Nga: Xhemal Ahmeti
Donika gaboi. Gabuan edhe funksionarët e AAK-së. Përulja e Haradinajt
përballë varrit të Jusuf Gërvallës le të jetë fundi i një polemike që nuk e
meriton as të mbahet mend.
Fjalërufétë e Donika Gërvallës kundra shefit të AAK-së nuk
janë risi. Pse këtë radhë plasi sherri më shumë se herët tjera? Sepse ato i tha
Donika Gërvalla - Schwartz, ngase ato u morën si statement i bijës së të
ndjerit Jusuf Gërvalla dhe atë vetëm disa ditë para 17 janarit. Së paku kështu
e perceptoi opinioni, ndoshta edhe se ajo nuk bart funksione relevenate në
partinë që mbrojti, favorizoi, delegoi si zgjedhjen më të mirë për Kosovën.
Opinioni u përça edhe njëherë më keqas sesa që është zakonisht.
Ende pa përfunduar intervista e saj nisën reagimet. Ndër to
edhe shumë të ashpra, jodinjitoze, gati linçuese dhe fyese. Tashti, mirëpo nëse
i hyjmë aferës nga kryet nuk i ikim dot burrimit të llavës së pështymave. Si
nisi beteja?
1.
Donika Gërvalla - Schwartz tha: “Ramushi është kriminel
ordiner“. Ajo pak më herët tha se edhe Shpend Ahmeti është “pulë frikacake“.
Edhe Albin Kurtit ia dha diplomën e enverisit pa mundësinë e përmirësimit.
Donika Gërvalla - Schwartz politizon polarizueshëm, pa dorëza dhe duket me
synim konkret. Cili është ai? Nuk spekulojmë.
Të ndalemi analizueshëm te konflikti Donika - AAK. Donika
për shefin e AAK-së tha një fjali që tashmë, qysh nga koha kur qeveriste me
LDK-në, së paku në një media zvicerane dhe në do shqiptare ka marrë përmasat e
atij refrenit dikur të famshëm: “Parti – Enver, jemi gati kurdoherë“. Pse
Donika Gërvalla - Schwartz, juriste për nga profesioni, bëri një gabim kaq
kapital duke akuzuar aq rëndë një shef subjekti politik të jetë kriminel
ordiner, pa e ofruar asnjë provë materiale? Qoftë një rast apo një emër
konkret? Spekulimi gjoja ashtu ta kenë “nxitur“ veteranët bjerrakohës të LDK-së
nuk zë vend kur kemi parasysh përgatitjen profesionale, zgjuarsinë dhe
autonominë që manifeston zonja në fjalë. Prej nga e merr ajo këtë mandat
kompetencashumë të gjykojë publikisht? Nga krediti që ia ka lënë i ati,
natyrisht. Ndryshe do të ishte sikur të kishte ndonjë funksion të lartë në
shoqëri, që nuk e ka. Keqpërdori ajo famën e atit të vrarë për t’iu shërbyer
interesave të ngushta të një partie politike? Pa dëshirën e vetë partisë, pasi
ajo butë u distancua (Isa Mustafa) nga zonja Gërvalla duke deklaruar ajo ta
ketë tepruar.
2.
Reagimi doli në bazë të provokimit: brenda vetëm disa orëve
u shpall shtrigë, përçarëse, nxitëse dhe më e tmerrshmja ndër të gjitha: të
ketë gisht në vrasjen e prindit të saj sepse ka hyrë në shërbim të tyre. Një
akuzë e këtij soji është monstruoziteti me fytyrë njeriu. Po pse çka pret një
e/i zgjuar pas një etiketimi aq të rëndë jashtë sallave të prokurorisë,
gjyqësisë? Ta pandehish publikisht dikë si kriminel ordiner është sugjerim për
linçim të të akuzuarit nga liria. Sidomos në vendin ku jeton zonja Gërvalla.
Në këtë reaksion të vetënxitur nuk munguan edhe përgojimet
raciste rreth mbiemrit të saj, nënës së saj - e cila s’ka asnjë lidhje me
debatin - ashtu siç nuk munguan edhe racistët dhe fashistët e anës tjetër që
tentuan ta marrin në mbrojtje Donika Gërvallën dhe më shumë i dëmtuan polemikës
dhe asaj sesa që e lehtësuan.
3.
Donika Gërvalla gaboi. Ajo humbi kreditin publik të flasë më
si trashëgimtare e Jusuf Gërvallës, sepse respekti do të jetë tash e tutje
vetëm tarafesk, klubor, partiak, por jo më gjithëpopullor. Ashtu siç humbën
pika respekti edhe disa zyrtarë të AAK-së që u tërbuan keqas.
Të shpresojmë se përulja e Ramush Haradinajt përpara varreve
të trios Gërvalla - Zeka, dy-tre ditë pas shpalljes së tij si kriminel ordiner
nga vajza e tyre, të jetë epilogu i një polemikë banale, brutale që gati doli
si sabotim i qëllimshëm i kujtesës për ata që dje më 17 janar duhej nderuar sa
më me dinjitet.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)

Kommentare
Kommentar veröffentlichen