Njeriu me zë të fortë poetik

Kosova Sot 19.01.2014
Janari përveçqë sjell një vit të ri, vazhdim të të ftohtit dhe shpresë për një vit të mbarë, ai në kujtesën e popullit njihet si muaji që mori nga kjo jetë shumë nga njerëzit më të mëdhenj të kombit. Pikërisht dje, më 17 janar, e premte, u mbushën 32 vjet kur në Untergrupenbah të Gjermanisë u vranë tre nga njerëzit më të rëndësishëm të lëvizjes gjithëkombëtare për bashkimin e kombit. Në mes tyre, Jusuf Gërvalla, një personalitet i gjithanshëm në kulturën shqiptare. Përveçse ishe një gazetar i përkushtuar, ai ishte aktiv edhe në fushën e krijimtarisë letrare e artistike. Por, kontributi i tij në lëvizjen patriotike ishte i rëndësisë së dorës së parë. Ishte pikërisht ky aktivitet që shtyu ish-sigurimin shtetëror të ish-Jugosllavisë për t'u hakmarrë.

Kontributi kombëtar

Në një prononcim për "Kosova Sot" studiuesja Sabile Keçmezi-Basha ka thënë se udbashët sllavë e kishin hetuar veprimtarinë dhe angazhimin e madh të tij për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Sipas saj, ai në mënyrë ciklike po ua prishte atyre llogaritë e bëra gabimisht për Kosovën. "Ata pas këtij zbulimi nuk rrinë duarkryq. Vendosin që, në një mënyrë ose tjetër, ta arrestojnë ose ta likuidonin në një afat sa më të shkurtër", ka thënë ajo, duke veçuar veprimtarinë patriotike të Jusufit. Ajo ka thënë se në vitet 70 e 80 të shekullit XX, ilegalja shqiptare ishte shumë e organizuar, andaj edhe qëllimet e hetuesve ishin që t'i zbulonin veprimtarët e saj. "Jusuf Gërvalla informohet me kohë dhe, me ndihmën e shokëve, arratiset dhe ilegalisht kalon kufirin për t'u vendosur tek i vëllai - Bardhoshi, që ndodhej në Gjermani, i cili atje kishte shkuar më herët. Kështu, rezistenca shqiptare që vepronte në Perëndim pati fat që në radhët e veta ta kishte edhe atdhetarin e devotshëm, organizatorin e mirëfilltë të veprimtarisë ilegale atdhetare", ka thënë ajo, duke shtuar se me Jusuf Gërvalla punoi për që rezistenca të jetë sa më unike dhe më e bashkuar, duke përmendur edhe kontributin e Bardhosh Gërvallës, vëllait të Jusufit dhe të Kadri Zekës, të cilët nga shërbimi jugosllav u vranë me Jusufin në janar të 1982. "Veprimtaria liridashëse dhe atdhetare e heronjve në mënyrë të drejtpërdrejtë do të pengonte shërbimet jugosllave brenda dhe jashtë vendit. Ata, që të tre, mes vete kompletoheshin e harmonizonin veprimet, saqë një lëvizjeje atdhetare do t'i nevojiteshin vite për të pasur këso kuadrosh në radhët e saj", ka pohuar Keçmezi- Basha.

Kontribut artit shqiptar

Ndërsa, duke folur për kontributi krijues të Jusuf Gërvallës, Naim Kelmendi,shkrimtar e studiues, ka thënë se vepra artistike e Jusuf Gërvallës qoftë ajo në poezi, qoftë ajo në prozë, roman, publicistikë etj, mbetet kurdoherë një kontribut i denjë artistik për artin shqiptar të secilës kohë. Vepra e tij artistike, e krijuar nga ky patriot, ka thënë ai, ka vlera të theksuara letrare dhe të tjera në mendimin dhe artin shqiptar kombëtar,e që në letërsinë tonë kombëtare mbesin kurdoherë të çmuara dhe të vlerësuara. Kelmendi ka thënë se Jusuf Gërvalla ishte figurë e rëndësishme e veprimtarisë politike-atdhetare e kohës së fundshekullit XX, andaj edhe sipas tij, ai mbetet po ashtu intelektual i primatit të madh, duke lënë gjurmët e tij edhe në këto fusha të artit letrar e që rëndësia e kësaj vepre mbetet kurdoherë e rëndësisë së veçantë të trashëgimisë sonë shpirtërore për kombin. Po sipas tij, ende këtij kontributi letrar të Gërvallës nuk i është dhënë vend i merituar dhe nuk është studiuar sa duhet. "Vepra e tij është një simbiozë e së djeshmes me të ardhmen dhe ka përmbajtje dhe mesazhe të forta kulturore dhe kombëtare. Zëri i tij poetik ishte zë i fortë, me shumë origjinalitet, dhe me një identitet të sforcuar poetik që në veprat e para poetike, por gjithashtu edhe në prozë, në të cilën ai sjell fatin historik të kombit të tij", ka thënë Kelmendi, duke përmendur këtu veprat në poezi të Gërvallës: "Fluturojnë e bien", "Kanjushë e verdhë", "Shtëpia në kornizë", "Skena nga jeta e fshatit", "Shenjat e shenjta", tregimet, romani "Rrotull" dhe drama "Procesi".

Krijimtari e ndaluar për publikun


Krijuesi Ardian Haxhaj ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se fati i krijimtarisë letrare të Jusuf Gervallës është i lidhur me fatin e vetë autorit. Ai ka thënë se për një dekadë (gjatë viteve '80) krijimtaria e tij ka qenë e ndaluar për publikun. Ndërkaq, në vitet e '90 krijimtaria letrare e Gërvallës rikthehet, sipas tij, me një dimension emocional, si rrallë te ndonjë autor tjetër të eksokomunikuar, për shkak të vetë personalitetit të autorit, respektivisht të veprimtarisë dhe vrasjes së tij. Kurse, ka thënë se në vitet e '90 është ribotuar pjesërisht vepra e tij dhe e plotë është botuar më 2010 në katër komplete. "Krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës, sidomos veprat poetike, shquhen për kulturën krijuese, pedanterinë në forme dhe origjinalitetin e motiveve të "shtëpisë" dhe "nënës" në përmbajtje. Poezia e tij ngërthen në vete mallin e vendlindjes, mallin për tokën e të parëve, përshkrimin pastoral dhe idilik të ambientit të Dukagjinit, si dhe dialogun me të", ka thënë Haxhaj.

Kommentare

Postimi më i lexuar

Gazetari Bozhinovski thotë se Ali Ahmeti organizoi eliminimin e vëllezërve Gërvalla [dokument]

Skelet për tri i biografi

Kush e vrau Kadri Zekën dhe Vllezërit Gervalla ?