega, a mund të na përshkruani takimin e parë të
Ibrahim Kelmendit me Riza Salihun?
H.GEGA: Nuk më kujtohet me
saktësi se kur ka ndodhur kjo gjë, diku nga muaji shtator i vitit 1978. Nuk më kujtohet
gjithashtu se ç’është folur e ç’nuk është folur, por di se biseduan për të mos
u marrë vesh, sepse gjatë bisedës se tyre pati ca si grindje. Ato nuk kanë qenë
me rëndësi të veçantë, sa për t’i mbajtur mend edhe unë. Po ju interesuan
detajet e atij takimi, mund t’i gjeni në romanin e Ibrahimit, të titulluar
“Atentatet”. Takimi i parë mes tyre ka ndodhur në një restorant në Shtutgard,
kurse i dyti në banesën e Riza Salihut, gjithashtu në Shtutgard. Në takimin e
dytë ka qenë i pranishëm edhe bashkëveprimtari ynë i atëhershëm, Maksut
Saramati, nga Dobrushta e Prizrenit.
Propaganda në emigracion
“Kosova SOT”: Kur dhe kush ju informoi për arratisjen e
Jusuf Gërvallës dhe kur e keni takuar për herë të parë?
H.GEGA: Ju doni të thoni
për hyrjen e tij në Gjermani. Kjo gjë më kujtohet fare mirë. Kjo ka ndodhur nga
fundi i vitit 1979. Informacionin e parë e kam marr nga Riza Salihu, dhe po atë
ditë kur më njoftoi, i bëmë një vizitë Jusufit. Takimi ndodhi në një kafene në
Eslingen, afër banesës sime. Më la përshtypje kultura dhe niveli i tij
intelektual, ndërkaq, për vëllanë e tij, Bardhoshin, e kisha njohur më herët,
disa herë e kisha takuar, i kisha dhënë literaturë të botuar në Tiranë. Atëkohë
Bardhoshi shërbente si përkthyes, me sa duket i vetmi përkthyes në Baden
Vürtenberg, dhe njëkohësisht si punëtor social, i punësuar në Arbeiter
Vohlfahrt. Do t’ju tregoj një përvojë me të, jo vetëm timen. Atëkohë, ne si
punonjës, për të përfituar një farë lirimi tatimor, duhej të plotësonim një
formular dyfaqësh, për plotësimin e të cilin përkthyesit na kërkonin nga 20
deri 30 marka. Kërkesat ishin aq të shumta sa besoj se shumë veta që merreshin
me atë punë kanë mbledhur para të majme. Ndërkaq, Bardhoshi për një punë të tillë
nuk i ka marrë kujt ndonjëherë asnjë markë. Në anën tjetër, pikërisht në këtë
kohë kushtet e tij jetësore ishin mjaft modeste, në një banesë nga më të lirat.
“Kosova SOT”: Me daljen e Jusuf Gërvallës në Gjermani,
Riza Salihu në paraqitjet e tij të tanishme publike e pranon se ka propaganduar
ndër shqiptarët e atjeshëm se Jusuf Gërvalla ishte spiun i UDB-së, madje të
njëjtin mendim e ka edhe tani. Ju si e arsyetoni këtë mendim të Riza Salihut?
H.GEGA: Kjo është e
vërtetë, Riza Salihu thoshte dhe propagandonte se Jusufi është agjent i UDB-së.
Pohimet e tij më shtynë që unë të bëja pyetje në ambasadën shqiptare në Vjenë
se mos kishin ndonjë fakt për Jusufin. Aty atëherë ishte njëri që më duket se
quhej Simon Qirici, sekretar i parë, ndërsa vetë ambasadori ishte farefis me
Avni Rrustemin. Prej tyre mora garancinë se Jusufi është i pastër dhe se mund
të bashkëpunonim lirisht e pa asnjë rezervë me të. Ata madje edhe na
rekomandonin bashkëpunimin. Është me rëndësi ta theksoj edhe një fakt, sepse
sot po thuhet gjithçka. Asnjëherë nga kjo ambasadë nuk na është folur për dogma
ideologjike, por vetëm për histori e literaturë kombëtare, për heronj e ngjarje
të lavdishme nga rezistenca e popullit tonë. Ata vetë na thoshin që të mos
merreshim as me Marksin, as me Leninin dhe as me Stalinin, po me historinë e
kombit tonë, me Azem Bejtën, Mic Sokolin, Isë Boletinin e Hasan Prishtinën, me
arsyetimin se çështja kombëtare është para çështjes klasore. Me t’u kthyer nga
Vjena takova Riza Salihun dhe i thashë që të mos merrej me thashetheme, me
akuza të rreme e me shpifje ndaj bacës Jusuf. I propozova që të shkonim së
bashku në ambasadën shqiptare e të dëgjonte vetë se ç’thuhej aty për Jusuf
Gërvallën. Ai parimisht pranoi, ndërsa kur i shkova të nesërmen në banesë për
ta realizuar këtë gjë, mbeta i tronditur kur në korridorin e tij dëgjova se si
flitej serbo-kroatisht. Vetëm shumë kohë më vonë mora vesh se ai kishte qenë i
martuar me një femër nga Kroacia dhe kishin një fëmijë me të. Nuk kam ndonjë
paragjykim rreth kësaj lidhjeje të tij përveç faktit se na e kishte mbajtur
plotësisht të fshehur. Në këtë rast ai nuk pranoi që të shkonim bashkë në
Vjenë, me arsyetimin se po i dhembte syri, me gjithë ngulmimin tim se unë do të
vozisja dhe ai vetëm do të rrinte i qetë. Megjithatë, edhe pas këtij episodi ai
vazhdonte shpifjet e tij kundër Jusuf Gërvallës, duke shkuar aq larg sa në një
rast më tha: “I vjen keq se s’ka kush e bën sepse ai madje e meriton edhe
plumbin”, duke nxjerrë me këtë rast edhe revolen e duke më thënë: “Ja merre këtë
dhe vrite, sepse ai e meriton plumbin”, propozim të cilin ia refuzova me
fjalët: “Më mirë mbaje për vete, sepse mund të të duhet ndonjë ditë për të
vrarë veten”. Për këtë përcaktim të Rizait pastaj informova Ibrahimin, Jusufin
dhe Bardhin.
“Kosova SOT”: A mendoni se me ardhjen e Jusuf Gërvallës
në Gjermani Riza Salihut po i rrezikohej karriera politike, apo Riza Salihu
kishte ndonjë qëllim tjetër që propagandonte kundër Jusuf Gërvallës?
H.GEGA: Këtu nuk mund t’ju
ndihmoj shumë. As sot nuk e kam të qartë se cilat ishin motivet e tij. Për
ndonjë karrierë politike në veprimtarinë ilegale natyrisht që s’mund të flitet.
Motivet e tij mund të kenë qenë të natyrës psikike, të xhelozisë, të
bajraktarizmit, ndoshta edhe detyrime nga shërbimet jugosllave.
vazhdimi me 29.03.2012
Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun i vrau UDB-ja (2)
“Kosova SOT”: Riza Salihu për gazetën "Kosova
Sot" deklaron se Jusuf Gërvalla është paraqitur rrejshëm, thotë se Jusuf
Gërvalla ka gënjyer, duke thënë se i takon herë një organizate e herë një
tjetre. A është e vërtetë, apo mendoni ju se Riza Salihu qëllimisht shpif
kundër Jusuf Gërvallës?
H. GEGA: Një mundësi është
se Riza Salihu po shpif, sepse unë nuk kam dëgjuar kurrë gjëra të tilla nga
Jusuf Gërvalla, ndonëse për një kohë të gjatë kemi qenë të pandashëm. Ndërkaq,
edhe po të ketë pasur ndonjë ngatërresë gjatë prezantimit, gjë që mund të
shpjegohet, me faktin se J. Gërvalla më parë ishte njeri i artit dhe kulturës
sesa i organizimeve konspirative me disiplinë të hekurt, kjo nuk mund të
shërbejë si argument që ta akuzosh për agjent të shërbimeve të huaja. Pastaj
dihet se agjentët e vërtetë nuk ngatërrohen. Ndërkaq, po të ishte e vërtetë kjo
gjë, kjo do të zbulohej nga korrespondenca e Jusufit, të cilën ia kontrollonte
z. Salihu, ndërsa akuzën e tij z. Salihu nuk e ilustron me asnjërën nga letrat
e spiunuara të Jusufit. Më duhet të shtoj se Riza Salihu lexonte harbutërisht e
patologjikisht edhe korrespondencën time bashkë me atë të shumë shokëve të
tjerë, si të M. Saramatit, I. Kelmendit etj. Dhe, e keqja është se ai nuk i
lexonte ato fshehtas për t’ua kthyer sërish në fshehtësi pronarëve, që së paku
të mos ua pengonte korrespondencën me familjarët, por letrat e vjedhura i
mbante për vete. P.sh., gjersa unë fajësoja familjarët e mi, përse nuk po më
shkruanin, ata më thoshin se kjo s’ishte e vërtetë, se po më shkruanin mjaft
shpesh. Ndërkaq unë nuk e dija se letrat që më dërgonin njerëzit e familjes nga
Kosova përfundonin në duart e një të sëmuri paranojak apo vëzhguesi të UDB-së.
Ballafaqimi në shtëpinë e Hysen Gegës
“Kosova SOT”: Në muajin prill 1980, sipas Ibrahimit dhe
Rizait, ka ndodhur një ballafaqim në mes të Jusuf Gërvallës dhe Riza Salihut,
në banesën tuaj. Kush ishte i pranishëm dhe si rrodhi ballafaqimi?
H. GEGA: Po, kjo është e
vërtetë. Kjo ka ndodhur me iniciativën time dhe është realizuar në banesën
time. Kam dashur të ballafaqoj Jusufin me Rizain për të sqaruar akuzat që po i
lëshonte Riza Salihu kundër tij. Aty ishin të pranishëm, përveç ne të treve,
edhe M. Saramati, R. Jupolli, I. Kelmendi, B. Gërvalla, baca Qemal Bajrami nga
Dibra, si dhe një mik nga Presheva. Aty iu drejtova Rizait se tani duhej t’i
shpaloste faktet rreth akuzave të tij për Jusuf Gërvallën dhe le t’ia thoshte
ato akuza Jusufit troç e ndër sy dhe jo prapa shpine. Rizai u trondit pa masë
dhe na akuzoi për komplot e shantazhim. Më shkoi mendja ta ndëshkonim për
sjelljet e tij, mirëpo ishte Jusuf Gërvalla që nuk na lejoi ta bënim një gjë të
tillë. Prej këtij rasti më nuk e kam takuar Riza Salihun, dhe ishin edhe shumë
të tjerë që i shkëputën kontaktet me të.
“Kosova SOT”: Në deklaratën për gazetën "Kosova
Sot", Riza Salihu shpreh besim të plotë në Ramadan Selimin, i cili aso
kohe punonte në konsullatën jugosilave, kurse dyshonte se Jusuf Gërvalla ishte
spiun? Çka mendoni ju, a mos vallë Ramadan Selimi e këshillonte Riza Salihun se
kush ishte spiun e kush patriot?
H. GEGA: Për z. Selimi nuk
kam dëgjuar ndonjëherë. Mirëpo, unë dyshoj se është dikush tjetër që i jepte
këshilla, informacione të rrejshme, ndoshta edhe urdhra R. Salihut, po meqë nuk
e kam të vërtetuar, nuk po ia përmend emrin.
“Kosova SOT”: Riza Salihu deklaron se i ka kontrolluar
kutitë postale te Jusufit dhe Ibrahim Kelmendit, sepse ka dyshuar se këta dy
janë spiunë të UDB-së. Sipas jush, pse i ka kontrolluar ai letrat e Jusufit dhe
Ibrahimit?
H. GEGA: Siç e theksova më
lart, kontrollimi i letrave të të tjerëve kishte të bënte me sëmundjen e Riza
Salihut, në mos qoftë ndonjë arsye më e thellë, për të cilën tanimë mungojnë
argumentet. Sepse nuk e kuptoj se ç’i duhej Riza Salihut të futej në jetën
private të të tjerëve, si një voajazher.
"Kosova SOT”: Riza Salihu deklaron: "Qëllimi i
Jusuf Gërvallës dhe Ibrahim Kelmendit për ta manipuluar Hysen Gegen..." ,
a është e vërtetë se ju ishit i manipuluar nga Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim
Kelmendi?
H. GEGA: Nuk është plotësisht e qartë se
ç’nënkuptohet me fjalën manipulim. Njeriu manipulohet kur vihet në shërbim të
interesave egoiste të dikujt, pa qenë i vetëdijshëm, ndërsa kur zgjedh me
vetëdije njërin opsion kundrejt tjetrit quhet përcaktim i vullnetshëm dhe jo
manipulim.
Mohon manipulimin
“As sot dhe as atëherë nuk
e konsideroj veten si një person të manipulueshëm prej kujtdoqoftë. Po të isha
i tillë, shansin më të mirë për manipulimin tim e ka pasur vetë Rizai. Tek e
fundit, a nuk e akuzuan edhe Fan Nolin se ishte manipuluar prej Luigj
Gurakuqit? Dhe a nuk qe përgjigjur ai se e kishte pasur për nder të manipulohej
prej tij?”
Vrasja ndodhi pas vizitës së ministrit jugosllav
“Kosova SOT”: Riza Salihu me këmbëngulje thotë se
vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën e ka vrarë policia sekrete gjermane, a
mendoni se kjo është e vërtetë?
H. GEGA: Është një pyetje
spekulative që kërkon përgjigje spekulative, për të cilën nuk dua të zgjerohem
shumë, ndonëse kam dyshimet e mia. Unë nuk besoj se policia gjermane do të
kryente punë të ndyta për të tjerët, aq më pak për jugosllavët, d.m.th. punë që
i takonin ekskluzivisht UDB-së jugosllave. Në kohën kur isha në burg, në CZ të
Beogradit, një ditë pas atentatit në Shtutgart, një gardian më hapi sportelin e
qelisë dhe më tha duke më treguar një gazetë me foton nga atentati: “Ja ç’u
kemi bërë shokëve tu!” Pastaj më kujtohet, siç lexoja gazetat, se pak kohë më
herët, rreth 1 deri 2 javë, në një vizitë në Gjermani, kishte qenë Stane
Dolanci, ministri jugosllav për punë të brendshme. Nënkuptohet se ai duhet t’u
jetë lutur gjermanëve që t’i jepnin shërbimit të fshehtë jugosllav hapësirë të
lirë veprimi në territorin gjerman. Mendoj se është në përgjegjësinë e qeverisë
sonë të sotme që të kërkojë sqarime zyrtare nga Shteti gjerman për rastin e
vrasjeve të heronjve tanë në Gjermani, më 17 janar 1982, por edhe të bëhen
hetime nga institucionet tona për të zbuluar dorasit.
“Kosova SOT”: Sipas mendimit tuaj, a mund të na thoni pse
Riza Salihu e shfajëson Serbinë, duke deklaruar se Jusuf Gërvallën e ka vrarë
policia gjermane?
H. GEGA: Do të parafrazoja
me pakëz ndryshim Profetin Isa, gjegjësisht Jezusin: O Zot, fale se nuk e di se
ç’bën e ç’thotë!
“Kosova SOT”: Gjatë tërë aktiviteteve kombëtare, me
dekada të tëra, e deri në çlirimin e Kosovës a keni njohuri se policia gjermane
kishte vrarë ndonjë aktivist të Lëvizjes?
H. GEGA: Po e përsëris,
mendoj se gjermanët vetëm sa u kanë dhënë hapësirë të lirë veprimi agjentëve të
shërbimit jugosllav. Nuk mendoj se kanë qenë të përfshirë direkt.
Dënimi me burg dhe aktiviteti më pas
“Kosova SOT”: Sipas Riza Salihut, na rezulton se policia
gjermane e ka vrarë Jusuf Gërvallën për shkak se ai i përkiste grupit majtist,
atëherë a mund të na thoni pse Riza Salihun nuk e vrau policia sekrete
gjermane, pasi edhe ai ishte majtist ekstremist, gjegjësisht komunist enverist,
siç rezulton ngaemërtimi dhe nga materialet propagandistike të Grupit Komunist?
H. GEGA: Pyetja që shtroni
ju e ka edhe përgjigjen brenda, pra edhe unë pyes përse?
“Kosova SOT”: Riza Salihu thotë se Ibrahim Kelmendi ju ka
dërguar në Kosovë, bashkë me Sadik Blakajn, për t’ju burgosur juve. Ju u
arrestuat natën e Vitit të Ri 1981 në shtëpinë Tuaj në Sallagrazhdë dhe u
dënuat me 12 vjet burg. Cila është e vërteta e shkuarjes suaj në Kosovë?
H. GEGA: E kundërta është e
vërtetë, d.m.th. se I. Kelmendi ka qenë këmbëngulës që unë të mos e bëja këtë
rrugë. Ai kishte dyshime serioze në bashkudhëtarin tim, z. S. Blakaj. Dyshimet
e tij më vonë i vërtetoi koha. Ndërkaq, Jusufit as që kam guxuar t’ia përmend
këtë fakt, sepse nuk do të mund ta kundërshtoja kundërshtimin e tij për
shkuarjen time në Kosovë.
“Kosova SOT”: Pas vuajtjes së burgut, me çfarë jeni
marrë?
H. GEGA: Pas vuajtjes së
dënimit të parë me burg, kam bërë punë të zakonshme fizike sa për të mbajtur
familjen. Merresha me hapjen e puseve për ujë në rajonin e Therandës.
Njëkohësisht nuk e kam ndërprerë aktivitetin ilegal në radhët e LPK-së. Kjo ka
zgjatur deri në vitin 1993. Pastaj sërish u burgosa dhe mora një dënim prej 3,5
vjetësh burg. Nga burgu dola më 1997. Atëherë kam intensifikuar aktivitetin tim
në përgatitje të popullit për luftën e armatosur. Një vit më vonë iu bashkova
radhëve të UÇK-së.
Meqë kohët e fundit po
flitet shumë për abuzimin me fondet e luftës, shfrytëzoj rastin t’i rrëfej nja
dy ngjarje:
Kirurgu Agim Hazrolli ishte
njëri nga doktorët që u ka shpëtuar jetën shumë prej ushtarëve të UÇK-së. Ai
pikëllohej pa masë kur nuk ia delte dot në kushtet e mjerueshme që kishim për
t’u ndihmuar të plagosurve. Një ditë e takova afër Shtabit rajonal, në fshatin
Breshanc, të tronditur dhe gati sa s’po qante. E pyeta se ç’kishte. Më tregoi
se po i vdisnin ushtarët në dorë vetëm për mungesën e një aparati fushor për
incizim radiologjik, d.m.th. për zbulimin e predhave dhe ciflave të granatave
brenda trupit të ushtarëve, gjë që do të shpejtonte ndërhyrjen e saktë
kirurgjikale. E pyeta se sa kushtonte ai aparat. Më tha diku rreth 20 mijë
marka. Nuk dita çka t’i them. Tani po flitet për miliona euro të abuzuara nga
ata që kishin për obligim të na ndihmonin, sepse nuk kërkonim gjë tjetër prej
tyre.
Rasti i dytë më ka ndodhur
në Nishor të Therandës. Dy vëzhgues të huaj ishin ngjitur te ne për të na
tërhequr vërejtjen se nuk po respektonim armëpushim e shpallur. Gjersa po
qëndronin tek ne, u ofrova një pije që e kisha përgatitur vetë në shtëpi, një
raki rrushi të përzier me mjaltë, e cila edhe i befasoi (sepse kishin menduar
se ishim myslimanë fanatikë e muxhahedinë) edhe u pëlqeu shumë. Njëri prej
tyre, një amerikan, kur na pa se çfarë kishim mbathur unë dhe bashkëluftëtari
tjetër, U. Bytyçi, ca çizme të mjera prej plastmasi, që të ngrinin këmbët, i
erdhi keq e na i ofroi një palë çizme të tij ushtarake që i kishte në makinë.
Po i thosha Ukës me shaka “Ishalla janë numër 44-45, se përndryshe nuk e fut
dot këmbën në to”, ndërsa Uka tha “Ishalla janë numër 42-43”, se aq e kishte
këmbën. Pas 10 minutash erdhi vëzhguesi me çizmet në dorë, ishin çizme të forta
e të ruajtura, tamam për terrenet e luftës, por, për fat të keq, nuk i bënë
asnjërit prej nesh, ishin numër shumë i madh. Në fakt, vetë vëzhguesi ishte një
gjatosh rreth 2 metra, ndërsa ne harruam se edhe këmbët duhej t’i kishte të
mëdha.
Këto i tregova për t’ua
kujtuar abuzuesve të mundshëm e profiterëve të luftës se sa pak gjëra na janë
dashur për të bërë luftë të suksesshme.
Bletar
Tani vazhdoj të merrem me
bletari. Nuk kërkoj asnjë shpërblim apo zhdëmtim nga autoritetet tona. Nuk ia
kam nisurur luftës sime jetësore me idenë se një ditë do të marr ndonjë
shpërblim. Shpërblimi im më i mirë është Kosova e lirë, pa çizmen e ushtarit
dhe policit serb. Nga autoritetet kërkoj vetëm që të ruajnë pavarësinë e vendit
e t’u mundësojnë jetë dinjitoze qytetarëve të Kosovës.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen