Ramadan Pllana
DËSHMI TË KOHËS: Jusuf Gërvalla dhe enigma e « Komitetit
Qendror » të LNÇKVSHJ-së
(Fjala mbajtur në “Flaka e Janarit”, me rastin e
tridhjetë vjetorit të rënjes së dëshmorëve, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e
Bardhosh Gërvalla, më 04. 02. 2012 në Heidelberg, Gjermani)
Albaniapress.com 07.shkurt
2012 4:19
- Fjalët dhe punët e
njerëzve të mëdhenj nuk janë sipas vendit e kohës së tyre, ato mund t'i
përshtaten çdo kohe dhe çdo vendi! (Sami Frashëri)
Të nderuar vëllezër e
motra,
Të dashur familjarë të të
gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Atdheut,
Bashkatdhetarë e miq të
nderuar,
Pjesëmarrës në këtë Akademi
përkujtimore,
FLAKË QË NUK SHUHET
KURRË!...
U mbushën plot tridhjetë
vjet nga vrasja mizore prej dorës kriminele serbo-jugosllave e Jusuf Gërvallës,
Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës. Por, heronjtë nuk vdesin kurrë, sepse emrat
dhe veprat e tyre bëhen të pavdekshëm! Ata, u nderuan, nderohen e do të
nderohen me respekt të madh nga populli, kështu ata e fituan përjetësinë në
zemrat e kombit, sepse ata u ngritën për të mos rënë kurrë.
Këto ditë, kur po i
kujtojmë bijtë e bijat më të mira të popullit tonë të rënë për liri e bashkim
kombëtar, njëkohësisht do ta përkujtojmë e do e festojmë, me mburrje e krenari,
edhe njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
-Pa vetëmohimin, pa
flijimet, pa gjakun e të gjithë dëshmorëve; - nuk do kishte Shqipëri!
Vrasja tinëzare, më 17
janar 1982, në Gjermani, e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës,
nga dora e zezë kriminale serbo- jugosllave e dëmtoi shumë Lëvizjen tonë
ilegale, por Lëvizja jonë për liri e bashkim kombëtar nuk u shua dot, me
vrasjen e tre yjeve të pashuara, përkundrazi; -atdhetarët e përkushtuar e
intensifikuan dhe e vazhduan luftën duke çuar në vend amanetin e dëshmorëve.
-Dita e rënies së tyre
është njëkohësisht edhe themeli i Bashkimit të Organizatave ilegale shqiptare
në ish Jugosllavi, kur ata u pajtuan që të bashkoheshin e të shkriheshin në një
Lëvizje të vetme, e si rrjedhim do të formohet Lëvizja Popullore e Kosovës
(LPK), më 17 shkurt 1982.
-Përkundër përpjekjeve të
armikut shekullor për ta shuar luftën tonë të drejtë e të shenjtë për liri e
bashkim kombëtar, LPK-ja ia arriti që të formojë edhe Ushtrinë Çlirimtare të
Kosovës (UÇK-në), e cila e bëri të pamundurën, e luftoi dhe e dëboi, njëherë e
përgjithmonë okupatorin shekullor serb nga Kosova.
Mbesin të paharruar
dëshmorët e kombit të çdo brezi, pra edhe Jusufi, Kadriu e Bardhoshi me
bashkëmendimtarët e bashkëveprimtarët e vet, me emra të dëshmorëve të
paharruar, si Fazli Greiqevci e Shaban Shala, Rexhep Elmazi e Hilmi Rakovica,
Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Abazi, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri
Fazliu, Metush Krasniqi, Ali Ajeti, Xhemajli Berisha, Fadil Vata, Ahmet Haxhiu
e shumë e shumë të tjerë…
Këtë zinxhir flakadan
kombëtar do ta kurorëzojë me shkronja të arta plejada e Epopesë së lavdishme e
heroike e UÇK-së, me Komandantin legjendar Adem Jashari, bashkë me të vëllai
Hamzën e me familje, me luftën pa kompromis me pushtuesin, luftë që do të
sakrifikojë bijtë e bijat më të mira të kombit nga të gjitha trojet tona, disa
prej të cilëve po i përmendim këtu ishin luftëtarë të UÇK-së, tani janë
dëshmorë: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Mehë Uka, Adrian
Krasniqi, Ilir Konushevci, Mujë Krasniqi, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Fehmi e
Xhevë Lladrovci, Ismet Jashari, Agim Bajrami, Bashkim Krasniqi, Labinot e Visar
Krasniqi, Kadri Kokollari, Remzi Ademaj, Ferki Aliu, Bahri Kuçi, Xhemajl
Fetahu, Gursel e Bajram Sylejmani, Tahir Sinani – “Tahir Shqipëria”, Indrit Cara
– “Ushtar Kavaja”, Ahmet Kaçiku, Naser Kodra, Luljeta Shala, Mustafë Shyti,
Bekim Berisha, Bedri Shala, Myrvete Maksutaj, Jetë Hasani, Agim Ramadani, Rasim
Kiçina, Abedin Rexha, Xhavit Morina, e qindra të tjerë, tashmë të skalitur me
shkronja të arta në faqet e historisë sonë të re.
Adem Jashari, me UÇK-n,
heroike; - me ata qindra e mijëra luftëtarët trima do t’i shkëpusin, njëherë e
përgjithmonë, zinxhirët e zinj të robërisë serbe duke ia dhënë Serbisë grushtin
vendimtar në beteja të pandërprera të lavdishme dhe tejet të pabarabarta në
armatim e në ushtri duke e bërë Drenicën kala të pamposhtur e varr të armikut
dhe Kosovën mollë të ndaluar për apetitet kriminele pushtuese të Serbisë.
Aktiviteti ilegal i Jusuf Gërvallës dhe enigma e « Komitetit
Qendror » të LNÇKVSHJ-së
Të nderuar miq,
Të nderuar të pranishëm,
Unë, si njëri nga
aktivistët e orëve të para të LNÇKVSHJ-së, ia kam shtruar vetes detyrë, si
obligim moral kombëtar e historik që, brenda mundësive të mia subjektive e
objektive, t’ i sqaroj e ndriçoj edhe disa ngjarje të kësaj Lëvizje të cilat
kanë mbetur ende të pandriçuara. Njëra nga këto ngjarje është edhe enigma e
formimit të « Komitetit Qendror » të saj, më saktësisht angazhimi i Jusufit në
udhëheqësin e kësaj organizate. I siguroj miqtë e mijë se do të vazhdojë që t’
i ndriçoj deri në fund të gjitha enigmat e pazgjedhura; kurse, atyre që
mundohen të më bëjnë heshtak për të vërtetën me shantazhime apo me shprehjet e
tyre të urrejtjes ndaj meje, iu përgjigjem me të vetmin mjet që posedoj : me të
të shprehurit e të përhapjes së të vërtetës historike.
Unë, kam shkruar për Jusuf
Gërvallën, në kujtimet e mia, kam shkruar edhe në reagimet e mia me ata që nuk
jam pajtuar me disa mendime e qëndrime rreth aktivitetit të heroit tonë në
LNÇKVSHJ. Të gjitha shkrimet e mia gjenden te « Pashtriku » në DËSHMI PËR ORGANIZATËN
PATRIOTIKE LNÇKVSHJ.
Në këtë punim do të
përpiqem që ta sqaroj e ndriçoj, deri diku; enigmën e « Komitetit Qendror » të
LNÇKVSHJ.
Si erdhi Jusuf Gërvalla si kuadër i lartë në LNÇKVSHJ?
Në shkrimin tim të fundit
me titull « JUSUF GËRVALLA ishte angazhuar në LNÇKVSHJ drejtpërsëdrejti nga
METUSH KRASNIQI”, Publikuar më 05 mars, 2011, në « Albaniapress », e mora si
moto një citat të një mendimtari francez, i cili thotë se:
“Miqtë e së vërtetës janë
ata që e kërkojnë atë, e jo ata të cilët mburren se e kanë gjetur.”
-Kjo maksimë e fuqishme
jetësore, më pëlqeu shumë sepse nga miqtë që i kam dhe nga ata që i kam fituar
nga shkrimet e mia e nëpërmes shkëmbimeve elektronike, nga ata që i kam takuar
nëpër Akademitë përkujtimore për dëshmorët e kombit e për ngjarje tjera që janë
mbajtur në Zvicër, Gjermani e Kosovë, kam marrë materiale informative historike
të cilat më ndihmojnë shumë për të plotësuar boshllëkun e njohurive të mia...
Njëri nga miqtë më të
nderuar që më ndihmoj lidhur me ndriçimin e gjenezës së LNÇKVSHJ-së duke
konstatuar se, ajo e ka burimin në takimin e Dajkocit të Dardanës, në shtëpinë
e Bacë Metush Krasniqit, më 2, 3 dhe 4 shtator të vitit 1974, është atdhetari,
poeti dhe veprimtari i paepur i Shqipërisë Etnikë, është vëllai im i idealit
kombëtar – Baca Zeqir Gërvalla. Baca Zeqë ka qëndruar edhe dy net , gjatë atij
takimi, në konakun e Metush Krasniqit për të biseduar, projektuar e
intensifikuar planet për Organizatën e Re e të bashkuar që do të emërtohej tre
vite më vonë me emrin “LËVIZJA NACIONAL ÇLIRIMTARE E KOSOVËS DHE E VISEVE TJERA
SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI » (LNÇKVSHJ)".
-Po atë vit, më 1974, Jusuf
Gërvalla nëpërmjet Zeqir Gërvallës njihet me Simbolin e Rezistencës sonë
kombëtare, me Adem Demaçin dhe me veprimtarin e paepur për çlirim e bashkim
kombëtar, me Ahmet Haxhiun, me të cilët fillon aktivitetin intensiv ilegal për
çlirim e bashkim kombëtar. Më vonë Jusufi, pas burgosjes së Adem Demaçit, i
cili konsiderohej si njëri nga udhëheqësit e Organizatës së re e cila pritej të
formohej, pra LNÇKVSHJ, poashtu me ndërmjetësimin e Zeqir Gërvallës, kontakton
me Metush Krasniqin, themeluesin e kësaj organizate. Metushi e vënë në kontakt
me Sabri Novosellën, si kuadër të Lëvizjes, kurse si koordinator në mes Jusufit
e Metushit caktohet Sabriu, për arsye të konspiracionit.
Si erdhi Jusuf Gërvalla dhe unë, Ramadan Pllana, në «
Komitetit Qendror » të LNÇKVSHJ?!
Në Statutin e Lëvizjes
Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, Neni II, ku
flitet për Komitetin Qendror shkruan: “ LNÇK-në e udhëheqin Komiteti Qendror
(K.Q) i LNÇK-së dhe Komitetet e Qarqeve dhe Komiteti Vendeve, të cilat janë të
varuar prej KQ-së të LNÇK-së”. Në mbledhjen themeluese të Lëvizjes nuk u zgjodh
K.Q. i saj, kjo u la për më vonë, kur të krijoheshin kusht më të përshtatshme
dhe të vinin kuadra të reja. Në asnjë deklarim të Sabri Novosellës nuk pohohet,
as me gojë e as me shkrim, se kur është formuar “ Komiteti Qendror” dhe kush
ishin anëtarët e këtij Komiteti, përveç trillimeve e mashtrimeve të anëtarësisë
së gjerë se ekziston K.Q. Kam pritur shumë nga kujtimet e tij, që i ka shkruar
në fejtonin ”Njëri nga ata” ( Rrëfim në veten e tretë”), ku nuk e përmend fare
K.Q. të LNÇKVSHJ-së!...
-Aktualizimi i “Komitetit
Qendror”, me gjasë, u bë me shtruarjen e kësaj çështje, nga Jusuf Gërvalla në
vitin 1978. Sabriu, me dinakërinë e tij, duke pohuar se Komitetet ekzistojnë,
sipas vazhdimësisë dhe përbërjes së LRBSH-së, duke lënë të kuptohet se K.Q. ka
pranuar edhe dy anëtarë të rinj, “Sokolin”-Jusuf Gërvallën, me propozimin e tij
dhe “Qemajlin”- Ramadan Pllanën, propozuar nga Shefqet Jashari.
Duke u nisur nga ky fakt,
kur Jusufi dhe unë u njoftuam se jemi pranuar në K.Q., unë kam konstatuar se
“Komiteti Qendror” i LNÇKVSHJ-së, në formim, përbëhej nga Metush Krasniqi, që
ishte Kryetar e themelues i Lëvizjes, nga Sabri Novosella e Shefqet Jashari,
(bashkëthemelues) dhe Jusuf Gërvalla e unë, Ramadan Pllana, anëtarë të K.Q. që
ishim në lidhje para se të formohej LNÇKVSHJ-ja, për Jusufin u theksua më lart,
kurse unë kisha lidhje me Shefqet Jasharin gjashtë muaj para se të formohej
organizata. Me t'u krijuar Lëvizja, unë, me anëtarësinë e grupit tim "
Shkëndijat e Kuqe" iu bashangjitëm, u shkrimë në të...
Për këtë më shumë mund të
lexoni në artikullin tim “ DËSHMI PËR AKTIVITETIN TIM SI KUADËR NË KQ TË
LNÇKVSHJ’-së” publikuar në «Pashtriku.org» janar 2011). Nga këtu del, de jure e
de facto, se të gjitha «Komitetet» që i ka përmendur Sabri Novosella kanë qenë
fiktive, të trilluar, për interesa të tij private e klanore dhe se na ka
gënjyer rrastë të gjithëve.
-Megjithatë, KQ i
LNÇKVSHJ-së në përbërje të Metush Krasniqit, Jusuf Gërvallës, Shefqet Jasharit,
Ramadan Pllanës si dhe të anëtarësisë së gjerë, të cilën e kam përmendur në
kujtimet e mia ka bërë punë të sinqertë dhe pa hile. Nga analizat e mia që i
kam bërë, bashkë me Abdyl Lahun, njërit nga shokët e mi më të besueshëm, djalë
i dajës së Adem Demaçit, dhe me Ahmet Haxhiun, njërit nga bashkëveprimtarët më
të besueshëm të Adem Demaçit, lidhur me njohurit e Bacës Adem për formimin e
LNÇKVSHJ-së, si vazhdimësi e LBRSH-së, në të cilën thirrej Sabri Novosella, si
dhe me “porosinë” e Bacës Adem për të shkuar në Stamboll te Tefik Straja, fjala
është për shkuarjen time në Turqi në tetor të vitit 1979, kam ardhur në përfundim
se Sabri Novosella nuk e ka thënë të vërtetën. Mu për ketë arsye, për të pasur
një argument, i kam shkruar Bacës Adem një letër elektronike, më 19 qershor të
vitit 2007, përgjigjën e kam marrë të nesërmen, qe dy pyetjet, nga pesë pyetjet
e shtruara, që kanë të bëjnë me të vërtetën historike. Baca Adem, Sa ka
realitet në dijeninë tënde për formimin e LNÇKVSHJ-së?
2. Sa është e vërtetë se ti
ke porositur që të kontaktojmë me Tefik e Njazi Strajën?
BACI ADEM MË PËRGJIGJET:
“VËLLA RAMADAN,
KE BËRË SHUMË MIRË QË MË KE
INFORMUAR PËR GJËRA QË KAM DITË FARE PAK E JO NGA DORA E PARË. PO BËN MIRË QË
PO MË PYET DHE PO TË PËRGJIGJEM SHUMË SHKURT. PIKA NJË: NUK KAM PASUR ASNJË
DIJENI, MIRËPO DËSHIRA IME INTIME KA QENË QË VEPRIMTARIA E LËVIZJES TË
VAZHDOHET, PRANDAJ EDHE PO TË MË PYETNIN DO TË KISHA QENË PËR TË VAZHDUAR
PUNËN. ËSHTË PUNË TJETËR SE SA NJERËZIT E ANGAZHUAR KANË PASUR KAPACITET TË
ARRIJNË REZULTATE EDHE MË TË MËDHA. PIKA E DYTË. NUK E KAM POROSITUR SE NUK KAM
PASUR SI TA BËJA KËTË PUNË, POR SIKUR TË KISHA PASUR MUNDËSI DO TA BËJA EDHE
ATË PUNË. QËLLIMI KRYESOR KA QENË TË VAZHDOHEJ PUNA ASHTU SA KEMI PASUR
MUNDËSI".
Sa dëme i ka sjellë Sabri
Novosella Lëvizjes sonë dhe konkretisht Jusuf Gërvallës me këto marifete duke u
thirrur në “Komitetin Qendror” e në emra të Metush Krasniaqit e të Adem
Demaçit.
Tani, Sabriu shkruan libra
historike duke sharë historinë e Shqipërisë e personalitetin e Enver Hoxhës,
ngjashëm me fashistët, me reaksionarët e me armiqtë e Shqipërisë. Lidhur me
ketë dua që ta përkujtoj Sabri Novosellën, se çka ka shkruar Fan Noli i madh,
njëri ndër demokratët më të mëdhenj të kohës së vet në Evropë, lidhur me
reaksionarët dhe për personalitetin e Enver Hoxhës: “…Ballistët tanë kanë
vdekur porsa falimentoi politika e tyre e bashkëpunimit me fashistët dhe
nazistët. Desh perëndia erdhën partizanët me Enver Hoxhën në krye dhe jo vetëm
e nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, por edhe e vunë atë në radhën e të
gjallëve, pranë shteteve aleate. Sikur të ngjante e pangjara dhe ballistët tanë
të kishin qëndruar në fuqi pas disfatës gjermane, përfundimi do të ishte një
anarki e plotë, më e keqe se ajo e Greqisë, e cila do ta shpinte ose në një
diktaturë reaksionare ose në copëtimin final. S’ka shqiptarë me pesë pare mend
që t’i përkrahë ballistët, që duan ta shpien Shqipërinë në buzë të varrit, për
herë të dytë. Mos ua varni torbën po u tregoni vendin, dhe vendi i tyre është
në varret e fashizmës”. (Fan Noli « Dielli » 26 mars 1947)...
-Më poshtë po e jap
shkrimin e Jusuf Gërvallës, ku shihet qartë se sa ishte besnik ndaj Shqipërisë
Socialiste, në kundërshtim të plotë me fyerjet shtetit amë të asaj kohe që ia
bënë Sabri Novosella.
DY FJALË PËR NUMRIN E PARË TË « LAJMËTARIT TË LIRISË »
Kemi nderin që, në kushte
jashtëzakonisht të vështira të ilegalitetit, të dalim para lexuesit shqiptar me
një revistë të përdymuajshme revolucionare, që e kemi emërtuar « Lajmëtari i
lirisë ». Shpresojmë se nëpërmjet këtij organi do t’ia dalim me sukses të
bëhemi zëdhënës të aspiratave revolucionare të djalërisë shqiptare të Kosovës,
e cila nuk e ndal dot luftën për çlirim nga robëruesi i egër jugosllav dhe për
bashkim me vendin amë, Shqipërinë.
Kështu, shpresojmë të
plotësojmë edhe një detyrë, një dimension të luftës sonë të përgjithshme: të
demaskojmë botërisht armikun tonë shekullor, qeverinë shoviniste të Beogradit,
dhe t’u bëjmë jehonë ideve dhe veprimeve të lëvizjes së përgjithshme
nacionalçlirimtare në pjesën e robëruar të atdheut tonë, në tokat shqiptare të
robëruara nga Jugosllavia.
Krahas përvojës së
begatshme revolucionare të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të ndërtimit
socialist në vendin tonë amë; krahas pasqyrimit të gjendjes ekonomike,
shoqërore e kombëtare të shqiptarëve, që lëngojnë nën zgjedhën e egër sllave,
në revistën tonë do të bëjnë vend dhe do të priten me mirëseardhje të gjitha
ato ide e veprime, që shpien kah realizimi i aspiratave tona shekullore. Me
fjalë të tjera, për ne do të jenë të mbara të gjitha idetë dhe veprimet revolucionare,
që zhvillohen qoftë në planin ilegal, gjysmë-ilegal apo në planin legal e që
përputhen me platformën tonë revolucionare.
Cila qenka platforma jonë?
Përgjithësisht, ne
përvetësojmë vijën ideopolitike të Partisë së Punës të Shqipërisë, me adaptime
minimale, që implikohen aty-këtu nga gjendja jonë karakteristike. Përafërsisht
këtë vijë ndoqën afro pesëdhjetë organizatat dhe grupet patriotike
revolucionare të shqiptarëve të Kosovës, që armiku, fatkeqësisht, arriti t’i
dëmtojë bukur shumë qe tridhjetë e pesë vjet.
Kemi njoftime se armiku ynë
shekullor, qeveria e Beogradit, për të dëmtuar luftën tonë të drejtë, e cila
mund të arrihet vetëm duke përfillur idenë e një revolucioni të përgjithshëm
socialist, djem nga radha e shqiptarëve ushtron dhe organizon në një ushtri
iluzioniste, në ushtrinë e treqind partive emigrante shqiptare, që hanë bukën e
imperializmit dhe njëkohësisht ia zgjasin jetën qeverisë shoviniste të
Beogradit. Lufta e emigracionit shqiptar, me rrënjë në imperializmin e
kalbëzuar e me idenë e saj të përgjithshme – shkatërrimin e Shqipërisë së sotme
dhe të rezultateve të saj të shkëlqyera në avancimin e socializmit, jo vetëm që
është luftë e huaj për ne, por ajo do të luftohet pa kompromis, sikundër që
luftohet çdo fraksion armiqësor, që do të quhet dezertim nga e vetmja luftë e
drejtë – revolucioni socialist.
Më në fund, me shpresë se
do t’ia dalim me sukses punës së nisur dhe se do ta gëzojmë edhe lexuesin tonë
të etshëm për vlimet revolucionare në tokat shqiptare, ne po ia lëmë me kaq «
Lajmëtarit të lirisë » të na flasë vetë për preokupimet, platformën dhe për
idetë revolucionare që do të pasqyrohen në të.
Redaksia
Të pavdekshëm janë ata që
luftuan dhe derdhën gjakun për lirinë e Atdheut! Epopeja e lavdishme të cilën e
krijuan Jusufi, Kadriu e Bardhi, e të cilën e realizuan trimat dhe trimëreshat
e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jetë e përjetshme!
Të nderuar vëllezër e
motra!
Të dashur familjarë të
dëshmorëve të rënë për lirinë e Atdheut!
Bashkatdhetarë e miq të
nderuar!
Pjesëmarrës në këtë Akademi
përkujtimore,
FLAKË QË NUK SHUHET KURRË!
Në fund të këtij punimi,
duke iu qasur mendimit të ideologut të madh rilindas të Shqipërisë, Sami
Frashërit, se: “ Fjalët dhe punët e njerëzve të mëdhenj mund t’i përshtatën çdo
kohe dhe çdo vendi”, -po e lartësoj këtë Akademi Përkujtimore edhe me fjalët e
Kadri Zekës, se:
- Vetëm bashkimi i të
gjithë shqiptarëve pa dallim feje, klase a pikëpamjesh politike mund të
shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqve. T’i bashkojmë
grushtet e zemrat tona në këtë luftë të shenjtë.
(Kadri Zeka)
Lavdi e përjetshme Jusufit,
Kadriut e Bardhoshit – tre yjeve të pashuara!
Lavdi luftës së UÇK-së
heroike me komandantin legjendar, Adem Jasharin në krye!
Lavdi gjithë dëshmorëve të
rënë për Liri!
Shtutgart, më 4 shkurt 2012

Kommentare
Kommentar veröffentlichen