Në 30 vjetorin e vrasjes së
Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës
‘DUHET THYER HESHTJA’
Deri
sot kam heshtur rreth faktit që e njoh çdo faqe të dosjes hetimore të organeve
gjermane. Kam heshtur edhe rreth asaj që kam mësuar nga këto dosje rreth miqve
të vërtetë, por edhe armiqve të babait tim. Kam mësuar shumë edhe për armiq të
tij, të cilët si atëherë ashtu edhe sot, shtiren sikur kanë qenë shokë të tij.
Shkruan: Donika GËRVALLA
Unë kam qenë 10-vjeçare kur u vra Babi në
Gjermani. Vrasja u krye nga profesionistë të Sigurimit jugosllav. Jusuf
Gërvalla vdiq më 18 janar 1982, në orën tre të mëngjesit në spital, si pasojë e
atentatit të ushtruar më 17 janar ndaj tij, vëllait të tij Bardhoshit, si dhe
mysafirit të tyre, Kadri Zeka. Rreth rrethanave të vrasjes kam heshtur 30 vjet.
Për mua dhe vëllezërit e mi, ai më shumë
se gjithçka tjetër mbetet Babi ynë. Për nënën tonë ai mbetet bashkëshorti dhe
shoku i dashur i jetës. Për Nënën Ajshe, së bashku me mixhën Bardhosh, ata
mbesin djemtë e saj të dashur, vdekja e të cilëve ia rëndoi zemrën shumë. Për
shumë njerëz në Kosovë, njeriu Jusuf Gërvalla, shkrimtar, gazetar dhe
kantautor, ka qenë dhe mbetet një figurë e nderuar, por edhe një njeri i dashur
për ta. Këtë burrë trupvogël e bëri të madh jeta dhe vepra e tij.
Deri sot kam heshtur rreth faktit, që e
njoh çdo faqe të dosjes hetimore të organeve gjermane. Kam heshtur edhe rreth
asaj që kam mësuar nga këto dosje rreth miqve të vërtetë, por edhe armiqve të
babait tim. Kam mësuar shumë edhe për armiq të tij, të cilët si atëherë ashtu
edhe sot shtiren sikur kanë qenë shokë të tij.
Qëllimi i Babit në Gjermani ishte të
bashkonte diasporën shqiptare. Këtë qëllim e ndiqte me shumë ngulm, pasion dhe
mençuri. Ai me shqiptarët e emigruar bisedonte rreth familjeve të tyre, lirisë
dhe asaj që duhej bërë për të përmirësuar situatën në vendlindje. Në fillim të
viteve ‘80, për herë parë nën organizimin e tij, shqiptarët mbushën rrugët e
Gjermanisë për të demonstruar për të drejtat e tyre dhe kundër tankeve dhe
dhunës së ushtruar në Kosovë.
Babi im vendosi shumë shpejt të dëgjojë
zërin e popullit në Kosovë dhe e përkrahu menjëherë kërkesën për Republikë, gjë
që nuk i solli vetëm miq në radhët e diasporës shqiptare. E mbaj mend mirë
skenën kur dëgjoi për herë të parë për demonstratat e studentëve në mars 1981.
Rrallë e kisha parë kaq të entuziazmuar.
Nuk duhet të heshtin më dëshmitarët e
kohës që i njohin të gjitha këto fakte. Nuk duhet të heshtet as për atë burrë
që e dërguan me armë tek Babi në shtëpi që ta vriste. Babi, pa i nuhatur aspak
qëllimet e tij, gjatë bisedës së gjatë që zhvilluan e bëri që të nxjerrë armën,
ta vërë para vetes në tavolinë dhe t’i thotë: „Jusuf, bëj çfarë të duash me
mua. Unë kam ardhur të të vras, sepse më patën bindur se je tradhtar. E shoh që
qenkam mashtruar“. Përgjigjja e Babit ishte miqësia që i ofroi. Po i njëjti
person, një atdhetar i flaktë dhe i pakompromis, nga të njëjtët njerëz dërgohet
në Kosovë, bie në kurth dhe dënohet me 14 vjet burg. Një viktimë e regjimit
jugosllav dhe njëkohësisht një viktimë e tradhtisë shqiptare.
E vërtetë është që në mesin e shqiptarëve
atë kohë kishte mjaft spiunë, të cilët punonin për UDB-ën ose të tillë, që për
një privilegj të vogël në konsullatën aq të urryer jugosllave në Stuttgart
raportonin për Jusuf Gërvallën dhe ata që kishin kontakt me të. Sa të ulët
paskan qenë këta njerëz që në këtë formë e shfrytëzonin derën dhe zemrën e
hapur të familjes Gërvalla.
Babi dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar për
arritjen e qëllimit të tyre të përbashkët, lirinë e Kosovës. Kadriu ishte shpesh
i pranishëm në demonstratat që organizoheshin në Gjermani. Babi, si gazetar me
shumë përvojë, angazhohej me ftesë të Kadriut për një përmbajtje sa më cilësore
të gazetës „Liria“, që botohej në atë kohë nga Kadri Zeka. Njëjtë vepronte edhe
me gazeta të tjera që botoheshin në diasporë. Ai donte që të flitej fuqishëm
dhe me një gjuhë të përbashkët.
Por e gjithë e vërteta është që unë nuk
jam e vetmja që e di se sa të tensionuara ishin një kohë relatat mes Babit tim
dhe Kadri Zekës. Ata asnjëherë nuk arritën të bëheshin shokë. Shkak për këtë
mund të ishte edhe fakti që kishin përfytyrime të ndryshme, se cila do të ishte
rruga më e mirë për arritjen e synimeve të përbashkëta. Babi asnjëherë nuk ka
punuar me kërcënime, nuk ka mbajtur armë, madje as atëherë kur nuk kishte më
asnjë dyshim, se sa në rrezik ishte jeta e tij. Por Babi dhe Kadri Zeka në
luftën e përbashkët për liri përpiqeshin të arrinin megjithatë një bashkim.
Pikërisht më 17 janar, pra ditën e
atentatit, ata u liruan mjaft me njëri - tjetrin. Nga shtëpia dolën duke qeshur
me të madhe dhe duke bërë shaka. Mjaft tragjike që ata vriten pikërisht në këtë
ditë të afrimit të tyre. Nuk është ndonjë turp, nëse luftën e përbashkët për
liri nuk e kufizon brenda rrethit të shokëve dhe miqve të ngushtë. Përkundrazi,
edhe më madhështore na duken në retrospektivë këto figura, kur e dimë që
bashkonin forcat në luftë për çlirimin e Kosovës, edhe pse personalisht mund të
kishin rezerva ndaj njëri-tjetrit.
Në një kohë kur Kosova kërcënohej nga
regjimi jugosllav dhe më vonë edhe më rëndë nga ai serb, rreth këtyre
rrethanave nuk është folur asnjëherë për të mos zbehur dhe rrezikuar edhe atë
unitet të brishtë, i cili u krijua mes shqiptarëve në diasporë pas kësaj
vrasjeje mizore. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është Republikë. Shtet i
pavarur dhe sovran. Është koha të flitet për të gjitha etapat e luftës për
çlirimin e Kosovës dhe është koha që të flitet e tërë e vërteta. Ua kemi borxh
brezave të rinj që historinë t’ua përcjellim të pastër dhe pa legjenda. Dhe
këtu nuk e kam fjalën vetëm për historinë e Babit tim.
Pas largimit të detyruar nga Kosova, Babi
në Gjermani shkroi qindra faqe. Kohën e kalonte kryesisht „lart“, në dhomën e
tij të punës. Kur doja të kaloja pak kohë me të shkoja nganjëherë lart tek ai
në dhomë. Ai zakonisht punonte në tavolinë, shkruante dhe korrigjonte. Kishte
dorëshkrime pa fund, të cilat i shtypte në fund në një makinë shkrimi mjaft
moderne për atë kohë (ai nuk e përjetoi kohën e kompjuterit, sepse vdiq shumë i
ri). Shkruante në makinë vetëm me dy gishtat tregues, por me një shpejtësi të
jashtëzakonshme që më mahniste si fëmijë. Kur kishte kohë më ftonte të ulesha
pranë tij dhe t’ia diktoja tekstet që ishte duke i hedhur nga dorëshkrimi në
makinë. Herë pas here ulej këmbëkryq në karrige, ngaqë kaq gjatë shkruante sa i
lodheshin këmbët. Ndërpriste shkrimin, më tregonte diçka ose më shpjegonte
ndonjë pjesë të tekstit që nuk e kuptoja, dhe vazhdonte të shkruante.
Babi im, shkrimtari dhe poeti, njeriu i
artit dhe i letërsisë, në dy vjetët e kaluar në Gjermani nuk shkroi as edhe një
poezi të vetme. E kishin privuar nga vendlindja, për lirinë e së cilës luftonte
tani nga Gjermania me mjetet e tij, me forcën e fjalës dhe penës së tij. Gjatë
këtyre 30 vjetëve kam gjetur nga ajo kohë vetëm një strofë të shkruar me
stilograf në këndin e një faqeje të një gazete. Strofa titullohej: Vdekja.
Babi e donte shumë kitarën e tij. Në
Gjermani të dy vëllezërit, Bardhi dhe Jusufi, merrnin shpesh kitarat e tyre në
dorë dhe këndonin. Kur isha në klasën e tretë dhe duhej të zgjidhja në shkollë
një instrument muzikor e pyeta Babin se a mendonte ai që unë të zgjidhja
kitarën apo flautin (natyrisht që unë doja ta merrja kitarën si Babi im!). Ai
më këshilloi të merrja flautin. „I biem bashkë“ më pati thënë, „ti flautit e
unë kitarës“. Edhe pse unë ende nuk dija t’i bija flautit mirë, më ftonte herë
pas here të luanim melodinë shumë të thjeshtë të këngës kaq kuptimplote „Për
Mëmëdhenë“.
Më 17 janar, ditën e
atentatit, pati biseduar me ne fëmijët për Skënderbeun dhe faktin që atë ditë
ishte përvjetori i vdekjes së tij. Askush përveç vrasësve të tij dhe atyre që e
kishin urdhëruar atë vrasje nuk e dinte në atë moment që Babi im do të vritej
në ditën e vdekjes së Skënderbeut.
Por ai do të arrinte ta shtynte datën e
vdekjes së tij për një ditë. Jusuf Gërvalla e ka parë vrasësin e tij. E dinte
që Kadriu kishte vdekur në vendin e ngjarjes, sepse e shihte të shtrirë përtokë
skaj makinës. Në spital është dërguar duke menduar që vëllai i tij më i ri
ishte ende gjallë dhe mund t’i kishte shpëtuar atentatit. Më e rëndësishme sesa
të operohej, atij do t’i jetë dukur të bënte një deklarim të qartë që nuk linte
asnjë dilemë.
Atentati u krye rreth orës 22:15. Babi
nguli këmbë të pritej derisa të vinte policia dhe në orën 00:30 të datës 18
janar, deklaron në prani të personelit mjekësor dhe të policisë gjermane që
vrasja ishte kryer nga UDB-ja jugosllave.
Ndërkohë e kam shumë të qartë që UDB-ja
nuk do të mund ta kishte vrarë Babin pa ndihmës - ose thënë më saktë pa
tradhtarë - nga rrethi i njerëzve që ndodheshin rreth tij. Babi kishte shumë
kohë që kur binte zilja e derës nuk dilte asnjëherë ta hapte. Të gjithë
pjesëtarët e familjes e dinim që kishte kërcënime të vazhdueshme. Unë vetë pata
parë një natë nga dritarja një person, që përpiqej të hapte derën e garazhit
tonë dhe i pata njoftuar prindërit menjëherë.
Babi pak minuta pas atentatit, ndërkohë që
pritej ndihma e shpejtë dhe policia, Mamit i thotë: „Në qoftë shqiptar, kurrë
mos u gjettë“. Nuk është e vërtetë që ai nuk donte të zbulohej vrasësi. Jusuf
Gërvalla nuk donte që shqiptarët e robëruar të bëheshin viktimë e propagandës
serbe, që vazhdimisht thoshte se shqiptarët po vriten mes vete. Ai shumë kohë
para vdekjes së tij e ka ditur që edhe në mesin e shqiptarëve kishte vegla në
duart e vrasësve jugosllavë.
Si vajzë e tij, e kam përjetuar nga afër
Babin tim, kam përjetuar mendimet dhe ndjenjat e tij. Dhe një gjë e di me
siguri: Kosova për të cilën Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe
shumë të tjerë dhanë jetën, është Kosova e lirë si një shtet, i cili pas gjithë
atyre viteve të robërisë na e kthen dinjitetin dhe krenarinë.
Le ta thyejmë heshtjen së
bashku…

Kommentare
Kommentar veröffentlichen