KELMENDI: I NJOH TË DY VRASËSIT E JUSUF GËRVALLËS !
Nga Express 05 Mars 2012 21:34
Ibrahim
Kelmendi, njëri nga themeluesit e Lëvizjes Popullore të Republikës së Kosovës
(LPRK), më vonë e njohur si LPK, dhe ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja
Thërret” në Gjermani, si mysafir në Zona B të Klan Kosova, ka deklaruar se e
njeh me emër e mbiemër vrasësin e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës,
vrasje kjo e ndodhur më 17 janar 1982 në Gjermani.
Vrasësi, sipas tij, është Riza Salihu nga fshati Mushitisht
i Komunës së Suharekës.
Por pjesëmarrës në këtë atentat, sipas Kelmendit, ka qenë
edhe një tjetër - të cilit nuk ia ka përmendur emrin, me arsyetimin se “do ta
pengonte procesin e hetuesisë”.
“Unë e di edhe pjesëmarrësin e dytë, rastin e kam paraqit
edhe te organet e drejtësisë kosovare pas çlirimit, te ish-Ministri i
Drejtësisë së Kosovës, Jonuz Salihu, dhe te Prokurori Tahir Rreci. U kam thënë
që të analizojnë mostrat e cigareve të pjesëmarrësit të dytë në vrasjen e Jusuf
e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të cilat i ka hetuesia gjermane”, ka
deklaruar Kelmendi.
Kelmendi në librin “Lindja e përgjakur, të autorit Bedri
Islami, thotë:
“Ndoshta është vendi të informoj se hetimet kundër Rizës
gjermanët i riaktivizuan në vitin 1992, pasi shteti gjerman nuk kishte më
interesa për të përkrahur Jugosllavinë, e cila kishte filluar të shpërbëhej.
Unë mora pjesë në atë proces gjyqësor si dëshmitar kundër Riza Salihut. Gjykata
e liroi Rizën nga akuza për vrasje në mungesë të provave, pasi vuajti ndoshta
një vit e gjysmë burg”.
“Unë kam prova të mjaftueshëm për të besuar se ai ishte
vetëm një argat i UDB’së. Gjithsesi, e kam akuzuar për ekzekutor, të komanduar
nga UDB dhe vazhdoj ta akuzoj, përderisa ai nuk e provon të kundërtën".
Si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Ibrahim Kelmendi, thotë se gjatë vitit 1993 kishin marrë qëndrim që të formonin
një krahë të luftës, meqë sipas tij, lëvizja politike nuk sillte rezultatet e
pritura. Kelmendi thotë se ky krahë ushtarak, emrin Ushtria Çlirimtare e
Kosovës e mori në vitin 1994.
Sipas Kelmendit, pas formimit të Lidhjes Demokratike të
Kosovës në vitet 90, LPK’së, për veç UDB’së jugosllave, iu shtua edhe një
armik, iu hapë edhe një front, sepse në LDK, sipas tij, kanë hy struktura të
UDB’së.
“Sipas meja LDK u themelua me qëllim që ta fashitë
rezistencën aktive të Lëvizjes sonë”.
Kelmendi shton se këtë LDK e bëri me organizim të
demonstratave të ndryshme paqësore, sikurse ishin edhe grevat e minatorëve.
Kelmendi tha se ishte edhe kundër Kryeministrit të
Shqipërisë, Sali Berisha, sepse sipas tij, ai gjatë një takimi me Kancelarin
gjerman në vitin 1996, ka kërkuar zgjedhjen e çështjes së Kosovës brenda
kufijve të Jugosllavisë, për çka së bashku me disa themelues të UÇK’së,
Kelmendi kishte hyrë në grevë urie, me ç’rast kanë kërkua dorëheqjen e Sali
Berishës dhe Kryetarit të LDK’së Ibrahim Rugovës, sepse sipas tij, nënshtroi
dhe skllavëroi shpirtërisht shqiptarët në Kosovë.
Ibrahim Kelmendi, ish-udhëheqës i Fondit “Vendlindja
Thërret” në Gjermani mohoi që ky fond të ketë keqpërdorur mjetet e mbledhura
për të ndihmuar luftën në Kosovë. Ai thotë se këto mjete nuk kishin prejardhje
të dyshimta dhe për këtë ka kërkuar edhe ndihmën e zyrtarëve gjermanë.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen