Disa
çaste me heroin Jusuf Gërvalla në Pejë
Bota Sot | 20.01.2013 18:53 • Hafiz Gagica
Tash e 31 vite më parë Jusufi me Bardhoshin dhe Kadriun u
vranë në orët e vona të mbrëmjes nga një pritë e organizuar, dhe siç dihet pas
atij atentati shtetëror serbo-jugosllav kishte edhe shërbëtorë-spiunë që kishin
informue për vendndodhjen e vëllezërve Gërvalla dhe mysafirit të tyre Kadri
Zeka. Kjo vrasje mizore akoma nuk është ndriçua dhe autorët e krimit ende nuk
janë zbulue, dhe tani më është koha e fundit që organet e drejtësisë gjermane
dhe ato shqiptare ta zbardhin rastin më tragjik të kohës..!?
Në lagjen Kapeshnicë të Pejës, mu aty afër teatrit të
qytetit i cili e mban emrin e tij, Jusufi, vite më parë i është kthye në bronz
qytetit të Pejës dhe Kosovës. Kur iu afrova bustit të tij m’u duk sikur po e
dëgjoja duke fol me atë modestin e tij, dhe po më thoshte; “se këtu ku jam dhe
kështu siç jam, mirë ndihem, sepse jam në Pejën time, në vendin ku nisa letrat
e para të dashurisë, të muzikës, të miqësisë me shokë e shoqe, të poezive, të
dramave, por edhe në qytetin ku fillova t’i them popullit tim, se nuk durohet
më okupuesi, se duhet të çlirohemi nga robëria e gjatë me çdo kusht, por edhe
nga mentaliteti primitiv, nga varfëria etj..” !
Me Jusufin, në heshtje i ndërruam pak fjalë dhe evokuam
kujtime nga e kaluara; për përpjekjet e tij që të krijonte një lëvizje të
fuqishme mbarëshqiptare, për një Kosovë të lirë me të gjitha viset shqiptare.
Dhe, nuk mundja pa ia kujtue disa miq dhe bashkëveprimtarë, i tregova për pavarësinë
e Kosovës, siç u detyrova me i tregue edhe për krimin ekonomik, për
korrupsionin, për pasurimin e njerëzve marramendës përmes hajnive dhe se
Kosovën e ka pushtue skamja..! Po ashtu, ia kujtova se modestia e jote Jusuf,
sot në Kosovën tonë të dashur nuk ka më vend, madje në ato çaste sikur ma
rikujtoj kohën, se si Jusufi me dijen që kishte dhe moshën e re se sa shumë
aspironte dhe punonte me mendje dhe me shpirt, se si luftonte për krijimin e
besimit mes njerëzve, si krijonte simpati kudo që shkonte, se si me dashurinë
që kishte për popullin e tij gjithnjë besonte se populli shqiptar në momente të
caktuara dinë t’i thotë të keqes ndal ! Sepse, ai e çmonte shumë solidaritetin
e popullit të tij, e mbi të gjitha i besonte vendosmërisë së tij për ta fitue lirinë.
Jusufit i tregova, po ashtu për problemet që kemi në Luginën
e Preshevës, dhe i thash se këto ditë përsëri janë vu në rrezik trojet tona, se
kemi provokime të reja, dhe në vend se të bisedohet për Toplicën, sot po flitet
për status special të veriut të Kosovës. Por, një gjë e sigurova Jusufin, se
kombi shqiptar tani është pjesërisht në rrugën që aspironte ai dhe Metush
Krasniqi bashkë me dhjetëra patriotë e intelektualë që ia kishin vu bazat
lirisë dhe pavarësisë, për bashkim kombëtar dhe demokraci. I fola për rrugën e
kombit dhe ideatorin e saj, për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, të cilët
Jusufi i donte dhe i çmonte shumë. Po ashtu i rrëfeva, se sot kemi deputet në
parlamentin e Malit të Zi që flasin shqip dhe qartë i mbrojnë të drejtat e tyre,
për një Shqipëri më të fuqishme se çdo herë tjetër, por edhe për një lëvizje të
fuqishme në Çamëri. I thash se tani në vendet e Evropës perëndimore, SHBA dhe
Australi jeton përafërsisht 1/3 e popullatës shqiptare e cila është integruar
dhe cila po ruan dhe kultivon traditën, gjuhen dhe kulturën shqiptare, dhe se
janë krijue ura të fuqishme mes shqiptarëve dhe vendeve perëndimore etj. U
ndava nga Jusufi me besimin se një ditë të afërme do të jemi edhe më mirë si
komb, dhe se do të ecim krahpërkrah me popujt e zhvilluar të Evropës, pjesë e
të cilës jemi. U ndava me kujtime të shumta nga Jusufi, por edhe me mall të
pashuar për te, me mungesën e tij fizike dhe intelektuale që e bartëm me vete
këtu e 31 vitet e shkuara, ndonëse Jusufi me Bardhoshin dhe Kadriun dhe shumë
patriotë të çështjes kombëtare ishin shembujt më sublim se si duhet të
vetëdijesohemi për të qenë të lirë dhe të bashkuar. Jusufi tani me vëllanë e
tij Bardhoshin po prehet i qetë në Kosovën e pavarur, andaj i lehtë iu qoftë
dheu i saj të cilën e deshën aq shumë dhe për të cilën nuk e kurseu as
jetën...!
Përulëm çdo herë me respekt para veprës së Jusufit,
Bardhoshit dhe Kadriut.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen