Kush e vrau Jusuf Gërvallën? - Reshat Sahitaj
Lajme.parajsa.com, 17.03.2012
12:14
Vrasja e Jusuf Gërvallës
është ndër vrasjet më të mediatizuara në këto tri dekadat e fundit, edhe pse
nuk ka asnjë dallim në mes të vrasjeve tjera të mëhershme e të mëvonshme, të
cilat shërbimi sekret jugosllav i kishte kryer.
Ngjarjet e 1981-tës ndikuan
që mërgata shqiptare kudo që ishte të aktivizoheshin në shenjë solidariteti me
kërkesat studentore të asaj kohe. Gjer në këtë kohë diaspora shqiptare ishte e
organizuar në grupe e organizata numerikisht të vogla, në krye të të cilave
mendohej se gjendeshin individ kombëtarisht të pastër.
Qysh në fillim të viteve të
'70-ta, në Bruksel, Vehbi Ibrahimi e kishte themeluar organizatën e tij
"Ismail Qemaili" , po në të njëjtin qytet, vetëm disa metra më larg,
Enver Hadri e kishte krijuar "Rezistenca Kombëtare e Kosovës", që të
dyja me orientim të djathtë. Më vonë, në Gjermani, Ibrahim Kelmendi kishte
themeluar "Fronti i Kuq", Kadri Zeka OMLK-në, ndërsa Jusufi ishte i
kyçur në LNÇKVJ, të gjitha këto më orientime të majta.
Organizimi i demonstratave
shqiptare në metropole të ndryshme perëndimore do të ndikonte pozitivisht në
opinionin botëror. Pavarësisht që shqiptarët ishin të ndarë në majtistë me yll,
e djathtistë me flamurin pa yll, Serbinë do ta shqetësonin tej mase.
Manifestimet që
organizoheshin nga Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka, të shumtën e rasteve
grumbullonin rreth 50 mijë manifestues. Në metropolet evropiane kurrë nuk
kishte ngjarë që shqiptarët të manifestonin me dhjetëra-mijëra. Kontributin e
një grumbullimi të tillë manifestuesish pa asnjë dyshim e kishte emri i Jusuf
Gërvallës dhe natyrisht ngjarjet dramatike që po zhvilloheshin në Kosovë. Kësaj
duhet shtuar edhe Radio Tiranën, e cila pas çdo demonstrate majtiste flitej në
lajmet qendrore.
Grupet djathtiste, duke e
parë së manifestimet majtiste po ua merrnin simpatizuesit e tyre, filluan të
xhelozonin. Disa prej krerëve djathtistë e konsideronin veten më të
privilegjuar, sepse këta shumë më herët e kishin filluar aktivitetin e tyre
kombëtar. Xhelozia e tyre ishte e tepruar dhe tendencioze, aq sa pas pak muajve
një organizatë djathtiste në Gjermani që e drejtonte E. F. nuk hezitoi që në
gazetën e tij t'i quante Jusufin, Kadriun dhe Ibrahim Kelmendin si spiunë të
Serbisë dhe të Rusisë.
Grupi djathtist i
Brukselit, jo vetëm që nuk xhelozonte, por përkundrazi kur në Bruksel do të
vijë Kadri Zeka, Enver Hadri do ta marrë lejen për organizimin e demonstratës
së 13 qershorit 1981. Vehbi Ibrahimi do të shkojë në Gjenevë në një demonstratë
që e organizonte Jusuf Gërvalla, me ç'rast Vehbi Ibrahimi, bashkë me
demonstruesit "marksistë" do t'ia thyenin aparatin një gazetari apo
spiuni serb, që i fotografonte. Madje, më 18 shtator të vitit 1981, në orën
22:30, Vehbi Ibrahimi kishte arritur në fshatin Undergrubenbache të Gjermanisë,
te banesa e Jusuf Gërvallës për të biseduar për çështjen kombëtare. Asnjërit
nga të dy dëshmorët e ardhshëm nuk i shkonte ndërmend se i pari do të binte në
fushën e nderit vetëm 22 ditë pas këtij takimi, kurse i dyti tre muaj më vonë.
Asnjëri nga dy martirët e ardhshëm, që jetën ia kishin falur vetëm çështjes së
shenjtë kombëtare, nuk po e dinte se Beogradi e kishte përgatitur atentatin
kundër tyre.
Me ç'sy i shikonte Beogradi
majtistët dhe djathtistët?
Beogradi kishte vetëm një problem-
pasivizimin dhe nënshtrimin e shqiptarëve. Të pasivizoheshin aktivitetet
shqiptare në Kosovë dhe në diasporë. Të shuheshin në gjak demonstratat dhe
bashkimi i organizatave shqiptare, qofshin ato majtiste ose djathtiste.
Beogradi nuk e bënte dallimin e shqiptarëve majtistë e djathtistë. Për Serbinë,
çdo shqiptar që ishte aktiv duhej të vritej. Vrasjet duhej kryer duke mos lënë
gjurmë pas tyre. Vrasjet duhet bërë, por ato duhet të lënë pasoja të mëvonshme
direkte ose indirekte.
Në Gjermani u shënua atentati
i parë politik mbi djathtistin Rasim Zeneli, i cili ende sot është invalid i
përjetshëm.
E shtunë, më 10 tetor 1981,
u vra Vehbi Ibrahimi. Gjaku i Vehbi Ibrahimit në qendër të metropolit politik
të Evropës ishte gjaku i parë që po derdhej për lirinë e Kosovës. Vrasja e
Vehbi Ibrahimit në qendër të Brukselit ishte viktima e parë dhe atentati i parë
politik për diasporën shqiptare. Vehbi Ibrahimi nuk kishte çka t'i dhuronte më
shumë atdheut veç se edhe pikën e fundit të gjakut, pikërisht ashtu siç ishte
betuar me Metush Krasniqin.
Vetëm tre muaj më vonë, më
17 janar 1982, u vranë Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi. Pra, Serbia po i vriste
djemtë më të mirë të kombit, e jo djathtistët apo majtistët. Për Serbinë, çdo
shqiptar ishte i rrezikshëm.
Vrasja e Vehbi Ibrahimit
mbeti enigmatike sot e asaj dite. Që të mos mbetej enigmatike, Serbia e kishte
vënë në përdorim metodën e luftës psikologjike që menjëherë të shpërndaheshin
dezinformatat se vrasja e Vehbiut ishte qërim hesapesh ndërmjet grupeve dhe
grupacioneve shqiptare. Cilat ishin ato grupe e grupacione që aludonte Serbia?
Asnjë grup nuk ishte kundër Vehbi Ibrahimit, sepse posti që mbante Vehbiu nuk
paguhej më para, por me jetë. Vrasja e Vehbiut ende është enigmatike. Ende
qarkullojnë thashetheme se e vrau filani apo fisteku.
Më 17 janar 1982 u vranë
Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi. Gjëja e parë që Beogradi do të shkruajë është e
njëjtë si për Vehbi Ibrahimin, se vrasja e tyre ishte qërim hesapesh ndërmjet
grupeve dhe grupacioneve shqiptare. Kjo tezë do të lansohet dhe do përhapet në
tërë popullin shqiptar që nga ajo ditë e deri më sot.
Mbi kë do bie hija e
dyshimit si ndihmësvrasës potencial i Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut?! Kë do
ta mallkojë për jetë hija e dyshimit për vrasjen mizore të tre dëshmorëve?!
Mbi atë i cili më së shumti
ka qëndruar afër tyre! Mbi atë i cili nganjëherë është grindur! Mbi atë i cili
nganjëherë nuk është pajtuar me metodat dhe strategjinë e Jusufit! Të gjitha
rrugët e dyshimit çojnë te Ibrahim Kelmendi. Ibrahim Kelmendi ishte grindur,
nuk ishte pajtuar dhe kishte qëndruar afër tyre, e madje ditën e kobshme ishte
larguar nga banesa e Jusufit. Por, a janë këto fakte dhe prova të mjaftueshme
që të dyshohet në Ibrahim Kelmendin?! Mendoj se këto nuk janë fakte kur dihet
se Ibrahimi në çastin e vrasjes ishte qindra kilometra larg vendit të ngjarjes.
Sikur të ishin fakte të mjaftueshme, policia gjermane, që është ndër policitë
më të zhvilluara dhe më të sakta në Evropë do ta kishte burgosur Ibrahim
Kelmendin. Organet e hetuesisë gjermane nuk punojnë në bazë të thashethemeve
dhe rastësisë, por ne bazë të argumenteve dhe provave të pakontestueshme.
Kush është Riza Salihu, të
cilin e akuzon Ibrahimi?
Ibrahim Kelmendi, duke e
parë se të gjitha akuzat po rëndojnë mbi të, do të përpiqet individualisht të
gjejë ndihmësvrasësin e tre dëshmorëve. Përpjekjet e Ibrahim Kelmendit për të
gjetur ndihmësvrasësin dhe për ta zbardhur rastin, do ta shkarkojë nga një
barrë e rëndë, e cila po ia rëndon jetën. Nuk është e lehtë të jetosh duke ta
bërë tjerët pas shpine: "Ja vrasësi i Jusuf Gërvallës!". Në këtë
gjendje të vështirë shpirtërore, Ibrahimi do të ketë gjetur indikacione të
cilat ndoshta nuk të shpien te zbardhja e vrasjeve, por në të cilat lë për të
dyshuar se Riza Salihu është ndihmës i vrasjeve.
Gjer më tani, Riza Salihu
ishte njeriu më enigmatik, jo për faktin se ai ishte i dyshuar, por ngase nuk e
ka parë të arsyeshme të shprehet publikisht. Pas tridhjetë vjetëve, Riza Salihu
deklarohet publikisht, tani jo vetëm si i pafajshëm, por si akuzues. Bazuar në
deklaratën e tij dhënë në TV Klan Kosova, na del se polica gjermane, në
bashkëpunim me Ibrahim Kelmendin, i ka vrarë tre dëshmorët tanë. Çfarë
absurditeti?! Çfarë deklarate primitive dhe antikombëtare?! Riza Salihu e bënë
Serbinë të pafajshme! Si mund të pafajësohet Serbia për vrasjen e Jusufit,
Kadriut dhe Bardhoshit? Jusufi nuk kishte shkuar në Gjermani për të bërë luftë
kundër Gjermanisë, por kundër politikës shfarosëse serbe që ushtronte mbi
shqiptarët në Kosovë. Bindjet politike të majta të Jusufit e Kadriut nuk ishin
kundër Gjermanisë, por kundër hegjemonistëve serbë. Të thuash se Gjermania i
paska vrarë dëshmorët tanë, është ta shfajësojmë Beogradin për krimet që i ka
bërë. Gjermania, vendi më mikpritës dhe më përkrahës i kërkesave të shqiptarëve,
nuk ka pasur nevojë t'i vrasë shqiptarët. Akuzën që Riza Salihu ia drejton
Gjermanisë, mendoj se shumë shpejt organet kompetente gjermane do të
interesohen ta marrin në pyetje këtë individ dhe të rihapet dosja ndoshta e
mbyllur e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit. Ta akuzosh Gjermaninë nuk është e
njëjtë si ta akuzosh Ibrahim Kelmendin.
Pse polemizon Hysen
Gërvalla?
Të jesh në pozitën e Hysen
Gërvallës është shumë rëndë. Të përjetosh vrasjen e dy vëllezërve e të qëndrosh
në qelinë e burgut, është vuajtje psikike e paparë. Të presësh e përcjellësh e
të dëgjosh këshilla e përralla nga qindra vizitorë që ia hanë bukën e ia
lëshojnë nga një mesele, bën që njeriu të mos jetë në gjendje të vendosë çka
është mirë e çka keq. Nga të gjitha ato këshilla, gjoja në besim, të gjitha ato
biseda gjoja sikur janë sekrete, por vetëm ia shpalosin Hysenit, ose familjes
së tyre, krijojnë dyshim jo vetëm në Ibrahim Kelmendin, por në secilin shqiptar
për të cilin i kanë folur në "besim". Nuk është e rastësishme
deklarata e Hysen Gërvallës, kur thotë se për vrasjen e Jusufit i ka dy të
dyshimtë në Gjilan, dy në Tetovë, dy në Prizren, dy... Hysen Gërvalla është më
i interesuar se çdo kush tjetër ta gjejë ndihmësin e vrasjes së trefishtë.
Hyseni të dyshuarit nuk i imagjinon, por ai bazohet në ato që tjerët ia kanë
thënë, herë në besim e herë në "besim". Hysen Gërvalla, Avdyli dhe
secili anëtar i familjes së tyre dhe çdo shqiptar me ndjenja kombëtare nuk ka
dëshirë të vdesë pa e gjetur vrasësin apo ndihmësin e vrasjes.
Mendoj se Shërbimi Sekret
Serb, për vrasjet politike nuk i ka njoftuar bashkëpunëtoret e tyre. Serbia nuk
ka pasur besim t'i tregojë edhe shqiptarit më besnik se kë do ta vrasin dhe në
cilën orë do ta vrasin.
Për zbardhjen e vrasjes së
trefishtë të 17 janarit 1982, në Gjermani, është më se e domosdoshme që
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës të kërkojë nga Gjermania që të bëhet
ADN-ja e 47 duçave të cigareve, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes. Që
njëherë e përgjithmonë të mbyllen akuzat e ndërsjella, do të ishte e rrugës që
organet kompetente të Kosovës t'u drejtohen me shkrim organeve gjermane, për të
parë se në ç'fazë gjendet dosja e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit.
Ata nuk ranë në altarin e
lirisë për qejfet e tyre personale, por për çlirimin e atdheut që sot ne po e
gëzojmë dhe mbajmë poste kyçe, duke iu falënderuar të gjithë atyre që
kontribuuan.

Kommentare
Kommentar veröffentlichen