Kelmendi denoncon në Prokurori vrasësin
e vëllezërve Gërvalla...
Koha Ditore : 13.03.2012 -
17:40
Prishtinë, 13 mars - Ibrahim H. Kelmendi, nga fshati Llabjan, Komuna e Pejës, aktualisht, siç
thotë ai, me banim në Tetovë ka
denoncuar sot në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorisë Speciale të
Republikës se Kosovës Riza Salihun (i lindur në fsh. Mushitisht, Komuna e
Therandës) dhe bashkëvrasësesi NN si vrasës të heronjve Jusuf Gërvalla, Kadri
Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Në denoncimin , që njëkohësisht Kelmendi ua ka
shpërndarë edhe mjeteve të informimit thuhet:
Qysh me datën 18 janar
1982, pranë hetuesisë gjermane kam shfaq dyshimet se doras potencial i UDB-së
në vrasjen e heronjve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla është
Riza Salihu (i lindur në fsh. Mushitishtë, Komuna e Therandës) dhe
bashkëvrasësesi NN. Këtë e kam paraqit edhe para Landgericht (Gjyqi i Qarkut)
në Shtutgard, në vitin 1990, kur Riza Salihut i është bërë procesi gjyqësor, si
i dyshuar për vrasjen e heronjve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh
Gërvalla.
Arsyetimet e atëhershme
(dhe të tanishme):
- Në vitin 1978 Riza Salihu, ka formuar “Grupin
Komunist Zëri i Kosovës”. Dyshimi im i atëhershëm dhe i tanishëm: Eprorët
e UDB-së e kanë urdhëruar të formojë atë grup, për të identifikuar të
interesuarit për veprimtari patriotike e çlirimtare në Gjermani dhe në
Kosovë. Veten e tij Riza Salihu e ka caktuar për kryetar të atij grupi.
Dëshmitarë për themelim të atij grupi është vet Riza Salihu, pastaj
anëtarët Hysen Gega (i lindur dhe me banim në Sallagrazhdë, Lumthat),
Maksut Saramati (Zhur, tani në Gjermani), e të tjerë.
- Qysh në dhjetor të vitit 1979, sapo Jusuf Gërvalla
është arratisur në Gjermani, Riza Salihu kohën më të madhe e ka kaluar në
stacion të trenit në Shtutgard të Gjermanisë, duke dezinformuar bashkatdhetarët
se “UDB-ja ka dërguar udbashin e rrezikshëm Jusuf Gërvalla, për të
spiunuar shqiptarët patriot dhe për të përçarë organizatat ilegale...”.
Dëshmitarë Hysen Gega, Maksut Saramati dhe dhjetëra të tjerë.
- Në janar të vitit 1980 Riza Salihu, në cilësi të
kryetarit të grupit dhe “në emër të organizatës”, e urdhëron Hysen Gegen
për ta vrarë Jusuf Gërvallën, me arsyetim se është UDBash i rrezikshëm.
Dëshmitarë unë (Ibrahim Kelmendi), Hysen Gega, Maksut Saramati.
- Po në janar të atij viti, Hysen Gega, i bindur se
Jusufi nuk është i dërguar nga UDB-ja, i bazuar kryesisht në miqësi dhe
bashkëpunim me Bardhosh Gërvallën në vitet paraprake, dekonspiron urdhrin
e Riza Salihut para Jusufit, Bardhit dhe Ibrahim Kelmendit.
- Në qershor të po atij viti, pas hetimeve që bëjnë
Jusufi, Bardhi, Hyseni, Maksuti, Ibrahimi, organizohet ballafaqimi i
Jusufit dhe Riza Salihut në banesë të Hysen Gegës në qytetin Esslingen,
për të marrë vendim se çfarë qëndrimi duhet të mbahet ndaj atij urdhri. Të
pranishëm në ballafaqim Jusufi, Bardhi, Ibrahimi, Hyseni dhe Maksuti.
Jusufi lut që t’i falet krimi Rizasë, me kusht që ndërpres fushatën
shpifëse.
- Në korrik e gusht Riza Salihu organizon vjedhjen e
dërgesave postare të Jusuf Gërvallës, Ibrahim Kelmendit dhe të tjerëve.
Policia gjermane e zë në flagrancë. Prova: Protokollet e policisë gjermane
në Shtutgart.
- Edhe pasi Riza Salihu ka pranuar kushtin gjatë
ballafaqimit me Jusufin, se nuk do të shpif më, ai ka vazhduar me shpifje,
se Jusuf Gërvalla është UDBash. Dëshmitarë, pos të më lartë përmendurve,
edhe dhjetëra bashkatdhetarë në Shtutgart e rrethinë.
- Në tetor (tamam koha nuk po me kujtohet) të vitit
1980, me insistim të shumë anëtarëve të “Grupit Komunist Zëri i Kosovës”,
shpërndahet ky organizim dhe po në prani të tyre digjet “dokumentacioni” i
këtij organizimi, por digjen kryesisht kopjet, sepse origjinalet Riza
Salihu nuk i kishte më. Dëshmitarë: Unë, Hysen Gega, Maksut Saramati,
Fahredin Tafallari dhe disa të tjerë. I pranishëm ka qenë edhe Jusuf
Gërvalla.
- Riza Salihu edhe pastaj, - edhe pas vrasjes se Jusuf
Gërvallës, - ka vazhduar të shpif (dhe vazhdon edhe tani), se Jusuf
Gërvalla është kuadër i UDB-së. Dëshmitarë dhjetëra bashkatdhetarë, por
edhe vet Hysen Gërvalla.
- Pas vrasjes se Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe
Bardhosh Gërvallës, me 18 janar 1982, krye-hetuesi ka biseduar rreth katër
orëve me mua në zyrat e policisë në Heilbronn dhe për atë “intervistë“ kam
nënshkruar protokoll. Aty i kam shpjeguar rrjedhat, siç i paraqita më
lartë.
- Me 21 janar 1982 policia gjermane ka lëshuar urdhër
arresti për Riza Salihun, si të dyshuar për vrasje, duke u bazuar në
angazhimet e tij të mëhershme dhe në dëshminë e gjermanit fqinjë të Jusuf
e Bardhosh Gërvallës (ndoshta e kanë marrë parasysh edhe informimin tim).
Policia gjermane ia ka publikuar foton Riza Salihut në televizione
gjermane, duke u lutur qytetarët të informojnë për vendndodhjen e tij.
Prova: Arkivat e televizioneve dhe protokollet e policisë gjermane.
- Në vitin 1989 hetuesia gjermane arrestoi sërish Riza
Salihun si të dyshuar për vrasës dhe atij ju bë proces gjyqësor në
Gjykatën e Shtutgartit. Edhe unë kam qen i ftuar si dëshmitar. Prova:
Lënda e procesit hetimor e gjyqësor në Prokurori e Gjykatës të Shtutgartit.
- Në vitin 2007 kam botuar romanin ATENTATET, kur e
kam paraqit gjithë rrjedhjen e ngjarjeve, para e pas atentatit. Prandaj
propozoj që ky roman të merret si provë. Nuk e di para ose pas botimit të
romanit jam shkuar në zyra të një kryeprokurori në Kosovë. E kam
konsultuar nëse mund të nisin hetimet në Kosovë, duke ia thënë edhe emrin
e të dyshuarit për bashkautor të vrasjes. Nga ai kam marrë përgjigje se
hetimet i bëjnë vetëm organet e shtetit ku ka ndodhur vrasja, dhe nëse ato
na kërkojnë ndihmë, ne jemi të gatshëm dhe të detyruar t’i ndihmojmë.
Pastaj kam vizituar ministrin e atëhershëm të drejtësisë, Zotëri Jonuz
Salihun, për t’i kërkuar këshilla e ndihmë që të fillojnë hetimet për ato
vrasje në Kosovë. Ai me ka thënë se do të konsultohet me këshilltarë
profesionalist dhe do me kthej përgjigje, por përgjigje nuk mora
asnjëherë.
- Edhe për shkak të pazotësisë për të bindur organet
kompetente në Kosovë që të nisin hetimet, pranova të bashkëbisedoj me
Bedri Islamin dhe të denoncoj publikisht Riza Salihun, si vrasës
potencial. Prandaj propozoj që edhe libri i Bedri Islamit: “Lëvizja /
lindje e përgjakur / bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin” të vlerësohet si
provë.
- Në prononcimet publike të Riza Salihut, të mërkurën
e kaluar dhe dje, Riza Salihu thotë se “vrasës tëJusuf Gërvallës, Kadri
Zekë dhe Bardhosh Gërvallës kanë qenë dy policë gjerman të policë sekrete
gjermane, kurse Ibrahim Kelmendi ka qenë informator i paguar i asaj
policie” (perifrazim i përafërt). Kërkoj që këto prononcime të tij të merren
si prova.
- Për shpifjen se unë kam qenë informatorë i paguar i
policisë gjermane po i bëjë kallzim penal (nëse ma pranoni me këtë
shkresë).
Për shkak të interesimit
dhe shqetësimeve të mëdha të qytetarëve në Kosovë, për shkak të rëndësisë se
zbulimit të dorasëve vrasës të Jusuf Gërvallë, Kadri Zekë dhe Bardhosh
Gërvallës, lus që të fillohen hetimet.
Para hetuesve kompetent do
të bëjë të njohur edhe emrin e të dyshuarit të dytë, si bashkautor në vrasje,
thuhet në denoncimin e Kelmendit.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen