RIZA NUK ËSHTË VRASËSI
Nga Nebih Maxhuni
Express 07 Mars 2012 08:31
Hysen Gërvalla nuk beson se
Riza Salihu ka gisht në vrasjen e patriotëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe
Kadri Zeka. Akuzat e Ibrahim Kelmendit se Riza Salihu, të cilin e quan
“Rezili”, ka gisht në këtë atentat, vëllai i patriotëve Gërvalla i quan guxim
të tepruar. Hyseni thotë se ka biseduar personalisht me Riza Salihun dhe është
bindur se ai nuk ka dorë në këtë atentat.
Familjes së Jusuf e
Bardhosh Gërvalles nuk u kanë bërë shumë përshtypje akuzat e rënda që ka bërë
Ibrahim Kelmendi, në adresë të Riza Salihut.
Kelmendi në programin
televiziv “Zona B” në Klan Kosova, ka thënë se Riza Salihu është i dyshuari
kryesor në vrasjen e vëllezërve Gërvalla.
Madje vëllai i patriotëve
Gërvalla, Hyseni, i ka quajtur “guxim të tepruar”, - deklaratat e Kelmendit,
sipas të cilit, Riza Salihu nga Mushtitshti i Suharekës, ka gisht në vrasjen e
Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës në Gjermani.
Hysen Gërvalla, i cili
jeton në Zvicër, ka thënë të martën për Express se nuk ka ndonjë dëshmi apo
fakt se Riza Salihu është autori apo ka ndihmuar në vrasjen e vëllezërve të tij
dhe shokut të tyre.
“Deklaratat e Ibrahim
Kelmendit janë më tepër si guxim i tepruar. Ne si familje, deri më tani nuk
kemi asnjë dëshmi apo diçka të ngjashme se Rizai ka gisht në vrasjen e tyre”,
thotë Hysen Gërvalla nëpërmjet telefonit nga Zvicra.
Ai rrëfen për Express se
për ta hequr merakun në lidhje me këto dyshime, para tri vjetësh, në fshatin
Mushtisht është takuar me Riza Salihun, për të kërkuar sqarime nga ai.
“Para tri vjetësh, në
fshatin e tij në Mushtisht të Suharekës, në prezencën e dhjetëra burrave jam
takuar me Riza Salihun, por ai ka qenë mjaft argumentues duke na bindur se nuk
ka lidhje me vrasjen”, thotë Hysen Gërvalla
Ai sqaron se deri më tash,
familja Gërvalla nuk ka asnjë argument apo dëshmi se kush ka mundur të vrasë
apo të ndihmojë në vrasjen e familjarëve të tyre.
“Pa pasur argumente, nuk
dëshirojmë të flasim me emër e mbiemër. Në momentin që do të kemi diçka konkrete,
do të dalim me fakte”, thotë Hysen Gërvalla.
Megjithëkëtë, ai sqaron se
familja Gërvalla ka një listë të gjatë me emrat e personave që dyshohet se kanë
lidhje me vrasjen e më të dashurve të tyre, e që dyshohet se janë shqiptarë që
kanë punuar për UDB-në, ish-shërbimin sekret jugosllav.
“Emrat nuk i qesim, sepse
nuk kemi shumë dëshmi, por janë dy në Gjilan, dy në Prizren, dy në Podujevë, dy
në Tetovë, dy në Dibër, e në të gjitha komunat e Kosovës...”, rrëfen vëllai i
Jusuf e Bardhosh Gërvallës.
Ai ka sqaruar se Riza
Salihu në atë kohë kur ishin vrarë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, ka
qëndruar më pak se dy muaj në paraburgim në lidhje me këtë çështje, por më pas
ai ishte liruar në mungesë provash.
Hysen Gërvalla tregon se në
lidhje me këtë vrasje, ka biseduar edhe me vetë Ibrahim Kelmendin, si person që
përflitej se mund të kishte gisht në këtë rast, por që edhe ky i fundit e ka
bindur këtë familje se nuk ka të bëjë asgjë me këtë likuidim.
“Edhe Kelmendi, nëse më
kujtohet, ka qenë në paraburgim në atë kohë, dy apo tri javë, por më pas është
liruar. Kam biseduar edhe me të, por më ka bindur se nuk ka lidhje me këtë”,
thotë Hysen Gërvalla, duke shtuar se atyre më shumë u intereson se kush e ka e
nxitur dhe kush e ka ndihmuar vrasjen e tyre.
“Dihet se vrasja e tyre
ishte urdhëruar nga UDB-ja, por na intereson se kush janë ata shqiptarë që
ndihmuan këtë vrasje”, thotë Hysen Gërvalla.
Gazeta Express gjatë gjithë
ditës së martë ka qëndruar në Mushtisht të Suharekës dhe në Prizren, në
përpjekje për të kontaktuar me Riza Salihun, por kjo ishte e pamundur.
Vrasja
Ibrahim Kelmendi, njëri nga
themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe ish-udhëheqës i Fondit
“Vendlindja Thërret” në Gjermani, si mysafir në “Zonën B” të Klan Kosovës, ka
deklaruar se e njeh me emër e mbiemër vrasësin e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe
Kadri Zekës, vrasje kjo e ndodhur më 17 janar 1982, në Gjermani. Vrasësi, sipas
tij, është Riza Salihu nga fshati Mushitisht i Komunës së Suharekës. Por
pjesëmarrës në këtë atentat, sipas Kelmendit, ka qenë edhe një tjetër - të
cilit nuk ia ka përmendur emrin, me arsyetimin se “do ta pengonte procesin e
hetuesisë”. “Unë kam prova të mjaftueshëm për të besuar se ai ishte vetëm një
argat i UDB-së. Gjithsesi, e kam akuzuar për ekzekutor, të komanduar nga UDB-ja
dhe vazhdoj ta akuzoj, përderisa ai nuk e provon të kundërtën"., ka thënë
Kelmendi.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen