INTERVISTË ME DUKAGJIN
GORANIN:
LIGJËRATAT E AGJENTËVE TË UDB'SË PËR MORALIN TREGOJNË PËR MJERIMIN
TONË
Nga Express | 31 Janar
2014
Dukagjin Gorani (PhD) nga
Qendra Liberale Demokrate, në një intervistë për Gazetën Express, ka komentuar
debatet e fundit për vrasjet politike të shqiptarëve në kohën e Jugosllavisë si
dhe daljen në publik të disa agjentëve shqiptarë të UDB'së.
"Jemi të mjerë meqë e
përjetuam ditën kur agjentët e UDB-së dalin në emisione televizive dhe na
ligjërojnë mbi moralin politik, çështjen kombëtare dhe përgjegjësinë
shoqërore" thotë Gorani.
"Mendoj se bëhet
fjalë për ringjallje të luftës së vjetër mes ‘jugosllavëve’ dhe
‘anti-jugosllavëve’ shqiptarë në Kosovë, e që daton (së paku) ç’prej vitit
1945. Mirëpo, sot kjo shpërfaqet vetëm si farsë që synon që ta rrëzojë
pushtetin aktual ose që ta ruajë atë—varësisht kah pozicionoheni" thekson
Gorani.
Express: Përvjetori i
vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës e riktheu temën e vrasjeve
politike dhe rolin e shërbimeve sekrete të kohës së Jugosllavisë.Pasi drejtësia
nuk e ka thënë fjalën e vet, debatet për këto tema vetëm se po e shtojnë
konfuzionin.Cili është qëndrimi juaj për këto çështje?
D.Gorani: Mendoj se bëhet
fjalë për ringjallje të luftës së vjetër mes ‘jugosllavëve’ dhe
‘anti-jugosllavëve’ shqiptarë në Kosovë, e që daton (së paku) ç’prej vitit
1945. Mirëpo, sot kjo shpërfaqet vetëm si farsë që synon që ta rrëzojë
pushtetin aktual ose që ta ruajë atë—varësisht kah pozicionoheni. Kjo po
shkakton klimë të neveritshme ngase motivet e hapjes së këtyre temave historike
janë banale dhe të sotme. Pala e cila sot sulmon ‘spiunët jugosllavë’ vjen nga
struktura ‘çlirimtare’ që sot mban pushtet real politik dhe ekonomik. Pala e
ish-bashkëpunëtorëve dhe e ‘spiunëve jugosllavë’ sot ia mvesh vetes imazhin e
viktimës dhe të zërit të arsyes(!) duke u munduar ta racionalizojë të kaluarën
e vet dhe dëmin që ka shkaktuar gjatë regjimit policor ish-jugosllav.
Për mua, kjo farsë dëshmon
një bankrot të plotë ideologjik e moral të shoqërisë sonë e cila nuk ia doli të
zhvillohet. Sot, në sytë e gjeneratave të reja, edhe ‘atdhetarët’ edhe
‘spiunët’ e mbajnë një emërues të përbashkët: papërgjegjësinë ndaj shoqërisë.
Pushteti i dikurshëm i ‘spiunëve’ (që erdhi pas partizanëve) ishte i
pamëshirshëm ndaj shoqërisë së vet duke përjashtuar, burgosur dhe duke vrarë
kundërshtarët politikë. Pushteti i ‘çlirimtarëve’ (që erdhi pas NATO-s) u
tregua i pamëshirshëm duke zhvatur pasurinë publike, duke mundësuar mobilitet
social përmes lojalitetit fisnor klanor dhe duke margjinalizuar e varfëruar
kundërshtarët politikë. Në sytë e sotëm, që të dy këto pushtete u sollën
njëjtë: përmbysën strukturën mëparshme të shoqërisë kosovare dhe e prodhuan një
tjetër, ku u vendosën si elitë ekonomike e kulturore.
Të dy palët sot mundohen
ta lajnë veten—e që është një punë e kotë. Asnjëra nuk ka fuqi për ta eliminuar
tjetrën ngase të dyjat janë fajtore; secila në kohën e vet. Sot, lufta e tyre
politike është farsë meqë përpiqet ta sigurojë të ardhmen duke e rishkruar të
kaluarën.
Vrasja e vëllezërve
Gërvalla ishte pikëllim i papërshkrueshëm në vitet ’80 për ata që i njohën dhe
që ishin të afërt me ta. Për të tjerët, ishte e parëndësishme. Edhe sot është
situatë e ngjashme: zbardhja e saj është me rëndësi vetëm për familjarët dhe
për grupet që përmes saj synojnë avantazh moralo-politik mbi njëri-tjetrin. Për
të tjerët, është e parëndësishme.
‘Kur thyhet qerrja, ke
udhë sa të duash’. Sot, pasi u futëm në qorrsokak të plotë zhvillimor,
ekonomik, ideologjik e moral, mendojmë se mund të shpëtojmë nëse e zbulojmë se
kush ishte spiun e kush atdhetar. Janë këto dokrra ngase, po ta kishim
seriozisht, këtë do ta bënim nëpër gjykata e prokurori. Mirëpo, meqë nuk kemi
guxim dhe nuk i besojmë, këto tema ‘historike’ i shtjellojmë nëpër media e
kafene.
Express: Në debat janë
përfshirë edhe disa ish -pjesëtarë të shërbimit sekret krahinor të Kosovës,
shqiptarë, të cilët pretendojnë se kanë të dhëna për shërbimet sekrete që kanë
funksionuar në Kosovë që prej kohës kur ata kanë punuar aty deri në kohën e
shërbimet e pasluftës në Kosovë? Sa janë kredibilë persona të tillë?
D. Gorani: Jemi të mjerë
meqë e përjetuam ditën kur agjentët e UDB-së dalin në emisione televizive dhe
na ligjërojnë mbi moralin politik, çështjen kombëtare dhe përgjegjësinë
shoqërore. Gjatë viteve të luftës, nuk e mendoja se do ta përjetoja ndonjëherë
këtë situatë. Nuk e di sa janë kredibilë, meqë nuk jam specialist i zanatit të
tyre. Krejt çka mundem, është të insistoj që ata t’i flasin këto gjëra para
prokurorëve—e jo para gazetarëve. Çështjet e tradhtisë kombëtare dhe të
spiunimit publik nuk mund të mbeten në diskrecionin apo vullnetin e një
individi për ta zbardhur ose jo. Në një shoqëri normale, ajo është obligim
ligjor e jo punë dëshire. Mirëpo, ne nuk jemi shoqëri normale, andaj këto
dëshmi spektakulare të ish agjentëve të UDB-së janë bërë punë për media e jo
raste për gjykata. Nuk dëgjova se dikush ka vendosur t’i padisë ata dhe t’i
detyrojë që pohimet e tyre t’i argumentojnë para prokurorit. Si shoqëri, nuk
mendoj se do ta bëjmë ndonjëherë këtë meqë moti e dëshmuam se për ne, e vërteta
është e rëndësishme vetëm kur na konvenon.
E vërteta mbi spiunët dhe
tradhtarët nuk na ka interesuar fare më 1990,kur të gjithë shqiptarët e Kosovës
u futën në një ‘thes atdhetar’ nga frika dhe kërcënimi i Milosheviqit. Atëherë
nuk çanim kokën se kush çfarë kishte bërë deri atëherë. Atëbotë, lëvizja dhe
partitë politike përbëheshin nga atdhetarë, ish-jugosllavë, ish-të burgosur
politikë, ish-prokurorë, ish-policë, ish-agjentë të UDB, profesorë e
shkrimtarë. Të gjithë pohonin se e kishin ‘rigjetur veten’ dhe se ishin
përbashkuar rreth flamurit—sikur pas ndonjë seance të hipnozës masive. Atëbotë,
ishte kjo një farsë e neveritshme. Sot, po ashtu.
Në Kosovë bëhet fjalë për
bankrot të plotë shoqërisë, meqë sot po e kuptojmë se ne paskemi jetuar së
bashku meqë kishim qenë të detyruar—e jo sepse kemi vlera dhe qëllime të përbashkëta.
Po dëshmojmë se jemi grumbull egoistësh që ka obsesion vetëm përfitimin
personal. Natyrisht, për egoizëm nuk shkoni në burg. Mirëpo, as nuk mund të
pritni që të ketë mirëkuptim për juve. Në shoqëri egoiste, të gjithë janë të
kërcënuar. Gjatë viteve, ky ‘egoizëm kolektiv’ (!?)na mundësoi të prodhojmë
situata të pamundshme, kur atdhetarët pajtoheshin me spiunët, kur viktima
themelonte parti me dhunuesin, kur i burgosuri protestonte bashkë me
prokurorin. Sot, po ky egoizëm dhe po ky obsesion kolektiv, i përfitimit
personal përmes çfarëdo kompromisi, i rrënoi të gjitha arritjet me të cilat
vlerësohet një shoqëri: drejtësinë, sigurinë, arsimin, shëndetësinë dhe
shprehjen publike. Numri i atyre që sot përpiqen të jenë të përgjegjshëm është
tmerrësisht i vogël—aq sa është i vogël numri i studentëve që po protestojnë
kundër profesorëve që falsifikuan punime e tituj vetëm për të përfituar pak
status e para.
Andaj, sot çdokush është
dhe nuk është kredibil. Sot, një atdhetar i dikurshëm është shembull i hajnisë
dhe i pafytyrësisë kurse një ish-agjent i UDB-së na mban ders moral në
‘Rubikon’. E përjetova edhe këtë.
Express: Mendoni se kjo
situatë e ‘bankrotit’ shoqëror mund ta vendosë një shenjë barazimi mes
pushteteve të dikurshme dhe të atyre të sotme?
D.Gorani: Nuk ishte dashur
të katandisemi në këtë pikë, mirëpo ja që u katandisëm. Si kurrë më herët, sot
mund të vendoset shenjë barazimi mes dhunës së ish-pushtetit jugosllav dhe
papërgjegjësisë së sotme institucionale, qeveritare dhe publike. Këtu argumentet
nuk kryejnë punë, meqë çdo gjenerate i dhemb situata e vet e jo situatat e
atyre që pësuan më herët. Sot, urrejtja ndaj papërgjegjësisë së pushtetit është
aq e madhe saqë po i shtynë njerëzit që t’i arsyetojnë edhe agjentët e UDB-së.
Insistoj që këtë debat të pështirë mes ‘atdhetarëve’ dhe ‘spiunëve’ ta shoh
vetëm përmes këtij këndvështrimi—si pasojë e një rrënimi të përgjithshëm
shoqëror.Shoqëria jonë nuk qe në gjendje që formalisht dhe institucionalisht
t’i dënojë krimet e kryera në kohën e regjimit jugosllav. Kuvendi i Kosovës me
gjithë atdhetarët e tij kurrë nuk pranoi ta hartojë dhe ta pranojë një ligj të
tillë. Kësisoj, krimet politike të periudhës jugosllave mbetën çështje
interpretimi: për dikë janë krime, për dikë jo. Kam frikë se po të mos ishin
tribunalet ndërkombëtare, e njëjta do të vlente për krimet e luftës: për dikë
ishin krime, për dikë jo.
Ne dëshmuam se si shoqëri
nuk jemi në gjendje të gjykojmë parimisht për shkak të intereseve personale,
grupore, klanore e partiake. Nuk deshtëm që ta marrim guximin e t’i gjykojmë as
krimet e luftës, as ato të paraluftës e as ato të pasluftës. U dëshmua se ne
merremi me drejtësi vetëm kur detyrohemi ndërkombëtarisht. E, tribunalet
ndërkombëtare nuk janë të interesuara për t’i dënuar spiunët lokalë dhe
bashkëpunëtorët e regjimit jugosllav. Andaj, rrëfimet dhe tregimet e sotme të
ish-agjentëve të UDB-së janë çështje interpretimi.
Express: A mendoni se
prapa përleshjes së sotme të ‘jugosllavëve’ dhe ‘atdhetarëve’ fshehet një luftë
klasësh dhe shtresash ideologjike—të fituesve dhe të humbësve të pasluftës?
D.Gorani: Edhe nëse në
vitet e para të pasluftës kjo nuk ishte e vërtetë, sot është. Sot, një shtresë
e madhe shoqërore e ndjen veten të margjinalizuar dhe të përjashtuar nga
proceset vitale zhvillimore. Po ashtu, ajo ndjehet e privuar edhe nga arsenali
ideologjik, ngase pushtetet e pasluftës dhe ky i sotëm e rrëmbyen diskursin
atdhetar, heroik dhe moral. Sot, papërgjegjësia publike zhvillohet në emër të
flamurit, luftës çlirimtare dhe sakrificës. Pushteti aktual dominon me fuqi
ekonomike, institucionale dhe morale. Çfarë i mbetet të bëjë shtresës së
përjashtuar—atyre që nuk janë pjesëtarë të familjeve, klaneve, qarqeve dhe
partive të pushtetit? Çka i mbetet atyre si koncept, si narrativ ideologjik, rreth
të cilit do ta rimendonin një identitet personal e grupor? Si të ballafaqohen
dhe t’i kundërvihen një kaste e cila shfaqet si pronare e historisë ‘heroike’?
Një pjese të tyre s’i
mbetet tjetër përpos prodhimit të një historie paralele dhe alternative e cila
do t’i kontestonte themelet e dominimit të sotëm moral. Ngjashëm me historinë e
ekzagjeruar ‘çlirimtare’, ata përpiqen ta zhvillojnë përmbajtjen e historisë së
tyre që konsiston nga vlerat ‘e qytetëruara’ nga periudha jugosllave. Sërish,
këtu nuk bëjnë punë argumentet meqë bëhet fjalë për mobilizim ideologjik e jo
për hulumtim shkencor.
Në disa nivele të
komunikimit publik vërehet se ky mobilizim ideologjik po shkon drejt
thjeshtësimeve sociokulturore, ku ‘çlirimtarët’ janë ‘katundarë’ dhe ku
‘jugosllavët’ janë ‘qytetarë’. Ky konfrontim simbolik është shpërthim i një
mosdurimi të thellë dhe të vjetër; ai është paralel dhe reciprok. Mbi të
gjitha, ai bazohet në ‘të vërteta’ të thjeshtësuara andaj edhe insiston në
tifozëri ideologjike: ose je me të, ose je kundër. Asnjëri nga taborret nuk
merr guxim për t’u ballafaquar me të ardhmen, por atë e kupton vetëm si
rezultat i luftës për të kaluarën. Kësisoj, në këtë rrafsh ideologjik të dy
taborret vazhdojnë të jetojnë në të kaluarën, duke e disenjuar atë sipas qejfit
dhe përkatësisë klasore. Tekefundit, historia s’është tjetër pos grumbull
intepretimesh të bëra nga pushtetet e kohës—mirëpo ajo që neve na bën të
veçantë është pamundësia jonë qoftë për ta mposhtur njëri-tjetrin, qoftë për të
krijuar një narrativ të përbashkët, një histori me të cilën do të pajtoheshim
të gjithë. Këtë nuk e bëmë as më 1990, kur krekoseshim se ‘i gjithë populli u
bashkua’ për një çështje dhe një flamur. Edhe atëherë, sikurse edhe sot, ai
‘pajtimi i madh’ ishte produkt i një egoizmi tradicional i shtyrë nga dëshira
për pushtet në realitetin e ri të ‘rezistencës popullore’.
Vullneti për ta krijuar
një pajtim që do ta mundësonte zhvillimin është më i rëndësishëm se e vërteta
historike. Përgjithësisht, historitë e popujve e të qytetërimeve janë
konstrukte sociale të trilluara ose pas luftave ose pas kompromiseve. Ato
histori nuk janë domosdoshmërisht të vërteta, por janë vegël për ndërtimin e
mirëkuptimit në shoqëri.
Mirëpo, është pikërisht
mungesa e vendosmërisë sonë popullore për ta prodhuar një tregim të përbashkët
për veten ajo që është brengosëse—meqë është duke e përzgjatur agoninë tonë
ideore e morale. Derisa të mos pajtohemi për të kaluarën tonë, nuk mund të
quhemi shoqëri—e as komb. Vullneti për t’u pajtuar dhe mirëkuptimi janë ndërlidhja
dhe ‘ngjitësja’ e domosdoshme për bashkëjetesë.
Ose, nuk mbetet tjetër pos
luftës deri në ‘armikun e fundit’. Këtu, më duhet të them se, historikisht, nuk
ishim në gjendje ta bëjmë as njërën e as tjetrën. Sot, vazhdojmë të jetojmë
brenda një lufte të padukshme qytetare ku sundon vetëm mosbesimi dhe urrejtja
ndaj tjetrit. Është ky terren ideal për ideologë egoistë, ministra zhvatës,
profesorë mashtrues—e qebesa, dhe për agjentë të moralshëm të UDB-së.
Kommentare
Kommentar veröffentlichen