Shfryrje për të mbytur të vërtetën
Enver Robelli
Koha Ditore 24.01.2014
Pse ndaj çdo akuze politike disa politikanë apo parti në
Kosovë reagojnë me shpifje? Përgjigjja është e dukshme: sepse thellë në vete e
dinë se kritikët kanë të drejtë. Në vend se të ballafaqohen me argumentet e prezantuara brigadat partiake
për njollosje merren me mbiemra njerëzish. Këtë e tregoi edhe shfryrja tepër
primitive javën e kaluar kundër Donika Gërvallës
Në
intervistën e saj në emisionin “Rubikon” Donika Gërvalla bëri akuza politike.
Opinioni mund të pajtohet me këto akuza ose jo, kjo është pjesë e debatit
publik. Zonja Gërvalla nuk bëri asnjë akuzë që do të mund të quhej shkelje e
dinjitetit apo karakterit njerëzor të ndonjërit protagonist të skenës politike
apo kriminale të Kosovës. Gjuha e saj ishte e qartë, ndoshta tepër gjermane për
rrethanat e Kosovës parademokratike dhe parapolitike, por gjithsesi ishte gjuhë
politike në suaza të ballafaqimit të argumenteve. Pas intervistës grupe të
organizuara me militantë partiakë, kryesisht të ndërmarrjes politike Aleanca
për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk u ballafaquan me argumentet e saj, por
nisën një fushatë të pashembullt të fyerjeve, njollosjeve, shpifjeve më
monstruoze kundër personalitetit të Donika Gërvallës. Një përgjegjës i një
portali në Prishtinë më tregoi se ishte detyruar të mbyllte opsionin e
komenteve të lexuesve për shkak të valës së “Shitstorm”-it, siç thuhet në
anglisht, apo valës së bajgave me shkronja, siç do të mund të quhej në shqip
kjo fushatë. Por, në Kosovë ka portale të tjera dhe nuk ka prokurorë të
përgjegjshëm, andaj përroi i bajgave rrodhi gjetiu, madje duke prekur kufijtë e
çmendurisë.
Zagarët
fluturues
Për të parë
se a është çmendur një shoqëri duhet të shikoni nivelin e komenteve në portalet
online. Kosova dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë në Ballkan, përfshirë
këtu edhe “kontribuuesit” kokëbosh nga diaspora, gati e kanë prekur pikën e
fundit të moçalit digjital. Nganjëherë nuk jam i sigurt a janë më idiotë
“lexuesit” që shkruajnë kështu apo redaktorët që i botojnë këto marrëzira.
Njëkohësisht pothuaj çdonjëri shqiptar ka qejf të thotë: “Ne duam të jemi si
Europa Perëndimore”. E vërteta është: një pjesë jo e vogël e shqiptarëve të
Kosovës duan vetëm t’i shijojnë përparësitë e Europës liberale (para së
gjithash lirinë dhe mirëqenien), por në jetën e përditshme s’heqin dorë nga
primitivizmi dhe mendësia shkatërrimtare. Në këtë nivel pak a shumë kanë mbetur
edhe jo pak shqiptarë që jetojnë në diasporë. Nga ambienti demokratik ku
jetojnë ata shfrytëzojnë vetëm bananet me çmim të reduktuar në dyqane të mëdha.
Nëse vërtet ndokush në Kosovë dëshiron të jetë europian në kuptim kulturor dhe
civilizues, atëherë duhet të marrë parasysh se Gjykata Europiane për të Drejtat
e Njeriut së fundi ka njoftuar se portalet e internetit mund të merren në
përgjegjësi për komentet fyese të lexuesve. Së fundi një portal në Kroaci
vendosi t’i ndalojë komentet e lexuesve për shkak të kontaminimit të debatit
publik.
Brigadat e
AAK-së me fushatën e tyre kundër Donika Gërvallës treguan se sjellja e
civilizuar është një ide abstrakte në mesin e tyre. Me këtë mendësi të
kontaminuar kjo kategori shoqërore sa u përket integrimeve europiane s’ka
arritur ende as në stacionin e trenit në Prokuple. Shikuar nga ky prizëm Donika
Gërvalla shpëtoi lehtë. Nervozizmi i militantëve të AAK-së vetëm tregoi se sa
mund të ketë të drejtë ajo me kritikën e ashpër jo vetëm kundër Ramush
Haradinajt. Zonja Gërvalla nuk ia nënçmoi askujt kontributin në luftë, as
Haradinajt, por vetëm përsëriti diçka që dihej: Haradinaj nuk është engjëll,
sidomos jo engjëll i pasluftës. Por, njëkohësisht, askush, as zonja Gërvalla,
nuk ia mohoi atij të drejtën e përmirësimit. Por, të thuhet se Haradinaj nuk ka
bërë asnjë mëkat pas luftës, të thuhet se krejt pasurinë e ka krijuar në mënyrë
të ligjshme dhe me djersë, të thuhet se nuk është dyshuar kurrë për frikësim
dëshmitarësh, të thuhet se militantë të partisë së tij nuk janë përmendur nga
qarqet e sigurisë dhe nga qytetarët për mbledhje haraçi – kjo është sikur të
thuash se në Dukagjin fluturojnë zagarët. Nervozizmi i brigadave për njollosje
vetëm tregon se kritikët, përfshirë edhe zonjën Gërvalla, kanë të drejtë në
shumë çështje të ndjeshme që prekin.
174 milionë
euro
Si nuk u
dëgjua zëri i këtyre militantëve partiakë kur shumë medie gjermane gjatë gati
dhjetë viteve të fundit kanë nxjerrë hollësi nga një raport i Shërbimit Sekret
Gjerman (BND), ku Haradinaj përshkruhet si “lojtar kyç” në ndërlidhjen mes
politikës, ekonomisë dhe strukturave të krimit të organizuar në Kosovë? Pse nuk
bëzante kjo turmë kur në mars të vitit 2008 gazeta gjermane “Frankfurter
Allgemeine Zeitung” sillte hollësi nga një studim i botuar në revistën
“Südosteuropa-Mitteilungen”, ku thuhet se sa i përket krimit të organizuar
Kosova paraqet një përjashtim, sepse krimi i organizuar “nuk ka depërtuar nga
jashtë në sistemin shtetëror, por e përbën vetë sistemin politik”. Rrjetet e
krimit të organizuar në Kosovë, nënvizohet në këtë studim, janë “kovaçhane
kuadrosh për politikanë të rinj dhe ambiciozë në Kosovë”. Edhe në këtë studim
Haradinaj përmendet si lojtar kyç.
Me gjasë
disa njerëz në Kosovë kanë menduar se Donika Gërvalla vjen nga Gjermania dhe e
thotë të kundërtën e së vërtetës. Meqë e vërteta e saj ua zë frymën keqbërësve
dhe mbështetësve të tyre, ata merren me mbiemrin e saj të dytë derisa askush në
shoqërinë e Kosovës s’është marrë me asnjë “kapitull finlandez” nga jeta e
Ramush Haradinajt. Jeta private e tij dhe e çdokujt mund të jetë me interes
publik vetëm nëse eventualisht rrezikohet siguria kombëtare. I harruan
militantët e Haradinajt akuzat që Adem Grabovci ia bënte më 2009 shefit të
AAK-së: lista e akuzave është publike, aty përmenden vila në botën e jashtme,
prona në Kosovë dhe krime e vjedhje të kryera nga Haradinaj. Në vitin 2006, po
ashtu në “Rubikon”, lideri i atëhershëm opozitar Hashim Thaçi e akuzonte
Haradinajn se me qeverinë e tij i kanë “marrë nga buxheti i Kosovës” dhe i kanë
“dërguar në drejtime të panjohura” më shumë se 174 milionë euro. Në janar 2013
deputeti i LDK-së Armend Zemaj deklaroi në “Interaktiv” se Haradinaj është i
përfshirë në vrasjen e Tahir Zemajt.
Dëgjueshmëri
cofëtinash
Në vend se
të ballafaqohet me akuzat shumë konkrete firma politike AAK e nxori në televizion
Melihate Tërmkollin, e cila dha një shembull frikësues të propagandës së ulët
politike. E pyetur nëse çdokush që e kritikon AAK-në do të shpallet “agjent i
Serbisë”, Tërmkolli belbëzoi një përgjigje që do të hyjë në analet e diskursit
të neveritshëm publik: ajo tha se çka hedh AAK-ja nga kuzhina në opinion nuk
domethënë të jetë patjetër e vërtetë. “E themi kështu, por nuk e mendojmë
ashtu”. Kjo ishte esenca e përrallës së mesnatës që e tregoi në “Interaktiv” të
KTV-së Melihate Tërmkolli, e cila iku nga LDK-ja, kur kjo parti falë (edhe)
udhëheqjes së saj brenda pesë-gjashtë vitesh humbi hiç më pak se gjysmën e
elektoratit. Ishte një paraqitje me të vërtetë humoristike që ia kalonte
udhëtimit me autobus të Delisë dhe Sheremetit në kohërat e arta të Radiotelevizionit
të Prishtinës, kur zonja Tërmkolli ishte shoqja Tërmkolli. Si në delir ajo
fliste për “kryeministrin Haradinaj” dhe për ata që nuk e paskan dashur Ibrahim
Rugovën. Tërmkolli nuk i drejtohej publikut atë natë, por vetëm një shikuesi të
“Interaktivit”: shefit të saj, duke i bërë hyzmet me disiplinë ushtarake, e
cila është karakteristike për gati të gjithë ata që futen në AAK. Në këtë
kuadër kuzhina e AAK-së na e solli në vëmendje se Donika Gërvalla e paskësh
kritikuar Rugovën edhe për koalicionin e tij me AAK-në. Çfarë hataje, çfarë
sakrilegji! Për dallim nga shumë funksionarë të lartë të Lidhjes Demokratike të
Kosovës, Donika Gërvalla nuk ka pranuar kurrë që karrierën e saj politike ta
ndërtojë me duartrokitje dhe me dëgjueshmëri cofëtinash si shumë liderë të
LDK-së ndaj Rugovës. Sikur të kishte pasur më shumë kritikë seriozë e
dashamirës të Rugovës në LDK si zonja Gërvalla kjo parti nuk do të kishte
humbur kaq shumë mbështetës.
Tërmkolli
sillet si disa moralistë të rrejshëm në LDK që, pasi i kanë mbushur xhepat me
para tenderësh në emër edhe të Rugovës, tani me kamxhik në dorë dhe me
broçkulla përpiqen t’ua mbyllin gojën kritikëve të shumë zhvillimeve politike
duke u thënë: “S’keni të drejtë të flisni, sepse e keni kritikuar Rugovën”.
Rugova s’ka qenë as evlia, as profet, demek i dërguar i Perëndisë, që me shkop
magjik ia tregonte rrugën e drejtë kësaj shoqërie. Kishte merita që s’mund t’ia
mohojë askush, por edhe të meta që figura shahu si Tërmkolli s’dinin apo
s’donin t’ia thoshin. Duke e “dashur” aq shumë Rugovën kasta e shokëve dhe e
shoqeve të Tërmkollit e solli LDK-në para greminës politike. Në këtë “dashuri”
ndaj Rugovës s’ka asgjë të sinqertë, ka vetëm shtirje e hipokrizi. Në rendin e
parë të kësaj garde hipokritësh hyn edhe mysafirja e “Interaktivit”, Melihate
Tërmkolli. Është duke u bërë shumë propagandë politike këto ditë se “Qeveria në
ekzil” ia ka ndalur paratë Rugovës (për një kohë të shkurtër). Por, askush nuk
po e shtron një pyetje të thjeshtë: si i ka menaxhuar LDK-ja paratë që i ka
marrë gjatë gati 10 viteve? Për transparencë nuk është shquar askush nga skena
politike as atëherë, as tash, andaj në vend se të kërkohet një auditim i të
gjitha fondeve, përfshirë edhe Fondin Haradinaj, për të cilin ka pasur edhe
arrestime, Melihate Tërmkolli në dalldinë e vet politike shet mjegull. E çka të
pritet tjetër prej saj kur sa ishte ministre e Shërbimeve Publike vetëm për
zyrën e vet bleu një tavolinë pune në vlerë prej 1.914 eurosh dhe një minibar
prej 2.323 eurosh. Vetëm për mobilimin e zyrës së ministres Tërmkolli ishin
harxhuar gati 30 mijë euro (sipas njoftimeve të medieve të asaj kohe, të cilat
u referoheshin dokumenteve të Ministrisë së Shërbimeve Publike). Nga “dashuria”
e madhe për Ibrahim Rugovën ministrja Tërmkolli kishte transferuar nga
dikasteri i saj në xhirollogari të Presidencës mbi një milion euro “për blerjen
e veturave të blinduara”. Kjo bartje parash është shoqëruar me hetime në Kosovë
dhe Gjermani, me akuza, me procese gjyqësore dhe me dënime. Për këtë dashuri
fliste Tërmkolli në “Interaktiv”: një dashuri e lyer me euro dhe e mbajtur në
këmbë me eshtrat e Rugovës së vdekur. Nuk fliste Tërmkolli, ndërkaq, për
marrëveshjen e arsimit që e pati nënshkruar Rugova me Slobodan Milosheviqin dhe
që mbetet ndër gabimet e tij më të mëdha politike.
Kameleonët
e Kosovës
Jo vetëm
Lidhja Demokratike e Kosovës (nëse vërtet synon të reformohet dhe të
shndërrohet në alternativë serioze ndaj rrënimit shumëvjeçar të shtetit), por
edhe Kosova ka nevojë për shumë më tepër figura politike si Donika Gërvalla, që
kanë dhënë aq shumë kontribut për lirinë e Kosovës pa i marrë asaj asgjë. Asnjë
cent. Kush prej politikanëve aktualë të Kosovës mund të thotë për veten e tij
diçka të tillë pa gënjyer? Janë pak, ndoshta as sa gishtat e njërës dorë. Ata
që i kanë duart e pastra, që janë të lirë të shprehin atë që shumica e njerëzve
në Kosovë e kanë në zemër, siç është Donika Gërvalla, nuk bëjnë kompromise të
pista politike. Ata që kanë obligime ndaj oligarkëve, rrjeteve të krimit të
organizuar, idhujve të rrejshëm politikë etj., bëjnë koncesione dhe nuk e kanë
problem të bëhen kameleonë. Në kuptimin figurativ Fjalori i Gjuhës Shqipe
kameleonin e shpjegon kështu: “Njeri i lëkundshëm e me shumë faqe, që ndërron
shpesh qëndrimin a sjelljen për të mbrojtur interesat e veta”. Kosova është
arenë e përshtatshme për kameleonë dhe grupe zhvatëse. Kontributi i Donika
Gërvallës është i pastër si loti dhe i dokumentuar nga mediet gjermane.
Aktivitetet e saj politike në Gjermani po ashtu janë të njohura, kredibilitetin
e saj nuk mund ta cenojnë disa dordolecë mëhalle që kompjuterin e përdorin si
armë. Zonja Gërvalla nga ky debat doli fitimtare edhe nga shkaku se brigadat
për njollosje nuk u morën me çështjet që ngriti ajo. Synimi i këtyre grupeve
parapolitike është ta heshtin të vërtetën me dhunë e me shantazhe. Kosova,
ndërkaq, ka arsye të shqetësohet, sepse po shndërrohet në shtet të
njëmendësisë, ku politikanët që po e çojnë Republikën drejt greminës po e
rezervojnë edhe të drejtën që të jenë interpretues të vetëm të historisë dhe të
përditshmërisë sonë.

Kommentare
Kommentar veröffentlichen