Flet
Donika Gërvalla
+ V I D E O
Koha Ditore , 17 maj 2012.
15:34
Nuk ka asnjë dyshim
se urdhrin për vrasjen e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës,
në janar të vitit 1982, e ka dhënë sigurimi shtetëror jugosllav, por vrasja ka
mbetur pa u sqaruar ende plotësisht, ndërsa pretendimet e fundit për autorët e
vrasjes së trefishtë shihen me dyshime të mëdha nga familjarët e Jusuf
Gërvallës. E bija e tij, Donika Gërvalla, ka hedhur poshtë pretendimet e bëra
nga njëri prej themeluesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ibrahim
Kelmendi, i cili përmes një libri dhe disa intervistave ka ngritur gishtin e
akuzës për vrasjen e Gërvallajve dhe Kadri Zekës drejt një tjetër aktivisti të
asaj kohe në diasporë, Riza Salihut.
Në një intervistë me kryeredaktorin e Kohës Ditore, Agron
Bajramin, për emisionin “Press-ing”, që transmetohet të premten prej orës
20:00, në KTV, Donika Gërvalla ka rrëfyer për ato që i di dhe ato që nuk i di
në lidhje me vrasjen e 17 janarit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë,
ndërsa ka dhënë edhe vlerësimin e saj për emrat që përmenden, përfshirë Ibrahim
Kelmendin dhe Riza Salihun.
“Unë, si vajza e tij (Jusuf Gërvallës), jam shumë e
interesuar të di se cilët persona në Beograd, në cilën zyrë, kë porositën që ta
kryej këtë atentat”, ka thënë Donika Gërcalla, e cila është personi mbase i
vetëm, përveç hetuesve gjermanë, që ka pasur rastin të shohë dosjen e plotë të
hetimeve të deritanishme për vrasjen e Gërvallajve dhe Kadri Zekës.
Ajo ka folur po ashtu edhe për procesin e hetimeve të
udhëhequra me vite nga prokurorët gjermanë, arsyet pse hetimet kurrë nuk
rezultuan me një proces gjyqësor për vrasjen, dhe pritjet që rasti të zbardhet,
me gjithë faktin se nga dita e vrasjes kanë kaluar më shumë se 30 vjet.
Në intervistë, Donika Gërvalla rrëfen edhe për jetën e
familjes së saj pas vrasjes së babait, shkuarjen në Shqipëri, takimet me
Nexhmije Hoxhen dhe Enver Hoxhën, dhe zhgënjimin me shtetin shqiptar.
Si zëdhënëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani,
Donika Gërvalla flet edhe për punën gjatë viteve ’90-të në diasporë, konfliktet
që ekzistonin mes LDK-së me Ibrahim Rugovën në krye dhe Qeverisë në ekzil të
Bujar Bukoshit, ndërsa një vlerësim të veçantë e jep edhe për Kosovën, ashtu si
e sheh ajo sot.
“Republika e Kosovës për të cilën ai (Jusuf Gërvalla) në
fund sakrifikoi jetën është një shtet i cili identifikohet kryesisht me
korrupsion dhe krim të organizuar”, thotë Gërvalla, duke elaboruar në detaje
pse mendon kështu.
Intervista do të
publikohet e plotë edhe në “Koha Ditore”.
Më poshtë mund ta shikoni videon .
Më poshtë mund ta shikoni videon .
Kommentare
Kommentar veröffentlichen