KELMENDI: DONIKA PËR KRYETARE TË LDK’SË

Express; 16 Janar 2014

Ibrahim Kelmendi, mik i Jusuf e Bardh Gervalles, duke komentuar intervistën e Donika Gërvallës dhënë mbrëmë në KTV, ka thënë për Gazetën Express se është intervistuar nga hetuesia gjermane lidhur me ketë vrasje. Kelmendi thotë se emrat që hetuesia gjermane i ka përmendur këtij nuk janë pjesë e Qeverisë.

Express: Cili është vlerësimi juaj për intervistën e mbrëmshme të Donika Gërvallës, bijës së Jusufit?

Kelmendi: Zonja Gërvalla shfaqi oratori dhe guxim, shfaqi bagazh të madh informimi dhe shkathtësie politike. Vetëkuptohet, si kuadër e LDK-së, ajo u angazhua për të afirmuar subjektin që i përket. Nuk di të ketë LDK-ja kuadër më të shkathët dhe prandaj do të ishte më e merituara për të qenë kryetare e saj.

Express: Ajo tha se në dosjen e hetimeve për vrasjen e Jusufit, Bardhoshit e Kadrisë ka emra edhe të Qeverisë aktuale. A e dini se kush është ai emër?

Kelmendi: Po, e tha, por nuk mund të spekuloj për cilin e kishte fjalën. Rëndom, qeveria përbëhet vetëm nga Kryeministri, zv-kryeministrat, ministrat... Hetuesia gjermane mua me ka caktuar si dëshmitar. Para disa kohëve ajo me ka takuar (Bundeskriminalamt, shkurtesa BKA/Enti Federativ i Kriminalistikës), më kanë pyetur edhe për disa emra të ri, për të cilët po hetonte si të dyshuar, por ata nuk janë pjesë e qeverisë.

Express: Më herët e keni përmendur një emër si vrasës i mundshëm i Jusufit, Bardhoshit e Kadrisë, por keni paralajmëruar se është edhe një emër tjetër si i dyshuar. A e ka fjalën për të njëjtin edhe Donika?

Kelmendi: Jo, nuk është. Emrin e të dyshuarit të dytë ia kam dhënë BKA-së.

Express: Ajo e quajti Ramush Haradinajn kriminel ordiner të paqes, ndërsa Albin Kurtin fashist. Po ashtu për PDK'në tha se është e keqja e madhe e këtij vendi. Cili është vlerësimi juaj, si mik dhe shok i Jusufit, pse po i bën këto deklarata vajza e tij?

Kelmendi: Gjykoj se janë (ç)vlerësime kryesisht politike, në cilësi të pozicionit që ka në LDK.

Express: A ka pasur lëvizje të prokurorisë dhe hetuesisë në lidhje me deklaratat që keni dhënë më herët për vrasjen e Jusufit, Bardhoshit e Kadrisë?

Kelmendi: Nëse e keni fjalën për institucionet e Kosovës, në denoncimin që kam bërë, kam marrë përgjigje me shkrim vetëm nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kurse nga Prokuroria e Përgjithshme nuk kam asnjë përgjigje e reagim, ndërsa sa u përket institucioneve gjermane, informova më lartë, më ka kontaktuar BKA.

Express: Pse s'po zbardhen këto vrasje?

Kelmendi: Nuk kam përgjigje konkrete. Dilemat e mia janë të shumta. Vendimi për vrasje duhet të jetë marrë në kreun e regjimit të ish-Jugosllavisë dhe prandaj hetuesia gjermane ende nuk po ia del të sigurojë prova konkrete. Uroj që Shteti i Kroacisë do të dorëzojë në Gjermani ish-kryeshefin e SDB-së federative, Zdravko Mustaq. Uroj që ai të ketë kurajë qytetare për të ndihmuar hetuesinë gjermane që të konstatohet kush nga kreu i Jugosllavisë e ka dhënë urdhrin për vrasje dhe cilët janë dorasit. Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Kosovës ka rastin për të ndihmuar hetuesinë gjermane, duke u angazhuar si përgjigje ndaj denoncimit tim.

Express: A prisni që të zbardhen të gjitha vrasjet politike, si në kohën e ish-Jugosllavisë ashtu edhe në atë të kohës së pasluftës?


Kelmendi: Do të dëshiroja. Jam skeptik.

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?