SHËNIM/DONIKA GËRVALLA
ZBARDHJEN E VRASJES SË BABAIT DUHET TA KËRKOJË FILLIMISHT NË LDK
Nga Express | 18 Janar 2014
Askund më mirë se në ketë subjekt politik nuk mund të kanë informata se
si ka funksionuar shteti jugosllav dhe UDB. Duke filluar prej Isa Mustafës...
Nuk ka dyshim se shoqëria kosovare prej sasisë së debateve – pa marrë
parasysh se sa të ashpra janë ato – vetëm del fituese.
Ka shumë tema që po hapen dhe aso që nuk janë hapur, e që sigurisht do
të shkaktojnë polemika të forta, e të dhimbshme.
I tillë është edhe debati i fundit që u hap nga Donika Gërvalla, e bija
e Jusuf Gërvallës.
Në historinë e Kosovës pa dyshim se vrasja e Jusufit, Bardhoshit e Kadri
Zekës shënon një moment të madh kthese.
Kjo ngjarje, pas demonstratave të vitit 1981, shqiptarëve të Kosovës ua
hap sytë dhunshëm dhe u tregon atyre se jeta nën regjimin Jugosllav, e serb, do
të jetë e pamundshme.
Prandaj, sa herë flitet për ketë krim të pa zbardhur ka shumë aktorë dhe
protagonistë që dëshirojnë të kyçen.
Por kryesisht ata që dëshirojnë të flasin janë vetëm njëra anë, ish
përfaqësuesit e ilegales, ose të burgosurit politik.
Kurse, pjesa tjetër, strukturat e Krahinës Autonome të Kosovës,
udhëheqësit e UDB në nivel krahinor, udhëheqësit politik në nivel krahinor e
federativ, zakonisht hiqen ose si të painteresuar, ose të painformuar.
Por, kjo kastë shoqërore, në variantin më të keq mund të jetë e pa
interesuar, por jo edhe e pa informuar.
Së paku mund të jetë më e informuar se sa një pjesë e madhe e njerëzve
që participojnë në debat.
Gazeta Express, si njëri prej mediumeve aktiv në ketë debat, do ta
kishte konsideruar si tepër të rëndësishme që Donika Gërvalla të vazhdojë me
ngulm zbardhjen e rastit të vrasjes së babait dhe axhës së saj.
Donikën, nuk duhet ta mundojnë aspak fotografitë me diktatorin Enver
Hoxha, sepse ato fotografi nuk janë meritë e saj, por e babait të saj.
Donika, gjithashtu, nuk duhet të ndihet aspak e hendikepuar për martesën
e saj me një joshqiptarë, sepse ata që ngrehin këso lloj dyshimesh ketë e bëjnë
thjeshtë për shkak të injorancës së tyre.
Por, gjithashtu, Donika përpara se të zbrazë plumba qorr, duke shkaktuar
konfuzion, e duke ngritur dyshime majtas e djathtas, ose duke ia lënë opinionit
që zbardhjes e vrasjes ta bëjnë mbi baza të hamendjes, që ketë çështje të niste
të hulumtonte mu në partinë e saj të preferuar, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në asnjë parti tjetër, më shumë se sa në LDK, nuk militojnë ish
funksionarë të lartë të Krahinës Autonome të Kosovës, duke filluar prej kreut
të saj, Isa Mustafa.
Express nuk mendon se Mustafa duhet të mbahet përgjegjës për krejt
ndodhitë në ish Jugosllavi, por Mustafa, si askush tjetër, mund të dijë të
orientojë Donikën për të kapur fillin e të vërtetës.
Dhe jo vetëm Mustafa, pjesë e atij establishmenti politik ka qenë edhe
ish Kryetari i LDK’së, Fatmir Sejdiu.
Ose tash i përfoluri si pjesë e UDB’së, njëri prej themeluesve të
LDK’së, Jusuf Buxhovi.
Janë të gjithë këta zyrtarë që pa fijen e dyshimit do të mund të jepnin
përgjigje shumë më të kualifikuara për të gjitha vrasjet politike të asaj periudhe
kohore.
Një ndihmë të çmueshme në ketë drejtim do të mund të jepnin edhe ish
udhëheqësit e UDB’së, që edhe sot e kësaj dite jetojnë normalisht dhe të qetë
në Republikën e Kosovës.
Ata jetën e tyre të qetë
do të duhej ta zhvillonin patjetër, por do të ishte tepër e rëndësishme për
shtetin e Kosovës që ata persona të na tregonin për një numër rastesh të
pashpjeguara në mënyrë që përpos tyre, të qetë jetën ta zhvillon edhe
pasardhësit e atyre njerëzve që kanë vuajtur aq shumë.

Kommentare
Kommentar veröffentlichen