Buxhovi del nga hija
Bedri Islami. Epoka e Re
25.01.2014
I
Ka disa njerëz, shpeshherë
edhe publikë, pra të njohur, të cilët, edhe kur koha e tyre ka shkuar dhe
mëkati që u rëndon është më i ashpër sesa supet e tyre, përsëri nuk zënë mend,
turfullojnë dhe presin një moment të caktuar për t’u rikthyer edhe një herë në
grazhdin e vjetër. Të tillët, thellësisht mjerueshëm, ende nuk janë mbushur
mend se, në këtë kohë të vështirë për t’u përballuar dhe kur Kosova është në
mijëra halle të tjera, shtimi edhe i një derivati politik nuk është më një
gabim i përkohshëm, por një faj i qëllimshëm, i cili bëhet në një kohë të
caktuar. Në një kohë kur thesi i mashtrimit është hapur në Beograd dhe fillon e
derdhet edhe në botën mediale të Kosovës, kësaj here nëpërmjet gjithfarë llumi.
Kjo më është kujtuar fillimisht kur dëgjova për një intervistë të Jusuf
Buxhovit dhënë në emisionin “Rubikon”. Ndoshta është nga të paktët emisione që
ndjek me dëshirë, pasi respektoj vizionin dhe mendimin e drejtuesit të saj, dhe
kur them nga të paktët, nuk kam parasysh vetëm stacionet mediale në Kosovë, por
në të gjithë këtë hapësirë, që jemi mësuar ta quajmë mbarëkombëtare.
Jusuf Buxhovi nuk është
një njeri i panjohur në Kosovë. Nuk është i panjohur pasi fillesën e mërisë e
bëri tek “Rilindja”, ku mbi 90 për qind ishin komunistë dhe ai ishte njëri prej
tyre nuk është i panjohur pasi për katër vjet ai ishte i dërguar special i
“Rilindjes” në Gjermaninë Perëndimore, e kjo nuk ishte pak, nuk është i
panjohur pasi, në cilësinë e njeriut “të reformuar”, do të bëhet pjesë e
themelimit të LDK-së, e jo rastësisht të gjithë ata që ishin nismëtarë të saj
do të ishin anëtarë të Lidhjes Komuniste të Kosovës, një aneks i Lidhjes
Komuniste të Serbisë, nuk është i panjohur pasi, haptas, jo vetëm një i burgosur
politik si Hysen Gega, por edhe të tjerë e kanë akuzuar si një bashkëpunëtor të
rëndësishëm të shërbimit sekret serb; dhe një trajtesë e tillë kishte dalë që
në ditët e para kur emri i tij u lidh me LDK-në, nuk është i panjohur edhe nga
librat që ka shkruar.
Por duhet thënë se ai
është një personazh enigmatik. Edhe pamja e tij e jashtme tregon se brenda
vetes fsheh diçka, një lloj skuthie, e cila, sa më shumë që përhapet, aq më
tepër qelb dynjanë.
Në të vërtetë nuk më ka
interesuar kurrë ai as si themelues i LDK-së, sepse kjo është punë e dikujt
tjetër dhe, natyrisht, ai stan, duke përjashtuar disa meritorë që gabimisht u
gjendën aty dhe shpejt dolën jashtë saj, nuk do të kishte bulmet tjetër dhe,
kush ka pritur një fillesë tjetër, të ndryshme, nga ajo që na serviri shërbimi
i fshehtë serb, ka qenë i gabuar. Buxhovi nuk më ka interesuar as si prozator.
Duke qenë në dijeni të prapshtive që ka bërë, shumë nga të cilat mbi kurrizin e
miqve të mi, duke njohur shumë nga ndërhyrjet e tij në dëm të shqiptarëve në
mërgim dhe forcimit të tyre si rrënjë e kombit jashtë vatanit; duke sjellë
ndërmend përçarjet që kishte ngjallur mes tyre si një filo jugosllavizëm, të
gjitha këto, së bashku dhe veç e veç, më kishin hequr çdo dëshirë për t’i
lexuar librat e tij, ashtu si e di dhe jam i bindur se edhe ai nuk ka lexuar
asnjë nga librat e mi.
Vëmendja ime e parë ndaj
Buxhovit u kthye përciptas në leximin e librit “Vite të humbura” të Mehmet
Krajës. Ishin dy pasazhe që më bënë përshtypje dhe të cilat, edhe një herë,
vërtetuan se ato që më kishin thënë për të nuk ishin fjalëzime në erë, por
përmbanin disa të vërteta të hidhura dhe të dëmshme. Duke shkruar për
themelimin e LDK-së, njëri nga themeluesit e saj, Mehmet Kraja, kujton se
“Buxhovi solli programin dhe statutin. Që në fjalinë e parë e hetova se
programi nuk ishte shkruar nga Buxhovi dhe as nga ndonjë “ekip” më i gjerë, por
nga një person “pa emër”, që i takon klanit të vjetër politik, autonomist...”.
Kohë më vonë Buxhovi do ta fshihte këtë të vërtetë pasi, dashur-padashur, do të
pranonte se zanafilla e kësaj strukture nuk ishte askund tjetër, veçse në një
seli tjetër, amë, që do ta pillte bijën e saj dhe që nëpërmjet saj do ta merrte
përsipër rolin e saj të përkohshëm të shuarjes së lëvizjes çlirimtare. Fakti që
këtë statut e program, brezi i vjetër partiak e përcillte nëpërmjet Buxhovit,
ka të bëjë me faktin se ai ishte njeriu i besuar i tyre, për më tepër, njeriu i
dërguar aty për të bërë “paqësisht” atë që nuk kishin arritur të bënin
nëpërmjet dhunës dhe tankeve. Më tej, në librin e tij Mehmet Kraja shkruan
Buxhovi do të ishte njeriu që do të na nxirrte më shumë andralla me biografinë
e tij, pasi “për të do të pëshpëritet se gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani
kishte bashkëpunuar me organet e pushtetit dhe të sigurimit jugosllav”.
Por edhe pas saj, shumë
vetë, mes tyre edhe unë, e harrova fenomenin Buxhovi pasi, si ai kishte pasur
edhe shumë të tjerë, të cilët ishin bërë pjesë e sistemit dhe e dhunës së tij.
Biseda ime me Hysen Gegën, disa vite më parë, më ngjalli edhe një herë ndjenjën
e vemjes politike, të cilat, herë këtu dhe herë aty, ku gjejnë mundësinë e
artë, godasin dhe hedhin pezhishkën e tyre.
Tani, edhe një herë,
Buxhovi u shfaq krejt i sinqertë, me veten dhe me të tjerët, ashtu si kishte
qenë në kohën e bashkëpunimit të tij me organet e pushtetit serb në Kosovë. Ai
dëshmoi se asgjë nuk kishte ndërruar në kokën dhe në mendimin e tij dhe se
vitet e shkuara, përcaktimet politike dhe sakrificat e jashtëzakonshme nga
lëvizja klandestine çlirimtare, asgjë nuk i kishin mësuar dhe asgjë nuk kishte
ndryshuar nga vetja. Të jetë ky një borxh i së djeshmes apo një ngulje, edhe
një herë, në vitin 1981 e pak më pas, kur në Kosovë dhe jashtë saj u ndeshën dy
botë, ajo udbashe, e përfaqësuar nga njerëzit si Buxhovi dhe ajo çlirimtare, e
përfaqësuar nga Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka. Nëse në këtë vend do të kishte dy
njerëz krejt të kundërt me njëri-tjetrin dhe përballë njëri-tjetrit, këta do të
ishin Jusuf Gërvalla dhe Jusuf Buxhovi.
I pari në anën e
çlirimtarëve, i dyti në anën e pushtuesve, që të dy gazetarë, por derisa i pari
do të vendoste që pena e tij të ishte në dobi të çlirimit të vendit, tjetri e
kishte nënshkruar marrëveshjen me djallin që pena e tij të ishte në favorin e
klasës sunduese në Kosovë.
Gërvalla do të bëhej zëri
çlirimtar nëpërmjet fjalës, këngës dhe mendimit të tij politik. Buxhovi do të
bëhej, dhe mjerisht paska mbetur, një nga përfaqësuesit e dhunës dhe
poshtërimit të Kosovës, e nënshtrimit të paskaj të saj dhe, njëkohësisht e
mjerimit të saj politik. Gërvalla do të ishte frymëzuesi dhe njeriu në ballë të
demonstratave për Republikën e Kosovës, Buxhovi do të bridhte nëpër klubet
shqiptare me flamurin e serbizimit të tyre. Gërvalla do të bëhej pjesë e
themelimit të një lëvizje të re politike, gjithëpërfshirëse, që në programin e
saj do të ketë edhe luftën e armatosur, Buxhovi do të bëhej njeriu që merrte në
pyetje të burgosurit politikë dhe tentonte të shkelte mbi gjakun dhe idenë e
tyre. Gërvalla, në fund, pikërisht nga njerëzit të cilëve u shërbente Buxhovi,
do të vritej në një natë të ftohtë janari; po asaj kohe kur Buxhovi do të
“lavdërohej” se ishte një nga të “tyret” e politikës së Beogradit. Mes këtyre
dy njerëzve, njëra figurë kombëtare e tjetra hije e pazakontë, qëndron një
hendek i jashtëzakonshëm, jo vetëm njerëzor, por edhe i vizioneve, përcaktimeve
dhe filozofisë që bartin. Ndaj është e pështirë të dëgjosh të flasësh për
Gërvallën dhe Kadri Zekën në njeri që i ka ndjekur, që ka qenë ashpërsisht
kundër tyre dhe, që askush nuk e di, se ku ishte kur ndodhi ngjarja e kobshme.
Rishfaqja e fundit e
Buxhovit, pas disa parapërgatitjeve jo edhe aq të rëndësishme, nuk vjen në një
kohë të pazakontë dhe as si shenjë se skifterët e LDK-së po rikthehen edhe një
herë. Ata, edhe po të duan, edhe aty nuk kanë më vend, pasi ngjajnë me limonët,
të cilët shërbejnë për aq sa duhet dhe kur duhet. Zëri i Buxhovit është bërë në
këtë kohë bashkë me disa zëra të tjerë, në median e shkuar dhe vizive, të
cilët, edhe një herë, e përsëris, jo rastësisht, janë hedhur në një sulm të
çakërdisur ndaj çdo vlere të lëvizjes çlirimtare. Koha që kanë zgjedhur është
në sinkron me kohën e shqyrtimit të raportit famëkeq të Dik Martyt dhe
telasheve të Karla del Pontes, pra koha kur dinjiteti i Kosovës do të vihet
edhe një herë në provë dhe, duke vrapuar, si gjithnjë në anën e kundërt të
popullit të tyre, po hidhen edhe lakejtë e djeshëm të klanit titist e udbash.
Synimi i tyre është i njëjtë me atë synim që kanë pasur në vitin 1968, me
aspiratën e tyre rrënuese në vitin 1981, me sulmet e egra dhe vrasjet në vitin
1989, me synimin për denigrimin e lëvizjes çlirimtare klandestine në vitin
1990, fill pas krijimit të LDK-së dhe më pas, me një kulm të pamenduar, kundër
luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në asnjë popull tjetër nuk ka një skotë
të tillë, kaq mjerane dhe kaq të pështirë sa udbashët e Kosovës, sidomos
komunistët udbashë, të cilët, dy herë të zinj, si anëtarë të një partie
komuniste që kishte gllabëruar vendin dhe si spiunë të saj, u lëshuan kundër
popullit. Pra, koha është e gjetur, e ajo me të cilën isha dakord në paraqitjen
e Buxhovit, ishte sinqeriteti i tij, i imponuar ose jo nga e kaluara e tij dhe
nga e cila ai nuk po heq dorë as tani kur gjërat kanë ndryshuar.
Buxhovi u shfaq ashtu si
gjithsecili nga titistët e djeshëm, me të njëjtat teza, me të njëjtat shpifje,
i gatshëm për të shërbyer deri në fund ndaj një kauze që është e tij, por jo
vetëm e tij, dhe që është në çdo aspekt e kundërta e së vërtetës historike dhe
e aspiratës së një populli; ai u shfaq ashtu si ishte pritur të shfaqej në
vitin 1981, në vitin 1989, krejt i devotshëm ndaj tezave të plasuara fillimisht
nga “Tanjugu” e më pas në “Rilindja”, si pjesë e rëndësishme e së cilës ishte;
edhe një herë ai zgjoi një gjuhë që kishim menduar se ishte harruar, si shenjë
pendese të paktën, thirri në ndihmë të njëjtin fjalor që kishte dikur më parë
UDB-a serbe dhe tellallët e saj medialë; dhe e gjithë kjo do të dukej e
pabesueshme se mund të ndodhte kur çdo gjë, edhe më e thella, tashmë është e
qartë për të gjithë.
Pse ndodh e gjithë kjo?
Vërtet këta njerëz, si Buxhovi, nuk e dinë një të vërtetë historike? Vërtet nuk
e di se njerëzit të cilët deri dje, në shkrimet e tij i cilësonte si
irredentistë dhe nacionalistë dhe i mallkonte se po prishnin
bashkim-vëllaznimin, janë në të vërtetë çlirimtarët e vërtetë të Kosovës, më të
përkushtuarit, më të devotshmit dhe më të sakrifikuarit? Vërtet nuk e di se nga
kjo plejadë çlirimtarësh kanë dalë figurat më mitike të Kosovës, pa ekzistencën
e tyre Kosova do të ishte vërtet një çështje e humbur, do të ishim një komb me
ndërprerje historike? Vërtet nuk e di se pikërisht këta çlirimtarët dergjeshin
burgjeve serbe, kur ai dhe pinjollët titistë endeshin nëpër botë dhe ankoheshin
se vakancat në vendet perëndimore nuk i shkonin si duhet? Vërtet nuk e di dhe
skota e tij se nga këta njerëz, të heshtur deri në dhimbje, janë bërë me mijëra
vite burg...dhe ky burgim, si në çdo gjë epike, është përjetuar si një gjë
normale për hir të Kosovës?
Natyrisht, ata, të gjithë,
e dinë. Shumë nga nacionalistët e irredentistët e djeshëm janë burgosur e
torturuar nga skota e afërt me Buxhovin, janë ndjekur e në fund janë vrarë
pikërisht nga këta pinjollë, të cilët, jo shumë vite më parë mburreshin se për
çlirimtarët “vrima e miut do të ishte pesëqind grosh”. E dinë, e kanë ndjekur
vetë dhe e kanë përgojuar vetë. Rikthimi i tyre në këtë temë të kujton
postulatin se vrasësi kthehet gjithnjë në vendin e krimit. Shkrimet e dikurshme
të gazetës “Rilindja” ishin as më shumë e as më pak veçse aktakuzat për
nacionalistët dhe irredentistët, ishin parathënia e dënimeve që do të vinte,
shënimet e tyre politike ishin në fakt diferencimi politik mes njerëzve, ku nga
njëra anë ishin çlirimtarët dhe lëvizja e tyre politike, nga ana tjetër ishin
diferencuesit, të cilëve i përkiste edhe Buxhovi.
Rikthimi në diferencim dhe
në tezat e qelbura të së djeshmes nuk janë një farsë politike, nuk janë për të
zgjidhur hallet mes LDK-së dhe për t’u dhënë zemër të humburve; është shumë më
tepër se kaq. Është rikthimi i kushtrimit titist edhe për një hyxhym mbi
lëvizjen çlirimtare, mbi të drejtën historike dhe mbi të vërtetën historike të
një populli, i cili edhe nga humnera ku e kishte hedhur regjimi fashist titist,
pjesë e rëndësishme e së cilës ishte edhe Buxhovi, gjeti forcë të dilte në dritëzim,
sepse vizioni që kishin ata njerëz dhe mendimi i tyre politik nuk ishte asgjë
tjetër veçse vazhdë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Pse ndodh e gjithë kjo...
Kush qëndron pas tyre... a është rastësi kjo sintoni e llahtarshme e shpifjeve
dhe cila është e vërteta e lëvizjes çlirimtare... ishin ata nacionalistë e
atdhetarë apo të shitur tek UDB-a dhe KGB-ja.. kush ishin në fakt të shiturit
dhe kush ishin të sakrifikuarit... të gjitha këto, qetësisht, do t’i shohim në
vazhdimin e këtij shkrimi.
Hija e Buxhovit
II
Togfjalëshin “hija e
Buxhovit”, të cilin e vendosa në hyrjen e pjesës së dytë të këtij shkrimi, nuk
e kam thjesht për hijen e një njeriu, sado i vockël qoftë ai, por për
përfaqësimin që bart në politikën shqiptare në Kosovë. Me pak fjalë, mendimi
është për hijen që lëshon ende mbi politikën e Kosovës politika e së djeshmes
titiste dhe udbashe, përfaqësues tipik i së cilës nuk është prej ditës së sotme
Buxhovi dhe që dashur-padashur rëndon mbi këtë politikë; e kam fjalën për atë
mendësi dhe filozofi, e cila në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar u bë
vetëdijshëm bashkëpunëtore e krimit dhe e pushtimit të saj, e kam fjalën për
atë tabor njerëzish, shpeshherë edhe të njohur si intelektualë, të cilët vunë
në shërbimin e pushtimit gjithë zellin e tyre, mjeshtërinë, forcën, veset dhe
nuk hoqën dorë prej tyre edhe kur, jashtë dëshirës së tyre, gjendja u bë e
ndryshme. Zakonisht, në botën e diplomacisë dhe të luftës njëkohësisht, këta
njerëz u quajtën kolaboracionistë, në Kosovë u quajtën titistë dhe maja e tyre e
politikës u quajtën udbash.
Një hije e tillë, e këtij
skalioni të mjerueshëm, por të rrezikshëm, vazhdon ende sot mbi qiellin e
politikës në Kosovë. Çdo gjë e ka një fillesë, çdo gjë ka një nisje, një
përcaktim, kur forma bëhet më e qartë dhe kur gjërat dalin nga “shishja e
dreqit”.
Në Kosovë ky është viti
1981, më saktë pranvera e këtij viti, e në fillimin e kësaj pranvere janë dy
data, 11 mars dhe 2 prill. Ky është momenti kur ndahen mënjanë vizionarët,
fillimisht më të paktë dhe, nga ana tjetër, zelltarët e pushtetit. Nga njëra anë
do të jenë të burgosurit e kohës dhe të burgosurit e ardhshëm; në kahun tjetër
do të jenë bukëshkelësit, udbashët, të privilegjuarit, të përkëdhelurit, që për
të qenë pjesë e elitës politike, janë të gatshëm dhe shkelin mbi njerëzit
vizionarë. Nga njëra anë do të jenë ata që e duan shtetin amë, Shqipërinë, pa
marrë parasysh se cili regjim është vendosur atje; nga ana tjetër janë ata që
duan ende serbizimin e Kosovës, që nuk shtyhen më tej se autonomia dhe kjo e
fituar me gjakun e shqiptarëve dhe dhunën ndaj tyre; nga njëra anë është
përgjigjja e Jusuf Gërvallës, “PA ASNJË DYSHIM”, pas pyetjes së medieve
gjermane, nëse do të pranonit të bashkoheshit me Shqipërinë edhe po të ishte
shtet kapitalist, monarki apo komunist; nga tjetër është grupi i njerëzve që mallkojnë
Shqipërinë dhe thirrja e shefit të Jusuf Buxhovit, që në fakt është thirrja e
tij, nëpërmjet Dushan Ristiqit, se” kurrfarë librash nuk na duhen nga
Shqipëria”. Nga njëra anë ndodhen idealistët që burgosen edhe me 10 vjet burg
për një libër të zakonshëm të ardhur nga Shqipëria si, për shembull, “Prijësja
e komitëve”, nga ana tjetër janë katër gazetarë të “Rilindjes”, të cilët kur
kthehen nga Shqipëria grinden me njëri-tjetrin se cili do ta ketë nderin ta
bëjë informacionin për UDB-në, pasi nga katër gazetarë, si kujton shkrimtari
Mehmet Kraja, tre prej tyre janë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit. Ku
ishte Buxhovi dhe ku ishin “buxhovët” e tjerë, kur në Kosovë po gatuhej në
magjen e historisë? Ishte në Bon, kryeqyteti i Gjermanisë perëndimore, si pjesë
e gazetës “Rilindja”, që nuk ishte asgjë tjetër veçse “Tanjug”-u në gjuhën
shqipe. Ai ishte me mallkuesit, me fabrikuesit e ngjarjeve dhe, njëkohësisht,
pjesë hetimore e njerëzve që donin ta ndryshonin historinë. Ai mund të jetë
edhe më shumë se kaq, mund të jetë edhe pjesë denoncuese e lëvizjes çlirimtare
dhe askush me mend nuk pret që një denoncues të dalë nga vetja, të tjetërsohet,
kur ende pesha e mëkatit nuk rëndon të paktën në ndërgjegjen e tij.
Të gjitha ngjarjet që kanë
ardhur më pas në historinë moderne të Kosovës, përfshirë edhe ato që po ndodhin
sot, e kanë zanafillën, pikënisjen në vitin 1981. Aty, haptas tashmë, do të
ndodhë procesi i diferencimit politik, qendra e të cilit do të jetë
gazeta”Rilindja”, njëkohësisht, pas vrasjeve masive, do të fillojë edhe procesi
i burgimeve të rënda, ku të burgosurit do të jenë pjesëtarët e forcave
klandestine çlirimtare.
Edhe më parë në Kosovë
kishin ndodhur procese politike masive. Vrasjet më të mëdha, masive të
shqiptarëve, ishin bërë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku në një kohë
të shkurtër regjimi i Titos dhe i Rankoviqit, me ndihmën e shqipfolësve, do të
vrisnin më shumë se 40 mijë veta. E saktësoj: më shumë se dyzet mijë veta. Por
pas proceseve pastruese vrasëse jetike, regjimi serb në Kosovë kishte thirrur
në ndihmë pikërisht mendimin politik të udbashëve të regjur, të paskrupullt dhe
periudha nga viti 1968, pas demonstratave për flamurin dhe autonominë dhe deri
në vitin 1981, do të jetë ajo nëpër të cilën, nga njëra anë vizionarët përgatiteshin
për një betejë finale, ndërsa titistët dhe udbashët përgatiteshin që nëpërmjet
një elite politike e intelektuale ta varroste përgjithnjë aspiratën e një pjese
të rëndësishme të popullit shqiptar.
Buxhovi dhe përgjithësisht
“buxhovistët”, (hej dreq, nuk e di pse më tingëllon si “koxixoxistët”) shpifnin
mjerueshëm kur thonë e në këtë kohë e më pas 90 për qind e popullit ishin
përkrah tyre. Nëse do të kishte qenë kështu do të kishim pasur të bëjmë me një
popull pa histori dhe pa ndërgjegje kombëtare, të cilin as topat migjenianë nuk
do të mund ta zgjonin pas pak vitesh dhe ta bënte njërën nga luftërat më të
çmuara në fundin e shekullit të shkuar. Regjimi, të cilit i shërbente Buxhovi,
kishte lejuar disa rregulla të lojës, të cilave, po t'u përmbaheshe, mund të
jetoje rehat, por i shtypur. Të lejonte të dilje jashtë vendit, pasi ishe
kontrolluar nga UDB-a, të lejonte të kishe një pronë private, por nuk të
lejonte të ishe i lirë, nuk të lejonte as gjuhën e as flamurin, po të dilje
sadopak jashtë këtyre rregullave, të shqepte në dru, të digjte, të burgoste dhe
të vriste. Gjaku i derdhur më 2 prill 1981 dëshmoi se gjithçka që kishte qenë
në sipërfaqe shpërtheu vrullshëm, regjimi hoqi maskën e tolerancës dhe foli me
gjuhën e tankeve, rrugët e qyteteve të Kosovës u bënë edhe një herë vendi i
gjakut të derdhur. Buxhovistët mbrojtën gjakun që u derdh nga pushteti si një
gjë normale, pasi të vrarët, që kishin derdhur gjakun ishin, as më shumë e as
më pak, irredentistë dhe nacionalistë dhe, si të tillë, lejohej edhe të
vriteshin. Artikujt e gazetës “Rilindja” ishin në fakt licenca e pushtetit për
të vrarë. Ndërsa të vrarët ishin idealistët e zakonshëm të Kosovës, të cilët
nuk ishin ngritur për të bërë histori, por për gjërat normale që i takojnë çdo
kombi, vetëvendosjen e tyre. Shkrimet e vitit 1981 e pas tij, po të lexohen sot
edhe një herë, të bëjnë të mendosh se cila mendje djallëzore e mizore
njëkohësisht ishte pas tyre, kush i kishte pjellë këta njerëz që nuk jepnin
asnjë grosh për Kosovën, por përpiqeshin të vilnin çdo lot të saj...
Çuditërisht nga kjo skotë, vrullshëm, filluan të dalin në sipërfaqe
“demokratët” e ardhshëm, ata që, pasi e kishin shitur vendin, tani shpejtonin
ta merrnin “patentën” nacionale të atdhedashurisë dhe të sakrificës. Kjo skotë
vrapon edhe tani, në sinkron të plotë me Beogradin, dhe mjerimi i politikës
është se, nëpërmjet një mijë rrugëve, ata ia kanë arritur të jenë pjesë
dominuese në ekonominë e Kosovës dhe përmes një dere të hapur gabimisht, edhe
pjesë të politikës së saj.
Pas vitit 1981, periudhë
për të cilën rëndon më shumë Buxhovi dhe buxhovistët e tjerë në deklarimet e
tyre, në Kosovë do të ndodhë një fenomen jo i rastësishëm: zgjimi i vetëdijes
kombëtare, edhe nëpërmjet medieve të shtetit shqiptar, por më shumë një pleksje
mes traditës së odës shqiptare dhe frymimit universitar. Viti 1981 e të tjerët
pas tij nuk do të jenë vite të humbura në historinë e Kosovës. Ata do të jenë
kohë e parapërgatitjes për ngjarjet madhore të vitit 1989, me gjithë dëmtimet e
jashtëzakonshme që do të kenë. Në Kosovë, në vitet e pushtimit serb të
pasluftës, do të dënohen politikisht, më shumë se 300 mijë veta, por dënimet më
të ndjeshme, më të shpeshta dhe më të rënda, do të jenë pas vitit 1981. Në
pretencën e të gjithë këtyre grupimeve të dënuara, nuk ka asnjë akuzë si grupe
marksiste-leniniste: të gjitha akuzat janë ngritur si grupe
kundërrevolucionare, nacionaliste, irredentiste, që synonin rregullimin
federativ të shtetit, me mjete të armatosura ta përmbysnin pushtetin serb në
Kosovë dhe që kishin qëllim të tyre republikën e Kosovës dhe bashkimin me
shtetin amë, Shqipërinë.
Për ta bërë këtë sa më
konkrete, po sjell, fjalë për fjalë, pjesë nga aktakuza ndaj 27 të pandehurve
në prill 1986, pjesë e një grupi të lëvizjes çlirimtare, mes të cilëve edhe
heronjtë, Fehmi Lladrovci e Shaban Shala. Ata do të gjykohen sepse “me qëllim
të rrëzimit të pushtetit të klasës punëtorë dhe të punonjësve, minimin e
rregullimit shoqëroro-ekonomik të përcaktuar me kushtetutë, prishjen e
vllaznim-bashkimit e barazisë së kombeve e kombësive, ndryshimin antikushtetues
të rregullimit federativ të shtetit, nëpërmjet irredentizmit e nacionalizmit”,
kështu shprehet kryetari i kolegjit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Tadej
Radiqi, ndihmësi i tij Shefqet Bytyqi dhe Ismet Emra.
Më tej në procesverbalin
përkatës mund të lexohet ende se “I akuzuari Fehmi Lladrovci, si në hetuesi
ashtu edhe në seancën kryesore, pohon se e ka kryer veprën penale, e cila i
vihet në ngarkim, se ka filluar të merret me veprimtari armiqësore nga pozitat
e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar. Deklaron se për veprën e tij nuk
pendohet dhe se qëndron pranë kërkesës së tij dhe shokëve të tij, që Kosovës
duhet t’i njihet statusi i republikës dhe se kjo kërkesë është e drejtë”.
27 herë, nga të 27 të
akuzuarit e më pas të dënuarit ashpër, përsëritet kjo deklaratë në sallën e
gjyqit, në të cilin drejtuesit janë shqipfolës, torturues janë serbo-shqiptarët
dhe, në të gjithë këtë zinxhir krimesh, më të ashpër dhe të panderë, janë
gazetarët që shpifin, mallkojnë, licencojnë dënimet e ashpra.
Shumë vite më vonë
avokatët e djallit serb do të përpiqen në një kor të përbashkët të fshihen pas
emërtimit, se ata që u dënuan ishin “marksistë-leninistë” dhe se pikërisht për
këtë duheshin dënuar. Një ndër ideatorët e kësaj teze meskine dhe të
rrezikshme, që lindi pas vitit 1989, sidomos nga pllehnia e Buxhovit, do të
rikthehet herë pas here aty ku e nisi, jo sepse nuk e di të vërtetën, por sepse
pas këtij petku mund të fshihej e shkuara e tyre deri në krim.
Shteti serb, po ashtu një
shtet komunist e më tej se kaq, sepse ishte nacionalfashist, çfarë u dëshmua
pak vite më pas, nuk mund të dënonte askënd për të tilla pikëpamje, sepse ishte
i mbytur deri në thellësi në krimin e tij. Përse lindi e gjithë kjo anatemë
ndaj çlirimtarëve… ku ishte qëllimi i përdhosjes së vlerave çlirimtare dhe ku
ishin bartësit e saj…përse në Kosovë, si askund tjetër, kjo klasë u bë më e
pështirë, më e rrezikshme dhe më e dëmshme për vetë vlerat e kombit… si ndodhi
që ajo gjeti përkrahje në Shqipërinë e pas vitit 1991… kur më përpara kishin
gjetur përkrahje forcat çlirimtare…
III
Një “hero” pas akshamit
apo një rikthim serb
Të gjitha grupet e dënuara
nga lëvizja çlirimtare në Kosovë, në të gjitha instancat ku edhe janë dënuar,
deri në Gjykatën Supreme, në asnjë rast nuk kanë pasur vite të caktuara dënimi
si pjesë e një lëvizje marksiste-leniniste. Nëse ndonjë prej tyre, në fakt më e
vendosura, Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, OMLK, deri në janarin e
vitit 1982 kishte paraqitjen e jashtme si një lëvizje e ngjashme me atë që
ishte në shtetin amë. Në thelbin e saj ajo ishte thellësisht nacionaliste, e
këtë e dinin fare mirë të gjitha qarqet politike në shtetin serb. Pas
Bashkim-Shkrirjes të të gjitha grupeve të lëvizjes çlirimtare dhe formimit të
së njëjtës trupë drejtuese, ku për herë të parë do të përcaktohet edhe
sekretari për problemet e luftës dhe ky do të ishte Fehmi Lladrovci, njëra ndër
figurat më të shquara të saj as si formë, aq më pak si përmbajtje, do të jetë
emërtimi marksist-leninist. Dhe ata u dënuan si nacionalistë, separatistë dhe
irredentistë, e si do të thoshte më pas një tjetër figurë e ndritur e Lëvizjes
Çlirimtare, Xhavit Hoxha, “po, kemi qenë dhe mbetemi nacionalistë e
irredentistë, sepse e duam Kosovën dhe sepse guxojmë të ëndërrojmë dhe të
punojmë për bashkimin me Shqipërinë”. Në fund të fundit, edhe nga lidhjet e
Lëvizjes Çlirimtare me shtetin shqiptar të kohës, atyre do t’u vinte një
orientim i saktë, sipas të cilit, ata duhej të hiqnin dorë nga qëndrimet
ideologjike, nga glorifikimi i shtetit shqiptar dhe i figurës së Enver Hoxhës
dhe duhet të përqendroheshin në lëvizjen çlirimtare.
Përse tani, pas kaq shumë
viteve, “buxhovistët”, si një rrymë titiste në politikën shqiptare në Kosovë,
duan ta akuzojnë Lëvizjen Çlirimtare si thellësisht të majtë dhe nëpërmjet saj
t’i justifikojnë vrasjet masive, dhunën, burgosjet, torturat, shkatërrimet?
Vërtet e vranë, le të marrim një shembull, Tahir Lush Berishën, 23-vjeçar,
mësues i artit, sepse ai ishte marksist-leninist? Vërtet ia arrestuan nënën,
Shkurte Berishën, 70-vjeçare, se i biri ishte marksist-leninist? Vallë për këtë
shkak ia arrestuan të vëllezërit, Skënderin dhe Maxhunin, nuk i lejuan
ceremoninë mortore dhe arrestuan edhe njerëzit që shkuan për ngushëllim? Tahir
Berisha ishte një ndër të vrarët e Lëvizjes Çlirimtare, por jo i pari prej tyre
dhe as i fundit.
Vërtet policia serbe, të
cilën e justifikon Jusuf Buxhovi, i vrau Hasan Ramadanin dhe bijën e tij,
Fitnetën, 17-vjeçare, sepse ishin, babë e bijë, marksistë-leninistë? Ata ishin
pjesë e Lëvizjes Çlirimtare të zonës së Llapit, nga ishte edhe Ali Ajeti, po
ashtu i vrarë nga forcat serbe, këtë herë nëpërmjet helikopterëve ushtarakë
dhe, jam i bindur se as që kishin menduar ndonjëherë për marksizëm, sepse edhe
në përmbajtje edhe në formë, duke qenë një ideologji që vinte nga Lindja, nga i
kishin ardhur të zezat Kosovës, ishte krejt e papranueshme për to.
Interesant është fakti se
akuzat më të mëdha dhe të pështira ndaj Lëvizjes Çlirimtare, si një forcë e
majtë dhe që është dënuar si e tillë, i vijnë nga ish-komunistët shqiptarë në
Kosovë, pjesë e Partisë Komuniste serbe, pra një aneks i saj dhe dyfish të
neveritshëm. Jorastësisht, pikërisht këto forca proserbe dhe ish-komuniste do
ta gjejnë përkrahjen më të ndjeshme në Shqipërinë e pas vitit 1992, do të kenë
aleanca të përbashkëta dhe qëndrim, po ashtu të përbashkët dhe mohues ndaj
forcave çlirimtare në Kosovë. Kjo nuk lidhet thjesht me dhëndërrimin proserb të
Berishës, por me gjithë atë që ngjau aty, ku dolë në sipërfaqe dhe u ngjitën
deri në majë të shtetit shumë nga ata që ishin të lidhur jo vetëm shpirtërisht,
por edhe si pjesë të shërbimit të fshehtë, me shtetin serb.
Lëvizja Çlirimtare në
Kosovë do ta ketë fillimin e saj të përgjakur: me vrasjen e themeluesve, Jusuf
Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, e kjo do ta shoqërojë atë në të
gjitha vitet e rritjes së saj. Ajo do të jetë Organizata së cilës, në vite të
ndryshme, nëpërmjet atentateve dhe njësive speciale, do t’i vriten drejtuesit
kryesorë, politikë e ushtarakë, por do të ketë edhe meritën, sepse rishtas do
ta ketë forcën e duhur për një ringritje.
Për vrasjet e tjera do të
flasim edhe më poshtë, duke dëshmuar se si ndodhën ato, por alibia e ngritur
tani nga Buxhovi dhe të tjerë rreth e rreth tij, është alibia dhe justifikimi i
vrasjeve, është marrja në mbrojtje e dhunës dhe e vrasjeve serbe, është
justifikim për terrorin që ishte i pranishëm kudo, por jo në zyrën, në banesën
dhe në jetën e Buxhovit.
Çfarë kërkonin këta
njerëz, të gatshëm për t'u sakrifikuar, të cilët qëndronin në Kosovë edhe kur
ishin të bindur se të nesërmen do të arrestoheshin?
Në përgjigjet e njëjta të
27 të burgosurve politikë, mes të cilëve emra të njohur të Lëvizjes Çlirimtare,
do të theksohet se ata janë për republikën e Kosovës, se kërkesa e tyre është e
drejtë dhe se këtë do ta arrijnë, “ja ma hatër, ja me luftë”.
Që në krye të herës, pas
gjithë llumit që është ngritur për fare pak kohë, pas si vazhdë e “përmbytjeve
të dikurshme”, unë kam vënë disa pikëpyetje, sqarimi i të cilave tashmë, edhe
një herë, qenka i domosdoshëm. Le t'i shohim qetësisht:
Pse ndodh e gjithë kjo...
Kush qëndron pas tyre... a është rastësi kjo sintoni e llahtarshme e shpifjeve
dhe cila është e vërteta e lëvizjes çlirimtare... ishin ata nacionalistë e
atdhetarë apo të shitur tek UDB-a dhe KGB-a... kush ishin në fakt të shiturit
dhe kush ishin të sakrifikuarit...
Pse ndodh gjithë kjo?
Njeriut të kujdesshëm do
të mund t'i kujtohej se kjo nuk është hera e parë se, mjerisht, të gjitha këto
që po ngrihen sot nuk janë asgjë tjetër veçse një përsëritje e asaj që ka
ndodhur që me rishfaqjen e lëvizjes çlirimtare si një staturë e organizuar dhe
mllefi i tashëm nuk është asgjë tjetër veçse përsëritje në një kohë të
mëvonshme, por që ka lidhje me të shkuarën. Nuk është interesant të vrojtohet
se e gjithë propaganda e serbofilëve dhe e shqipfolësve, edhe kur janë
intelektualë, si ishte, për shembull, Buxhovi, është e njëjtë me atë që ka
derdhur shtypi beogradas. Nganjëherë detajet janë deri në imtësi, por përsëri,
me gjithë shfaqjen e saj makabre, nuk ka qenë forma ajo që ka trazuar, por
egërsia. Asnjëherë, në të gjithë shtypin e shkruar apo në atë medial, këta
zëdhënës të shprishur nuk kanë, në asnjë të qindtën, kaq të rreptë ndaj
aparatit policor serb, sa kanë qenë kundër lëvizjes çlirimtare. Që në krijimin
e saj alternativa paqësore kosovare, e cila e gjeti oportune të regjistrohej në
Ministrinë e Drejtësisë në Beograd, megjithëse në letër e kishin krijuar
Qeverinë e Kosovës, mllefin e saj e vendosi tek ish të burgosurit politikë dhe
tek ajo që i përfaqësonte, Lëvizjen Çlirimtare, e strukturuar pas Lëvizjes
Popullore të Kosovës. Gazeta “Bujku”, simotra e organit famëkeq “Rilindja”, në
të gjithë numrat e saj të parë hodhi po këtë vrer që hedh sot Buxhovi, e kjo
nuk çudit askënd që i di ngjarjet dhe personazhet dhe mund të kujtohet se ky
Buxhov nuk ishte as më shumë e as më pak, veçse sekretari i LDK-së, njeriu i
dytë në atë hierarki. Lëvizja Çlirimtare, përfaqësuesit e saj u takuan atë botë
me Fehmi Aganin dhe i kërkuan t’i ndalnin sulmet e shpifjet, sepse “nëse ishte
për të folur, lëvizja kishte shumë e shumë më tepër të vërteta sesa kishin ata
shpifje e trillime”. Agani i drejtoi tek Rugova, e pas kësaj sulmet heshtën për
një farë kohe, e përsëri kjo përkon me largimin e Buxhovit dhe të disa
udbashëve nga drejtimi i LDK-së. Kjo që ndodh tani është një ndihmesë më shumë
për trajtimet politike e juridike që do të ketë së shpejti çështja e Kosovës
për të gjithë ata që prej kohe janë vendosur kundër saj. Është në një kohë
sinkron me lëvizjet politike serbe, me disa botime të sponsorizuara prej saj,
me regjistrimit e vëllezërve Kariq e të tjerëve nëpër kampet e emigrantëve
serbë, shumë nga të cilët nuk kanë ikur nga Kosova sepse druheshin për hiçgjë,
por sepse disa ishin pjesë e krimeve dhe disa të tjerë e dinë fare mirë se janë
në tokë të huaj. Dhe toka e huaj nuk të mban. Jorastësisht, disa ditë më parë,
një nga vëllezërit Kariq, në Slloveni, kishte të njëjtën retorikë si kjo që po
mbin në Kosovë. Duhet të jesh naiv të besosh se kjo është rastësi.
Kush qëndron pas tyre?
Përgjigjja më e shkurtër
dhe më e përgjithshme do të ishte, Beogradi. Kjo i thotë të gjitha dhe nuk
thotë asgjë. I thotë të gjitha sepse, që andej, mjerisht edhe sot, mbi viset
shqiptare në Kosovë kanë ardhur gjithnjë akullimet e jetës dhe të politikës dhe
kanë ardhur së bashku me gjakun e derdhur. Por, tashmë, si në çdo krahasim
tjetër që ka çalimin e tij, edhe kjo është një e vërtetë e përgjithshme, por që
ka edhe specifikat e saj.
Njëra prej tyre është edhe
atë që mendohet të ndodhë: detantën politike. Para zhvillimit të ngjarjeve
është një precedent: shteti kroat dorëzoi tek shteti gjerman emrin e një
bashkëpunëtori të shërbimit të fshehtë të dikurshëm të saj, i cili kishte
organizuar vrasjet e lëvizjes së rezistencës kroate në mërgim. dhe ka pasur
disa të tilla.
Për analogji, më në fund,
shteti gjerman, sidomos pas disa shkrimeve, por edhe një libri të botuar nga
unë, “Lëvizja... lindje e përgjakur: ashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin”, ka
ringritur disa ngjarje të tilla ndaj shqiptarëve të Kosovës. Është ringritur
çështja e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës,
themelues të Lëvizjes Popullore të Kosovës, njëkohësisht heronjtë e parë të
saj. Ringritja e kësaj çështje, por edhe e të tjerave, ka sjellë alarmin e disa
nga bashkëpunëtorëve të afërt dhe të fshehtë, si janë zakonisht, të shërbimit
sekret serb në falangat e shqiptarëve, shumë nga të cilët kanë qenë në
Perëndim, pikërisht kur këto vrasje e të tjera si këto, kanë ndodhur. Këta
bashkëpunëtorë kanë drojën e ligjshme se pas disa avantazheve që mund t'i jepen
shtetit serb, mund të ketë lëshime të kësaj natyre, mund të sakrifikohen disa
nga këta bashkëpunëtorë, të cilët janë edhe limonë të shtrydhur dhe nuk çojnë
shumë peshë në politikën serbe, e cila, edhe në këtë rast, shumë mirë mund të
fshihet pas fantazmës së përgjakur të Millosheviqit. Është i njohur fakti, apo
mentaliteti serb, se për të përfituar qoftë edhe një gram në dobinë e tyre,
janë të gatshëm të japin një ton me shqiptarë, aq më shumë nga ata të cilët nuk
u duhen më. Duke e njohur edhe këtë mentalitet, bashkëpunëtorët e dikurshëm të
shërbimit sekret serb, por edhe drojën se mund të përsëritet precedenti kroat,
po rendnin për të dëshmuar se janë ende të dobishëm, si një shenjë se nuk duhet
dhënë e kaluara e tyre, sepse mund të jenë të dobishëm edhe në të ardhmen.
Pra, pas tyre, më shumë se
gjithçka tjetër, qëndron e kaluara, momenti kur për hir të një udhëtimi, të një
shërbimi, të një vile, të një libri apo për të qenë diku në Perëndim, kanë
pranuar të bëhen bashkëpunëtorë të djallit. Sepse të thuash se e kanë bërë për
hir të parimeve, kjo është larg mendsh, sepse asnjëri prej tyre, duke filluar
që nga më i njohuri, Selim Brosha e deri tek anonimët dhe “intelektualët”, nuk
ka pasur parime e nuk mund të ketë. Shumica e të burgosurve politikë shqiptarë
kanë dëshmuar bindshëm se në ditët e gjata të torturave ata më shumë janë
keqtrajtuar e rrahur deri në përgjakje nga shqipfolësit sesa nga hetuesit
serbë, të cilët, pasi i ndërsenin kundër tyre, rrinin në një qoshe dhe
zgërdhiheshin duke parë se si shqiptarë të shitur rrihnin shqiptarë të
guximshëm. Të gjithë këto, hetues, prokurorë e hetues, të strukturë për disa
kohë, u rizgjuan, sepse panë se si u hapën portat për to, edhe një herë, se si
një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, atë që kishte dënuar dikur në vendin e
tyre, po e lejonin këtu; vunë re se edhe të tjerë, veç serbëve, kishin nevojë
për afrimin e tyre dhe, doli në skenë një tip i ri udbashi, që plekste të
vjetrën me të renë, si ishte rasti i Fadil Sulejviqit, i cili aq sa kishte
mëkate në regjimin e shkuar, si ishte rasti i rrëmbimit dhe i zhdukjes së
mjekut atdhetar, Hafir Shala, ish i burgosur politik; po aq ishte i devotshëm
të ngrinte akuza dhe specifikime të sajuara ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës.
Kjo skotë mendon se erdhi
çasti për të goditur edhe një herë, por meqë nuk kanë asgjë të re nga thesi i
vjetër, ata shkundin përsëri atë miell të zi. Kundër kujt?, tashmë dihet. Ata
ishin e mbeten kundër lëvizjes çlirimtare, deri në ashpërsi, deri në thelb, e
këtë e shfaqën haptas, sipas një udhëzimi të caktuar, që në fillesat e shfaqjes
së saj. Është e mjerueshme të lexosh sot në “Rilindja” etiketimet e forcave
çlirimtare si një forcë e ultrashovinistëve të Sheshelit, pastaj si dorë e
zgjatur e Serbisë, si vegël e Arkanit dhe, tani, nga mendja e Buxhovit del edhe
një “xhevahir”, si njerëz të KGB-së ruse.
Vërtet çfarë ishin këta
njerëz, të cilët më pas Ismail Kadare do t’i quante “dalzotësit e kombit”?
Ishin vërtet “grupe terroriste” si i cilësonte shtypi shqiptar proverb,
njëkohësisht media serbe, apo njerëz të vendosur për ta bërë detyrën e tyre...
ishin ata dorë e zgjatur e shërbimit të fshehtë serb po atdhetarë të bindur se
rruga e vetme që i kishte mbetur do të ishte lufta e armatosur? Dolën ata nga
hiçi, apo ishin ngritur mbi një vizion të përcaktuar qartësisht? Ishin të panjohur
dhe si ndodhi që u bënë figurat më mitike të epikës historike moderne në viset
shqiptare në Kosovë? Le të vazhdojmë... (VIJON)
(Autori ishte kryetar i
Lëvizjes Popullore të Kosovës në vitet e luftës)
Kommentare
Kommentar veröffentlichen