Një dhembje dhe humbje e madhe për kombin
Xhaferr Leci, Revista
Drini 14.05.2012
Sot jemi këtu për të
nderuar kujtimin dhe veprën e paharrueshme të tre heronjve të Kosovës, tre
burrave që u flijuan për lirinë tonë, për lirinë e kombit tonë, tre bijve që
Kosova dhe shqiptaria do t’i mbajë kurdoherë si krenarinë e saj. Jusuf
Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka i kanë dhënë Kosovës dhe
mërgimtarëve tanë frymëzimin për të kontribuar me vetëmohim për çeshtjen tonë
kombëtare. Vepra e tyre është sa e lavdishme, aq dhe burim i sakrificës dhe
mobilizimit të shqiptarëve në radhët e UÇK-së për çlirimin tonë kombëtar prej
pushtimit të Serbisë.
Në janarin e vitit 1982 u
vranë tre veprimtarë të shquar të kombit shqiptar, tre bij të devotshëm të
Kosovës dhe mërgatës shqiptare. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu ishin bërë emblema
e shqiptarizmit. Ata u vunë në ballë të përpjekjeve dhe të luftës për lirinë e
kombit shqiptar. Ata ishin të parët dhe të vetmit, bashkë me Enver Hadrin, të
cilët kishin në platformën e tyre bashkimin kombëtar të shqiptarëve pa dallim
feje, ideje, krahine dhe besimi. Kur Jusuf Gërvalla i shkruante Enver Hoxhës
dhe i thoshte se “Kosova nuk mund të presë fitoren e komunizmit në Jugosllavi e
në të gjithë botën që të bashkohet me Shqipërinë”, kjo shprehte bindjen e tij
në kontributin real për bashkimin e trojeve shqiptare. Ajo letër e publikuar më
1999 në revistën Koha të Tiranës shpreh thelbin e kontributeve jashtë skemave
të ideologjisë të Jusufit, Bardhoshit dhe Kadri Zekës.
Vrasja e hershme në moshën
shumë të re e tre veprimtarëve më të shquar të mërgatës sonë, organizatorë të
demonstratave e protestave në Perëndim për ndëkombkombëtarizimin e zgjidhjes së
problemit të Kosovës dhe visive tjera shqiptare në ish Jugosllavi, Jusuf e
Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishte humbje
tepër e madhe cila dëmtoj shumë procesin për arritjen e zgjidhjës të
çështjes tonë kombëtare në veçanti të Kosovës
cila kishte për qëllim bashkimin
e trojeve tona për bërjen e Shqipërisë Etnike.
Kjo vrasje e projektuar
dhe në mnyrë profesioniste e organizuar nga UDB-a Jugosllave, cila i ndiqte
kamba këmbës këta tre Pishtarë të lirisë, u krye në momentin më tragjik për
popullin shqiptar, duke ekzekutuar përnjëherë bashkarisht të tre organizatorët
kryesorë të mërgatës.
Takimet e shumta të ktyre
Tre heronjëve me bashkatdhetar dhe veprimtar
të kauzës kombëtare, si në Istamboll me Sabri Novosellën, në Göppingen
të Gjermanisë me Emin Fazlin e Beslidhjes, e tjera takime, na kujtojnë
menqurinë dhe rrugën e drejtë që ndiqnin Ata. Sikur të ishin sot gjallë këta
Tre heronj, veprat dhe puna e Tyre do ishte më shumë vlerë të madhe për
interancionalizimin,institucionalizimin dhe unifilimin e problemeve të pa
zgjidhura.
Jusufi pak para se të
vritej mer leje-qendrimin nga organet zyrtare germane, kjo ishte pengesa
kryesore që Jusufi nuk mund udhëtonte jashtë Gjermanisë pa dokumente udhitimi
për të takuar e zhvilluar biseda bashkëpunimi me shumë veprimtarë cilët punonin
për barazi kombëtare…si Enver Hadri e Vehbi Ibrahimi në Belgjikë, e veprimtar
tjerë kudo në Botë.
Përvijime kujtimesh nga vitet 80-a për vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka
Diku në Pranëver të vitit
1980-të shkova për një vizitë tek miku im Beçir Emini në Esslingen, cili
punonte dhe banonte bashkë me Hysen
Gegen,në koridor takova Bardhosh Gëvallën me një tjetër person cilin nuk e
njihja, u përshëndeta me ta, dhe pas një kohe mora vesh se Ai kishte qenë i
vëllai Bardhit, Jusufi, cilët me gjasë kishin shkuar për vizitë pune… tek Hysen
Gega, më vonë i burgosur politik shumë vjeçar.
Udhtimi me autobus për
Demonstratën e Zhenevës të 30 maijt 1981, me Bardhosh Gërvallën, Nami
Ramadanin, Selim Kocen, Nuhi Sylejmanin e shumë të tjerë. Bardhi me vete kishte
marrë harmonikën me qëllim që gjatë rrugës të këndonte ndonjë këngë, sepse
udhëtimi deri në Gje-nevë ishte bukur i gjatë. Posa u nis autobusi, Bardhi mori
mikrofonin, na përshendeti dhe foli për rëndësinë që do të ketë protesta.
Gjatë udhëtimit lexoja
“Rilindjen” Bardhi më pati thënë “ Xhafer merre mikrofonin, përshëndeti shokët
dhe fol pak për karakterin e protestës që do të mbahet në Gjenevë”.
I thash “Bardh, kurrë në
jetën time s’kam folur me mikrofon dhe nuk mundem, të lutëm”, kurse ai ma ktheu
“Patjetër duhet të mësohesh të flasësh para njerëzve.”
Aq shumë jam ngushtuar në ato çaste, sa as
vetë nuk e dij çka kam folur, derisa s’i kam pyetur shokët më vonë.
Më të vërtetë ishte hera e
parë që flisja me mikrofon para një mase njerëzish.
Kur arritëm në Zhenevë
para masës së tubuar për ballë ndërtesës të Kombeve të Bashkuara, foli Kadri
Zeka me një zë të thekshëm emocional e të kjartë. Kadriut me trup të vogël e
zemër të madhe, mikrofonin gjatë diskutimit të tij ja mbante në dorë Sali
Basha, i Koretinit të Dardanës ish Kamenicë.
Më 1981 Njazi Biçkaj,
student kishte ardhur në Gjermani për
vizitë te babai i vet Jakupi. Njaziu ishte anëtar i grupit „Albanikos”, të
cilin atëherë e drejtonte Emin Krasniqi, aktualisht deputet i Parlamentit të
Kosovës. Njaziu me porosinë e të madhit Metush Krasniqi kishte kërkuar një
takim me Jusuf Gërvallën. Takimin e organizoi Nami Ramadani në Wendlin-gen ku
banonte Jakupi.
Në fillim të bisedës,
Jusufi e pyet Njaziun se me porosinë e kujt
dëshiron të më takosh dhe të bisedosh me mua? Njaziu i kishte thënë me
porosinë e Metush dhe Emin Krasniqit.
Jusufi e pyet Njaziun si e
di ti që unë jam Jusufi? Namiu më ka treguar i thotë. Ku e njeh ti Namiun që të
kërkosh takim me mua? Njaziu: Namiun e njoh përmes babait tim, Jakupit.
Pas disa ditësh, Bardhi vjen tek Namiu përsëri dhe kërkon takim me
Njaziun, për të marrë informata se ku gjendet djali i Metush Krasniqit,
Besniku, sepse këtë e kishte kërkuar Bardhi qysh më herët në një kamp
rrefugjatësh në Itali, por nuk e kishte gjetur. Njaziu i tregon Bardhit se
Besniku ndodhet në Australi. Pas një kohe të shkurtër, Njaziu kthehet në
Kosovë. Nga Jusufi kishte marrë disa materiale të ndaluara. Nuk vonon shumë dhe
burgoset i tërë grupi „Albanikos”.
Më 5 shkurt 1982 u bë varrimi i tre dëshmorve të kombit. Ishte ditë pune,
por askujt nuk i punohej. Ishte dita më e dhembshme në historinë e mërgatës
shqiptare në perëndim, bile më e dhimbshme se dita e 17 janarit 1982 kur u
vranë.
Nëna Ajshe kishte arritur me kohë dhe ua kishte parë djemëve të saj së
paku fytyrat për së vdekuri në morgun e spitalit të Heilbronn-it. I ndjeri baca
Pajazit-Ziti, mjerisht nuk arriti me kohë. Me sa duket, ai kishte patur
probleme me rregullimin e pasaportës nga organet serbe në Gjilan.
Thuaja se shumë pak pjesëmarrës në varrim kishte që nuk po qanin.
Qaja edhe unë si fëmij. Më
afrohet Qamil Isufi, kushëri i parë i Saime Isufit, të fejuarës së Kadri Zekës
dhe më thotë “Xhafer pse po qanë?” I them “Po më dhembsën shumë këta tre
patriotë që na i vrau shkjau.” Qamili më thotë “Unë Kadri Zekën e kam pasur
djalë tezeje dhe ja shihe se si po qëndroj”. “Po i them Qamilit, por
sigurisht ti je ngopur duke qajtur
Fjalën lamtumirëse i pari
e lexoi mësuesi Remzi Ademi, sot hero i Kosovës, i vrarë në luftën e fundit në
Kosovë. Remziu ishte tezak i aktivistit të madh Shaban Bobaj. Pastaj një nga
miqtë tanë gjermanë mbajti një fjalim. Foli edhe Ibrahim Kelmendi dhe një
vajzë.
Kurrë në jetën time nuk e
harroj edhe sot më rrinë para syve të ndjerët nëna Ajshe dhe baca Pajazit , sa
të fortë që ishin, si graniti. Të vegjël nga trupi, por të mëdhenj nga zemra e
shpirti. Ishin ulur mbi dy gurë, nuk qanin, por neve na jepnin forcë duke na
thënë » Mos u mërzitni se edhe ju i kishit shokë » .Të gjithë u kthyem pa ba zë,
sikur s’kishim gojë, sepse ndarja nga këta bij të kombit ishte më e rëndë se
toka.
Rrethë vrasjes së ktyre
tre heronjëve edhe sot ruaj mbi 10 artikuj orgjinal të asaj kohe të gazetave
dhe revistave të ndryshme gjermane.
Nga të rënët në mërgim
Jusuf Gërvalla dhe Enver Hadri janë shpallur hero të Kosovës nga presidenti
Ibrahim Rugova. Më vonë nga institucionet e Kosovës janë shpallur hero edhe
Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla. Por institucionet tona i lanë në harres
veprimtarët dëshmorin Vehbi Ibrahimi dhe të plagosurin rëndë, Rasim Zenelaj.
Neve mërgimtarët për çdo
vit bënim homazhe mbi varrezat e ktyre martirëve
Dhe për fund një Citat nga
gazeta Stuttgarter Zeitung
”Për të dhjetën herë
përkujtohen tre të vrarët në Heilbronn, shqiptarë nga Kosova
”Die Regierung fürchtet
diese Toten”
QEVERIA U FRIKËSOHET KËTYRE TË VDEKURVE
Kështu ky përkujtim ishte
edhe një protestë. Policia gjermane bënte roje para varrezave, për arsye se
viteve të mëhershme shërbimet sekrete serbe vazhdimisht ishin prezente këtu për
t’i fotografuar pjesëmarrësit. “Ndaj të fotografuarve kur të shkojnë në Kosovë
bëhen keqtrajtime policore”, shpjegon Komisari i lartë i policisë gjermane Uwe
Würker.
Stuttgarter Zeitung, E
hënë, 20. 01.1992, nga Roger Reppelinger“
Xhafer Leci, Gjermani-Koblenz, 01.05.2012
P.S.Ky shkrim është përgaditur dhe lexuar me
rastin e Akademisë Përkujtimore për
30 vjetorin e vrasjes së 3-e heronjëve të
Vëllazërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka-Nga Xhafer Leci, Kryetar
nderi i SHKSH-së ”Kadri Zeka” në Nürtingen
të Gjermanisë.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen