Salihu: Kelmendi, një agjent i dyfishtë
Kosova Sot
17 Mars 2012, 22:56
“Kosova Sot”: Z. Salihu, ish-themeluesi i LPK-së Ibrahim
Kelmendi ka bërë një denoncim të rëndë kundër jush, duke ju akuzuar për vrasjen
e heronjve Gërvalla dhe Kadri Zeka, cili është komenti juaj?
Salihu: Së pari dua të them
që Ibrahim Kelmendi duhet të vizitohet nga ndonjë psikiatër a është mirë. Edhe
me këtë avancim që ia bëni, pra si ish-themelues, është në kundërthënie me të,
sepse në kohën kur ai paraqitej si themelues i LPK-së, për Ibrahim Kelmendin
kanë propaganduar edhe mediet jugosllave se ai përfaqëson një organizatë të
madhe “Cerveni narodnik”, front i Serbisë, për të cilën ka shkruar edhe
“Rilindja”, dhe tash na del që ai e paska themeluar LPK-në. Ibrahim Kelmendi
gjithmonë ka qenë një spekulant, shpifës edhe këto që i ka nxjerrë tani janë
dezinformata dhe asgjë tjetër.
“Kosova Sot”: Pse mendoni se Kelmendi ka bërë akuza
kundër jush, ai numëron një varg faktesh siç thotë se i ka për vrasjen e
Gërvallëve dhe Zekës dhe që ju involvon ju në këtë vrasje.
Salihu: Ato që ai i quan
fakte, në fakt janë shpifje, nuk ka kurrfarë faktesh. Për mua ai është vetë
pjesëmarrës, nuk është doras, por pjesëmarrës si informator, sepse vrasja ka
ndodhur ndryshe. Unë e kam lexuar intervistën që ka dhënë ai dhe është në
kundërthënie me të.
Kelmendi fuste njerëz në
burgje, punoi për shërbime sekrete
“Kosova Sot”: Pse ju keni akuzuar Kelmendin për vrasjen e
Gërvallëve dhe Kadri Zekës, a keni fakte për këtë?
Salihu: Kelmendi nuk është
i akuzuar drejtpërdrejt, ai ka futur njerëz në burgje si në Kosovë në
Jugosllavinë e atëhershme ashtu edhe në Gjermani. Ai ka qenë një spiun i vogël,
ku i ka dhënë informata policisë këtu dhe në Gjermani, me qëllim që njerëzve
t’u krijojë probleme. Kelmendi është thirrur si një veprimtar, por ai ka qenë e
kundërta veprimtarëve. Ai ka punuar për shërbimet sekrete.
“Kosova Sot”: Çfarë provash lidhur me këtë vrasje jeni i
gatshëm t’i ofroni Prokurorisë?
Salihu: E lexova
intervistën që ka dhënë për “Kosova Sot”, ku thotë se gruaja e Maksut Saramatit
ka qenë e burgosur dhe më akuzon mua për gjëra që s’janë të vërteta. Gruaja e
Maksut Saramatit nuk ka qenë kurrë e burgosur, por vëllai i Maksut Saramatit
dhe disa të tjerë janë burgosur me kallëzim të Ibrahim Kelmendit. Ibrahim
Kelmendi ka ardhur nga Gjermania kur e ka kuptuar se Hysen Gega po vjen në
pushim, por kishte kontakte me dhëndrin e Hysen Gegës, ku i ishte thënë se ai
po shkon në Kosovë dhe po dërgon materiale. Ibrahim Kelmendi ka ardhur këtu dhe
ka shkuar te Hysen Gega, dhe në kohën kur ka shkuar atje ka thënë se nuk guxon
të shkojë në Jugosllavi se është arratisur nga atje dhe nëse kthehet, do ta
burgosin si veprimtar politik, por kah ka ardhur nuk e ka burgosur askush, por
ka futur njerëz nëpër burgje. Këtu ka shumë gënjeshtra që thotë në zhdukje të
dokumenteve. Janë burgosur 20 veta që i ka njohur Ibrahim Kelmendi dhe ata janë
burgosur të gjithë brenda një dite. Në nëntor të vitit 1979, ndërsa ata që nuk
i ka njohur Ibrahim Kelmendi vazhdonin të vepronin edhe gjatë vitit 1980, sepse
nuk ishin zbuluar ende. Ata që janë burgosur i ka denoncuar vetë Ibrahim
Kelmendi.
Jusufi nuk kishte
asnjë organizatë
“Kosova Sot”: Kush mendoni ju se është përgjegjës për
vrasjet e heronjve?
Salihu: Mendimet që i kam
shfaqur në televizion dhe po i ritheksoj edhe këtu se në vitin 1982 vrasjen e
ka bërë policia sekrete gjermane, nuk ka teori tjetër. Ibrahim Kelmendi ka
shërbyer si informator, ka shkuar në shtëpi të shohë kush është brenda etj.,
por veprën e ka kryer polica sekrete gjermane. Këtu mund të flasim se cilat
kanë qenë arsyet dhe çka e ka shtyrë policinë gjermane ta kryejë këtë vepër,
këto janë gjëra të tjera. Nuk e them këtë për ta shfajësuar UDB-në, sepse ajo
ishte vrasëse, se ka vrarë njerëz, por te ky rast ka qenë diçka tjetër, ishte një
rast tjetër.
“Kosova Sot”: Ku ishit ju kur u vranë vëllezërit Gërvalla
dhe Kadri Zeka?
Salihu: Kur janë vrarë
vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka unë kam qenë në Bremen, sepse kam qenë në
gjendje jo të mirë shëndetësore, madje atje kam një motër. Në Bremen më kanë
parë edhe shtetas gjermanë, të cilët edhe e kanë konfirmuar që isha atje. Nuk
ka vend këtu për asnjë lloj spekulimi.
“Kosova Sot”: A ishit ju themelues i grupit komunist
“Zëri i Kosovës” dhe cilat ishin qëllimet e këtij grupi?
Riza Salihu: Po, isha
themelues i grupit “Zëri i Kosovës” dhe në kohën kur është themeluar nuk ka
pasur organizata të tjera, siç po orvatet tash të paraqesë Ibrahim Kelmendi.
Grupi “Zëri i Kosovës” u themelua më 1978 dhe ishte kjo organizatë që solli
edhe organizimin e 1981-shit. Nga viti 1978 deri në 1981 ishte grupi “Zëri i
Kosovës” që ka përgatitur popullin për çdo gjë dhe ka ngritur në një nivel
krejt vetëdijen e shqiptarëve të Kosovës.
“Kosova Sot”: Kelmendi thotë se qysh në dhjetor të vitit
1979, sapo Jusuf Gërvalla është arratisur në Gjermani, ju kohën më të madhe e
keni kaluar në stacion të trenit në Shtutgard të Gjermanisë, duke dezinformuar
bashkatdhetarët se UDB-ja ka dërguar udbashin e rrezikshëm Jusuf Gërvalla për
të spiunuar shqiptarët patriotë dhe për të përçarë organizatat ilegale. Cila
është e vërteta sipas jush?
Salihu: Në qoftë se “Zëri i
Kosovës” vepronte dhe vjen Jusuf Gërvalla në fund të dhjetorit të 1979-s dhe
tash kush kë zbulonte. Vinte ai për t’i zbuluar ata që vepronin, apo do të
duhej që të gjithë ata që vepronin ta zbulonin një person që po vinte. Të jemi
të qartë këtu, sepse vrasja është si një tërmet që shkatërron gjithçka. Ka
ndodhur vrasja dhe përnjëherë fillon një qasje tjetër dhe të gjithë krijojnë
një bindje më ndryshe. Por, deri në vrasje Jusuf Gërvalla nuk ka pasur asnjë
organizatë, ishte grupi “Zëri i Kosovës” që vepronte. Jusuf Gërvalla kur ka
ardhur të takohet me mua është prezantuar rrejshëm, duke thënë se është anëtar
i Komitetit qendror të Kosovës, por Kosova nuk ka pasur komitet qendror, pastaj
jo jam anëtar i kësaj apo i asaj organizate që nuk ekzistonte fare. Dhe atë që
thatë flinin në stacion, kjo është metoda e Ibrahim Kelmendit për ta denigruar
dikë. Ta them edhe një kundërargument, nëse unë kam jetuar dhe shëtitur nëpër
qendër të Shtutgardit, atëherë çka i duhej Ibrahim Kelmendit të fshihej në
stacion, që do të thotë se ai sot mund të ishte në Shtutgard, nesër në Hamburg
apo në Bruksel. Vetëm për bileta që udhëtonte do t’i duheshin së paku 10 mijë
marka gjermane në muaj, nga i vinin ato para në qoftë se jo nga Beogradi, nga
ku? Ai asnjëherë nuk e ka marrë guximin të ballafaqohet me mua dhe ka pasur
njerëz që e kanë përzënë nga banesa, sepse ai gjithmonë ka shpikur dhe tani
këtë gjë që e bën nuk e ka për herë të parë. Ibrahim Kelmendi gjithmonë ka qenë
një gënjeshtar, dezinformator i paturpshëm dhe gjithmonë në kundërthënie me atë
që po thotë.
Kelmendi nuk ndodhej në
Gjermani
“Kosova Sot”: Ai thotë gjithashtu se në janar të vitit
1980 Riza Salihu, në cilësi të kryetarit të grupit dhe “në emër të
organizatës”, e urdhëron Hysen Gegen për ta vrarë Jusuf Gërvallën, me arsyetim
se është udbash i rrezikshëm. Kjo është një akuzë e rëndë apo jo? Thotë se vetë
është dëshmitar, por edhe Hysen Gega, Maksut Saramati. Cila është përgjigja
juaj për këtë akuzë?
Salihu: Përgjigjja ime për
këtë akuzë është se kjo është gënjeshtër e kulluar. Ata në fillim të vitit 1980
e kishin menduar një gënjeshtër të këtillë. Por, kjo gjë nuk është e vetmja që
ka bërë Ibrahim Kelmendi. Ai në vitin 1989 shkon në policinë gjermane, ku bën
një kallëzim dhe bën deklaratë tjetër nga ajo që ka dhënë më herët, pra është
kundërthënëse me vetveten. Por, për shkak të deklaratave të tij të rrejshme unë
jam arrestuar në Gjermani dhe jam liruar i pafajshëm më pas, por kam mbajtur 15
muaj burg për shpifje, mirëpo Ibrahim Kelmendi nuk ka pasur vendqëndrim në
Gjermani dhe nuk ndodhej në Gjermani, atëherë flitej që është në Shqipëri, ku
flitet se edhe atje ka bërë shumë gjëra që di vetëm ai t’i bëjë. Në vitet e
70-ta ai ka ardhur në Gjermani si student, por gjer në vitet e 90-ta nuk ka
kryer fakultet, gjë të cilin dyshoj që as tani s’e ka përfunduar. Ai siç thashë
në kohën kur e kam paditur nuk ka qenë në Gjermani dhe për këtë gjykata më ka
thënë se nëse kam ndonjë informatë ku gjendet Ibrahim Kelmendi t’u tregoj,
sepse përndryshe ai nuk ka pasur vendqëndrim në Gjermani. Unë nga burgu jam
liruar i pafajshëm dhe e kam paditur Ibrahim Kelmendin për shpifje. Ai mendon
që e ka mashtruar drejtësinë gjermane dhe me këto gjëra, deklarata që po bën
mendon se Kosova i ha dhe do të ngrisë pluhur. Por, këto gjëra që po mundohet
t’i bëjë në Kosovë në Gjermani i janë hedhur poshtë nga gjykata dhe unë jam
shpallur si i pafajshëm.
“Kosova Sot”: Kelmendi pretendon se në qershor të po atij
viti 1980, pas hetimeve që bëjnë Jusufi, Bardhi, Hyseni, Maksuti dhe ai vetë,
organizohet ballafaqimi i Jusufit me ju në banesë të Hysen Gegës në qytetin
Eslingen, për të marrë vendim se çfarë qëndrimi duhet të mbahet ndaj atij
urdhri. Të pranishëm në ballafaqim Jusufi, Bardhi, Ibrahimi, Hyseni dhe
Maksuti. Jusufi lut që t’iu falet, siç e quan ai krimin tuaj, me kusht që të
ndërprisni fushatën shpifëse. A është e vërtetë kjo dhe si reaguat ju në atë
takim?
Salihu: Një takim i tillë
nuk ka ndodhur në qershor, por në fillim të prillit të vitit 1980 dhe kjo është
një gënjeshtër e radhës e Ibrahim Kelmendit. Unë në qershor jam takuar veç e
veç me Hysen Gegën dhe Jusufin. Unë e lexova ku Ibrahim Kelmendi thotë se Riza
filloi të qajë, por ai prapë gënjen, sepse unë nuk qaj dhe rrallë kush më ka
parë duke qarë, sepse një gjë të tillë e kam bërë kur kam qenë i vogël. Nuk
mund ta kuptoj pse po gënjen deri në këtë nivel. Me të vërtetë ai ka qenë një
takim ku unë secilit ua kam përmendur pikat e dobëta, duke përfshirë Jusuf
Gërvallën, Ibrahim Kelmendin e të tjerëve që kanë qenë prezentë. P.sh., Ramadan
Selimi që ka punuar në konsullatë më ka thënë mos fol më ashtu si ke folur me
disa njerëz, por unë ia kam kthyer se e di kush të ka treguar, e ai më tha lëre
këtë po mos fol me askënd. Por, Ramadan Selimi është treguar burrë i ndershëm,
sepse më ka këshilluar drejt, këtë gjë kur ia kam treguar Bardhit ka mbetur pa
tekst. Ibrahim Kelmendi i ka thënë se ke shkuar në gusht-shtator të vitit të
kaluar, që i binte më 1979 te Hyseni dhe përmes tij ke njoftuar shumë persona
si Ibrahim Shalën, Xhavit Bashën, Fadil Vatën, Ruzhdiun, vëllain e Maksut
Saramatës etj. Të gjithë këta njerëz janë burgosur për një ditë.
“Kosova Sot”: Do të thotë se për burgosjen e tyre fajtor
është Ibrahim Kelmendi?
Riza Salihu: Normalisht,
sepse ai i ka denoncuar dhe ka ardhur deri tek arrestimi i tyre. Jusuf Gërvalla
vazhdimisht më thoshte se duhet të bisedojmë, por unë gjithmonë i thosha
bisedojmë kur të duash, por i kam thënë çka të shtyni të thuash se jam anëtar i
Komitetit Qendror të Kosovës. Ai në një mënyrë më thoshte besomë ti edhe nëse
unë të gënjej, sepse ai nuk ka pasur asnjë organizatë. Edhe Ibrahim Kelmendi
deri në vitin 1981 nuk ka pasur asnjë organizatë, dhe po këtë vit mediet
jugosllave shkruanin se Ibrahim Kelmendi përfaqëson Frontin e Kuq Popullor, dhe
ai atëkohë mbante disa etiketa të vogla ngjitëse ku shkruante vetëm Fronti i
Kuq Popullor dhe asgjë tjetër. Kishte harmonizim apo të përbashkëta midis
Ibrahim Kelmendit dhe shërbimeve sekte serbe, sepse askush nuk mund të nxjerrë
fakt nga Beogradi, ngase ata janë njerëz të specializuar, sepse kur shkruajnë
gjithë mediumet e Beogradit se kë e përfaqëson ai dhe ai vendos etiketa me
Frontin e Kuq Popullor dhe burgos njerëz, kjo është shumë e qartë se për kë
punonte ai.
“Plani ishte të më vrisnin
mua, jo Gërvallën”
“Kosova Sot”: A është e vërtetë se në korrik e gusht ju
keni organizuar vjedhjen e dërgesave postare të Jusuf Gërvallës, Ibrahim
Kelmendit dhe të tjerëve, siç pretendon Kelmendi që thotë se policia gjermane
ju ka zënë në flagrancë?
Salihu: Unë ua kam
kontrolluar postën edhe Jusuf Gërvallës dhe Ibrahim Kelmendit. Ibrahim
Kelmendit i dhemb leximi i postës, por vetëm për shkak të sigurisë i kam
kontrolluar. Ibrahim Kelmendi që mua më akuzon që kam vrarë dikë, në të vërtetë
është ai që ia ka dhënë revolen Hysen Gegës dhe që i shkruante letër që vegshin
me rrymë të gjejë edhe më të mirë që e zien fasulen, edhe më mirë që aludonte
se vegshi me rrymë në revole dhe fasulen plumbat dhe të gjejë edhe fasule të
Tetovës, por ti duhet ta dish si dhe kur ta përdorësh, se kryetarit i keni
dhënë shumë të drejta. Por këto kanë qenë metoda të tij dhe plani ka qenë të më
vrasin mua e jo Jusuf Gërvallën, për këtë arsye edhe i kontrolloja postat e
tyre, kuptohet jo çdo gjë, por ato që mundja. Letra e Ibrahim Kelmendit e
ardhur nga Dyseldorfi fliste se ai i ka dhënë armë Hysen Gegës. Letra dhe arma
janë gjetur te Hysen Gega dhe dihen nga kush kanë ardhur dhe për çka dhe të
gjitha këto kanë rënë në duart e policisë. I kanë marrë armën dhe e kanë
paditur, por nuk e kanë arrestuar. Por, para se Hysen Gegës t’i vijë vendimi i
gjykatës në dhjetor të 1980 Jusuf Gërvalla dhe Ibrahim Kelmendi e dërgojnë atë
në Kosovë, ku edhe është burgosur dhe ka mbajtur burg 10 vjet, megjithatë
faktet dhe padia ekzistojnë.
“Kosova Sot”: Si do t’u përgjigjeshit fakteve që
pretendon Kelmendi në padi se edhe pasi ju keni pranuar kushtin gjatë
ballafaqimit me Jusufin, se nuk do të shpifni më, keni vazhduar me shpifje se
Jusuf Gërvalla është udbash?
Salihu: U thashë se takim
ndodhi në prill e jo në qershor dhe aty ua thashë të metat që kanë, ata u
zmbrapsen dhe këtu nuk ka fakte, ndërkaq pohimet e Kelmendit janë të rrejshme.
“Kosova Sot”: Pse Hysen Gega u anëtarësua në Grupin
Komunist “Zëri i Kosovës”, kryetar i të cilit ishit ju dhe pse u largua më pas.
Kelmendi e quan atë patriot i orëve të para të emigracionit tonë në Gjermani.
Salihu: Kelmendi ka arritur
të përmendë dhëndrin e tij, të vë kontakte me Hysenin dhe ky është manipuluar
që ta kryejë një vrasje, dhe në fakt këto janë metoda të shërbimit sekret UDB
për t’i eliminuar kundërshtarët. Këta gjithmonë kanë krijuar mjegullina mes
njerëzve. Qëllimi i Ibrahim Kelmendit dhe Jusuf Gërvallës ka qenë për ta
manipuluar Hysen Gegën pjesërisht. Por, unë po i bëj një pyetje Ibrahim
Kelmendit, nëse Hysen Gega paska qenë shumë i mirë, atëherë pse e sollën në
Kosovë dhe e futën në burg? Ata e sollëm në burg dhe i mbajti 10 vjet.
I gatshëm të përballet me
Kelmendin
“Kosova Sot”: Ku shkuan dokumentet origjinale pas
shpërbërjes së këtij grupi më 1980, siç përmend në arsyetim Kelmendi dhe pse
vendoset ta shpërbëni grupin?
Salihu: E kam lexuar atë që
ka thënë ai në “Kosova Sot”, dhe është një gënjeshtër më shumë që e thotë ai.
Grupi “Zëri i Kosovës” nuk është shpërbërë në tetor të vitit 1980 ku janë
djegur dokumentet. Në tetor të viti 1980 nuk ka ndodhur, sepse unë kam qenë në
burg nga gushti i 1980 deri në shkurt të 1981. Në tetor të 1980 ishte po ky
Ibrahim Kelmendi duke shfrytëzuar mungesën time fizike, ka shkuar nëpër vendet
ku kanë jetuar shqiptarët dhe ka thënë ‘ja ky Riza që i keni besuar ka shkuar
në “vezhbë” të UDB-së në Dalmaci’, për të shkaktuar dyshime dhe turbullime dhe
tash na del që në tetor është mbajtur një takim, a e shihni se të gjitha këto
janë gënjeshtra dhe asgjë më shumë.
“Kosova Sot”: Ai ju akuzon ju se keni vazhduar të shpifni
edhe pas vrasjes së heronjve?
Salihu: Kush kundër kujt po
shpif. Unë ju thashë që vrasja ka ndikuar që të hidhet një vështrim tjetër. Ai
ka thënë se grupi është shpërbërë në vitin 1980, kurse ai është shpërbërë në
vitin 1982. Unë para apo pas vrasjes nuk më ka interesuar shumë, sepse ai ka
ardhur tek unë, e kam takuar dhe nuk do të hezitoja ta pranoja në “Zërin e
Kosovës” sikur ta thoshte të vërtetën, kjo ishte, ai po shpif.
“Kosova Sot”: Çfarë ndodhi më 1989 kur hetuesia gjermane
ju arrestojë ju si të dyshuar për vrasës dhe më pas në procesin gjyqësor në Gjykatën
e Shtutgardit?
Salihu: Në tetor të vitit
1989 Ibrahim Kelmendi e ka dhënë një deklaratë kundër meje, në bazë të së cilës
unë jam arrestuar në janar të viti 1990, ka zgjatur pak për shkak të përpunimit
të lëndës. Kam qenë në burgun hetues për 15 muaj, më pas jam liruar dhe të
gjitha deklaratat e Ibrahim Kelmendit kanë dalë të trilluara dhe gënjeshtra.
Këto që i thotë tani nuk ka arritur ta mashtrojë drejtësinë kosovare dhe mendon
ta mashtrojë publikun kosovar.
“Kosova Sot”: A jeni të gatshëm që të bashkëpunoni me
prokurorinë për të zbardhur një herë e përgjithmonë atentatin kundër heronjve
për çka Kelmendi ju akuzon ju si aktorin kryesor?
Salihu: Edhe këtu, edhe në
Gjermani kam thënë dhe them se jam i gatshëm të bashkëpunoj me prokurorinë.
Shpesh njerëzit më kanë thënë pse nuk ballafaqohesh me të, dhe ja ku i them se
jam i gatshëm për një përballje me Ibrahim Kelmendin, ku ai do t’i shpaloste
faktet e tij e unë të miat, me qëllim që të ndaleshin shpifjet. Unë kam marr
vendim që ta padis Ibrahim Kelmendin për shpifje.
“Kosova Sot”: Z. Salihu, kush ishin për ju vëllezërit
Gërvalla dhe Kadri Zeka?
Riza Salihu: Vëllezërit
Gërvalla dhe Kadri Zeka e kanë pasur vdekjen e përbashkët. Me Kadri Zekën kam
pasur kontakte të mira, sepse ai ka dashur të vijë në “Zërin e Kosovës”, dhe
atë ka thënë me shokë, por nuk ishin shumë të vendosur dhe më vonë formuan OMLK
(Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës). Kadri Zeka më ka thënë po që se do
të vijmë me shokë në “Zërin e Kosovës”, duhet të na trajtoni si të gjithë
anëtarët e vjetër të organizatës, por i kam thënë se do ta shikojmë edhe ne,
sepse emri grup më nuk përkonte, sepse ishte rritur dhe ishte fryrë shumë, dhe
i kam thënë Kadri Zekës se do ta bëjmë një riorganizim dhe në momentin që do ta
bëjmë atë do të ftoheshin. Kadri Zeka ka pasur për qëllim që të bëjë një
redaksi ku do ta drejtonte, por ndodhi burgosja ime. Ndërkohë, nisi të dalë
revista “Liria”, si organ i OMLK-së. Kurse për Jusuf Gërvallën edhe sot e kësaj
ditë e kam bindjen se ai është dërguar nga shërbimi sekret serb?
“Kosova Sot”: Kjo që thoni është një akuzë e rëndë?
Salihu: E di që është akuzë
e rëndë. Duhet të kthehemi në situatën që mbretëronte atëherë. Policia ka
konkluduar që ata kanë pasur përkrahjen e një shteti tjetër. Ibrahim Kelmendi
ka qenë i përshtatshëm për të dërguar informata. Është treguar i gatshëm të
punojë si agjent i dyfishtë, pra ka punuar edhe me policinë gjermane. Në ditën
kur u vranë ata, Ibrahim Kelmendi kishte thënë se ka qenë në klubin “Emin
Duraku”, por në akte që unë i kam parë në burg për shkak të shpifjeve të tij që
ka bërë ndaj meje, aty janë një kopje të biletës së trenit që ai atë ditë ka
udhëtuar. Në mbrëmje rreth orës 18:00 ka hipur në tren për të udhëtuar për në
Dyseldorf , ai e ka ditur shumë mirë se çka do të ndodhë atë ditë. Kur ka mbërritur
në Dyseldorf i ka telefonuar policisë së Helbronit për t’i pyetur se a ka
ndodhur diçka me shokët e mi dhe këto gjëra policia gjermane i ka të
vërtetuara. Ky pastaj me ftesë të policisë ka shkuar në policinë e Helbronit,
sepse polica ka dyshuar në të për shkak të thirrjes telefonike, mirëpo kjo
polici nuk i ka ndjekur hetimet, por tjetër polici.
Keqpërdorime
në të dyja fondet
“Kosova Sot”: Në Perëndim është organizuar fondi i 3
përqindëshit, a keni qenë kontribuues i këtij fondi dhe a mendoni se paratë e
këtij fondi janë shpërdorur nga kreu i qeverisë në ekzil Bujar Bukoshi dhe
ministri i Financave, Isa Mustafa?
Salihu: Mendoj se paratë e
3 përqindëshit, nuk flas me fakte, por për atë që flasin njerëzit se abuzime ka
pasur, mirëpo unë e kam parë Ibrahim Kelmendin që ka përmendur shifra
marramendëse, pra të flasësh pa fakte është e pamoralshme. Nuk mund të them se
janë dërguar kaq mjete në Beograd, përderisa nuk kam parë ndonjë dokument. Por,
që ka pasur abuzime këto janë të vërteta. P.sh., Bujar Bukoshi ka blerë shtëpi
në Gjermani, çka i duhet një kryeministri të Kosovës shtëpi në Gjermani, ky
është një argument që të shtynë të mendosh që ka pasur abuzime, por jo në atë
masë që i përmend Kelmendi.
“Kosova Sot”: Po Mustafa?
Salihu: Isa Mustafa ka qenë
ministër i 3 përqindëshit. Fillimisht kam qenë kontribuues, po kur kam kuptuar
se Bujar Bukoshi blen shtëpi prej atëherë e kam ndërprerë.
“Kosova Sot”: Po për fondin “Vendlindja thërret” a keni
kontribuar, a mendoni se edhe ky fond është shpërdorur dhe kush mendoni se ka
abuzuar me mjetet e grumbulluara nga bashkatdhetarët tanë?
Salihu: Në të dyja fondet
ka pasur keqpërdorime, por nuk mund të them se si kanë qenë ato, sepse nuk ka
fakte.
“Kosova Sot”: A keni besim te drejtësia kosovare dhe a
mendoni se kjo drejtësi do ta zbardhë rastin kur dihet se ai ka ndodhur në
Gjermani?
Salihu: Kam besim në
drejtësinë kosovare, me gjithë vërejtjet që kam, por nuk mendoj se drejtësia
kosovare do të zgjidhë diçka që nuk ka arritur ta zgjidhë as Gjermania, kur
kihet parasysh edhe fakti që ngjarja ka ndodhur në Gjermani.
“Kosova Sot”: Z. Salihu, a ishit ju agjent i UDB-së?
Riza Salihu: Jo. Këto gjëra
di t’i shpikë vetëm Ibrahim Kelmendi, por për të ka shumë argumente se si i ka
burgosur shokët.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen