lajme.parajsa.com, 19.03.2012 12:10





Sabri Novosella diskreditoi veten e tij - Ibrahim Kelmendi


Si mysafir në Tv-Klan-K, për të debatuar për akuzat e ngritura në librin e Bedri Islamit, "Lëvizja (bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin)", Sabri Novosella u përpoq të më diskreditonte e të më denigronte, por, mendoj, ai diskreditoi veten e tij.

Nuk kam nevojë të komentoj gjithë belbëzimet hidhëruese të tij në atë emision, meqë nuk ia vlen. Kësaj radhe do ndalem vetëm në ca tematika më kryesore, për të ofruar sqarime që do ndihmonin në zbërthimin e enigmës të quajtur: Sabri Novosella.

Organizata LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI (LNÇKVSHJ), të cilën Sabri Novosella pretendon se e ka themeluar dhe e ka (ç)drejtuar, ka qenë më shumë një sajesë virtuale, se sa një realitet. Në të ardhmen e afërt do të dëshmohet edhe më bindshëm se ajo organizatë ishte një sajesë e porositur, për të futur në kurth shqiptarë të interesuar për veprimtari çlirimtare. Udhëheq i asaj organizate nuk ka qenë asnjëherë Metush Krasniqi, siç ia do të dezinformojë Sabri Novosella, meqë dyshon në autoritetin imponues të vetes se tij. Cilat dëshmi faktike vërtetojnë se kjo organizatë ka qenë autentike dhe ka pas funksionim të mirëfilltë organizativ?

Sabri Novosella e anëtarëson Jusuf Gërvallën në organizatën e tij fiktive, siç thotë ai, me propozim të Teki Dervishit. Përse Teki Dervishi nuk është anëtarësuar vetë, por ia ka propozuar Jusufin atij?

Largimi i Sabriut nga Kosova përmes Ibush Kllokoqit

Në dhjetor të vitit 1979, Sabri Novosella largohet nga Kosova. Vërtet është arratisur!? Në librin në fjalë është ofruar një dëshmi flagrante, se oficeri madhor i UDB-së, Ibush Kllokoqi, ka inskenuar bastisjes e shtëpisë se Sabri Novosellës, por vetë Ibushi, pikërisht atë natë e ka transportuar Sabriun me makinë të tij deri buzë kufirit me Shqipërinë, kurse policët i ka urdhëruar të raportojnë se nuk e kanë gjetur Sabriun në shtëpi. Demë Ademaj, udhëheqës i ekipit policor për të bastisur shtëpinë dhe për të arrestuar Sabri Novosellën atë natë, ma ka ofruar këtë ndodhin, në prani të Bilall Kryeziut dhe Malush Admajt. Prej andej Sabriu kalon në Shqipëri dhe pas rreth dy muajve, me ndihmë të Sigurimit Shqiptar, kalon në Turqi. Edhe pse i kam besuar rrëfimit të ish-kryepolicit Ademaj, unë po e vazhdoj ta diskreditoj Sabriun sikur të mos e kisha këtë informim.

Përafërsisht në të njëjtën kohë arratiset Jusuf Gërvalla, me ndihmë të Skender Blakajt dhe Sali "Dukatit" deri në Lublanë, prej aty arratisjen e Jusufit e organizon i vëllai, Bardhosh Gërvalla.

Sabri Novosella dezinformon se Bardhoshi kishte organizuar radhë të asaj organizate në Gjermani dhe prandaj Jusufi gjeti terren të gatshëm për të vazhduar veprimtarinë e organizuar. E vërteta është se Bardhoshi nuk kishte organizuar njeri dhe nuk ishte as vet i organizuar, ai ishte i punësuar në Shoqatën gjermane "Arbeiter Wohlfahrt" dhe pas orarit të punës merrej kryesisht me muzikë, si kitarist e këngëtar, bashkë me ca miq të tij gjerman, nëpër lokale, për të rritur të ardhurat e tij financiare.

Me ftesë të Bardhoshit, njerëzit e parë që takon në Gjermani Jusufi janë Hysen Gega dhe unë, Ibrahim Kelmendi, meqë Bardhoshi vetëm me ne kishte shoqëri të idealit dhe bashkëpunim.

Jusuf Gërvalla pas disa javësh angazhohet me redaktimin e gazetës "Bashkimi", të cilën e botonte Fronti i Kuq Popullor. Për gati një vit ai nuk kishte fare lidhje me "udhëheqësin" e tij, Sabri Novosellën, dhe as me asnjeri të organizuar në organizatën fantazmë të Sabri Novosellës. Sabri Novosella dinte ku ishte strehuar Jusufi, i ishin dërguar në Turqi adresa dhe telefoni kontaktues. Përse ai nuk kontaktoi dhe nuk e "udhëhoqi" Jusufin gjatë më shumë se një viti?

Dyshimi tek Sabriu

Sabri Novosella dhe të tjerë shpifin se Jusuf Gërvalla nuk ishte shok me Ibrahim Kelmendin. E vërteta është se Jusufi në ekzil nuk kishte shok e bashkëveprimtar më të ngushtë se mua, sepse ndonjë tjetër nuk kishte çfarë t'i ofronte për bashkëpunim dhe ai nuk kishte mundësi përzgjedhjeje të ndonjërit që ishte më i angazhuar në atë kohë. Ndonjë zënkë mes meje dhe Jusufit ka ndodhur kryesisht për faktin, se unë mundohesha ta bind Jusufin, të mos e çmonte Sabri Novosellën për udhëheqës të tij, sepse Sabriun po e vlerësoja për injorant dhe të dyshimtë. Për shoqërimin dhe bashkëpunimin tonë dëshmon bindshëm letra e Jusufit, që ma ka dërguar me 15 janar 1982 (dy ditë para vrasjes).

Në janar të vitit 1980, Riza Salihu, kryetar i Grupit Komunist "Zëri i Kosovës", "në emër" të grupit të tij, urdhëron Hysen Gegën për ta vrarë Jusuf Gërvallën, me arsyetim se Jusufin e ka dërguar UDB-ja për të përçarë grupin e tyre dhe për t'i spiunuar mërgimtarët patriotë. Fal karakterit fisnik, përvojës në veprimtari patriotike, fal shoqërimit të tij me Bardhoshin e Ibrahim Kelmendin, Hysen Gega e dekonspiron urdhrin e Riza Salihut. Në prill të vitit 1980, ndodh ballafaqimi në mes të Jusuf Gërvallës dhe Riza Salihut, në prani të Bardhoshit, Hysen Gegës, Maksut Saramatit, Ibrahim Kelmendit dhe dy të tjerëve...

Sabri Novosella kurvërisht, si gjithherë, me barazon mua dhe Riza Salihun në këtë paraqitje të tij, edhe pse unë jam armiqësuar me Riza Salihun qysh në njohje e ballafaqim të parë në vitin 1978. Nuk kam koment për këtë poshtërsi të tij, pos nëse e ka nga inati se kam dalë i fituar kundër keq-bërjeve e komploteve të tij.

Sabri Novosella kontakton Jusuf Gërvalla, pothuajse vetëm pas një viti e gjysmë, kur Qeveria shqiptare dërgon ndihma të shumta financiare për veprimtari patriotike e çlirimtare dhe kur Jusuf Gërvalla afirmohet si personalitet në Perëndim. Sipas informacioneve, që i mësova në Tiranë para katër viteve, Sabri Novosellës Qeveria shqiptare duhet t'ia ketë dorëzuar gjatë vitit 1981 të paktë dy milionë dollarë ndihmë për veprimtari të organizatës se tij, por ky farë Sabriu vetëm 10 mijë dollarë ia përcjell Jusufit, të tjerat i përvetëson për veten e tij.

Organizata fantazmë e Sabriut nuk ekzistonte

Në tetor të vitit 1981, Sabri Novosella takohet me Kadri Zekën, për të formalizuar bashkimin e tri organizatave tona të atëhershme. Paraprakisht, qysh në gusht të atij viti, ne ishim dakorduar për t'u bashkuar, por Jusufi donte t'i bënte nder veteranit dhe "udhëheqësit" të tij, Sabri Novosellës, me formalizimin e bashkimit. Kadri Zeka ishte i autorizuar të përfaqësonte OMLK-në, po Sabri Novosellën kush e kishte autorizuar, meqë gjatë vitit 1980 dhe 1981 organizata fantazmë e Sabriut nuk ekzistonte gjëkundi, pos në dëshirat dhe përpjekjet e Jusuf Gërvallës për ta gjallëruar atë, meqë ende nuk po bindej se ajo ishte sajesë virtuale e Sabri Novosellës. Sabri Novosella kundërshton bashkimin, me arsyetim se nuk bashkohet me komunistë të OMLK-së. Më pastaj këtë faj të tij Sabriu mundohet t'ua mvesh diplomatëve shqiptarë, Bujar Hoxhës dhe Engjëll Kolonecit. Pas këtij kundërshtimi Sabri Novosella urdhëron Jusuf Gërvallën që të ndërpresë bashkëpunimin me Kadri Zekën, të fillojë botimin e "organit" "Zëri i Kosovës" dhe të fillojë anëtarësime në organizatën e Sabri Novosellës.

Në dasmën e Kadri Zekës dhe Saime Jusufit komplotet e Sabri Novosellës dhe të disa shpifësve tjerë sqarohen dhe Jusufi e Kadriu pajtohen mes tyre.

Më 16 janar 1982, Jusuf Gërvalla fton Kadri Zekën dhe Ibrahim Kelmendin për t'u takuar. Në mëngjesin e 17 janarit vendosim bashkimin në organizatën Lëvizja për Republikën e Kosovës. Në të njëjtën ditë, rreth orës 22.15, Jusufit, Kadriut e Bardhoshit ju zihet prita nga dorasit kriminelë të UDB-së.

Tani Sabri Novosella brutalisht kundërshton bashkimin e 17 janarit, kurse unë me ndërgjegje dëshmoj se bashkimi dhe themelimi i Lëvizjes ndodhi atë ditë dhe se Jusufi e Kadriu u morën gjatë gjithë ditës me përpilimin e dokumentacionit përkatës. Për ata që nuk duan të më besojnë, shtrohet pyetja: Përse duhej të rrinte edhe një natë Kadriu në shtëpi të Jusufit e Bardhoshit, kur të hënën në mëngjes duhej të ishte në punë në Sant Gallen të Zvicrës? Sigurisht për të përmbaruar dokumentacionin e vendimit për bashkim, për të konkretizuar programin dhe statutin dhe për të shkruar njoftimin.

Komplotistët

Më 17 shkurt 1982, komplotistët Sabri Novosella dhe Avdullah Prapashtica, si "përfaqësues" të organizatës dhe partisë së tyre, "formojnë" Lëvizjen për Republikën (Socialiste) Shqiptare në Jugosllavi. Më 15 maj 1982, atyre u bashkohet komplotisti Xhafer Shatri, si "përfaqësues" i OMLK-së. Kësaj radhe Sabri Novosellën nuk po e pengonte bashkimi me komunistët a la Abdullah Prapashtica e Xhafer Shatri. Pas një muaji fillojnë kontestimet reciproke të "bashkimit" të 17 shkurtit në mes të Sabri Novosellës dhe Abdullah Prapashticës dhe Abdulla Prapashtica bashkë me partinë e tij fantazmë, "Partia Komuniste Shqiptare në Jugosllavi" dalin nga "bashkimi" i 17 shkurtit. Pas dy viteve fillojnë zënkat armiqësore në mes të Sabri Novosellës dhe Xhafer Shatrit. Pason largimi nga Lëvizja i Sabri Novosellës, i shoqëruar me 3-4 përkrahës të tij. Më pastaj pason edhe largimi i Xhafer Shatrit.

Aty e tutje këta komplotistë pushojnë veprimtarinë, për t'u gjallëruar në vitin 1991 në kuadër të LDK-së dhe të "Qeverisë Bukoshi", kundër Lëvizjes, me vonë edhe kundër UÇK-së.

Këto të dhëna telegrafike, besoj, janë të mjaftueshme, për të diskredituar veprimtarinë e Sabri Novosellës. Broçkullat e tij fodulle, se ishte i djathtë, janë pjellë e truri të tij taktik, gjysmë-analfabet dhe të kriminalizuar.

Sidomos qytetarët e Prishtinës janë dëshmitarë se çfarë masakruesi urbanistik i Prishtinës ishte Sabri Novosella, menjëherë pas çlirimit të Kosovës. Dhe këtë masakër ai duhet ta ketë financuar me miliona dollarë, që Qeveria Shqiptare ia kishte dhënë si ndihmë për veprimtari patriotike të organizatës se tij fantazmë, por që ai i kishte përvetësuar, për t'i legalizuar tashmë gjatë masakrimit urbanistik të Prishtinës.

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?